Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PIKËLLÚAR (i, e) mb. Shumë i hidhëruar, i helmuar. Prind i pikëlluar. Nënë (motër) e pikëlluar. Ishte shumë i pikëlluar (nga vdekja e nënës). Qante e pikëlluar.
✱Sin.: i pikërruar, i pikët, i brengosur, i hidhëruar, i helmuar, i helmatisur, helm, i helmët, i athëtuar, i vrerosur, vrer, i shastisur, i dëshpëruar, i plagosur, i plasur, pikërënë, zemërplagosur, zemërvrarë, zemërplasur, zemërpërvëluar, zemërbrengosur, zemërdjegur, zemërndrydhur, zemërthyer, zemërnxirë, zemërsfilitur, zemërzhuritur, shpirtvrarë, shpirthelmuar, shpirtplagosur, shpirtbrengosur, shpirtzbrazur, i mjeruar, buzëplasur, buzëçarë, buzëqarë, buzëdjegur, buzëpërvëluar, buzëpjekur, buzëvrer, buzëkyçur, kokulur, i trishtuar, i rrushkulluar, i tronditur, i zhuritur, i vrarë, i vrertë, i lënduar, i djegur, i përvëluar, i shajtuar.
PLAGÓSUR (i, e) mb. 1. Që ka marrë plagë në trup, që është plagosur. Ushtarët e plagosur. Këmba e plagosur.
2. Që i është shkaktuar ndonjë e çarë ose është dëmtuar nga një goditje (për bimët). Pemë të plagosura.
3. fig. Që ka pësuar një fatkeqësi të madhe dhe vuan shumë shpirtërisht, që është lënduar në shpirt, i pikëlluar, i brengosur; i prekur rëndë. Nënë e plagosur. Me zemër (me shpirt) të plagosur shumë i brengosur; i lënduar rëndë.
✱Sin.: i plaguar, i plagur, i lënduar, i varruar, i shituar, i lavosur, i vrarë, i goditur, i gjakosur, i shembur, i ganduar, i shajtuar, i dërrmuar, i copëtuar, i fshikur, i çarë, i dëmtuar, i pikëlluar, i brengosur, i hidhëruar, i prekur.
♦ Me *zemër (me shpirt) të plagosur.
SHAJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. dhe jokal. 1. Vras keq një gjymtyrë a një pjesë të trupit, duke e goditur pas diçkaje të fortë, shemb. E kishte shajtuar keq krahun. Ku je shajtuar kështu?
2. kal., vet. v. III Më vret keq diçka. E shajtoi këpuca.
3. kal., fig. E pikëlloj dikë, e helmoj, e bëj pikë e vrer, i rëndoj shpirtin, i lëndoj rëndë zemrën, e vras. Më shajtoi zemrën. E shajtoi me atë fjalë që i tha. Të shajton e të helmon.
4. kal., vet. v. III E godet; e nguros, e shtang, e mbërthen në vend. E shajtoi pika. E kishte shajtuar një sëmundje e rëndë. I ftohti ia shajtoi këmbët.
5. kal., edhe fig. Hidhëroj dikë me fjalë, helmoj, farmakos. E shajtoftë e iu bëftë zeher buka! E shajtoftë pika! (mallk.)
6. kal. dhe jokal., fig. Prish nga mendtë, shkatërroj, çmend. E shajtoi krejt. E shajtoi nga mendtë.
✱Sin.: shemb, pikëlloj, helmoj, vreros, rëndoj, vras, godet, bie, ngurtësoj, nguros, shtang, mbërthen, farmakos, prish, shkatërroj, prishet, vras, shemb, mbret.
SHAJTÚAR (i, e) mb. 1. Që është i sëmurë, i goditur; që është shajtuar. Fëmijë i shajtuar nga epidemia. Po qëndronte si i shajtuar. Djalë i shajtuar.
2. Që është i varruar, i mallkuar, i nëmur, pikërënë; që i rëntë pika (si nëmë). Fis i shajtuar. Është shtëpi e shajtuar. Këto duar të shajtuara nuk mbajnë më.
3. Që është i pjekur para kohe (për pemët). Pemë e shajtuar. Mos ha fruta të shajtuara! Kumbulla të shajtuara.
4. si em. ~A f. sh. ~A, ~AT Ajo që shkakton zemërim, që sjell bezdi. E ndjek ngado kjo e shajtuar! S’pushuan këto të shajtuara!
✱Sin.: i varruar, i mallkuar, i nëmur, pikërënë, i truar, i shembur, i vrarë, i plagosur, i ganduar, i lënduar, i shituar.
SHAJTÚAR ndajf. Në mënyrë të ngrysur; vrenjtur, buzëvarur, zemërueshëm. Vështroj shajtuar. Rrinte gjithnjë shajtuar. Mos më shiko shajtuar.
✱Sin.: ngrysur, vrenjtur, buzëvarur, zemërueshëm, fytyrëvrenjtur, fytyrëngrysur, vetullngrysur.
SHÉMBUR (i, e) mb. 1. Që është prishur e është rrëzuar përdhe, i rrënuar, i shkatërruar. Shkolla të shembura. Çati e shembur. Objekt i shembur.
2. Që është vrarë keq, që është goditur diku dhe është vrarë, por pa gjak; i shajtuar. Këmbë e shembur. Kishte dhimbje te krahu i shembur.
3. Që është ulur, që ka zbritur më poshtë, që është shembur, që ka humbur; që ka shkarë (për tokën), i fundosur. Truall i shembur. Zonë e shembur. Dhe i shembur. Brinjë mali e shembur.
4. fig. Që është shkatërruar tërësisht, që është përmbysur përfundimisht; që është zhdukur, i humbur. Barriera të shembura. Diktaturë e shembur. Zakone të shembura. Bindje të shembura.
5. bised. Që i ka shkarë dhjami, i rrënxuar. Burrë i shembur.
✱Sin.: i rrënuar, i rrëzuar, i shkatërruar, i shajtuar, i vrarë, i plagosur, i lënduar, i fundosur, i zhdukur, i humbur, i dëkuar.
VRÁRË (i, e) mb. 1. Që është qëlluar me armë a me diçka tjetër dhe ka vdekur (për njerëzit) ose ka ngordhur (për kafshët). Njeriu i vrarë. Kafsha e vrarë.
2. Që është goditur me diçka dhe ka dëmtuar një pjesë të trupit, që i është bërë një plagë a një vurratë; që është vrarë ngaqë e ka shtrënguar diçka. Me dorë të vrarë. Me këmbë të vrarë. Erdhi me sy të vrarë.
3. Që është goditur a është dëmtuar dhe ka filluar të prishet (për pemët, perimet etj.). Pemë (mollë) të vrara. Gjethe të vrara. Heq pjesët e vrara.
4. fig. Që është prekur shumë, që ka një dhembje të thellë shpirtërore, i lënduar, i pikëlluar; që shpreh një gjendje mërzie të madhe, dëshpërimi a pendimi. I vrarë shpirtërisht. Njeri i vrarë. Me zemër të vrarë. Me ndërgjegje të vrarë. Me pamje të vrarë.
5. fig. I lodhur e i rraskapitur, me trup të dërrmuar; që shpreh lodhje, rraskapitje a këputje. E ndiente veten të vrarë. Të shoh të vrarë. Me pamje të vrarë.
✱Sin.: i vdekur, i pushkatuar, i vrarë, i mbytur, i shajtuar, i shituar, i ganduar, i lënduar, i shituar.
♦ Barrë e vrarë (në bark të nënës) shih barrë e mallkuar etnogr. *Bollë e vrarë. Jam me zemër (me shpirt) të vrarë shih e kam zemrën (shpirtin) të vrarë. E kam zemrën (shpirtin) të vrarë jam shumë i pikëlluar, jam i brengosur; jam me zemër (me shpirt) të vrarë; e kam zemrën plagë; më dhemb (më ther) zemra. *Morr i ngordhur (i vrarë) përb., thjeshtligj. Me *zemër (me shpirt) të vrarë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë