Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMBASÁD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Përfaqësia diplomatike më e lartë që ka një shtet në një shtet tjetër, e cila drejtohet nga një ambasador. Misioni diplomatik i ambasadës. Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ambasada e Republikës së Kosovës.
2. Ndërtesa (selia) një përfaqësie diplomatike. Ambasada e Shqipërisë (e Kosovës). Sekretar (këshilltar) i ambasadës. Pritje në ambasadë. Zyrat e ambasadës.
BYRÓ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. hist. Grup njerëzish të zgjedhur në krye të një komiteti ose të një organizate politike e shoqërore, që udhëheqin veprimtarinë e komitetit a të organizatës për një periudhë të caktuar. Përbërja (zgjedhja) e byrosë. Sekretar (anëtar) i byrosë. Buroja Politike (hist.). organi më i lartë në hierarkinë e Partisë së Punës të Shqipërisë. Mbledhja e byrosë.
2. Grup specialistësh që drejton veprimtarinë tekniko-shkencore në një ndërmarrje, që udhëheq e kontrollon një veprimtari të caktuar në një institucion ose është ngarkuar të studiojë një çështje me rëndësi. Byroja teknike (teknologjike). Punon si specialist pranë byrosë së projektimit. Byroja e çmimeve. Byroja e Kuvendit. Byroja juridike. Vendimet e byrosë.
SEKRETÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Punonjës që merret me punët e përditshme të një zyre, si hartimi a regjistrimi i shkresave e ruajtja e tyre, mbajtja e letërkëmbimit etj., njeri që ndihmon një zyrtar me përgjegjësi ose një person të veçantë për të ndjekur dhe për të kryer punët e ndryshme. Sekretari i shkollës. Sekretar i ministrit. Kishte marrë një sekretar personal. Hyri në zyrën e sekretarit. Kishte filluar punën si sekretar.
2. Udhëheqësi i zgjedhur i një organizate politike e shoqërore. Sekretar i organizatës. U bë zgjedhja e sekretarit.
3. Njeri i ngarkuar me një detyrë në një organ shtetëror; anëtar i qeverisë (në disa vende). Sekretar i ambasadës. Sekretar shteti ministër. Sekretari për punët e jashtme bëri një vizitë.
4. Ai që merret me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave në një institucion ose në një organ shtypi. Sekretari shkencor i Akademisë. Sekretari i gjykatës. Është sekretar i redaksisë.
5. Ai që caktohet për të mbajtur procesverbalet e një mbledhjeje, të një konference etj. Sekretari i mbledhjes. U zgjodh sekretar i Komisionit të Zgjedhjeve. Caktoi sekretarin.
SHËRB/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. jokal. Kryej a përmbush një detyrë, punoj. Shërben si mjek (si mësues, si sekretar, si rojë, si infermier). Në sallën e operacionit shërbejnë infermierë me përvojë. Shërbente si ekonomist. Askush nuk mund të shërbejë në atë vend.
2. edhe kal. Jam në shërbim të të tjerëve, bëj një punë të caktuar në dyqane e lokale; ndihmoj dikë a kujdesem për të. U shërbej klientëve. I shërbej pacientit. U shërbej prindërve. Shërben mirë (keq). I shërbeu një mjeke e re. Më shërben zonja e banakut. - Kush shërben këtu? - Me çfarë mund t’ju shërbej? - Si mund t’ju shërbej?
3. kal dhe jokal., fet. Kryej një veprimtari fetare, një mision fetar; përmbush funksionet a detyrat e një pozicioni që lidhet me hierarkinë e një institucioni fetar. Shërben si prift. I shërben Zotit. Shërbeji Perëndisë me dëlirësi!
4. jokal. Kryen një shërbim në një shtëpi kundrejt një pagese. Shërbente te një biznesmen. Shërbeu për shumë vite në atë shtëpi. Vazhdon të shërbejë në atë familje.
4. jokal. Kryerja e një veprimtarie në shërbim të vendit, bëj shërbim ushtarak në kohë paqeje ose lufte. Shërben në forcat ajrore (në flotë, në artileri). Shërben në kufi. Shërben në ushtri.
5. kal dhe jokal., fig. Punoj për të mirën e dikujt; përpiqem për një ideal, për një çështje të lartë e fisnike. I ka shërbyer vendit për një dekadë. I ka shërbyer kauzës së përbashkët. Partitë duhet t’i shërbejnë interesit kombëtar. I shërben kombit.
6. kal dhe jokal., përb. I ndihmoj dikujt me përulje për punë e synime jo të mira, bëj veten lake. U ka shërbyer të pabesëve.
7. jokal., vet. v. III Kryen një punë të caktuar, bën punën e diçkaje, hyn në punë për diçka, përdoret; vlen. Shërben si mbështetje. Shërben si çadër mbrojtëse. Shërben si vendbanim. Shërben si bazë ushtarake. Shërben si çelës për ta zgjidhur një punë. Shërben si burim të ardhurash. Shërben si model. Shërben si busull orientimi. Shërbeu si shkak. Shërben për të pastruar mykun. Shërben për të ujitur lulet. Shërben për të mjekuar. Shërben për të zbuluar sëmundjen. Përse shërbejnë antibiotikët?
8. kal dhe jokal., vet. v. III Ka rëndësi, i ndihmon dikujt a diçkaje; vlen për diçka. Arti i muzikës i shërben artit të poezisë. Disiplinat etnografike shërbejnë për njohjen e traditave të lashta. Transporti publik shërben për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve. Teknologjia i shërben zhvillimit të shoqërisë. Ngjarja u shërbeu si mësim. Mikroskopi i shërbeu për të siguruar të dhënat. Inteligjenca artificiale shërben si asistent për punonjësit. Shërben për njohjen e jetës. Kuvendi (konferenca, mbledhja) shërbeu për... Na shërbeu shumë.
9. kal dhe jokal. Vendos në tavolinë ushqimet, pijet etj.; u afroj të tjerëve ushqimin në pjatë ose pijen në gotë, servir. Shërbej në tavolinë me kujdes. Shërbej ushqimet sipas radhës. - Shërbeje supën! Na shërbe pak verë. Ai kamerier shërben mirë (keq).
10. sport. Gjuaj topin nga vija fundore (në volejboll, tenis etj.). Shërben topin.
✱Sin.: ndihmoj, punoj, përdoret, vlen.
STALINÍZ/ËM,~MI m. Doktrinë e formuluar nga J. V. Stalini (Josif Visarionoviç Xhugashvili, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të BRSS, 1922-1953), e mbështetur në centralizim dhe totalitarizëm për ta çuar vendin në komunizëm. Gjatë periudhës së stalinizmit, miliona njerëz u arrestuan dhe u dërguan në kampet e punës, ku shumë prej tyre humbën jetën. Metodat e stalinizmit, krahas industrializimit, për një kohë të shkurtër, patën edhe pasoja shkatërruese për popullsinë.
ZGJEDHI vep., ZGJÓDHA, ZGJÉDHUR kal. 1. Ndaj nga një grup qeniesh a sendesh dhe marr atë që është më i mirë, më i përshtatshëm a më i rëndësishëm, atë që më pëlqen më shumë. Zgjedh shokun (shokun e jetës). Zgjedh mollët (pjeshkët, domatet). Zgjodhi një këmishë (një lodër). Zgjodhi ngjyrën. Zgjodhi me trimat. I zgjodhi një nga një. I kanë zgjedhur me gisht. Zgjodhi më të mirat. - Zgjidh ti i pari! Farën e zgjodhën kalli për kalli. Ai nuk i zgjedh fjalët. - Zgjidh e merr! Zgjidh arën e qëro farën. (fj. u.). Zgjidh e zgjidh e mbasandaj mblidh. (fj. u.). Paraja nuk i zgjedh njerëzit. (fj. u.). Moj kasolle ku na mblodhe, sa vjet bëre që na zgjodhe. (fj. u.). Pyet njëqind vetë dhe zgjidh fjalën e vërtetë. (fj. u.). Kush zgjedh shumë, merr për lumë. (fj. u.). Shit arën e zgjidh farën. (fj. u.).
2. Caktoj e marr atë që më pëlqen a që më duket më e përshtatshme, më e mirë, më e rëndësishme etj.; vendos për njërën ndërmjet disa gjërash, zgjidhjesh, mundësish etj. Zgjedh zanatin (punën, profesionin). Zgjedh degën e studimit. Zgjodhi një vend të qetë. Zgjedh rrugën më të vështirë (më të lehtë). Zgjodhi kohën më të mirë. - Zgjidh me kë do të jesh! Miqtë zgjodhën fushën (sport.). Sot vajza e zgjedh vetë fatin e saj. Gjithë korbat u mblodhën, si të parë bufin zgjodhën. (fj. u.).
3. Caktoj dikë me anë të votimit për të kryer një detyrë shtetërore a shoqërore. E zgjodhën kryetar. E zgjodhën sekretar të shoqatës. E zgjodhën në kryesi. E zgjodhën në presidium. E zgjodhën delegat.
✱Sin.: përzgjedh, seleksionoj, mëshenjoj, gjëllij, qëmtoj, përkoq, veçoj, gjej, caktoj, shkoqis.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë