Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►PËRP/ÍQEM jovep., ~ÓQA (u), ~JÉKUR vetv. 1. Përplasem me një tjetër ose në një send të fortë; ndeshet një send me një tjetër me forcë, përplaset. U përpoq në një gur (në prag). U përpoqën dy makina (dy trena). U përpoqën kokë më kokë. Kur përpiqen dy shtamba, njëra do të thyet. (fj. u.).
2. bised. Takohem me dikë, piqem (zakonisht në rrugë). U përpoq me një shok të fëmijërisë. U përpoqën në rrugë.
3. fig. Ndeshem në luftë me dikë, përleshem. U përpoqën me armiqtë. U përpoqën trup me trup.
4. Bëj gjithçka që është e mundur për t’ia dalë në krye një pune ose për të arritur diçka, bëj përpjekje; mundohem, orvatem. Përpiqet të më ndihmojë. U përpoq të mbante gjakftohtësinë. U përpoq ta shpëtonte. Përpiqet me të gjitha fuqitë. Do të përpiqen me mish e me shpirt. U përpoq t’ia hidhte, por s’ia doli dot.
5. vet. v. III Bie në kundërshtim me një tjetër, ndeshet një mendim a një pikëpamje me një tjetër; përplaset. Mendimet e tyre përpiqen.
6. Sillem e rrotullohem sa nga njëri krah në tjetrin për të gjetur prehje a qetësi nga dhembjet, nga diçka që më mundon etj.; përpëlitem. Përpiqej nga dhembjet. Përpiqej si zorra në prush. Është përpjekur gjithë natën.
✱Sin.: përplasem, takohem, ndeshem, mundohem, orvatem, rropatem, çallëstis, çalltis, luftoj, rrekem, rrah, provoj, hakatem, shpupurishem, shkëpurdhem, përpëlitem, goditem, copëtohem, ngarend, gërmohem, piqem, përleshem, vërtitem, rrihem, rraskapitem, sillem, rrotullohem, mblidhem, dridhem, shtrëngohem, shtërzoj, vuaj, synoj.
♦ Sa *piqen, përpiqen.
►PËRPËLÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Lëviz a përpiqem shumë sa andej e këtej, sillem vazhdimisht herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër nga një dhembje, nga një shqetësim i fortë a nga diçka tjetër që më mundon shumë. Përpëlitej i sëmuri. Përpëlitet në shtrat nga dhembjet. Përpëlitej në grahmat e vdekjes. Përpëlitet si peshku në zall.
2. fig. Vuaj shumë. Përpëliten në kushtet e një varfërie skajore.
3. Bëj përpjekje të mëdha e në shumë drejtime për të shpëtuar nga një rrezik, për të dalë nga një gjendje e vështirë a për të gjetur një rrugëdalje. Përpëliteshin mes dallgëve të egra.
✱Sin.: përpiqem, plapuritem, përpushem, përdridhem, shpurdhem, shkëpurdhem, tartallis, mblidhem, rrotullohem, dridhem, sillem, rropatem, shpupurishem, shpupuritem, zhgërryhem, vuaj, mundohem.
♦ Më përpëlitet (më dridhet) *zemra (shpirti) (për dikë a për diçka).
►SHKËPÚRDH/EM jovep., ~A (u), ~UR krahin. 1. vetv. Përpëlitem, përpiqem sa andej-këtej. Dashi shkëpurdhet kur e therin. Shkëpurdhej prej dhembjes.
2. vetv., fig. Përpiqem me të gjitha fuqitë për të kryer diçka. Shkëpurdhem për të lënë diçka pas vetes. U shkëpurdh, po s’bëri gjë.
3. vet. v. III, pës. e SHKËPÚRDH.
✱Sin.: zhguritem, përpëlitem, përpiqem, shpihem.
SHKËPÚRDHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur një kafshë a shpend shkëpurdh ose kur shkëpurdhem; zhguritje. Shkëpurdhja e dheut.
2. fig. Kërkesa për të plotësuar një tekë (zakonisht për fëmijët). I kërkonte gjërat me shkëpurdhje.
3. Veprimi kur trazojmë zjarrin. Shkëpurdhja e zjarrit.
4. fig. Përpjekje, sakrifica për të kryer diçka. Kishte arritur deri aty me shkëpurdhje të mëdha.
✱Sin.: zhguritje, përpushje, prushitje, shpurritje, shpirje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë