Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTEN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Nuk marr pjesë në një votim, në një vendim ose në një aktivitet të caktuar, nuk shprehem as po, as jo për një vendim që merret me votim; nuk marr pjesë në një punë, në një mbledhje ose në një veprimtari. Abstenoi gjatë votimit. Tre veta abstenuan. Abstenoi nga diskutimi. Abstenuan ndaj komenteve. Abstenoj nga takimi i planifikuar.
2. Shmangem nga diçka për arsye morale, etike ose fetare. Abstenoi nga ushqimi i dëmshëm. Abstenoi nga sjelljet e papëlqyeshme. Abstenuan nga pijet alkoolike.
✱Sin.: përmbahem, vetëpërmbahem, largohem, mënjanohem.
ANASHKAL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. edhe jokal. 1. I kaloj anash diçkaje, i bie anash, përreth. Anashkaloj rrugën. Anashkaluam shtëpinë e tij. Anashkaloje!
2. fig. I shmangem a e trajtoj përciptas diçka; e kaloj për anash. E anashkalova qëllimisht.
BEFASÍ,~A f. 1. Gjendje në të cilën jemi të papërgatitur për një të papritur; të qenët i papritur për dikë (për një ngjarje, për një veprim etj.); beh. Goditje në befasi. Zë (kap, gjen) në befasi. Sulmoi (goditi) në befasi. Shfrytëzon befasinë.
2. Goditje ose veprim i papritur dhe i menjëhershëm kundër dikujt. Me anë të befasisë. Përdori befasinë. I shmangem befasisë.
BISHTN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. I shmangem takimit me dikë a me diçka të padëshiruar. Nuk e kap dot, se më bishtnon. Duke u bishtnuar pyetjeve. I bishtnonte vështrimit të saj.
2. Iki tinëz, largohem fshehurazi pa më parë kush.
3. fig., keq. I shmangem punës a fjalës, duke nxjerrë shkaqe të kota, i bëj bisht, nxjerr bishta, dredhoj. I bishtnoi punës (përgjegjësisë). Bishtnoi në fund të bisedës. Nuk i zihet besë se i bishtnon llafit.
4. Tërhiqem nga një ndeshje a përballje me dikë tjetër a me diçka; kthehem mbrapsht, largohem. Luftuan derisa ata bishtnuan të turpëruar.
✱Sin.: dredhoj, dredh, përdridhem, lakadridhem, spërdridhem, tërthoj, lakoj, gjarpëroj, gemtoj, rrëshqas, shkas, turrahit, kopiloj.
BOJKOT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Shpreh mospajtimin dhe kundërshtimin tim kundrejt qëllimeve politike, ekonomike etj. të organeve shtetërore, të një organizate ose të një pronari, duke ndërprerë lidhjet e marrëdhëniet dhe duke mos u shërbyer atyre. Bojkotuan institucionet shtetërore. Bojkotuan qeverisjen krahinore.
2. Largohem nga një veprimtari a nuk marr pjesë në të kur jam i pakënaqur me të; i shmangem diçkaje. Bojkotuan zgjedhjet (votimet, raundin e dytë). Bojkotoi mbledhjen. Bojkotojnë shkollat (mësimet, provimet). Bojkotian censusin.
3. Përjashtoj dikë nga një shoqatë, nga një organizatë etj., duke e lënë të vetëm, pa asnjë lidhje me të tjerët; kundërshtoj të marr në dorëzim, të blej ose të përdor diçka (mallra etj.); i largohem, i shmangem krejt diçkaje. Bojkotoi mallrat.
4. fig., shpërf. Nuk kujdesem më për dikë a për diçka, e lë pas dore, i kthej krahët, e lë në baltë; harroj, mohoj, nuk ia var; neverit, shpinoj. - Dhe tani po më bojkoton, harrove ç’kam bërë për ty?!
✱Sin.: kundërshtoj, ndërpres, pengoj, bllokoj, përjashtoj, largohem, shmangem, harroj, mohoj, neverit, shpinoj.
DAL vep., DÓLA, DÁLË 1. jokal. Shkoj nga një vend i mbyllur, i rrethuar etj. jashtë tij, duke i kapërcyer caqet e tij; shkoj nga brenda jashtë; kund. hyj, futem. Dal nga shtëpia (nga dhoma, çadra, nga zyra, nga fabrika, nga miniera). Dal nga autobusi. Dal nga qyteti (nga fshati). Dal nga deti. Doli nga pylli. Doli nga vatha (nga stalla). Doli nga strofulla (nga vrima, nga shpella). Doli nga streha (nga hija). Dal nga rreshti (nga radha). Uji (gazi) del me forcë (me shpejtësi) nga gypi. Tymi del nga oxhaku. Doli nga rrethimi.
2. jokal. Largohem përgjithmonë a përkohësisht nga një vend ku kam qenë, nga një mjedis i caktuar ose nga radhët e një kolektivi; kund. hyj. Dal nga puna (nga zyra) në orën katër. Nxënësit dolën nga shkolla. Dolëm vonë nga mbledhja. Bëj (marr) të dal.
3. jokal. Shkoj në një vend zakonisht të hapur, lë një vend e shkoj në një vend tjetër me një synim të caktuar; vete në një vend e qëndroj atje ose lëviz nëpër të për të mbaruar një punë; vete e zë vend diku. Dal shëtitje (rrugëve, fushave). Dolën malit. Dal nëpër ara. Dal në pazar. Dal për gjah. Dal me shërbim. Dilte çdo mbrëmje. Dal në lundrim (në det të hapur). Dal në punë. Dal në krye (në ballë). Doli te burri u martua. Nuk para del.
4. jokal., vet. v. III Buron nga diçka; vjen jashtë nga një send ose duke u shkëputur prej tij. I dolën jargë nga goja. I dolën djersët (lotët). Po del tym. I del avull nga trupi. Rrëshira dilte nga e çara e trungut të pishës. S’dalin dy lëkurë nga një dele (nga një berr). (fj. u.). S’del dhjamë nga pleshti. (fj. u.).
5. jokal. Përhapet; rrezatohet. Dalin shkëndija. Del dritë. Del një erë e mirë.
6. jokal., vet. v. III Shfaqet e duket; lind. Doli dielli (hëna). Doli drita. Dolën xixëllonjat.
7. jokal. Ndeshem a piqem me dikë, vete ta takoj, ta pres etj.; vete diku për një qëllim të caktuar; paraqitem para dikujt; dukem diku ku me shohin të gjithë; paraqitem. Doli para gjyqit (në gjyq). Doli para spektatorëve. I doli përpara të birit. I doli përpara makinës. Doli në skenë (në televizor). I doli një ujk. I doli në pritë. Na doli përpara papritur. Doli ta priste (ta përcillte). - Nga na dole kështu?
8. jokal., vet. v. III Më vjen përpara, ndeshem me të; shfaqet (edhe fig). Na doli një punë. U doli një vështirësi (një pengesë, një e papritur). Na dolën ca telashe. I doli në ëndërr. Më del para syve e kaluara. Më doli ujku mu përpara.
9. jokal., vet. v. III Shkëputet e largohet diçka nga vendi i vet, hiqet nga vendi ku është futur a është mbërthyer, ikën. I doli rrota qerres (karrocës, biçikletës, makinës). I doli vida (doreza). I doli bishti sëpatës (lopatës). I doli pyka (gozhda). Doli dera (dritarja) nga vendi. Doli peri nga gjilpëra. Dolën shtizat nga sythat.
10. edhe fig., jokal. Kapërcej kufijtë e zakonshëm, nuk përmbahem brenda caqeve të caktuara, zgjerohem, shtrihem; vet. v. III vërshon; shmanget. Doli nga rruga. Doli treni nga binarët. Doli topi nga fusha (sport.). Doli lumi nga shtrati. Guri del pak jashtë (nga vendi). I kanë dalë kockat (mollëzat). Doli nga tema (nga rendi i ditës). Doli përtej caqeve të diçkaje. Del jashtë mundësive (të drejtave) tona.
11. jokal., vet. v. III Prishet, shkëputet e bie nga vendi i vet; ikën diçka, humbet, nuk është më ose bëhet më e dobët, nuk e ka më forcën e mëparshme; zbeh. I doli boja tryezës. I doli kallai enës. I doli fundi kusisë. I doli ngjyra (boja) basmës (fustanit, murit). I doli shija (lezeti). I doli era.
12. edhe fig., jokal., vet. v. III Zbulohet e duket diçka, pasi i është hequr ose është grisur ajo që e mbulonte a e fshihte. I doli tabani tokës. I dolën themelet shtëpisë. I dolën gjunjët (bërrylat, gishtërinjtë). Doli e vërteta në shesh.
13. jokal., vet. v. III Mbin, rritet a shfaqet diçka; duket, shpërthen; më shfaqet (një sëmundje etj.). Doli gruri (misri). Ka dalë bari. Dolën sythat. I dolën dhëmbët (flokët). I doli mjekra. I dolën thinjat. I doli një xhungë (një i thatë). I doli verdhëza (bised.). I ka dalë lija (bised.).
14. bised., jokal., vet. v. III Mbaron, përfundon; ikën. Doli dimri (janari). Doli kisha (mesha) (fet.).
15. jokal. Shkëput lidhjet me të tjerët; iki nga një organizatë, nga një lidhje etj.; largohem nga një punë, nga një lojë etj.; lë. Doli nga organizata. Doli nga Lidhja (nga Traktati). Dal nga loja (nga gara). Doli nga puna. Doli nga lufta (nga beteja). Doli më vete u veçua, u shkëput.
16. jokal., vet. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më ikën, më largohet, nuk e kam më; nuk është më (edhe fig.). I doli inati (zemërimi). I doli gjumi. I doli pija (rakia). I doli narkoza. I doli frika. Doli nga moda. Doli nga përdorimi (nga qarkullimi). Më mirë të të dalë syri sesa nami. (fj. u.).
17. edhe fig., jokal. Shpëtoj nga një gjendje e vështirë, e kapërcej diçka të keqe, një rrezik etj. Dolën nga rreziku. Doli nga kurthi. Dolëm nga prapambetja. Doli nga kllapia. Dolëm nga dimri. Nuk del nga kriza.
18. fig., jokal., vet. v. III Nuk mbetet diçka e fshehtë a vetëm në një rreth të mbyllur, por bëhet e njohur edhe për të tjerë; përhapet. Doli e fshehta (sekreti). I doli gënjeshtra (rrena) sheshit. I dolën të palarat. Doli lajmi anembanë. I doli nami për të mirë (për të keq). Doli fjala e morën vesh të gjithë. Doli fjala nga dhëmballa, e merr vesh e gjithë mëhalla. (fj. u.).
19. jokal., vet. v. III E ka burimin, buron, rrjedh (për lumenjtë etj.); vjen (edhe fig.). Drini i Zi del nga Liqeni i Pogradecit. Doli naftë (ujë). Lajmi ka dalë nga burime të sigurta. Urimi i del nga zemra.
20. jokal., vet. v. III Merret, nxirret a lind prej diçkaje; formohet; është prodhim i dikujt, prodhohet. Vaji del nga ulliri (nga lulja e diellit). Nga vezët dalin vemjet. Uji del nga bashkimi i hidrogjenit me oksigjenin. Nga shtresa e brendshme e kokosit del glukozë. Sapo doli nga fabrika.
21. fig., jokal. Kam prejardhjen shoqërore, vij nga një shtresë a klasë shoqërore, rrjedh. Ka dalë nga fisi i dëgjuar.
22. jokal., vet. v. III Botohet; shpallet. Doli një roman i ri. Doli gazeta. Doli vendimi (urdhri).
23. jokal., vet. v. III Vihet në shitje, në qarkullim etj. Dolën domatet (portokallet).
24. jokal., vet. v. III edhe fig. Vjen si përfundim i diçkaje, vjen si pasojë, si rrjedhim a si rezultat; rrjedh; paraqitet. Del si përfundim (si pasojë, si rrjedhim) i veprimit të tij. Del e nevojshme (e domosdoshme). Tashti del në plan të parë... Doli ndryshe puna. Prej kësaj del se... S’doli gjë ajo fjalë. S’del gjë prej asaj pune (nga ai njeri). Nga kërkimet s’doli ndonjë gjë e re. S’të del mundimi përfitimi është më i vogël nga puna a nga përpjekjet që bën. Çdo gjë doli ashtu siç ishte parashikuar.
25. fig., jokal., vet. v. III Vjen në një përfundim, gjen zgjidhjen që kërkohet a që dëshirohet, përfundon; zgjidhet. Përfundimi doli mirë. S’i dolën llogaritë. Na doli numër i madh. Ushtrimi nuk del nuk zgjidhet.
26. fig., jokal. Arrij në një përfundim të caktuar; bie a vij në një gjendje (të mirë a të keqe). Ndeshja doli 2-1 për ekipin vendës. Dal faqebardhë. Doli fitues (fitimtar). Doli i pari. Dolën barabar. Doli i mundur. Doli mirë (keq). Si dole? Doli i pafajshëm. Doli me humbje (deficit). Daltë për mirë! (ur.). Doli në selamet (bised.). Doli në lirim (vjet.) u lirua nga shërbimi ushtarak. Dal në pension shkëput përgjithnjë marrëdhëniet me qendrën e punës me të drejtë pensioni.
27. fig., kal. Jam i aftë të përballoj a të kryej një punë, një detyrë etj.; e kryej mirë një punë duke kapërcyer pengesa e vështirësi; jam i zoti e i aftë ta kundërshtoj, ta mposht a ta mund dikë; mund t'ia kaloj dikujt; mund t'i vihem përballë a të ballafaqohem me dikë në një punë etj.; përballoj, kaloj, shkoj. A ia del dot asaj pune? S’ka njeri që t’ia dalë. S’ia del dot me fjalë (me të keq). - Si ia dole kësaj të përpjete?
28. fig., jokal. Fitoj një profesion, pasi kam kryer një shkollë dhe kam përvetësuar dije e shprehi të caktuara; bëhem, arrij të jem. Doli inxhinier (mjek). Doli teknik i mesëm.
29. fig., jokal. I hyj diçkaje ose shkoj diku me vullnetin tim; marr përsipër të bëj diçka. Doli vullnetar. Doli i pari në olimpiadë. Doli dëshmitar (dorëzanë). Doli kundër dikujt a diçkaje.
30. fig., jokal. E tregoj veten se ç’njeri jam, më dalin në shesh të mirat a të këqijat që kam nëpërmjet sjelljes e punës sime. Doli njeri i mirë (i keq). Doli i zoti (trim, burrë i mirë). Doli i pabesë (tradhtar, batakçi).
31. jokal., vet. v. III Duket si është pasi provohet a pasi kontrollohet diçka, rezulton. Pjepri doli i ëmbël. Arra doli fyçkë. Veza doli e prishur. Ura doli e shëndoshë. Kali doli i fortë (zevzek).
32. jokal., vet. v. III Është i mjaftueshëm, mjafton, arrin. Del për një fustan (për një bluzë). Del edhe një jelek. S’i dolën paratë. Nuk më del koha. Mezi u dilte për të ngrënë. A na del mielli? Në mos del, tepron (shaka.) do të bëjmë si do të bëjmë, të mos qahemi. Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar (fj u.).
33. jokal., vet. v. III E ka drejtimin diku, të nxjerr a të çon në një vend a në një drejtim të caktuar. Shkallët dalin në kopsht. Kjo rrugë del në sheshin qendror.
34. fig., jokal., vet. v. III Bëhet ashtu siç mendohej a parashikohej, vërtetohet; kryhet. I doli fjala. Do që t’i dalë e vetja. Ëndrrat nuk dalin.
35. fig. Kam një qëllim të caktuar, synoj diku; qëlloj, godit. - Ku do të dalësh? - Prit, se aty do të dal! Gjithë debati dilte tek edukimi i fëmijëve.
36. fig., jokal., vet. v. III I jepet a i caktohet dikujt diçka (një mundësi, një e drejtë, një rast etj.), i shfaqet mundësia për diçka. I doli bursa (e drejta e studimit). I doli emërimi. I doli fati vajzës (vjet.) u fejua e u martua.
37. bised., kal., Kapërcej. Doli lumin me not. Doli pragun.
38. jokal., vet. v. III Sipas kuptimeve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 15, 17, 26-29. Këtej nuk dilet. Dilet lehtë. Do t’i dilet mbanë edhe kësaj pune. Nuk i dilet përpara.
✱Sin.: shkoj, largohem, lë, vete, lëviz, buron, shkëputet, vjen, përhapet, rrezaton, shfaqet, duket, lind, ndeshem, piqem, takohem, pres, ikën, hiqet, shtrihem, zgjerohem, shmangem, vërshon, prishet, dobësohet, bie, zbehet, humbet, zbulohet, mbin, rritet, shpërthen, mbaron, përfundon, mësohet, kuptohet, rrjedh, pikon, botohet, shpallet, qarkullon, paraqitet, shitet, prodhohet, zgjidhet, rezulton, bëhem, diplomohem, formohet, mjafton, arrin, sos, vërtetohet, provohet, synon, qëllon, jepet, caktohet, kapërcen, kalon, përshkon.
♦ Doli nga *ama (dikush). Dal në *anë. I doli *asi (dikujt) libr. S’i kanë dalë (s’i kanë plasur) *arpallëkët (dikujt) iron. I doli *bakri (dikujt) keq. Doli (u ngrit) nga *balta (dikush). I ka dalë (i ka mbirë) *bari (në faqe) (dikujt). Doli nga *bataku (dikush). Dal nga *binarët. Dolën *bishta. I doli *boja (dikujt) keq. Doli (u bë) *bollë (diçka) krahin. I dola *borxhit (nga borxhi) (dikujt). Doli në *botë (dikush). Doli nga *brazda (nga hullia) (dikush). Dal në *breg. Dal në *cekë. I doli *çika (diçkaje) krahin. Doli *çirak (dikush) vjet. Të dalë ku të dalë! le të ndodhë çfarë të dojë (kur dikush vendos të bëjë diçka që mund të ketë pasoja jo të mira); të bëhet ç’të bëhet!; tym të bëhet!; ku rafsha mos u vrafsha!; ja hop, ja top!; ja shyt, ja fyt!; ku ta nxjerrë trapi (dikë); gjysma e mijës pesëqind! Ka dalë nga *defteri (dikush) shpërf. S’del për *dere (dikush). Doli në *diell (dikush). Më doli nga *dora (dore, duarsh, nga duart) (dikush a diçka). Doli në *dritë (dikush a diçka). Doli *duarbosh (dikush). Doli (mbiu) nga *dheu (dikush a diçka). S’i kanë dalë (ende) *dhëmbët (dikujt) shpërf. I doli *emri (dikujt). I doli (i ra) *era (diçkaje). Doli në *faqe. Ia doli në *faqe (dikush). Ka dalë *fare. I doli *fati (dikujt). Doli (iku) nga *faza (dikush) bised. I doli *filli (diçkaje). Më doli nga *fiqiri (diçka). Ka dalë nga *fiqiri (dikush) keq. Del nga *fjala (del fjale) (dikush). I kanë dalë *fjalë (dikujt). I doli *flaka (diçkaje). Doli me *flamur (dikush). Më dolën *fletë. I doli *fryma (dikujt). I ka dalë *fryma (diçkaje). I dal në *fund (diçkaje). Doli në *fushë (diçka). Më doli *gorricë (diçka). S’del *gjë (nga dikush). Më doli *gjuha një pëllëmbë (një pashë, nga vendi) tall. I doli *gjumi (dikujt). I dola *hakut (dikujt). Nuk më del *hesapi (llogaria). Doli në *hënëz (dikush). Më doli nga *hiri (dikush a diçka). Doli nga hullia (nga *brazda) (dikush). Më doli nga *hundët (për hundësh) (diçka). (Hëngri) sa i doli nga *hundët (për hundësh) (dikush). Ia do *hunda (dikë a diçka). I doli (i vajti) *huq (dikujt). I doli *içi (diçkaje). Dal *jashtë euf. Dal (vij) në *jetë. Dal (iki, ndahem) nga *jeta. I doli *kallaji (dikujt) keq. I dal (i rri) *kallkan (dikujt). Dola nga *këmisha. I doli *kësmeti (dikujt) vjet. I kanë dalë *kockat (dikujt). I doli *koka (diçkaje). I doli *kondakut (dikush) keq. Ka dalë (luajti) nga *kondaku (dikush) tall. Dal nga *kornizat libr. I dal (i bëhem) *krah (dikujt). Më dolën *krahë. I del *krehër (dikujt). Më doli (m’u bë) *kripë (diçka). I doli *kripa (dikujt a diçkaje). Ia dal në *krye (diçkaje). Nuk i doli në *kut (dikujt). Doli pa u *lagur (dikush). Dola *i larë. I doli (i iku) *lezeti (dikujt a diçkaje). (Të bën) të dalësh nga *lëkura (dikush). S’ka dalë nga *lëvozhga (e vezës) (dikush) mospërf. Dola *linjës. Doli nga *loja (dikush). Më doli (më ra) *lotaria. Sikur i del *lugati (dikujt) iron. I doli (i iku) *lyra (dikujt). Më doli *llapa tall., bised. Ia dal *mbanë (diçkaje). Nuk del në *mejdan (dikush) keq. Më doli (më iku) nga *mendtë (diçka). Doli *mendsh (dikush). Më doli nga *mendja (diçka). (Del) *mendje mbi mendje (dikush) iron. Më doli *mjekra. Dal nga *mosha. S’ka dalë jashtë *mureve (dikush). Doli (u nda) me *nder (dikush). Dal në *orbitë libr. Doli në *pah (dikush a diçka). Ka dalë në *pazar (diçka). I dolën *pendët (dikujt). I dal *përpara (dikujt a diçkaje). Nuk i dal (dot) *përpara (dikujt). S’ka dalë nga *pragu (dikush). Doli *puplash (dikush). I dolën *puplat (dikujt). Më doli nga *qejfi (dikush a diçka). Del në *reliev (diçka) libr. I ka dalë *rrënja (dikujt). I doli *rripi (dikujt) keq. vulg. Doli nga *rruga (rruge) (dikush). Doli në *sipërfaqe (dikush a diçka). I dal në *skaj (diçkaje). Doli në *skenë (dikush) libr. Doli (u largua) nga *skena (dikush) libr. Del nga *strofulla (dikush). Më dolën *sytë. Të del *syri (për dikë a për diçka). Nuk i dal në *sy (dikujt). I dolën *sytë (jashtë, nga vendi) (dikujt). Del në *shesh (diçka). Doli *sheshit (diçka). S’ka dalë nga *shpërgënjtë (dikush) mospërf. I doli *shpirti (dikujt). Dil o *shpirt të dalësh! I doli *shtupë (dikujt). Në mos del, tepron shaka. do të bëj si të bëj, të mos qahem për vështirësitë ekonomike; do t’ia dal me ato që kam. Doli nga *terezia (dikush). Më dolën *trutë. I doli *tymi (diçkaje). Tym të dalë! (tymi le t’i dalë!). Më dolën* thinjat. S’i del gjë prej *thonjve (dikujt). Doli mbi *ujë (dikush). Dal në *va. Sikur ka dalë nga *varri (dikush). Dal nga *vetja. Doli (u bë) më *vete (dikush). Del (vjen) *vetvetiu (diçka). Sa ka dalë nga *veza (dikush) mospërf. S’ka dalë nga *veza (dikush) mospërf. Më doli nga *zemra (dikush a diçka). I dal për *zot. *Fishek hyri e fishek doli (dikush) keq. *Hyjmë e dalim (me dikë). Si *hyri doli (dikush). Hyn me *mend e del pa mend (diku). Është dil të dalim (dikush) është kokëkrisur, nuk mendohet shumë për të bërë diçka; (është) si era e malit; e ka mendjen veri. Këtej i *hyn andej i del (dikujt) mospërf. Ka dalë në *mezhdë (dikush). Ka nisur t’i dalë *gjuha (dikujt) keq. Të del *syri (për dikë a për diçka). Nuk i dal në *sy (dikujt). Të dalshin (të plaçin) *sytë shar. I doli në *shteg (dikujt). Dola *shyt. Më dolën *trutë. I thotë *diellit ja dil a ja të dal (dikush). I doli *thonjsh (diçka a dikush). Doli udhe (nga udha, rruge, nga *rruga) (dikush). Doli nga *vallja (dikush). Doli nga *vatha (dikush). Nga një *vesh i hyn nga tjetri i del (dikujt). S’del *yndyrë (nga dikush). Më doli nga *zemra (dikush a diçka). I dal për *zot (dikujt a diçkaje).
►DEGJENER/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Humbet karakteristikat e veta dalluese e thelbësore; humbet vetitë a cilësitë më të mira të llojit të vet, prishet, zvetënohet, degjeneron. Fara është degjeneruar. U degjenerua raca.
2. vetv. Largohem a shmangem nga rruga e drejtë, humbas virtytet dhe cilësitë më të mira morale etj., prishem, zvetënohem. Degjenerohet moralisht.
3. pës. e DEGJENERÓJ.
✱Sin.: prishem, zvetënohem, bastardohet, shthurem, përdhosem.
DEGJENER/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal., vet. v. III Humbet karakteristikat e veta dalluese e thelbësore; humbet vetitë a cilësitë më të mira të llojit të vet, prishet, degjenerohet. Degjeneron lloji. Degjeneron raca.
2. kal., vet. v. III Ndryshon karakterin, qëllimin a pikësynimin e mirë që kishte dhe sjell të kundërtën e asaj që pritej, prishet. Degjeneruan udhëzimet. Degjeneroi zgjidhja e problemit.
3. jokal. Largohem a shmangem nga rruga e drejtë, humbas virtytet dhe cilësitë më të mira morale etj., prishem, shthurem, zvetënohem. Degjeneroi politikisht (moralisht).
4. kal., vet. v. III Bën që të humbasë karakteristikat e veta dalluese e thelbësore; bën që të humbasë vetitë a cilësitë më të mira të llojit të vet; e prish; e zvetënon. E degjeneruan farën. E degjeneruan racën. Bënë çmos për të degjeneruar të rinjtë.
5. kal. Ia ndryshoj karakterin, qëllimin e pikësynimin e mirë që kishte, bëj që të sjellë të kundërtën e asaj që pritej, e prish, e shtrembëroj. E degjeneroi bisedën.
✱Sin.: zvetënohet, prishet, degjenerohet, humbet, shthuret.
DREDH vep., DRÓDHA, DRÉDHUR 1. kal. Rrotulloj disa herë dy a më shumë fije së bashku për të bërë një fill të vetëm më të trashë e më të fortë; përdredh; kund. zhdredh, shpërdredh. Dredh fijet. Dredh telin. Dredh litarin (gjalmin).
2. kal. E bëj fill leshin, pambukun etj. duke e tjerrë; kund. shtjerr. Dredh lesh (pambuk). Dredh me furkë.
3. kal. E kthej dhe e rikthej diçka duke e lëvizur rreth vetes a rreth një boshti; përdredh. Dredh trupin. Dredh hellin. S’dridhen fletët e mullirit, po nuk pati ujë lugu. (fj. u.). Kush e nis vallen, di ta dredhë vetë. (fj. u.).
4. kal. I jap trajtë të valëzuar diçkaje të drejtë, e bëj dredha-dredha ose valë-valë; e bëj diçka me majë të lakuar duke e rrotulluar me majat e gishtërinjve; përdredh. I ka dredhur flokët. Dredh mustaqet.
5. kal. Rrotulloj diçka rreth gishtit; sjell rrotull nëpër gishtërinj, mbledh a mbështjell si rrotull një copë letër a diçka të ngjashme me të. Dredh letrën. Dredh një cigare. - Dridhe njëherë! (bised.) bëj një cigare! Dredh zinxhirin. Dredh tespihet.
6. kal. dhe jokal. Ndërroj a kthej rrugën që kam nisur, kthehem; nuk mbaj drejtimin e mëparshëm, dredhoj. Drodhi udhën. Drodhi tatëpjetë (majtas, djathtas) kur e pa.
7. fig., bised., keq., kal. E hedh fjalën a bisedën gjetiu, për t'i bërë bisht muhabetit, i shmangem me dredhi përgjigjes së drejtpërdrejtë; i shpëtoj diçkaje me dredhi e me mashtrime; ndryshoj me shkathtësi qëndrimin tim të mëparshëm; duke u përpjekur që të mos e marrin vesh të tjerët; veproj e sillem sipas rrethanave e si të ma kërkojë puna a interesi, bëj dredha. E drodhi fjalën (bisedën). E drodhi punën. - E drodhi qerratai! - Do ta dredhë që të humbasë gjurmët. - Shiko se e dredh ai!
8. kal. E bëj dikë a diçka që të dridhet disa herë; e bëj që të rrëqethet. E drodhi elektriku (korrenti). E dridhnin ethet e verës.
9. fig., bised., kal. E tund që nga themelet diçka, e tund a e lëkund fort, e trondit; bëj që të zërë frika dikë e t'i hyjnë dridhmat. E drodhi ai lajm. E drodhi tërmeti. Hajde toska i vogël, drodhe mal e kodër.
10. kal. E nxjerr zërin duke e lëvizur lehtë më lart e më poshtë se toni kryesor, duke e ngritur e duke e ulur pak (kur këndojmë). - Sa bukur e dridhte zërin.
11. kal. Holloj petë. Dredh petë.
♦ E dredh (e lëviz, e luan) *bishtin (dikush) keq. E drodhi (e përdrodhi) *bishtin (dikush) përçm. E dredh (e përdredh) *fjalën (dikush). E dredh në *furkë (dikë). E dredh *gjuhën (dikush). E drodhi *këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. Dredh *leshtë (dikush) keq. Ma drodhi *litarin (dikush). E drodhi (e përdrodhi) *qafën (dikush) përb. Dredh (tund) *shaminë (dikush) keq. Di ta dredhë *shaminë (dikush). Dredh (tund) *zinxhirin (dikush).
✱Sin.: përdredh, spërdredh, tjerr, shalakat, rrotulloj, vërtit, lakadredh, dridhëroj, rrëqeth, ngjeth, trondit, holloj, tëholl.
GJARPËR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Shkon a lëviz duke bërë dredha; ecën në një vijë me lakime të njëpasnjëshme; shtrihet a rrjedh me kthesa të lakuara; dredhon. Gjarpëronte nëpër lëndina (nëpër shkurre). Gjarpëron lumi. Gjarpëron rruga.
2. fig. Dredhoj, i shmangem me dredhi diçkaje. Gjarpëroj përmes rreshtash.
✱Sin.: dredhon, lakoj, nepërkoj, bishtnoj, tërthoj, shmangem.
HA vep., HËNGRA, NGRËNË 1. kal. Përtyp dhe kapërdij diçka për t'u ushqyer (zakonisht gjëra jo të lëngshme ose gjysmë të lëngshme). Ha bukë (mish, patate, karota, speca). Ha gjellë (supë). Ha dardhë (banane, rrush, portokalle). Ha ëmbëlsirë (çokollata, tortë).
2. kal. Ushqehem; përdor si ushqim; marr ushqimin në një kohë të caktuar (për drekë, për darkë etj.). Ha në shtëpi (në restorant, në mensë, në shkollë). Ha shumë (pak). Ha shpejt (ngadalë, herët, vonë). Ha mëngjes (drekë, darkë). Ha ushqim tradicional (meksikan, italian) I jap të hajë. Ha bukën time nuk u bie në qafë të tjerëve. Ha bukën e mikut, bën duanë e armikut. (fj. u.) merr të mira nga dikush dhe i shërben dikujt tjetër. Kur s'ke pulën, ha (edhe) sorrën. (fj. u.) kur nuk ke mundësi për diçka shumë të mirë, do të kënaqesh edhe me pak. Ç’i ha goja do ia tregojë boja. (fj. u.) ai që ha shumë, e shfaqe në pamjen e jashtme.
3. jokal. Kafshoj; thumboj, pickoj. E hëngri qeni (ujku, ariu). E hëngri grerëza. E hëngri gjarpri. E ha me dhëmbë. E kanë ngrënë mushkonjat (pleshtat, tartabiqet).
4. kal. E gërryej diçka a e grij pak e nga pak, e brej duke e kruar a duke e fërkuar me diçka ose pas diçkaje; e prish diçka duke e copëtuar grimca-grimca. Ha me limë. Ndryshku e ha hekurin. I ka ngrënë mola rrobat. E ka ngrënë krimbi drurin. Uji ha edhe gurin. E ka ngrënë lumi (përroi) bregun. I hëngri pak anët (qoshet). E ha me dhëmbë perin e këput me dhëmbë.
5. fig., bised., kal. (zakon. me trajtë të shkurtër përemërore) Më mundon diçka përbrenda vazhdimisht, më grin përbrenda pak e nga pak, më bren, s'më lë të qetë; vuaj përbrenda. E hëngri hidhërimi. E hëngri malli për dikë a për diçka. Ha inat me vetveten. Ha veten nga marazi (nga inati). Mua më ha gjetkë më shqetëson diçka tjetër; dyshoj për diçka a për dikë tjetër.
6. kal. Shqiptoj gjysma-gjysma, në mënyrë jo të plotë a jo shkoqur. I ha rrokjet, tingujt. I ha në fund (në fillim).
7. jokal. kryes. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore) Më kruhet (trupi, lëkura). Më ha i gjithë trupi (koka, dora, hunda).
8. kal. E prish, e shpenzoj krejt, e shkrij; vet. vet. v. III shpenzon, kërkon, merr, do. E hëngri mallin (pasurinë). I hëngri të gjitha paratë. Ha nga dhjami i vet mbahet me ato që ka, harxhon nga malli i tij. Do të hajë krahë kjo punë. Shtëpia hëngri shumë tulla. Byreku hëngri mjaft gjalpë. Kostumi hëngri tre metra stof.
9. fig., shah., kal. Ia fitoj, ia marr dikujt atë që i takon: marr një ushtar, një figurë a një gur të kundërshtarit (në lojën e shahut, të damës etj.). I hëngri kalin. Ha një ushtar. Ha me damë (me mbretëreshë).
10. fig., bised., kal. E qëlloj me diçka, marr një të goditur. Hëngri një shkelm, një pëllëmbë, një shuplakë.
11. kal. Më futet diçka në trup, marr a pësoj diçka në trup a fizikisht. Hëngri një shi të mirë u bë qull nga shiu. Hëngri plumbin. Hëngri thikën e qëlluan me thikë; e çanë, e operuan. Ka ngrënë goditje të rënda.
12. fig., kal. Vuaj një pasojë a diçka të keqe; përjetoj diçka që nuk më pëlqen, që më pengon të ndihem mirë. Hëngri të shara (vërejtje). E hëngri keq. Pse ta hante ai? E hëngrëm kot tërë këtë rrugë. Hëngrën tre gola.
13. fig., kal. dhe jokal. Përdoret në togje fjalësh (edhe në disa njësi frazeologjike), zakonisht me lidhëzën sa, me kuptimin: “sa arrin caku më i lartë a më i largët, sa mban, sa kap, sa përfshin, sa rrok, sa ka mundësi”. I binte sa i hante krahu (shpatulla). Thërriste sa i hante gurmazi. Fliste sa i hante gjuha. Ishte tepër larg, s'ta hante syri. Ishte aq larg sa ha plumbi (pushka). E ha pushka e arrin plumbi i pushkës, mund ta qëllosh me pushkë.
14. fig., kal. Përdoret në njësi frazeologjike, edhe me pjesëzat mohuese s’ dhe nuk, me kuptimin ‘(nuk) mashtrohem, (nuk) kuptoj, (nuk) pranoj’. S'e ha kilen për okë. S'e ha as qeni (as macja, as derri). E hëngri sapunin për djathë (shapin për sheqer). S'e ha shapin për sheqer. S'e ha helmin për sheqer. S'e ha thatë nuk e gënjejnë dot të tjerët, nuk ia hedh dikush. S'e ha lehtë (kollaj). Nuk ha shaka. Nuk hante arsye (këshilla). S'e ha paranë (peshqeshin, mitën, ryshfetin, bakshishin). S'e ha mikun. S'i ha lajkat.
15. fig., kal. E tregoj më të pakët a më të vogël nga sa është në të vërtetë, e ul a e pakësoj diçka për qëllime të caktuara. Kjo prerje flokësh ia ha fytyrën. Ky kostum ta ha barkun. I ha vitet.
16. fig., kal. Ia heq a ia marr një tjetri diçka që i takon, nuk ia jap atë që i përket; përvetësoj pasurinë e një tjetri, e vjedh duke e mashtruar, e gënjej. I hëngri djersën (mundin). I hëngri hakun (të drejtën). Ia hëngri paratë (mallin, pasurinë). E hëngri në peshë (në kandar, në hesap).
17. fig., kal. Më bren përbrenda, më shkatërron shëndetin, më mundon shumë, më sfilit, më bezdis a më mërzit shumë. E hëngri malli (sëmundja, meraku). Na hëngri shiu (lagështia, vapa). E hëngri kurbeti. I hëngri gërnja. Lakmia e tepërt të ha kokën. (fj.u.) ai që lakmon shumë, e pëson.
18. fig., kal. Më lodh e më mundon shumë; më mbyt, më vdes, më shpie në varr, më asgjëson (përdoret kryesisht në njësi frazeologjike). Na hëngre me këto. S'e ha ndonjë e keqe. S'e ha gjë. E ngrëntë (e hëngërt) flama (kolera, fruthi)! (mallk.)
19. fig., bised., kal. Marr vesh, kuptoj (përdoret edhe në një numër njësish frazeologjike). Nuk ha shqip. Nuk ha me të mirë, e do me të keq. Nuk ha fjalë.
20. fig., bised., kal. Mund ta kryej diçka, jam i aftë për diçka; besoj se e bëj diçka; matem me dikë, ia dal, e përballoj; mendoj, besoj, them se... E ha të përpjetën. S'e ha dot këtë rrugë. S'e hante dot atë punë. Nuk e ha dot me të. Nuk të ha s'është i zoti. Ma ha syri besoj se e bëj diçka. Ma ha mendja mendoj, them se ia dal diçkaje. S'ma ha zemra s'më besohet, s'dua ta besoj diçka.
21. fig., bised., kal. E kaloj, e shkoj kohën (zakonisht me vështirësi e me mundime); më merr, më zë (një kohë të caktuar). Ka ngrënë kurbet. E hëngri jetën udhëve. Ka ngrënë jetën e tij (me një punë). Njeriu e ha më lehtë me shokë. Na hëngri shumë kohë.
22. fig., jokal., vet. vet. v. III Anon, merr a shmanget në një anë. Ha ana. Ha nga e djathta (nga e majta). Pushka ha lart (poshtë, majtas, djathtas).
✱Sin.: përtyp, kapërdij, ushqehem, kafshoj, thumboj, pickoj, gërryej, grij, brej, shpenzoj, prish, shkrij, fitoj, qëlloj, pësoj, vuaj, marr, pranoj, duroj, honeps, mbaj, pakësoj, mohoj, përvetësoj, vjedh, gënjej, asgjësoj, sfilit, kuptoj, përballoj, mendoj, besoj, matem, kaloj, shkel, anoj, shmangem.
♦ E bëri të hante *bar (dikë) përb. Si *buka që ha. Di vetëm të hajë *përshesh (dikush) mospërf. Më ha *ana (më dikë). Nuk ha *arsye (dikush). T’i ha *arrat (dikush). Nuk ia ha dot *arrat (dikujt). Hëngri *baltë (dikush) përçm. Ha *bar (dikush). E hëngri *barin (dikush). Nuk më ha *barku përçm. E hëngri (e preu) në *besë (dikë). S’ha (s’mban) *bodec (dikush). Hëngri botë (dikush) përçm. I hanë *brirët (dikujt). Ha *bukë (diçka a dikush). Nuk ha *bukë (diçka). I ha *bukën (dikujt). Ha (e pi) në një *çanak (me dikë) keq. Ia ka ngrënë *çorbën (dikujt) mospërf. Hëngri *dajak (dikush) tall. S’ha *daltë (dikush). Edhe i ha, edhe i djeg (dikujt) iron. bised. edhe ka qejf dikush për diçka, edhe nuk i pëlqen a nuk i leverdis; edhe do, edhe s’do; edhe i vjen mirë, edhe i mbetet qejfi. I ha *dora (dikujt). Më hanë *duart (për punë). Të ngrënça *drekën! mallk. (Ka) sa të hajë *dreqi. bised. Të ha në *dritë të syrit (dikush). Hëngri (mori) një *dru (të mirë) (dikush). Hëngri *dynjanë (dikush). Hëngri *dhe (dikush) përçm. Të ngrëntë (të përpiftë) *dheu! mallk. E ha me *dhëmbë (dikë a diçka). Sikur ka ngrënë *egjra (dikush). E ha *fjalën (dikush). Sa i ha *fyti. Nuk ha (s’merr) *të gdhendur (dikush). Sa i hëngri *goja. Të ngrëntë goja *mjaltë! (ur.) Nuk i ha ato *gorrica. Ha në një *grazhd (me dikë) përb. Sikur ka ngrënë *grera (dikush). Të ngrënça *grurin! mallk. Hëngri një *grusht (dikush). Sa i ha *gurmazi. E hëngri *të gjallë (dikë). E hëngri *gjarpri (dikë). I ha *gjuha (dikujt). Më hëngri *gjuha. Sa i ha *gjuha. Hëngri (kafshoi, zuri) *gjuhën (dikush) përçm. I hëngri *hakun (dikujt). Të ngrënça (të ndafsha, të bëfsha) *hallvën! mallk. bised. I ha *hijen (dikujt). I hanë *hundët (i ha hunda) (dikujt). Ha *inat (dikush). Ka ngrënë *jetën (dikush). S’e ha as *kalemi (diçka). Ia hëngri *kaptinën (dikujt) bised. E hëngri *karremin (dikush) iron. Ha *kashtë (dikush). Sa i hanin *këmbët. Ha *këmbët e veta (dikush). I ha (i kruhet) *koka (dikujt). Ia hëngri *kokënI (kryet) (dikujt). Ia hëngri *kokënII (kryet) (dikujt). Hanë *kokën (me njëri-tjetrin). *Kokën të hanë! mospërf. I ha *koka për brirë (dikujt). Të ha *kokërdhokun (e syrit) (dikush). Të ngrëntë (të shoftë, të preftë) *kolera! mallk. Hëngri *kopaçe (dikush). Aq i ha *krahu (dikujt). Sa i ha *krahu. E ha (e bren) *krimbi (dikë). Kujt i ha (i *djeg) le të kruhet! Ia hëngri kryet (*kokënI) (dikujt). Ia hëngri kryet (*kokënII) (dikujt). E hëngra *kullotën mospërf. I ha *kurrizi (shpina, rruaza) (dikujt). Ha (rron) në *kurriz (në shpinë) (të dikujt). Të ha pas kurrizit (pas *shpine) (dikush). S’ha *kuvend (dikush). I hëngri *lakrat (dikush) iron. Të ha pa lehur (dikush) keq. shih të ha pas shpine (pas kurrizit) (dikush). I ha (i kruhet) *lëkura (dikujt). E hëngra *livadhin (çairin) mospërf. (Ka) sa të hanë *lopët (nga diçka) bised. Ha *llërët. S’e ha as *macja (diçka). S’më ha (s’më pret) *malli (për dikë a për diçka) iron. I ka ngrënë *mendtë (dikush). Më ha *mendja (për dikë a për diçka). Ma ha (ma merr, ma pret) *mendja. Më ha *meraku se... Nuk më ha *meraku (për dikë a për diçka). Më hëngri *mëlçinë (mushkëritë) (dikush). Ka ngrënë *mjaltë (dikush). Më hëngri mushkëritë (*mëlçinë) (dikush). Të ngrëntë (të marrtë) *mortja! mallk. Të ngrëntë (të rëntë) *murtaja! mallk. Sa i hanë *mushkëritë. Ka ngrënë (ka gëlltitur) *okllainë (dikush) tall. Ia hëngri *orën (dikujt). Nuk i ha *palla (dikujt). Sa i ha *palla (dikujt). Ia hëngri (ia thithi) *palcën (dikujt). Sikur ha *perona (dikush). S’i kam ngrënë *petullat (dikujt). Më ha (më bren, më gërryen) *përbrenda. Ha *përshesh (dikush) mospërf. Nuk i kam ngrënë (nuk i kam thyer) *poganikun (dikujt a diçkaje). Nuk e ha *punën (dikush). Ia hëngri *pupat (dikujt). E hëngri me gjithë *pupla (dikë) bised. Nuk ha (nuk merr) *pykë (dikush). I ha *qafa për këmborë (dikujt). S’e ha as *qeni (s’e hanë as qentë) (diçka). (Ka) sa të hanë *qentë (nga diçka) bised. (Sikur) qeni *qepën të hajë! I ha (i kruhet) rruaza (*kurrizi, shpina) (dikujt). Ha në një *sofër (me dikë) keq. Punon *sot e ha sot (dikush). Ma ha (ma merr) *syri (diçka). Ia hëngri *sytë (dikujt). E ha me *sy (dikë a diçka). Sa të ha *syri (deri ku të arrin syri). Sikur ka ngrënë *shajka (dikush). I ha *sharra (dikujt). I ha (i kruhet) shpina (*kurrizi, rruaza) (dikujt). Të ha pas *shpine (pas kurrizit) (dikush). Ha (rron) në shpinë (në *kurriz) (të dikujt). Më hëngri *shpirtin (dikush). Ia hëngri *shpirtin (zemrën) (dikujt). Ma hëngri (ma nxiu) *shpretkën (dikush). Hëngri *shtatin (dikush). Nuk ha *shqip (dikush). Hëngri (mori) një *shuplakë (një dackë) (dikush a diçka). *Tund e ha (dikush). S’e ha *thatë (dikush). Më ha *zemra (te dikush a te diçka). Hëngri *shtatin (dikush). E hëngra *tagjinë. Të ha (edhe) *trarët (dikush) keq. Më ha *trupi (për punë). Të ngrëntë (të çaftë, të preftë) *ujku! Nuk i ha ato *vadhëza. Më ha *vendi. I hanë *veshët (dikujt). Më hëngri *veshët (dikush). Ha veten me *dhëmbë (dikush). Ha veten nën *lëkurë (dikush). Të shkul *vetullat e të ha petullat (dikush) iron. Më ha (më bren) *zemra (te dikush a te diçka). Ia hëngri zemrën (*shpirtin) (dikujt). S’ma ha *zemra. Ma hëngri *zemrën (dikush). Sa i ha *zëri. Më ha *zorrët (dikush a diçka).
►HÍQEM jovep., HÓQA (u), HÉQUR 1. vetv. Shkoj nga një vend në një vend tjetër, zhvendosem e ndërroj vendin, largohem nga vendi ku kam qenë. Hiqen anash (mënjanë, prapa). U hoq deri te dritarja (te dera).
2. keq., vetv. Largohem, shporrem. Hiqu andej! M'u hiq që këtu! Pa m'u hiq njëherë!
3. vetv. Kapem pas diçkaje e lëviz pa u ngritur peshë; tërhiqem, zvarritem. Fëmija hiqej pas fustanit të nënës. Hiqej pas murit. Hiqen pas tokës. Hiqet si gjarpri. Hiqet zvarrë (rrëshqanë, barkas, ijas).
4. bised., vetv. Shpërngulem nga një vend për t'u ngulur në një vend tjetër. U hoqën nga qyteti (nga fshati). U hoq që këtej. Janë hequr andej prej shumë vjetësh.
5. fig., vetv. Largohem nga diçka, i shmangem diçkaje; vet. v. III del jashtë diçka, zhduket. I hiqet sherrit. Hiqjuni asaj pune! mos u merrni me atë punë! Nuk më hiqet nga mendja. Të luftohen e të hiqen nga koka idetë e shtrembra (të gabuara).
6. bised., vetv., vet. v. III Përdoret, blihet a shitet shumë diçka, shkon; pëlqehet. Rakia (birra, vera) hiqej shumë. Ky stof (kjo ngjyrë) hiqet më shumë. Mollët e thara nuk hiqeshin aq.
7. vetv. E mbaj veten për dikë, mbahem, e quaj veten, shtirem. Hiqej i zgjuar (i ditur). Hiqej për i madh (për i zoti). Hiqej filozof. Hiqej i sëmurë. Hiqej si mik. Hiqet si shpëtimtar. Hiqen sikur punojnë shumë. Hiqet sikur i di të gjitha. Hiqet sikur nuk kupton. Pse më hiqesh kështu?
8. vetv. Dobësohem, tretem (kryesisht në fytyrë). Është hequr fëmija. Janë hequr bagëtitë. Në verë hiqet ca.
9. vetv., vet. v. III Ndërzehet, ndiqet. Hiqet pela. Hiqen lopët (macet, qentë). Hiqet dhelpra.
10. bised., vetv. Shkoj, eci; drejtohem diku. Hiquni udhës lart! Hiqu e shih njëherë!
11. pës. e HÉQ. Hiqen nga shitja. Hiqet nga rendi i ditës. Hiqet urdhri (kërkesa). I hiqet ushqimi. U hiqen mundësitë. I hiqet një vërejtje.
✱Sin.: tërhiqem, largohem, zhvendosem, shpërngulem, zvarritem, shmangem, përdoret, blihet, shitet, pëlqehet, shtirem, tretem, dobësohem, ndërzehet, ndiqet, drejtohem.
♦ S’të hiqet nga *dera (dikush). Hiqet *gjunjas (dikush). S’më hiqet nga *koka. I hiqet *llafi (dikujt). Nuk më hiqet (nuk më shkulet, nuk më shqitet) nga *mendtë (dikush a diçka). Nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga *mendja (dikush a diçka). Hiqet *mënjanë (dikush). As hiqet e as ngitet (dikush) shih as lidhet e as zgjidhet (dikush). M’u hiq *qafe! (hiqmu qafe!). S’më hiqet nga *rruga (nga udha) (dikush a diçka). Hiqmu (shporrmu) nga *sytë (sysh)!
ÍK/I vep., ~A, ~UR jokal. 1. Largohem nga një vend më këmbë ose me një mjet udhëtimi, lë një vend a drejtohem për në një vend tjetër; marr udhën për diku; largohem, shkoj; nisem; mërgoj; kund. vij, kthehem. Iku djali në punë (në shkollë, në shtëpi, në Korçë). Iku në fshat (në qytet, në mal). Do të iki nesër. Iku në mërgim (në dhe të huaj). Iki me makinë (me aeroplan, me traget). Iku makina (treni). Iki me nxitim. Iku me bisht në shalë (bised.) iku i turpëruar. Ikë andej (këtej)! Sapo iku. Ikë e ikë përdoret kryesisht në përrallat popullore për të treguar se të ecurit ka vijuar gjatë.
2. Largohem fshehurazi e me të shpejtë prej një vendi për të shpëtuar nga ndjekjet, nga ndonjë e keqe etj., arratisem; shpëtoj duke vrapuar, largohem me vrap nga rreziku. Iku nga burgu. Iku nga frika (nga tmerri). Iku fshehurazi (tinëz). Ik shpejt (sa më parë)! Iku me të katra. Krisi (çau) e iku.
3. I largohem, i shmangem dikujt ose diçkaje, i shpëtoj; largohem përkohësisht ose përgjithmonë nga një njeri, nga një vend, etj.; lë dikë ose diçka, e braktis. Iku nga i ligu. I ikën si vdekjes. I ikën miqtë (blerësit). Iku nga shtëpia (nga shkolla, nga puna, nga burri, nga gruaja). Lojtari u iku mbrojtësve. Mos i ik fjalës!
4. vet. v. III. Largohet nga një vend, shkon tutje; shpërndahet. Ikën retë. Iku mjegulla. Iku tymi (pluhuri).
5. vet. v. III. Derdhet, del, rrjedh. Ikën uji me rrëmbim. Më ikën gjak nga goja (nga hunda).
6. Shkon mënjanë, shtrembërohet, anohet. I kanë ikur supet. I kanë ikur sytë. I ka ikur fustani (xhaketa) mënjanë. Ka ikur muri. Ka ikur barra.
7. vet. v. III. Del, shkëputet e shkon tutje; më shpëton e bie. Iku rrota në njërën anë e timoni në anën tjetër. I iku tutje kapela. I ikën këpucët (dorezat). I iku topi nga këmbët. Më iku pjata nga duart.
8. Largohet, zhduket; s’është më, mbaron, merr fund, s’ka më. Iku boja (uji, era e keqe). I iku inati (zemërimi, dëshpërimi, qejfi, frika). Më iku gjumi. Më iku kolla (dhembja, zjarrmia, gripi). Më ikën ethet (të dridhurat). I iku qumështi. Më iku plaga (shenja).
9. vet. v. III. Mbaron, merr fund; shkon shpejt, kalon, fluturon (për kohën etj.). Iku vapa (të ftohtët). Iku dimri (vera, vjeshta). Iku mbrëmja (nata, dita, muaji, viti). S’ikën koha. Iku ajo kohë. I iku mosha u plak.
10. vet. v. III. Harxhohet shpejt, mbaron para kohe; shpenzohet, prishet, shkon kot. Iku buka (vaji, sheqeri). Ikën paratë. Iku djersa (mundimi) kot.
11. Vdes, mbaroj (për njeriun); vet. v. III dobësohet shumë e humbet aftësitë vepruese, nuk punon më, merr fund (për organe e pjesë të trupit të njeriut). Na iku një shok. I iku foshnja (fëmija). Thashë se ika. Iku me të shumtët (bised.) vdiq. I iku goja (dora, këmba). Më ikën gjunjët. I ikën sytë (veshët). I iku zëri.
12. ~ET njëvet. Nuk mund të largohesh, nuk mund të shkosh; nuk ke dëshirë të largohesh. S’iket këtej. S’i iket nga fshati.
13. përd. pasth., bised. Ashtu!, Vërtet!, Jo more! Ikë more!, Ikë, se tallesh!
✱Sin.: largohem, shkoj, nisem, hapem, zhvendosem, shkas, rrëshqas, fluturoj, përbishtem, përvidhem, avulloj, tres, zhdukem, harboj, lirohem, shporrem, shpërndahem, përndahem, mërgoj, arratisem, shkëputem, mbaroj, rrjedh, zhdukem, vdes.
♦ Një *fytyrë i ikën e një (fytyrë) i vjen (dikujt). Më iku (m’u hap) *barku. I iku boja (dikujt). I iku (iu prish, i ndërroi) *çehrja (dikujt). I iku nëpër *duar (nga duart) (dikush a diçka). Më iku (më shpëtoi) nga *dora (nga duart) (dikush a diçka). Iku (doli) nga *faza (dikush) bised. I iku *filli (diçkaje). Më iku *fryma. I ikën (i luajtën) *furkat (dikujt) tall. I iku *fytyra (dikujt). I iku *goja (dikujt). Më ikën *gjumi. (Është) ikë të ikim (diku) është rrëmujë a tmerr e panik i madh, gjithkush përpiqet të ikë i pari për të shpëtuar; nuk e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin. I ikën *iliqet (dikujt). Iki (ndahem, dal) nga *jeta. Më ka ikur (më ka humbur) *kandari. Të ikën (të fluturon) *kaptina bised. I iku (i shkoi) *kaptina (dikujt) bised. Më iku *kërthiza. Të ikën (të fluturon) *koka (kryet). I iku (i shkoi) *koka (kryet) (dikujt). Të ikën (të fluturon) kryet (*koka). I iku (i shkoi) kryet (*koka) (dikujt). Ka ikur për *lesh (dikush). I iku (i doli) *lezeti (dikujt a diçkaje). I iku (i doli) *lyra (dikujt). Iku nga *mendtë (dikush. I iku (i fluturoi) *mendja (dikujt). Më iku (më doli) nga *mendja (diçka). Më ikën (më lanë) *sytë. Më iku nga *sytë. Iku nga *traga (dikush). Më iku *truri. Më iku nga *trutë (diçka). Më iku *zemra (shpirti).
KURRÍZ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. anat. Pjesa e prapme e trupit të njeriut, bashkë me shtyllën vertebrore dhe me shpatullat; shpinë. Dhembja e kurrizit. Me kurriz të kërrusur. Përkul (kruaj) kurrizin. I ra (i hipi) në kurriz. Palca e kurrizit (anat.) palca kurrizore. Shtylla e kurrizit (anat.) shtylla vertebrore.
2. Veshja që mbulon këtë pjesë të trupit të njeriut; shpinë. Nëna mbaroi (thuri, qepi) kurrizin.
3. Pjesa e sipërme e trupit të disa kafshëve, të gjitarëve etj., që ndodhet në dy anët e shtyllës kurrizore; shpinë. Kurrizi i kalit (i mushkës, i kaut, i lopës).
4. Gungë mbi shpatullat e dikujt që krijohet nga pleqëria ose nga ndonjë sëmundje. I ka dalë kurrizi.
5. Gjëja e sipërme e diçkaje që ka pozicionin dhe trajtën e gungës (tek njeriu, tek kafshët etj.); ana e prapme e një objekti (e një kodre a mali, e një thike etj.); shpinë. Kurrizi i dorës (i hundës). Kurrizi i kodrës (i Dajtit). Kurrizi i pallatit (i shtëpisë, i kishës). Kurrizi i thikës. Në kurriz të ndërtesës.
6. bujq. Pjesa më e ngritur e tokës së lëvruar a e hullisë etj. Kurrizi i brazdës (i lehes).
7. edhe fig. Pesha sa mund të mbajë njeriu ose kafsha mbi shpinë; fuqia sa mban kafsha a njeriu; shpinë. Nuk ia mban kurrizi (shpina) nuk mund ta bëjë dot një punë a një detyrë (sepse është e rëndë). Jeton (rron) në kurriz të të tjerëve jeton me mundin dhe djersën e të tjerëve.
✱Sin.: shpinë, krah, shpatull, sup, gungë, fuqi.
♦ M’u bashkua *barku me kurrizin. M’u bë kurrizi *tevlik. Ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt) e rrahu shumë, e zhdëpi në dru, e shqepi, e zbrujti; ia zbuti kurrizin; e bëri për vaj e për uthull (dikë); ia veshi këmishën me uthull; e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë. Ia bëri kurrizin *qull (dikujt). Rashë në kurriz (në *shpinë). I ka dalë dhjamët në kurriz (dikujt) përb. është shëndoshur shumë; tul e dhjamë; për ta ndarë (për ta çarë) më katërsh; s’e nxë as derë as ortë (dikë); është bark e bythë (dikush) përçm. vulg. E di kurrizi (*lëkura, shpina) (i dikujt). E drejtoi kurrizin (*shpinën) (dikush). I fërkon kurrizin (dikujt) keq. shih i fërkon krahët (dikujt) keq. E futi *qafën në kurriz (dikush). I ha *fasha e kurrizit (dikujt). I ha (i kruhet) kurrizi (shpina, rruaza) (dikujt) jep shkak vetë që ta qortojnë rëndë a ta rrahin; e kërkon sherrin vetë; i ha (i kruhet) koka; i hanë (i kruhen) hundët; i hanë brirët. Të ha pas kurrizit (pas *shpine) (dikush). E hodhi pas (prapa) kurrizit (diçka) shih e hodhi pas (prapa) krahëve (diçka). I ka hipur në kurriz (në *shpinë) (dikujt). S’ka kurriz për atë barrë (dikush) shih s’ka qafë për atë këmborë (dikush). M’u këput (më ra) kurrizi kam punuar shumë e jam lodhur së tepërmi, u këputa, u rraskapita, u shkreha fare; më ranë (m’u këputën) kryqet; më ra bretku. Kërrusi kurrizin (*shpinën) (dikush). I ktheu kurrizin (*shpinën) (dikujt a diçkaje). Kurriz më kurriz fare pranë, ngjitur. Ia la në kurriz (në shpinë) (diçka) ia la dikujt ta bëjë vetëm një punë a një detyrë që duhej ta bënin bashkë, ia vuri si barrë, i ngarkoi atij diçka. E mban mbi kurriz (në shpinë) (dikë) e ushqen e kujdeset për të; përgjigjet për të; e ka si barrë. Më mban kurrizi (shpina) (diçka) jam në gjendje të përballoj një punë, i kam mundësitë e aftësitë e nevojshme, jam në gjendje ta bëj diçka; duroj; i mban samari (dikujt) tall. *Mëngë në mes të kurrizit. Ia ndreqi kurrizin (dikujt) shih ia ndreqi samarin (dikujt). I ngul *thikën prapa kurrizit (pas shpine, prapa krahëve) (dikujt). M’u ngjit *barku (mulla) me kurrizin (për shpine). Qesh *kërmilli kurrizin e breshkës iron. Rron (ha) në kurriz (në shpinë) (të dikujt) nuk punon vetë dikush e rron me mundin e djersën e dikujt tjetër, është parazit. Kur të shohë kurrizin (*shpatullat, shpinën) pa pasqyrë (dikush) iron. I sheh edhe kurrizi (*shpina) (dikujt). Shtatë *pëllëmbë në (mbi) kurriz. Shtroj (ul) kurrizin i vihem punës me të gjitha forcat, shtrohem mirë në punë, nuk i shmangem punës, ia hyj seriozisht; përkul (ul) mesin; përvesh krahët. E uli (e shtroi) kurrizin (shpinën) (dikush) përb. shih e uli qafën (zverkun) (dikush) përb. Më vajti pas (prapa) kurrizit nuk hëngra i qetë, nuk më lanë të ha mirë, më shqetësuan e ma ndërprenë disa herë të ngrënët, më bezdisën; nuk e shijova ushqimin. I vuri kurrizin (diçkaje) e mbajti veshur për një kohë të gjatë, e përdori shumë (pallton, kostumin etj.). Ia zbuti kurrizin (shpinën) (dikujt) keq. e rrahu fort, e zhdëpi mirë e mirë, e shqepi, e zbrujti; ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun; ia zbuti brinjët; ia ndreqi samarin bised.; i nxori rripa nga lëkura; e bëri për vaj e për uthull (dikë); e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë (dikë); e bëri tul (dikë) tall.; ia theu samarin përb. Nuk ia ka zënë trari kurrizin (dikujt) nuk i kanë rënë halle a telashe mbi kokë; nuk ka pasur ndonjë hall a barrë të madhe mbi shpinë, ka qenë rehat; nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) këpuca (dikë); nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) opinga (dikë); nuk e ka vrarë samari (samari) tall.
►LAK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Kthehem a përthyhem si lak, përkulem. Lakohem përpara (thellë). U lakua dega. Lakohet shufra.
2. vet. v. III Bën leqe e dredha, shkon dredha-dredha. Lakohen brezaret kodrave. Lakohet lumi (rruga).
3. fig. Nuk i qëndroj fjalës, i bëj lak fjalës; i shmangem, i bëj bisht një pune; dredhoj. Nuk lakohet asnjëherë.
5. vetv. Merrem nëpër gojë nga dikush; përgojohem. Emrat e tyre u lakuan në të gjitha rasat, megjithëse ata kishin të drejtë.
6. gjuh. E ndryshon trajtën sipas rasave, numrit e gjinisë (për emrin, mbiemrin, përemrin, numërorin, nyjën e për çdo pjesë të ligjëratës që përdoret si emër). Emri dele lakohet si lule. Ndajfoljet (parafjalët) nuk lakohen.
7. pës. e LAKÓJI.
✱Sin.: përkulem, gjarpëron, dredh, mbrinjet, barkëson, dredhoj, mashtroj, shmangem, eptohet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë