Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÍSHTË (i, e) mb. 1. Që thyhet lehtë; që thërrmohet shpejt. Lëndë e brishtë. Qelq i brishtë. Enë e brishtë. Lodër e brishtë. Dru (kërcell) i brishtë. Tokë e brishtë.
2. Që vjen i dobët e i mekët nga natyra a nga ndonjë sëmundje, i hollë (për njerëz); delikat; kund. i shëndetshëm, i shëndoshë. Fëmijë i brishtë. Vajzë e brishtë. Trup i brishtë. Qafë e brishtë. Lule e brishtë. Me shëndet të brishtë.
3. fig. Shumë i ndjeshëm, që preket lehtë në ndjenja. Zemër e brishtë. Fëmijë i brishtë.
4. fig. Që nuk ka një bazë të shëndoshë, që nuk përligjet nga vetë jeta, që nuk qëndron, i pathemeltë; i kotë. Shpresa (ëndërrime) të brishta. Ekuilibër i brishtë.
5. Që ka 366 ditë dhe që bie një herë në katër vjet; perishtup. Vit (mot) i brishtë.
✱Sin.: brishtak, i dobët, delikat, i njomë, i brydhët, i ndjeshëm, i prekshëm, sentimental, emocional, njerëzor, i pathemeltë, i pabazë, i kotë, i thyeshëm.
LIRÍKO-SENTIMENTÁL,~E mb. Që ka të bëjë me lirikën dhe ndjenjën, që i përket lirikës dhe ndjenjës a ndjeshmërisë si motive të krijimit; që ndërthur lirizmin me ndjeshmërinë e butë, të qetë e reflektuese. Atmosferë liriko-sentimentale. Teksti i autorit merr një ngjyrim liriko-sentimental.
MELODRAMATÍK,~E mb. 1. let. Që lidhet me melodramën; që i përket melodramës, i melodramës. Zhanri melodramatik. Pjesë (shfaqje) melodramatike. Rol melodramatik. Me karakter melodramatik. Donte të krijonte një film melodramatik.
2. fig. Që synon të nxitë me efekte të dukshme lloj-lloj ndjenjash prekëse; që të prek a të mallëngjen, që të ngashëren shumë. Skenë melodramatike. Veprim melodramatik. Justifikim melodramatik. Ishte i famshëm për tingullin e tij melodramatik.
3. Që shfaq a që përjeton emocione të ekzagjeruara, tepër sentimental. Ishte person melodramatik që e kthente gjithçka në dramë. Kishte qëndrim melodramatik për ngjarjet.
NDJÉSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i aftë të kapë ngacmimet nga bota e jashtme; që u përgjigjet në një shkallë të lartë ngacmimeve të jashtme; kund. i pandjeshëm. Lëkurë e ndjeshme. Vesh i ndjeshëm. Pjesë e ndjeshme e trupit. Në pikën më të ndjeshme.
2. Që preket lehtë në ndjenja; që i ndien shumë dhe thellë përshtypjet nga bota e jashtme, që i bën përshtypje lehtë çdo gjë, i prekshëm. Njeri (fëmijë) i ndjeshëm. Zemër e ndjeshme. Shpirt i ndjeshëm. Natyrë e ndjeshme.
3. spec. Që ka aftësinë t’u përgjigjet ndryshimeve dhe ndikimeve nga mjedisi i jashtëm; që kap ndryshimet më të vogla të madhësive për t’u matur. Aparat i ndjeshëm. Pllakë e ndjeshme. Sektor i ndjeshëm. Automat i ndjeshëm.
4. fig. Që arrin përmasa të mëdha e të dukshme, i rëndësishëm; që ka një ndryshim të tillë, i cili bie në sy; mjaft i madh, i dukshëm. Ngritje (rritje, ulje, rënie) e ndjeshme e çmimeve (e shpenzimeve). Përmirësim i ndjeshëm. Shtim (tejkalim) i ndjeshëm. Përparim i ndjeshëm. Dëme (humbje) të ndjeshme. Dallime të ndjeshme. Në mënyrë të ndjeshme.
✱Sin.: i brishtë, i prekshëm, sentimental, njerëzor, emocional, i ngacmueshëm, ëndërrues, ëndërrimtar, i hollë, i rëndësishëm, i madh, i dukshëm.
SENTIMENTÁL,~E mb. 1. Që preket shumë shpejt në ndjenja, tepër i ndjeshëm. Njeri sentimental. Psherëtima sentimentale. Qëndrim sentimental. Është bërë sentimental. Nuk duhet të bëhemi shumë sentimentalë në këtë pikë. Por, çuditërisht ndihej sentimental.
2. let. Që i kushtohet shumë botës së ndjenjave të njeriut, që e përshkruan njeriun dhe natyrën me shumë ndjenjë e zbukurime. Letërsia sentimentale. Roman sentimental. Kishte përshkrime sentimentale.
SENTIMENTALÍST,~E mb. Që është sentimental. Vajzë sentimentaliste. Foli për çastet sentimentaliste.
SENTIMENTALÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që është sentimental. U duk si një sentimentalist. Nuk është lajm për sentimentalistët.
SENTIMENTALÍZ/ËM,~MI m. 1. Vetia e njeriut sentimental, të qenët sentimental; qëndrim tepër zemërbutë, që niset nga ndjenjat dhe jo nga vlerësimi objektiv i realitetit. Vuan nga sentimentalizmi. Veprojnë pa sentimentalizëm. Gjykime bazuar në sentimentalizëm. Shkon deri në sentimentalizëm. S'ka sentimentalizëm këtu! Duke kaluar nga sentimentalizmi në pragmatizëm.
2. let. Drejtim letrar i gjysmës së dytë të shekullit XVIII, që e përqendronte tepër vëmendjen te pasqyrimi i jetës së brendshme, i ndjenjave të njeriut dhe i natyrës, duke i paraqitur gjërat në mënyrë të idealizuar. Dukuria e sentimentalizmit në prozën shqipe.
3. sh. ~MA, ~MAT bised. Shprehje ose shfaqje e qëndrimit prej sentimentali. Lëri sentimentalizmat! Nuk i duronte sentimentalizmat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë