Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ACALLÉPSUR (i, e) mb. Që është shtrembëruar (në fytyrë, në buzë etj.). Me fytyrë të acallepsur.
✱Sin.: i ndryshuar, i shëmtuar, i ngërdheshur, i zgërdheshur.
AKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Veprim i njëhershëm i njeriut që bëhet për një qëllim të caktuar; vepër, punë. Akt njerëzor (çnjerëzor). Akt heroik (i guximshëm). Akt ligjor (i kundërligjshëm, kriminal, barbar, i shëmtuar). Akt normativ (jonormativ). Akt i mirë (i keq). Akt miqësor (armiqësor). Akt agresioni (sulmi). Akti i të folurit. Akti i fundit. Kryen (bën) një akt.
2. zyrt. Vendim nënligjor me vlerë shtetërore ose shoqërore; shkresë zyrtare, dokument që pasqyron një vendim të organeve të drejtësisë, të gjendjes civile etj. dhe që vërteton se një veprim i caktuar është kryer zyrtarisht. Akt zyrtar (jozyrtar). Akti i lindjes (i martesës, i vdekjes). Akt administrativ. Akt juridik. Akt gjyqësor. Akt kushtetues. Akt kontrolli. Akt marrëveshjeje. Akt i martesës. Akt kapitullimi. Mbajtëse aktesh. Përpiloj (nënshkruaj) një akt.
3. teatër. Pjesë e një vepre dramatike, e cila përbëhet nga disa skena dhe përfshin një veprim të plotë dramatik. Akti i parë (i fundit). Pjesë me një akt (me shumë akte). Tragjedi në pesë akte.
4. art. Formë e artit pamor që paraqet figurën lakuriqe të njeriut; pikturë, skulpturë, statujë që paraqet trupin e njeriut lakuriq. Akti në pikturë. Akt i trupit të gruas. Interpretim kritik i aktit.
✱Sin.: veprim, punë, dokument, shkresë, pikturë, skulpturë.
ARÚSH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Ursus) Femra e ariut. Arushë e murrme (e bardhë). Këlyshët e arushës. Arushë bjeshke. Arushë polare.
2. bised. Njeri i fuqishëm e i guximshëm, njeri që nuk lodhet kurrë; mjet pune shumë i fuqishëm. Është arushë. Arushë mali.
3. Lodër e butë me pamje ariu. Arushë pelushi. Arushë pushi.
♦ Arusha (Qerrja) e Madhe astr. yjësia në gjysmërruzullin verior të qiellit, që përbëhet nga shtatë yje të renditura si qerre. Arushë mali përk. njeri i fuqishëm e i guximshëm; njeri që nuk lodhet kurrë. Si arusha në shpellë tall. i vetmuar, fillikat, larg njerëzve; njeri pa njeri; pa parë dy sy njeriu, pa parë dritën e diellit. Arusha e Vogël astr. yjësia në gjysmërruzullin verior të qiellit, që përbëhet nga shtatë yje të renditura si qerre, njëri nga të cilët (ylli i bishtit) është Ylli Polar i Veriut. Bën *gjumin e arushës (e ariut) (dikush) tall. Ku di arusha ç’është pitja iron. shih ku di dhia ç’është tagjia. Fle në *lëkurë të arushës (dikush). Futet në *shpellë të arushës (dikush) iron. I kërcen arusha në dasmë (dikujt) i ka punët shumë mirë, çdo gjë i vete mbarë; është i gëzuar. M’i la *këmbët e arushës në dorë (dikush). E ka lëpirë arusha (dikë) shaka. është pispillosur, i ka shtruar flokët si të lëpira; duke i shëmtuar; e ka lëpirë lopa shaka. Luan arushë (me dikë) keq. tallet me dikë, e sjell vërdallë sipas qejfit të tij; e vë në bisht të lahutës (dikë). (Zihen) për *lëkurën e arushës.
BABÁ,~U m., mit., arb. Qenie përrallore, që përfytyrohej me trup jashtëzakonisht të madh e me pamje të shëmtuar e të frikshme; përbindësh, mosmerë.
✱Sin.: përbindësh, mosmerë, lubi, shkërbe, gogol, lugat.
BÁJG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e padobishme e ushqimit që nxjerrin jashtë lopët, kuajt, mushkat e gomarët; jashtëqitjet e kafshëve, pleh bagëtish. Bajga të thata. Bajgë lope. Erë bajge. Tym bajgash. Kasolle e lyer me bajga. E leu me bajga. Ndezën zjarrin me bajga. As rigoni s’bëhet lis, as bajga nuk bëhet fis. (fj. u.).
2. keq. Njeri i pistë, ai që nuk e mban veten të pastër.
3. bised., shar. Njeri i ndyrë e i poshtër, njeri pa vlerë, pa karakter dhe i pacipë; bajgë ahuri. Bajga bajgën s’e heq, burri e heq bajgën. (fj. u.). Bajga bajgën do. (fj. u.).
♦ Bajgë ahuri përb. vulg. njeri pa vlerë e i keq, të cilit nuk ke dëshirë t’i rrish afër; njeri që nuk bën asgjë të dobishme, që nuk i hyn në punë askujt dhe asgjëje; vezë e prishur përb. Bajgë mbi bajgë përçm. vulg. njeri shumë i shëmtuar, dikush që nuk shikohet me sy, të vjen pështirë ta shikosh; ujk me brirë bised.; ibret i dynjasë (i dheut) përçm.; e ka turirin dy tulla e një plithar (dikush) përçm. Iu bë bajgë (dikujt) bised. iu nënshtrua plotësisht, iu qep e i lëpihet për t’i bërë qejfin; iu bë baltë; iu bë opingë; iu bë lepitkë; i lëpin bythën përb. vulg. M’u bë bajgë pas opinge (dikujt) bised. m’u ngjit nga pas e nuk më ndahet; më mërziti shumë; m’u bë baltë pas këpuce; m’u bë ferrë; m’u bë rrodhe. Ia bëri bajgën (dikujt a diçkaje) bised. e braktisi pa e çarë kokën fare për të. S’më digjen bajgat (për dikë) mospërf. vulg. nuk bëhem merak fare për dikë, nuk dua t’ia di se ç’thotë a ç’bën ai, aq më bën; nuk më ftohen fasulet; nuk më bëhet vonë; nuk më prishet gjiza. E holloi bajgën (dikush) keq. është shumë i sëmurë, është në prag të vdekjes; po heq shpirt; i ka të pakta bukët; i ka ditët të numëruara; ta lë shpirtin në dorë; kund. e trashi bajgën tall. vulg. Ia la bajgat (dikujt) tall. vulg. iku papritur e fshehurazi nga dikush dhe as që u bë merak për të; i iku nga duart papritur; mori ç’mundi, përfitoi sa mundi prej dikujt e u zhduk; ia la pendët në dorë iron. ia la puplat (në dorë); ia la lëpendrat në dorë; i la patkonjtë; i la shëndenë. T’i lë bajgat nën thonj (dikush) keq. është shumë i lig e i pabesë, ta bën fshehurazi të keqen, ta lë të keqen në derë; veç bishti (i qenit) i mungon (dikujt) keq.; u lëshon baltë varreve përçm. E lëshon bajgën (ku të mundë) (dikush) bised. 1. Nuk ka kujdes fare, nuk di as vetë se ç’bën; e bën një punë shkel e shko. 2. Flet pa u menduar, nuk i peshon fare fjalët; i lëshon fjalët pa doganë. (E lëshon) si *lopa bajgën (dikush) bised. I marrin bajgat *zjarr (dikujt) tall. vulg. E trashi bajgën (dikush) tall. vulg. u përmirësua nga shëndeti; filloi të dalë nga gjendja e keqe, nuk është si më parë; erdhi në fije; e mori veten; kund. e holloi bajgën keq.
BALDÓS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Meles meles; Meles taxus) Kafshë gjitare mishngrënëse me trup të vogël e me turi të zgjatur, me qime të gjata, të ashpra, të murrme në bark e më të çelura në kurriz, që e bën strofkën thellë në dhe; dosëbalë, vjedull. Lëkurë baldose. Strofkë baldose. Si turi baldose. Arën në mal (në pyll) e ha baldosa. (fj. u.).
2. zool., krahin. (lat. Gryllus gryllotalpa) Dosëz, bushtërz, këlysh dheu. Baldosë e vogël.
3. keq. Femër shumë e shëndoshë dhe e shëmtuar. Baldosë grua.
✱Sin.: balëII, dosëbalë, vjedull, dosëz, arrç, bërcukull, balik.
BANÁL,~E mb. 1. Që ka humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë, që është bërë bajat e pa shije; tepër i përdorur dhe i njohur prej të gjithëve; i pakripë, i dalëboje. Mendime (thënie, bisedë) banale. Krahasim banal. Është bërë banal. Ngjarje (skenë) banale. Zhargon banal. Në mënyrë banale.
2. keq. I pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm (për fjalët etj.); që përdor fjalë të ndyra e sillet në mënyrë të shëmtuar. Fjalë (shprehje) banale. Shaka (anekdotë) banale. Sharje (shpifje) nga më banalet. Batuta (nofka) banale.
3. Që nuk ka ideale të larta; që ka shije të ulët. Njeri banal.
✱Sin.: bajat, i pakripë, i dalëboje, i pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm.
BETÉR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bised. 1. Grua e keqe e shumë e shëmtuar.
2. Shaka, tallje, shpoti, hokë. Kallëzon gjithfarë beteresh. Nuk i sosen beteret kurrë. Hiqju betereve fol me gjithë mend, fol seriozisht.
3. vet. sh. Çikërrima; gjëra të vogla, vogëlsira. Merret me betere.
4. Ngatërresë. Na solli betere.
BÚKUR (i, e) mb. 1. Që ka tipare të rregullta, vija a lëvizje të harmonishme, gërshetim të këndshëm ngjyrash e tingujsh, brendi të shëndoshë e tërheqëse etj. dhe që me këto të jep kënaqësi e të bën ta admirosh; që është i përkryer në llojin e vet; që përputhet plotësisht me kërkesat e me shijet estetike të pranuara nga shoqëria; i hijshëm; kund. i shëmtuar. Vajzë (grua) e bukur. Djalë i bukur. Me fytyrë (sy, ballë, trup, shtat) të bukur. Kalë (zog) i bukur. Lule e bukur. Natyrë (pamje, ngjyrë) e bukur. Liqen i bukur. Qytet (fshat) i bukur. Shtëpi e bukur. Artet e bukura. Pikturë (skulpturë) e bukur. Shkrim i bukur. Rroba (këpucë) të bukura. Këngë (muzikë) e bukur. Libër i bukur. Zë i bukur. Shfaqje e bukur. Lojë e bukur (sport.). Emër i bukur. I bukur si yll (si drita). Lëpjetë e bukur (bot.). Zonjë e bukur (bot.). E bukur është edhe dëbora, por e ndotin qentë. (fj. u.).
2. Që shquhet e çmohet për përmbajtjen e lartë; që vlerësohet e pëlqehet shumë për vetitë e mira morale, për ndjenjat, për karakterin etj.; i mbushur me ngjarje e veprimtari që sjellin mirëqenie, gëzim e lumturi. Sjellje e bukur. Zakone (virtyte) të bukura. Traditë e bukur. Jetë e bukur. E ardhmja e bukur. Lajm i bukur.
3. I dobishëm, i vlefshëm; që është a që bëhet ashtu si duhet, i mirë, i mbarë; shumë i përshtatshëm. Punë e bukur. Shëndet i bukur. Rast i bukur. Ka një lojë të bukur (shah.).
4. I kthjellët, pa re, pa shi, pa shtrëngatë, pa dallgë e pa erë. Ditë (natë) e bukur. Mot (mëngjes) i bukur. Kohë e bukur. Det i bukur.
5. bised., iron. I keq, i pakëndshëm, i shëmtuar, i padobishëm, i pavlefshëm (përdoret para ose pas një emri, me kuptim të kundërt nga ai që ka zakonisht kjo fjalë). - Të bukur punë që paska bërë! - Të bukur fjalë që paska thënë! - Të bukur shok që paska! - Të bukur lojë që bënë!
♦ Një *ditë të bukur. Për *sytë e bukur (të dikujt) iron.
BÚKUR ndajf. 1. Në mënyrë të pëlqyeshme a të këndshme; me bukuri, hijshëm; kund. shëmtuar. Mirë e bukur. Vishet bukur. I rri bukur. Kërcen (luan) bukur. Shkruan (vizaton) bukur. Këndon bukur. I bie bukur (një vegle muzikore). Tingëllon bukur. Flet (lexon) bukur.
2. Shumë mirë, ashtu si duhet, mjaftueshëm. Ia punoi bukur. - Bukur e bëre!
3. bised., iron. Shumë keq, jo ashtu si duhet (përdoret me kuptim të kundërt nga ai që ka zakonisht kjo fjalë). Bukur, besa!
4. bised. Aq sa duhet, aq sa mjafton; shumë, mjaft, fort. Bukur i madh. Bukur i lartë. Bukur mirë. Bukur larg. Bukur thellë. Bukur vonë. I foli bukur rëndë. Dora e tij ishte bukur e regjur dhe e ashpër.
✱Sin.: hijshëm, bukuri, bukurazi, mrekulli, mirë, boll, goxha, sado, aq, mjaftueshëm, mjaft, fort, plot, lart, shumë, thellë, thellësisht, çuditërisht, pafundësisht, mrekullisht, jashtëzakonisht, derrçe, vendçe, fuqimisht, beter, tejet, tepër, së tepërmi, trashë, rëndë, alamet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë