Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHKÚM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shtresë e bardhë shumë e shkrifët prej bulëzash të dendura, që formohet mbi sipërfaqen e ujit a të një lëngu tjetër kur trazohet a tundet, kur valon, kur tharbëtohet a kur prej tij çlirohet gazi i tretur; shtresa e sipërme që zë sherbeti i ëmbëlsirave ose reçeli kur e valojmë; papastërtitë që dalin mbi sipërfaqen e një lëngu që valon. Shkumë e bardhë. Shkuma e dallgëve (e detit). Shkuma e birrës (e shampanjës). Shkuma e qumështit. Shkuma e mishit (e gjellës). Shkumë pastash e bardhë veze, e rrahur me sheqer, që përdoret për përgatitjen e pastave etj.
2. Grumbull flluskash që formohen në ujë kur tretet sapun a ndonjë lëndë tjetër larëse ose kur fërkojmë diçka me ujë e me sapun. Shkumë sapuni. Bën shumë (nuk bën) shkumë. E zbut mjekrën me shkumë për t'u rruar.
3. Jargë që u dalin flluska-flluska disa kafshëve, zakonisht kur janë të lodhura a të egërsuara, ose një njeriu kur e godet sëmundja e tokës a kur bëhet si i tërbuar nga zemërimi; shtresë bulëzash djerse që dalin mbi lëkurën e kalit a të gjedhëve nga lodhja. Shkuma e qeve. I doli shkumë nga goja.
4. bised. Sëmundja e tokës. Shkuma të preftë! mallk. E ngaftë shkuma! mallk. I rëntë shkuma! (mallk.)
5. si mb. Shumë i butë e i shkrifët, jo i ngjeshur (për gjalpin e njomë etj.). Gjalpë shkumë. Krem shkumë.
6. si mb., fig. Që nuk është i lidhur e i ngjeshur, i flashkët, i qullët (për trupin e njeriut). E ka trupin shkumë. Është fare shkumë.
7. si ndajf. Shumë, fare (zakonisht me mbiemra si i bardhë, i butë, i shkrifët etj.). I bardhë shkumë. I butë shkumë.
✱Sin.: shkumëzim; epilepsi; pështymë; i butë, i shkrifët, i pangjeshur, i flashkët, i qullët, borë.
♦ *Më doli shkumë (nga goja). 1. U lodha shumë, u rraskapita; më doli shpirti; më doli qumështi i nënës; u bëra për shkalc.2. U inatos shumë, u tërbua nga zemërimi, shkumëzoi nga inati. Kapet pas shkumëve (për shkume) (dikush) përpiqet për të arritur diçka me shpresa të kota, shpreson te diçka fare e vogël, që nuk e ndihmon fare; kapet pas fijes së kashtës. Merr *ajkën (e jo shkumën) (dikush). *I mbytur nëpër shkumë. Më ngau shkuma u tremba shumë, më hyri tmerri, u lemerisa; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u ngjiz (m’u mpiks) gjaku. Të ngop me shkumë (dikush) të gënjen lehtë; përpiqet të të kënaqë me pak, të ngop pa të dhënë gjë; të ngop me lugë të zbrazët. I nxori shkumë (nga goja) (dikujt). 1. E rrahu shumë, e shqepi, e zhdëpi; e shtroi (e shqepi, e zhdëpi, e ngordhi, e kalbi, e dendi) në dru (dikë); ia mori shpirtin; i nxori qumështin e nënës. 2. E mundoi shumë, e lodhi tej mase, e rraskapiti; ia mori shpirtin; i nxori vaj; i nxori jargët; i nxori qumështin e nënës; i nxori dhëmbë e dhëmballë. *Sapun pa shkumë. Ta shet shkumën për *ajkë (dikush).
VALÍM,~I m. 1. Veprimi kur valoj a valohet diçka; zierje, vlim. Valimi i ujit. Valimi i rrobave (ndërresave). Pika e valimit shkalla e nxehtësisë kur uji a një lëng tjetër fillon të valojë.
2. fig. Bërja a zhvillimi me vrull e gjallëri i një pune a veprimtarie. Valimi i punës. Valimi i jetës. Valimi i këngës. Valimi i bisedës (i diskutimeve).
3. fig. Gjendja kur i shkaktojmë dikujt zemërim a shqetësime apo kur zemërohemi a shqetësohemi. Vlimi i gjakut. Vlimi i kokës.
✱Sin.: përvëlim, shkumëzim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë