Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FISHÉK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Gëzhojë prej metali a prej kartoni e mbushur me barut, me një kapsollë në fund e me një plumb në krye ose me saçma për të qëlluar me armë zjarri të lehta. Fishek pushke (mitralozi, çifteje, revolveri). Krehër (ballë) fishekësh. Heq fishekun. Fishek luftarak (mësimor). Foleja e fishekut. Gjerdani (kollani) i fishekëve.
2. Copë letre, e mbështjellë në trajtë koni me kokë poshtë, që përdoret për të futur në të pemë të vogla, kikirikë etj.; kaush. Një fishek me gështenja të pjekura.
3. Emërtim i përgjithshëm për sende e pjesë sendesh që kanë trajtën e gëzhojës a të një gypi të hollë e të gjatë. Fisheku i cigares. Një fishek makarona.
4. Organi seksual i mashkullit.
5. Bishtaja e fasules. Hoqi mënjanë fishekët e fasules.
6. Thithat e gjinjve të bagëtive. Lopa i kishte fishekët, të mbushur plot qumësht.
♦ Fishek pa barut njeri pa vlerë ose i parrezikshëm; frikacak; fishek i lagur. Fisheku i fundit i vetmi mjet a e vetmja mënyrë që i ka mbetur dikujt dhe që ka mundësi ta përdorë për të arritur diçka, mundësia e vetme dhe e fundit; guri i fundit. Fishekë në gjerdan njerëz të lidhur e të rreshtuar për një çështje të përbashkët; njerëz të bashkuar fort si në një radhë të ngjeshur; si gishtat e dorës; gjerdan fishekësh. Fishek hyri e fishek doli (dikush) keq. shih hyri shul e doli lloz (shkoi shul e erdhi lloz) (dikush) tall. Fishek i lagur njeri që nuk ka guxim e nuk vepron, që vetëm kanoset, por nuk bën dëm; njeri i parrezikshëm; fishek pa barut. Fishek që s’shkrep. 1. Njeri që s’të ndihmon dot, që s’ka aftësi a mundësi të të mbarojë një punë; njeri prej të cilit s’ke dobi. 2. Njeri frikacak që s’të bën dot gjë; njeri që s’guxon të flasë a të veprojë; fishek pa barut; fishek i lagur. *Gjerdan fishekësh. Është fishek (dikush) bised. 1. S’ka asnjë lek në xhep; s’ka fare para; mbeti fishek; është (ka mbetur) pa një dysh (në xhep); mbeti teneqe. 2. Është i papërgatitur për diçka (në mësim a në provim), nuk di gjë fare; është tapë (tapë topi) tall. Si fishekët në qese shumë ngushtë. Kam edhe një fishek më ka mbetur edhe një mundësi. Mbeta (jam) fishek bised. 1. Mbeta pa një lek në xhep; s’kam fare para; mbeta pa gjë; mbeta teneqe. 2. Mbeta pa njeri, mbeta fillikat, vetëm fare, pa fëmijë e pa farefis; mbeta kalli; mbeta qyqe (në ligjërimin e grave); mbeta kërcure (në ligjërimin e grave). Nuk i ndez *fisheku (dikujt) nuk i ecën, nuk ia arrin qëllimit; nuk i shkon fjala a përpjekja për diçka. E nxjerr fishek dikë. E nxjerr me gisht në gojë. Qes fishekët e mi bëj sa kam unë në dorë. I zbrazi (tërë) *fishekët (dikush) i përdori të gjitha arsyetimet e të gjitha mundësitë, s’la gjë pa bërë; i tha të tëra, i harxhoi të gjitha fjalët qortuese e sharëse, s’la gjë pa thënë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë