Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHÓG/Ë,~A f. 1. Pjesë e kokës ku kanë rënë flokët, tullë, toç, qere. I dukej (i shndriste) shoga. I ka mbetur koka shogë.
2. sh. ~A, ~AT Rrip i gjerë e i gjatë zakonisht prej leshi për ta ngjeshur në bel, që përdoret si aksesor, brez. Shogë ari. Kishte veshur një fustan të bardhë me një shogë të zezë në mes. Kishte harruar të vendoste shogën. Bleu një shogë te re.
3. mjek. Kromë, zgjebe. E zuri shoga. Ishte me shogë. Sëmundja e shogës.
✱Sin.: tullë, toç, qere; kromë, zgjebe.
TOÇ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Kalli i vogël misri, kalli i parritur a i pazhvilluar si duhet. Misri kishte bërë ca toça. Mblodhën ca toça.
2. Pjepër a shalqi i vogël. Këputi një toç.
3. Kokë lakre a sallate.
4. fëm. Kokë. Iu vra toçi. E ka toçin të madh (të vogël). E ka toçin gur nuk bindet; nuk i mbushet mendja lehtë. E çukiti në toç.
5. Pjesa e kokës që duket kur bien flokët, tepja e kokës pa flokë; tullë. Toçi i kokës. I dukej (i doli) toçi. I ra në toç.
6. Kafshatë (buke), çapë, mëllë. Hëngri dy toça bukë.
7. si ndajf. Duke qethur a duke rruar flokun gjer në rrënjë; pa flokë, tas. U qeth toç. E ka (e bëri) toç kokën.
8. si mb., fig. I lehtë nga mendja, torollak. Djalë (plak) toç.
✱Sin.: tullë, shogë, torollak.
TÚLL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Copë deltine zakonisht katërkëndëshe, që ngjishet e piqet në furrë të posaçme dhe që përdoret për ndërtimin e mureve. Tullë me veshë (me vrima). Tulla silikate. Pallat me tulla të bardha. Tullë e kuqe (e bardhë). Ngjyrë tulle ngjyrë e kuqërremtë. Prodhimi i tullave. Mur me tulla. Fabrikë (furrë) tullash. Tullë zjarrduruese.
2. bised., tall. Pjesa e sipërme e kokës pa flokë (për burrat). I doli tulla. Fshiu tullën.
3. bised., tall. Tullac. Erdhi tulla.
4. si mb. Tullac, pa flokë. E ka kokën tullë. E bëri kokën tullë i preu flokët gjer në rrënjë ose e rroi kokën me brisk.
5. si ndajf. Top, rëndë. Fjeti tullë. E bëri gjumin tullë.
6. fig., si ndajf. Shumë i thatë, i fortë,(kryesisht për bukën e ndenjur dhe të ftohur). Buka ishte tullë e fortë.
✱Sin.: pjekull, qerpiç, plithar, çaçkë, shogë, tullac.
♦ Ia bëri kokën tullë (dikujt). 1. E qethi deri në rrënjë të flokëve. 2. Ia zbuloi të gjitha të metat e dobësitë; ia shpërfaqi mendimet e synimet. E ka kokën tullë (dikush). 1. shih e ka kokën fushë (dikush). 2. Është kokëfortë; e ka kokën gur; e ka kokën shkëmb. E ka turirin dy tulla një plithar (dikush) përçm. është shumë i shëmtuar në fytyrë; nuk shihet dot me sy; të ikën barkun; të kall (të shtie, të jep) datën.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë