Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMBULÁNT,~E mb., libr. 1. Që lëviz nga një vend në tjetrin për të shitur mallra. Tregtar ambulant. Shitëse ambulante. Shitje ambulante. Librari ambulante.
2. mjek. Që trajtohet pa u shtruar e pa qëndruar në spital. Gjendje ambulante. Mjek ambulant. Shërbim ambulant.
✱Sin.: lëvizës, shëtitës, ambulator.
CIR/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. Ndërtesë a sallë zakonisht e rrumbullakët, me vende për spektatorët dhe me arenë në mes, ku jepen shfaqje shkathtësie e force nga akrobatë, zhonglerë etj. ose me kafshë të zbutura; tërësia e shfaqjeve të tilla; institucioni që merret me organizimin e këtyre shfaqjeve; trupa e artistëve që marrin pjesë në këto shfaqje; arti teatral me këta pjesëmarrës. Cirk për fëmijë. Cirk shëtitës. Biletë cirku. Arena e cirkut. Drejtuesi i cirkut. Arti i cirkut. Artist cirku. Orkestër cirku. Shfaqje cirku. Kafshë cirku. Punon në cirk. Shkoj në cirk. I pëlqen cirku.
2. gjeol. Greminë, grope e madhe e rrumbullakët dhe me shpate të pjerrëta, që është formuar nga akullnajat ose nga vullkanet; grope në trajtë unaze, krater i një lloji të veçantë në sipërfaqen e Hënës. Cirk akullnajor. Cirk hënor.
FSHEHTË (i, e) mb. 1. Që është i futur a i mbuluar dhe nuk e shohin ose nuk e gjejnë dot të tjerët; që e dinë vetëm pak veta; që nuk dihet, nuk njihet a nuk kuptohet nga të tjerët. Vend i fshehtë. Udhë e fshehtë. Gjuhë të fshehta të folura konvencionale që përdoren nga grupe të veçanta njerëzish e që kuptohen vetëm prej tyre (p.sh. nga zejtarët shëtitës, nga hajdutët etj.).
2. Që mbahet përbrenda nga dikush, që nuk shfaqet a nuk shprehet. Mendim i fshehtë. Ndjenja të fshehta.
3. Që nuk kuptohet se nga vjen a ku e ka burimin; i paqartë, i papërcaktuar, i errët. Parandjenjë e fshehtë. Shqetësim i fshehtë.
4. fig. Që i mban përbrenda mendimet, ndjenjat etj., që nuk ua hap zemrën të tjerëve; i mbyllur. Njeri i fshehtë.
5. fig. Që vepron pa u diktuar nga të tjerët, që vepron në mënyrë tinëzare, që i mbulon veprimet e veta; që vepron në kushte ilegale; që kryen shërbime, veprime e detyra, të cilat nuk duhet t’i dinë të tjerët. Kundërshtar i fshehtë. Organizatë e fshehtë. Diplomaci e fshehtë.
6. fig. Që bëhet pa u marrë vesh nga të tjerët, që bëhet në fshehtësi; që nuk dihet nga të tjerët. Takim i fshehtë. Marrëveshje e fshehtë.
7. fig. Që bëhet pa u vënë re nga të tjerët, që bëhet duke u ruajtur fshehtësia; kund. i hapur. Votim i fshehtë.
8. mjek. Që zhvillohet pa dhënë shenja të dukshme a shenja klinike; kund. i hapur. Sëmundje e fshehtë. Diabet i fshehtë. Dështim i fshehtë. Periudhë e fshehtë.
9. euf., bised. Gjinor; që ka të bëjë me organet gjinore. Organet e fshehta. Sëmundjet e fshehta.
✱Sin.: i fshehur, sekret, i paqartë, i papërcaktuar, i errët, i mbyllur, tinëzar, fsheharak, i maskuar, konspirativ, i nëndheshëm, misterioz, i mistershëm.
MISIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Detyrë speciale e rëndësishme, me nivel të lartë vështirësie, që i ngarkohet një personi a një grupi njerëzish për ta kryer, veçanërisht që përfshin edhe udhëtime; punë e veçantë, e vështirë dhe me përgjegjësi të madhe që i ngarkohet të bëjë një njeri a një grup njerëzish; shërbim. Mision zyrtar (sekret). Mision hapësinor. Mision ushtarak (kulturor, shkencor). U nis (e dërguan) me mision. Ishte me mision. E kreu misionin. Mision humanitar mision që ka për qëllim të kryejë veprimtari humanitare.
2. dipl. Përfaqësi e përhershme diplomatike e një shteti në një shtet tjetër ose pranë një organizate ndërkombëtare; grupi i njerëzve që punojnë në këtë përfaqësi. Mision diplomatik. Misioni shqiptar në OKB.
3. dipl. Ndërtesa ku janë vendosur zyrat e përfaqësisë së përhershme diplomatike të një shteti në një shtet tjetër ose pranë një organizate ndërkombëtare.
4. dipl. Delegacion zyrtar që dërgohet nga një shtet në një shtet tjetër për të kryer një detyrë të posaçme. Mision ushtarak (ekonomik, tregtar). Mision i posaçëm. Kryetari i misionit.
5. fet. Grup besimtarësh, veçanërisht të krishterë, që shkojnë në vende të ndryshme në botë për të përhapur besimin; organizata e këtyre të dërguarve. Mision fetar (katolik). Mision shëtitës.
6. fig. Synim i madh e i rëndësishëm që një person a grup njerëzish duan të arrijnë në një fushë të caktuar të jetës; thirrje, vokacion. Misioni i lartë (i madh, i rëndësishëm) i rilindësve. Mision historik. Misioni i mjekut (i mësuesit, i pedagogut, i shkencëtarit). Misioni i artit (i letërsisë).
PERIPATETÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. fil. Ai që propagandon një teori filozofike, një program politik etj., duke shkuar nga një vend në tjetrin; shëtitës.
2. Endës, bredhës.
PJERRIMTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT krahin. Çikërrimtar; tregtar shëtitës çikërrimash.
RAPSÓD,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Këngëtar popullor, që këndon krijime të epikës legjendare e historike; këngëtar popullor, që këndon dhe krijon këngë epike e trimërie nga jeta e sotme. Rapsod popullor. Krijime të rapsodëve.
2. Këngëtar shëtitës në Greqinë e lashtë, që këndonte këngë nga poemat e Homerit dhe këngë të tjera legjendare.
SHTEGTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që merr një rrugë të gjatë, ai që shkon, zakonisht me këmbë a me kafshë, nga një vend në një tjetër; ai që është gjithnjë në udhëtim. I priti shtegtarët me bujari. Jetë shtegtari.
2. vjet. Tregtar i vogël shëtitës, matrapaz që shiste ose shkëmbente plaçka a mallra të ndryshme.
SHËTÍTËS,~E mb. 1. Që kalon nga një vend në një tjetër. Koncert shëtitës. Cirk (teatër) shëtitës. Trupë shëtitëse. Muzikant shëtitës. Turist shëtitës. Art shëtitës. Shitës shëtitës. Berber shëtitës. (vjet.) Brigadë artizanati shëtitëse. Ambasador shëtitës (dipl.).
2. fig. Që ka disa adresa dhe të cilit nuk i identifikohet vendi i banimit, zakonisht për zgjedhjet. Votues shëtitës zgjedhës të regjistruar në disa vende.
✱Sin.: i dalë, i bredhur, i dalë, i gjezdisur, i baritur, i shëtitur.
VOCËRRIMTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Tregtar a shitës vocërrimash, çikërrimash, çikërrimtar. Vocërrimtar endacak (shëtitës). Aty është një dyqan i një vocërrimtari. Ai vocërrimtari shet vocërrima në një tezgë.
2. fig. Ai që merret me gjëra të vogla dhe pa vlerë, që merret me vogëlsira, me vocërrima. Ai vocërrimtari e humb kohën me vocërrima.
✱Sin.: çikërrimtar, cingëlar.
ÇIKËRRIMTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. vjet. Shitës a tregtar çikërrimash. Çikërrimtar shëtitës. Dyqani i çikërrimtarit.
2. fig. Ai që merret me vogëlsira e gjëra të parëndësishme. Janë shtuar çikërrimtarët e rrjetit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë