Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁRKË,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Kuti e madhe katërkëndëshe, e bërë zakonisht me dërrasa, që shërben për të ruajtur e për të mbartur sende e mallra. Arkë druri (dërrase, hekuri). Arkat e bukëve. Arka birre (qumështi). Arka municioni. Arka e ndihmës së shpejtë. Arka e ushtarit (usht.). Kapaku i arkës. Çelësi i arkës. Hap (mbyll) arkën. Shtie (fut) në arka. Ruaj arkën. Zbukurimet e arkës.
2. etnogr. Orendi katërkëndëshe prej dërrase, me kapak dhe me dry, zakonisht e zbukuruar, që shërbente për të mbajtur rroba dhe pajën e nuses. Arka e nuses arkë druri e zbukuruar me vizatime lulesh shumëngjyrëshe, që shërbente për pajën ose për rrobat e nuses. Arka e pajës (e rrobave). Rrobat e arkës. Mban në fund të arkës. (fj. u.). Arka e peshkut (zool.) guaskë peshku; lupare, vesh peshku.
3. Kasafortë. Fut (vë) paratë në arkë. Mbyll arkën. Arkë parash.
4. ek. Zyrë a vend i posaçëm, ku bëhen pagesat dhe veprime të tjera me të holla. Arka e bankës. Arka e ndërmarrjes. Nëpunësja e arkës. Paguan në arkë. Derdh paratë në arkë.
5. fin. Fondet në të holla që ka si gjendje një shtet, një ndërmarrje, kompani, biznes, institucion etj. Arka e shtetit. Libri i arkës. Gjendje arke. Mbush (zbraz) arkën e shtetit. Mbaj arkën. Mbyll arkën llogarit hyrjet e daljet në të holla për të parë gjendjen e fondeve.
6. bised. Arkivol. Arka e të vdekurit. Të vënça në arkë! mallk. vdeksh!
7. vjet., fin. Ent ku depozitoheshin të hollat e kursyera nga punonjësit, të cilat këta mund t’i tërhiqnin kur të donin. Arka e kursimit. Derdh të holla në arkën e kursimit.
♦ Arkë pa dry (pa çelës) në mëshirë të fatit, pa u mbrojtur, pa e ruajtur kush. Arkë e dry të lidhur si mishi me thoin njëri me tjetrin, të pandarë njëri nga tjetri. Arkë me dry (me shtatë dryna) shih arkë e mbyllur. Arkë e mbyllur ai që e mban të fshehtën e nuk ua thotë të tjerëve; ai që nuk i hapet askujt; varr i mbuluar; qeli pa dritare (e mbyllur). Arka (barka) e Noes libr. mjet a vend shpëtimi nga një rrezik i madh. *Fundi i arkës. Janë arkë e dry shih janë mish e thua. I kallëzoj *fundin e arkës (dikujt). E ka gojën arkë (dikush) shih e mban gojën mbyllur (dikush) nuk nxjerr fjalë nga goja, i ruan mirë të fshehtat. E ka gojën si arka e plakës (dikush) e mban të fshehtë një sekret, nuk ia tregon askujt, është i besës; e fut fjalën në fund të dheut; e hedh fjalën në pus; kund. e nxjerr në pazar të gomarëve (diçka) tall. I nxjerr *fundin e arkës (dikujt). Është *sapun në arkë (dikush). Të vënça në arkë! mallk. vdeksh!
✱Sin.: kuti, sënduk, sandëk, sanak, arkëz, baule, kanavete, kashun, kanistër, sepete, valixhe, kasafortë, kasë, arkivol, arkëmort.
KANÍST/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. Shportë e thurur. Kanistër me fiq.
2. Thurimë a shportë e hapur prej xunkthi me dy dorëza, e cila shërben për të mbajtur rroba, pemë, bukë etj.; sepete e vogël. Kanistër e bukës. Thurin kanistra.
3. Thurimë e tillë për ullinj në punishtet e vajit.
4. Thurimë që bëjnë fëmijët në pranverë me kërcejtë e kallinjve të grurit dhe të thekrës për të zbukuruar shtëpinë në pranverë.
✱Sin.: shportë, sepete.
SEPÉT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Arkë e vogël, e punuar dhe e zbukuruar me mjeshtëri, që përdoret për të mbajtur rroba ose për të shtënë pajën e nuses; sënduk i vogël. Sepetja e nuses. Hap (mbyll) sepeten. Vë në sepete. E ruan në fund të sepetes. E nxori nga sepetja. Gjyshja hapi sepeten e saj të vjetër.
2. Kanistër, zakonisht me kapak, që përdoret për të vënë rroba e diçka tjetër. Kishte për të larë një sepete rroba. I vuri rrobat e thara në sepete. E mbushi sepeten me rrush.
✱Sin.: shportë, kaçile.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë