Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
A 1. Njëra nga zanoret e gjuhës shqipe dhe shkronja e parë e alfabetit të saj, e cila shënon këtë zanore. Zanorja a. Tingulli a. Shkronja a.
2. si em. f. Zanorja dhe shkronja a. A-ja e vogël (e madhe). A-ja e dorës (e shtypit). A-ja nistore.
3. si em. f., fig. Fillimi i një pune, pikënisja për diçka. E shikova nga a-ja. E bëri nga a-ja.
4. si em. f., fig. Njohuritë fillestare e më të thjeshta për diçka, abëcëja. A-ja e kësaj çështjeje.
5. Simboli i vitaminës A.
♦ Nga a-ja deri te zh-ja nga fillimi deri në fund; përfshirë të gjitha, gjithçka; plotësisht, tërësisht; nga alfa deri tek omega libr.; fund e krye (e majë).
ABÁK,~UI m. sh. ~Ë, ~ËT 1. arkit. Pllakë e sheshtë katrore ose disk, i vendosur në majën e një kolone midis kapitelit të saj dhe strukturës së mbajtësit të traut a të harkut, që shërben për të siguruar mbajtjen e saj dhe për të mbrojtur zbukurimet figurale të pjesës së sipërme të shtyllës (të kapitelit), që shërbejnë si elemente funksionale dhe estetike. Abak mermeri.
2. mat., vjet. Llogaritës i thjeshtë primitiv, i përbërë nga një copë e vogël dërrase a kartoni, që përdoret për mësimin e numërimit; mjet njehsimi nga kohët e lashta, i përbërë nga gogla të ngjyrosura, të shkuara në disa radhë telash. Abak romak. Abak kinez. Abak japonez. Abak i ndarë në shtylla. Bëj një abak. Numëroj (llogarit) me abak.
4. Tryezë solemne për vendosjen e enëve të çmueshme te romakët e vjetër. Abak druri (plastike). Abak argjendi.
5. Lloj dërrase për lojë.
✱Sin.: numërator, numëratore, njehsor, llogaritës, kalkulator.
ABDOMINOSKOPÍ,~A f., mjek. Ekzaminim i barkut për diagnostikimin e sëmundjes ose për përcaktimin e shkaktarëve të saj, duke futur në abdomen, përmes një prerjeje të vogël, një tub të hollë me një kamerë dhe me një burim drite. Bëri abdominoskopi. Priti radhën për abdominoskopi.
ABSÍD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT arkit., fet. Strukturë arkitekturore, e përdorur në kishat, në bazilikat dhe në objektet e tjera fetare mesjetare, shpesh si vend ku ndodhej altari kryesor e ku kryheshin shërbesat liturgjike; pjesë e dalë në murin e prapmë të një kishe në skajin lindor të saj, në trajtën e një gjysmërrethi në stilin romak, gotik e bizantin, e pajisur me dritare të mëdha për ta ndriçuar ambientin e brendshëm të kishës dhe e zbukuruar me mozaikë, afreske a elemente të tjera artistike; kungë; kungore. Absidë kishe. Absidë antike (mesjetare, bizantine). Absidë gotike. Absidë e zbukuruar. Absidë poligonale.
✱Sin.: kungore, kungë.
ABSTRAKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur abstraktoj ose kur abstraktohet.
2. Largimi me anë të të menduarit nga vetitë, nga tiparet e nga lidhjet e ndryshme të sendeve e të dukurive konkrete dhe dallimi, veçimi e përgjithësimi i tipareve të tyre më thelbësore; përgjithësim; kund. konkretizim. Abstraktim shkencor. Abstraktim gramatikor. Abstraktim leksikor. Abstraktim kuptimor. Abstraktim matematikor (gjeometrik). Abstraktimi nga e veçanta. Bëj abstraktim.
3. psikol. Përpunim dhe kategorizim i informacionit për të arritur në koncepte më të përgjithshme që përfaqësojnë ide të shumta. Abstraktim psikologjik. Abstraktim i përngjashmimit. Abstraktim i përvojës.
4. filoz. Veçim i koncepteve dhe i ideve themelore për të ndërtuar një kuptim të përgjithshëm për botën; reduktim i përmbajtjeve të shumëfishta për të nxjerrë thelbin e saj. Procesi i abstraktimit. Abstraktim logjik. Abstraktim real. Abstraktim ideal. Abstraktim i thellë. Abstraktim i drejtpërdrejtë. Abstraktim i ideve (i koncepteve, i nocioneve etj.).
5. art. Ikje nga përshkrimi i saktë i formave dhe i ngjarjeve të njëmendta për të krijuar një përvojë më subjektive dhe të lirë të ngjyrave, të linjave dhe të formave. Abstraktim lirik. Abstraktim pamor. Abstraktim i shprehjes artistike përmes ngjyrave.
6. shkenc. Procesi i thjeshtimit të problemeve dhe i zgjidhjeve të tyre duke hequr detajet fizike, hapësinore ose kohore të panevojshme për të krijuar gjedhe ose algoritme më të përgjithshme, më të rëndësishme dhe më të zbatueshme në situata të ndryshme. Abstraktim kompjuterik. Abstraktimi i një programin softuerik.
ABSTRAKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Veçoj ose largoj përmes procesit mendimor diçka nga konteksti i saj konkret dhe e trajtoj në një mënyrë më të përgjithshme ose më konceptuale; përgjithësoj tiparet e lidhjet e veçanta të sendeve e të dukurive, bëj abstraksion, bëj përgjithësim. Abstraktoj veçoritë e njëmendësisë. Abstraktoj metodën e punës. Abstraktoj idenë e veprës. Abstraktova mendimet e shprehura në punim.
2. filoz. Nxjerr një ide të përgjithshme duke lënë mënjanë hollësitë ose detajet e veçanta. Abstraktoj një koncept filozofik. Astrakton forma simbolike. Ai ka abstraktuar konceptimin mbi jetën.
3. inf. Veçoj detajet specifike të një sistemi dhe krijoj një strukturë më të përgjithshme. Abstraktoj modele komplekse për t’i bërë ato të kuptueshme ose të thjeshta. Abstraktoj një softuer.
4. mat. Përgjithësoj një koncept duke e thjeshtuar me modele ose simbole. Abstraktoj një rregull matematike. Abstraktoj struktura algjebrike. Abstraktoj rregullat gjeometrike.
5. art. Mënjanoj shprehjen realiste duke krijuar forma simbolike ose të thjeshtëzuara. Abstraktoi figura ekspresioniste. Abstrakton figurën e drurit.
ADMIRÁL,~I m. sh. ~Ë, ~ËT usht. 1. Gradë e lartë ushtarake në marinën detare të një shteti që komandon një flotë detare ose një pjesë të saj; i përgjigjet gradës së gjeneralit të armatës në forcat tokësore. U gradua admiral.
2. Ushtaraku që mban këtë gradë (në ushtritë që kanë grada). Admiral i flotës. Admiral i zoti. Admirali udhëhoqi operacionin detar. Admiral i pensionuar para kohe.
AFINITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Tërheqje e ndërsjellë për dikë a diçka, afri, ngjashmëri, dashuri, miqësi. Kam afinitet ndaj saj (tij). Afiniteti midis tyre është i dukshëm.
2. Prirje, dobësi, tërheqje, pëlqim, dëshirë. Afinitet për macet shtëpiake. Kam afinitet ndaj së bukurës. Ka afinitet për kuzhinieri.
3. Dhunti, talent, prirje, predispozitë. Afinitet për të kënduar. Afinitet për shkencat shoqërore. Afinitet për të parashikuar përfundimin e diçkaje.
4. fiz., kim. Fuqia tërheqëse që bashkon atomet e elementeve të ndryshme në një molekulë; fuqia a tërheqja që bashkon dy a më shumë elemente kimike (atome, molekula etj.). Afinitet elektronik. Diagrami i afinitetit. Afiniteti i proteinave për oksigjen.
5. psikol. Ngjashmëri midis shfaqjeve individuale psikologjike; afërsi shpirtërore. Afiniteti njohës. Afiniteti logjik.
6. psikol., soc. Afria psikologjike midis dy qenieve, e ashtuquajtura “farefisnia shpirtërore”; afri e njerëzve që kanë veçori të përbashkëta psikologjike, si shijet, interesat, ndjeshmëritë, pëlqimet etj.
7. gjuh. Ndajafërsi, ndajafri. Ndajafërsi gjuhësore (gramatikore, fonetike etj.) Afinitet sintaksor.
✱Sin.: prirje, tërheqje, afri, ndajafërsi, ndajafri, pëlqim, dobësi, ngjashmëri, dhunti, talent, predispozitë, invencion, dashur, miqësi.
AGÁV/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Agave) Bimë e vendeve të ngrohta, me kërcell të trashë, zakonisht të shkurtër, me gjethe shumë të gjata, të trasha, me tul, të dhëmbëzuara e me gjemba, nga të cilat nxirren fije për industrinë e tekstileve, për litarët etj. Fije agaveje. Lulet e agaves. Rritja e agaves. Agavja përdoret edhe si bimë zbukuruese.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të ndryshme të kësaj bime: Agavja amerikane (lat. Agave americana) bimë zbukuruese, që rritet zakonisht në toka shkëmbore, që lulëzon vetëm njëherë në fund të jetës së saj të gjatë prej 10 deri 30 vjet. Agavja meksikane (lat. Agave fourcroydes) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të gjatë, i cili formon një kurorë të dendur, me gjethe në formë shpate në ngjyrë të hirtë kah e blerta, që çel lule të bardha në të blertë me erë pakëndshme. Agavja sizalane (lat. Agave fourcroydes) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të lartë dhe një kurorë gjethesh në formë shpatash, që lulëzon në temperaturën mbi 25°C në diell, nga e cila nxirren fije për të bërë thasë, pëlhurë, letër, litarë, çanta, qilima etj.; kërpi sizalan. Agavja shekullore (lat. Agave parrtyi, A. utahensis) bimë barishtore e qëndrueshme ndaj të ftohtit, që rritet deri në 2-3 m në lartësi, me gjethe të gjata e të dobëta në ngjyrë të hirtë në të blertë, me lule në formë kalliri.
AGNOSTICÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Mendimi dhe pretendimi se bota e njëmendtë nuk mund të njihet dhe se nuk ka të vërtetë absolute.
2. Drejtim filozofik idealist e pozitivist i formuar në shekullin XIX, që mohon mundësinë e njohjes së botës objektive dhe të ligjeve të zhvillimit të saj; qëndrimi se ekzistenca ose mosekzistenca e zotit dhe e hyjnive të tjera, e dukurive edhe e shfaqjeve shpirtërore, sipas njohjeve aktuale, nuk mund të vërtetohen në mënyrë empirike. Agnosticizëm pozitivist (idealist). Rryma agnosticizmit. Format e agnosticizmit. Agnosticizëm fetar. Agnosticizëm i fortë (i butë).
AGRÁR,~E mb., bujq. 1. Bujqësor. Vend agrar. Krahinë agrare. Bankë agrare. Sistemim agrar.
2. Që ka të bëjë me bujqësinë ose me pronësinë mbi tokën, me zotërimin dhe shfrytëzimin e saj, me çështje, me aktivitete ose me politika që kanë të bëjnë me prodhimin bujqësor, me ndarjen e tokës dhe me shfrytëzimin e saj për bujqësi. Reformat agrare. Politika agrare. Zhvillimi agrar. Marrëdhëniet agrare. Ligj agrar.
AGRIKULTÚR/Ë,~A f., bujq., ek. 1. Degë e bujqësisë që merret me punimin e tokës dhe shfrytëzimin e saj për kultivimin e bimëve dhe të kafshëve të dobishme për njeriun; bujqësia dhe blegtoria. Zhvillimi i agrikulturës. Ekspert i agrikulturës. Përparësitë e agrikulturës.
2. Veprimtari ekonomike e njeriut që kultivon bimë dhe kafshë shtëpiake duke shfrytëzuar burimet natyrore (tokën, ujin, klimën); veprimtari prodhuese bimore dhe shtazore për ushqimin e njerëzve dhe të kafshëve si dhe për lëndën për përpunim të tyre të mëtejshëm. Modernizimi i agrikulturës. Agrikultura fshatare. Agrikultura urbane. Agrikultura organike.
3. Kultura e kultivimit të prodhimeve bujqësore (i drithërave, i frutave, i perimeve dhe i bimëve të tjera).
AGROFÓND,~I m. sh. ~E, ~ET bujq. Tërësia e burimeve teknologjike, e burimeve financiare si dhe e masave agroteknike, që zbatohen në një tokë bujqësore dhe që përcaktojnë gjendjen e aftësitë prodhuese të saj, duke përfshirë investimet në makina bujqësore, në plehra, në farëra cilësore, në sisteme ujitjeje dhe në infrastrukturë për përmirësimin e kësaj veprimtarie. Agrofond i siguruar. Agrofond i lartë (i pasur, i mirë). Rrit agrofondin. Agrofond ndërkombëtar. Zbatoj (përdor) një agrofond të ri.
AGROINDUSTRIÁL,~E mb. Që ka të bëjë me agroindustrinë ose me prodhimet e saj; që i përket agroindustrisë, i agroindustrisë; që përdoret në agroindustri. Prodhim agroindustrial. Ndërmarrësi agroindustriale. Artikuj agroindustrialë.
AGROLOGJÍ,~A f., biol., bujq. Shkenca që studion tokën dhe përbërjen e saj në funksion të shfrytëzimit për bujqësinë dhe blegtorinë. Agrologjia e zbatuar. Teksti i Agrologjisë. Specialist i agrologjisë. Analiza e Entit të agrologjisë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë