Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
QOFTESHÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT Ai që bën dhe shet qofte. Qofteshitësi gatuan dhe servir qofte shumë të shijshme.
✱Sin.: qoftexhi, qoftebërës.
SALÉP,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. (lat. Orchis morio) Bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe të gjata, të mbështjella rreth kërcellit, me lule të mbledhura si kalli dhe me zhardhok të nëndheshëm, që përdoret si bimë mjekësore dhe aromatike. Bima e salepit. Zhardhoku i salepit. Miell salepi. Salepi gjendet në livadhe dhe kullota malore.
2. Pije e ngrohtë si lëng i trashë, e përgatitur nga zhardhokët e bluar të kësaj bime të zier me ujë e me sheqer. Një sasi e kësaj pijeje, sa nxë një filxhan çaji. Servir salep. Salep i ngrohtë (i ëmbël). Salep me kanellë. Piu një salep. Nëna i përgatiti një salep. Ndiej erën e salepit.
SERVÍR vep., ~A, ~UR kal. 1. I jap dikujt për të ngrënë, për të pirë etj. Na servirën disa gatime tradicionale. Posa e shtronim sofrën, servirnim mezenë. Ata po servirnin pjatat.
✱Sin.: shërbej, ofroj.
2. fig. I paraqes dikujt gjëra të pavërteta. Na servirën dokumente të paqena. Paragrafi i parë na servir dy variante. Kryetari i serviri auditorit të dhëna jo të plota.
SHËRB/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. jokal. Kryej a përmbush një detyrë, punoj. Shërben si mjek (si mësues, si sekretar, si rojë, si infermier). Në sallën e operacionit shërbejnë infermierë me përvojë. Shërbente si ekonomist. Askush nuk mund të shërbejë në atë vend.
2. edhe kal. Jam në shërbim të të tjerëve, bëj një punë të caktuar në dyqane e lokale; ndihmoj dikë a kujdesem për të. U shërbej klientëve. I shërbej pacientit. U shërbej prindërve. Shërben mirë (keq). I shërbeu një mjeke e re. Më shërben zonja e banakut. - Kush shërben këtu? - Me çfarë mund t’ju shërbej? - Si mund t’ju shërbej?
3. kal dhe jokal., fet. Kryej një veprimtari fetare, një mision fetar; përmbush funksionet a detyrat e një pozicioni që lidhet me hierarkinë e një institucioni fetar. Shërben si prift. I shërben Zotit. Shërbeji Perëndisë me dëlirësi!
4. jokal. Kryen një shërbim në një shtëpi kundrejt një pagese. Shërbente te një biznesmen. Shërbeu për shumë vite në atë shtëpi. Vazhdon të shërbejë në atë familje.
4. jokal. Kryerja e një veprimtarie në shërbim të vendit, bëj shërbim ushtarak në kohë paqeje ose lufte. Shërben në forcat ajrore (në flotë, në artileri). Shërben në kufi. Shërben në ushtri.
5. kal dhe jokal., fig. Punoj për të mirën e dikujt; përpiqem për një ideal, për një çështje të lartë e fisnike. I ka shërbyer vendit për një dekadë. I ka shërbyer kauzës së përbashkët. Partitë duhet t’i shërbejnë interesit kombëtar. I shërben kombit.
6. kal dhe jokal., përb. I ndihmoj dikujt me përulje për punë e synime jo të mira, bëj veten lake. U ka shërbyer të pabesëve.
7. jokal., vet. v. III Kryen një punë të caktuar, bën punën e diçkaje, hyn në punë për diçka, përdoret; vlen. Shërben si mbështetje. Shërben si çadër mbrojtëse. Shërben si vendbanim. Shërben si bazë ushtarake. Shërben si çelës për ta zgjidhur një punë. Shërben si burim të ardhurash. Shërben si model. Shërben si busull orientimi. Shërbeu si shkak. Shërben për të pastruar mykun. Shërben për të ujitur lulet. Shërben për të mjekuar. Shërben për të zbuluar sëmundjen. Përse shërbejnë antibiotikët?
8. kal dhe jokal., vet. v. III Ka rëndësi, i ndihmon dikujt a diçkaje; vlen për diçka. Arti i muzikës i shërben artit të poezisë. Disiplinat etnografike shërbejnë për njohjen e traditave të lashta. Transporti publik shërben për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve. Teknologjia i shërben zhvillimit të shoqërisë. Ngjarja u shërbeu si mësim. Mikroskopi i shërbeu për të siguruar të dhënat. Inteligjenca artificiale shërben si asistent për punonjësit. Shërben për njohjen e jetës. Kuvendi (konferenca, mbledhja) shërbeu për... Na shërbeu shumë.
9. kal dhe jokal. Vendos në tavolinë ushqimet, pijet etj.; u afroj të tjerëve ushqimin në pjatë ose pijen në gotë, servir. Shërbej në tavolinë me kujdes. Shërbej ushqimet sipas radhës. - Shërbeje supën! Na shërbe pak verë. Ai kamerier shërben mirë (keq).
10. sport. Gjuaj topin nga vija fundore (në volejboll, tenis etj.). Shërben topin.
✱Sin.: ndihmoj, punoj, përdoret, vlen.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë