Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ATËHÉRË ndajf. 1. Në një kohë të caktuar në të shkuarën ose në të ardhmen, në atë kohë kur ka ndodhur ose do të ndodhë diçka, jo tashti; në atë çast, në atë kohë; asokohe, motit. Që atëherë. Deri atëherë. Atëherë u kujtova. Atëherë ia nisën punës. Njësoj si atëherë. Ashtu ishte atëherë. Tash (sot) e atëherë.
2. Në atë rast; kështu, pra (përdoret me kuptim përmbyllës ose për të pyetur se ç’duhet bërë a ç’pritet të ndodhë). Atëherë, u morëm vesh. Atëherë, ikim. E çfarë, atëherë? Atëherë, ç’thua? Atëherë, shkruaj!
3. Si rrjedhim, si pasojë (përdoret në fjalinë kryesore si fjalë e bashkëlidhur, kur në fjalinë e varur ka një lidhëz kushtore). Po të shkosh ti, atëherë do të shkoj edhe unë. Meqë e kuptove gabimin, atëherë po ta fal.
✱Sin.: asokohe, motit, qëmoti, dikur, asohere, asimoti.
DAL vep., DÓLA, DÁLË 1. jokal. Shkoj nga një vend i mbyllur, i rrethuar etj. jashtë tij, duke i kapërcyer caqet e tij; shkoj nga brenda jashtë; kund. hyj, futem. Dal nga shtëpia (nga dhoma, çadra, nga zyra, nga fabrika, nga miniera). Dal nga autobusi. Dal nga qyteti (nga fshati). Dal nga deti. Doli nga pylli. Doli nga vatha (nga stalla). Doli nga strofulla (nga vrima, nga shpella). Doli nga streha (nga hija). Dal nga rreshti (nga radha). Uji (gazi) del me forcë (me shpejtësi) nga gypi. Tymi del nga oxhaku. Doli nga rrethimi.
2. jokal. Largohem përgjithmonë a përkohësisht nga një vend ku kam qenë, nga një mjedis i caktuar ose nga radhët e një kolektivi; kund. hyj. Dal nga puna (nga zyra) në orën katër. Nxënësit dolën nga shkolla. Dolëm vonë nga mbledhja. Bëj (marr) të dal.
3. jokal. Shkoj në një vend zakonisht të hapur, lë një vend e shkoj në një vend tjetër me një synim të caktuar; vete në një vend e qëndroj atje ose lëviz nëpër të për të mbaruar një punë; vete e zë vend diku. Dal shëtitje (rrugëve, fushave). Dolën malit. Dal nëpër ara. Dal në pazar. Dal për gjah. Dal me shërbim. Dilte çdo mbrëmje. Dal në lundrim (në det të hapur). Dal në punë. Dal në krye (në ballë). Doli te burri u martua. Nuk para del.
4. jokal., vet. v. III Buron nga diçka; vjen jashtë nga një send ose duke u shkëputur prej tij. I dolën jargë nga goja. I dolën djersët (lotët). Po del tym. I del avull nga trupi. Rrëshira dilte nga e çara e trungut të pishës. S’dalin dy lëkurë nga një dele (nga një berr). (fj. u.). S’del dhjamë nga pleshti. (fj. u.).
5. jokal. Përhapet; rrezatohet. Dalin shkëndija. Del dritë. Del një erë e mirë.
6. jokal., vet. v. III Shfaqet e duket; lind. Doli dielli (hëna). Doli drita. Dolën xixëllonjat.
7. jokal. Ndeshem a piqem me dikë, vete ta takoj, ta pres etj.; vete diku për një qëllim të caktuar; paraqitem para dikujt; dukem diku ku me shohin të gjithë; paraqitem. Doli para gjyqit (në gjyq). Doli para spektatorëve. I doli përpara të birit. I doli përpara makinës. Doli në skenë (në televizor). I doli një ujk. I doli në pritë. Na doli përpara papritur. Doli ta priste (ta përcillte). - Nga na dole kështu?
8. jokal., vet. v. III Më vjen përpara, ndeshem me të; shfaqet (edhe fig). Na doli një punë. U doli një vështirësi (një pengesë, një e papritur). Na dolën ca telashe. I doli në ëndërr. Më del para syve e kaluara. Më doli ujku mu përpara.
9. jokal., vet. v. III Shkëputet e largohet diçka nga vendi i vet, hiqet nga vendi ku është futur a është mbërthyer, ikën. I doli rrota qerres (karrocës, biçikletës, makinës). I doli vida (doreza). I doli bishti sëpatës (lopatës). I doli pyka (gozhda). Doli dera (dritarja) nga vendi. Doli peri nga gjilpëra. Dolën shtizat nga sythat.
10. edhe fig., jokal. Kapërcej kufijtë e zakonshëm, nuk përmbahem brenda caqeve të caktuara, zgjerohem, shtrihem; vet. v. III vërshon; shmanget. Doli nga rruga. Doli treni nga binarët. Doli topi nga fusha (sport.). Doli lumi nga shtrati. Guri del pak jashtë (nga vendi). I kanë dalë kockat (mollëzat). Doli nga tema (nga rendi i ditës). Doli përtej caqeve të diçkaje. Del jashtë mundësive (të drejtave) tona.
11. jokal., vet. v. III Prishet, shkëputet e bie nga vendi i vet; ikën diçka, humbet, nuk është më ose bëhet më e dobët, nuk e ka më forcën e mëparshme; zbeh. I doli boja tryezës. I doli kallai enës. I doli fundi kusisë. I doli ngjyra (boja) basmës (fustanit, murit). I doli shija (lezeti). I doli era.
12. edhe fig., jokal., vet. v. III Zbulohet e duket diçka, pasi i është hequr ose është grisur ajo që e mbulonte a e fshihte. I doli tabani tokës. I dolën themelet shtëpisë. I dolën gjunjët (bërrylat, gishtërinjtë). Doli e vërteta në shesh.
13. jokal., vet. v. III Mbin, rritet a shfaqet diçka; duket, shpërthen; më shfaqet (një sëmundje etj.). Doli gruri (misri). Ka dalë bari. Dolën sythat. I dolën dhëmbët (flokët). I doli mjekra. I dolën thinjat. I doli një xhungë (një i thatë). I doli verdhëza (bised.). I ka dalë lija (bised.).
14. bised., jokal., vet. v. III Mbaron, përfundon; ikën. Doli dimri (janari). Doli kisha (mesha) (fet.).
15. jokal. Shkëput lidhjet me të tjerët; iki nga një organizatë, nga një lidhje etj.; largohem nga një punë, nga një lojë etj.; lë. Doli nga organizata. Doli nga Lidhja (nga Traktati). Dal nga loja (nga gara). Doli nga puna. Doli nga lufta (nga beteja). Doli më vete u veçua, u shkëput.
16. jokal., vet. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më ikën, më largohet, nuk e kam më; nuk është më (edhe fig.). I doli inati (zemërimi). I doli gjumi. I doli pija (rakia). I doli narkoza. I doli frika. Doli nga moda. Doli nga përdorimi (nga qarkullimi). Më mirë të të dalë syri sesa nami. (fj. u.).
17. edhe fig., jokal. Shpëtoj nga një gjendje e vështirë, e kapërcej diçka të keqe, një rrezik etj. Dolën nga rreziku. Doli nga kurthi. Dolëm nga prapambetja. Doli nga kllapia. Dolëm nga dimri. Nuk del nga kriza.
18. fig., jokal., vet. v. III Nuk mbetet diçka e fshehtë a vetëm në një rreth të mbyllur, por bëhet e njohur edhe për të tjerë; përhapet. Doli e fshehta (sekreti). I doli gënjeshtra (rrena) sheshit. I dolën të palarat. Doli lajmi anembanë. I doli nami për të mirë (për të keq). Doli fjala e morën vesh të gjithë. Doli fjala nga dhëmballa, e merr vesh e gjithë mëhalla. (fj. u.).
19. jokal., vet. v. III E ka burimin, buron, rrjedh (për lumenjtë etj.); vjen (edhe fig.). Drini i Zi del nga Liqeni i Pogradecit. Doli naftë (ujë). Lajmi ka dalë nga burime të sigurta. Urimi i del nga zemra.
20. jokal., vet. v. III Merret, nxirret a lind prej diçkaje; formohet; është prodhim i dikujt, prodhohet. Vaji del nga ulliri (nga lulja e diellit). Nga vezët dalin vemjet. Uji del nga bashkimi i hidrogjenit me oksigjenin. Nga shtresa e brendshme e kokosit del glukozë. Sapo doli nga fabrika.
21. fig., jokal. Kam prejardhjen shoqërore, vij nga një shtresë a klasë shoqërore, rrjedh. Ka dalë nga fisi i dëgjuar.
22. jokal., vet. v. III Botohet; shpallet. Doli një roman i ri. Doli gazeta. Doli vendimi (urdhri).
23. jokal., vet. v. III Vihet në shitje, në qarkullim etj. Dolën domatet (portokallet).
24. jokal., vet. v. III edhe fig. Vjen si përfundim i diçkaje, vjen si pasojë, si rrjedhim a si rezultat; rrjedh; paraqitet. Del si përfundim (si pasojë, si rrjedhim) i veprimit të tij. Del e nevojshme (e domosdoshme). Tashti del në plan të parë... Doli ndryshe puna. Prej kësaj del se... S’doli gjë ajo fjalë. S’del gjë prej asaj pune (nga ai njeri). Nga kërkimet s’doli ndonjë gjë e re. S’të del mundimi përfitimi është më i vogël nga puna a nga përpjekjet që bën. Çdo gjë doli ashtu siç ishte parashikuar.
25. fig., jokal., vet. v. III Vjen në një përfundim, gjen zgjidhjen që kërkohet a që dëshirohet, përfundon; zgjidhet. Përfundimi doli mirë. S’i dolën llogaritë. Na doli numër i madh. Ushtrimi nuk del nuk zgjidhet.
26. fig., jokal. Arrij në një përfundim të caktuar; bie a vij në një gjendje (të mirë a të keqe). Ndeshja doli 2-1 për ekipin vendës. Dal faqebardhë. Doli fitues (fitimtar). Doli i pari. Dolën barabar. Doli i mundur. Doli mirë (keq). Si dole? Doli i pafajshëm. Doli me humbje (deficit). Daltë për mirë! (ur.). Doli në selamet (bised.). Doli në lirim (vjet.) u lirua nga shërbimi ushtarak. Dal në pension shkëput përgjithnjë marrëdhëniet me qendrën e punës me të drejtë pensioni.
27. fig., kal. Jam i aftë të përballoj a të kryej një punë, një detyrë etj.; e kryej mirë një punë duke kapërcyer pengesa e vështirësi; jam i zoti e i aftë ta kundërshtoj, ta mposht a ta mund dikë; mund t'ia kaloj dikujt; mund t'i vihem përballë a të ballafaqohem me dikë në një punë etj.; përballoj, kaloj, shkoj. A ia del dot asaj pune? S’ka njeri që t’ia dalë. S’ia del dot me fjalë (me të keq). - Si ia dole kësaj të përpjete?
28. fig., jokal. Fitoj një profesion, pasi kam kryer një shkollë dhe kam përvetësuar dije e shprehi të caktuara; bëhem, arrij të jem. Doli inxhinier (mjek). Doli teknik i mesëm.
29. fig., jokal. I hyj diçkaje ose shkoj diku me vullnetin tim; marr përsipër të bëj diçka. Doli vullnetar. Doli i pari në olimpiadë. Doli dëshmitar (dorëzanë). Doli kundër dikujt a diçkaje.
30. fig., jokal. E tregoj veten se ç’njeri jam, më dalin në shesh të mirat a të këqijat që kam nëpërmjet sjelljes e punës sime. Doli njeri i mirë (i keq). Doli i zoti (trim, burrë i mirë). Doli i pabesë (tradhtar, batakçi).
31. jokal., vet. v. III Duket si është pasi provohet a pasi kontrollohet diçka, rezulton. Pjepri doli i ëmbël. Arra doli fyçkë. Veza doli e prishur. Ura doli e shëndoshë. Kali doli i fortë (zevzek).
32. jokal., vet. v. III Është i mjaftueshëm, mjafton, arrin. Del për një fustan (për një bluzë). Del edhe një jelek. S’i dolën paratë. Nuk më del koha. Mezi u dilte për të ngrënë. A na del mielli? Në mos del, tepron (shaka.) do të bëjmë si do të bëjmë, të mos qahemi. Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar (fj u.).
33. jokal., vet. v. III E ka drejtimin diku, të nxjerr a të çon në një vend a në një drejtim të caktuar. Shkallët dalin në kopsht. Kjo rrugë del në sheshin qendror.
34. fig., jokal., vet. v. III Bëhet ashtu siç mendohej a parashikohej, vërtetohet; kryhet. I doli fjala. Do që t’i dalë e vetja. Ëndrrat nuk dalin.
35. fig. Kam një qëllim të caktuar, synoj diku; qëlloj, godit. - Ku do të dalësh? - Prit, se aty do të dal! Gjithë debati dilte tek edukimi i fëmijëve.
36. fig., jokal., vet. v. III I jepet a i caktohet dikujt diçka (një mundësi, një e drejtë, një rast etj.), i shfaqet mundësia për diçka. I doli bursa (e drejta e studimit). I doli emërimi. I doli fati vajzës (vjet.) u fejua e u martua.
37. bised., kal., Kapërcej. Doli lumin me not. Doli pragun.
38. jokal., vet. v. III Sipas kuptimeve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 15, 17, 26-29. Këtej nuk dilet. Dilet lehtë. Do t’i dilet mbanë edhe kësaj pune. Nuk i dilet përpara.
✱Sin.: shkoj, largohem, lë, vete, lëviz, buron, shkëputet, vjen, përhapet, rrezaton, shfaqet, duket, lind, ndeshem, piqem, takohem, pres, ikën, hiqet, shtrihem, zgjerohem, shmangem, vërshon, prishet, dobësohet, bie, zbehet, humbet, zbulohet, mbin, rritet, shpërthen, mbaron, përfundon, mësohet, kuptohet, rrjedh, pikon, botohet, shpallet, qarkullon, paraqitet, shitet, prodhohet, zgjidhet, rezulton, bëhem, diplomohem, formohet, mjafton, arrin, sos, vërtetohet, provohet, synon, qëllon, jepet, caktohet, kapërcen, kalon, përshkon.
♦ Doli nga *ama (dikush). Dal në *anë. I doli *asi (dikujt) libr. S’i kanë dalë (s’i kanë plasur) *arpallëkët (dikujt) iron. I doli *bakri (dikujt) keq. Doli (u ngrit) nga *balta (dikush). I ka dalë (i ka mbirë) *bari (në faqe) (dikujt). Doli nga *bataku (dikush). Dal nga *binarët. Dolën *bishta. I doli *boja (dikujt) keq. Doli (u bë) *bollë (diçka) krahin. I dola *borxhit (nga borxhi) (dikujt). Doli në *botë (dikush). Doli nga *brazda (nga hullia) (dikush). Dal në *breg. Dal në *cekë. I doli *çika (diçkaje) krahin. Doli *çirak (dikush) vjet. Të dalë ku të dalë! le të ndodhë çfarë të dojë (kur dikush vendos të bëjë diçka që mund të ketë pasoja jo të mira); të bëhet ç’të bëhet!; tym të bëhet!; ku rafsha mos u vrafsha!; ja hop, ja top!; ja shyt, ja fyt!; ku ta nxjerrë trapi (dikë); gjysma e mijës pesëqind! Ka dalë nga *defteri (dikush) shpërf. S’del për *dere (dikush). Doli në *diell (dikush). Më doli nga *dora (dore, duarsh, nga duart) (dikush a diçka). Doli në *dritë (dikush a diçka). Doli *duarbosh (dikush). Doli (mbiu) nga *dheu (dikush a diçka). S’i kanë dalë (ende) *dhëmbët (dikujt) shpërf. I doli *emri (dikujt). I doli (i ra) *era (diçkaje). Doli në *faqe. Ia doli në *faqe (dikush). Ka dalë *fare. I doli *fati (dikujt). Doli (iku) nga *faza (dikush) bised. I doli *filli (diçkaje). Më doli nga *fiqiri (diçka). Ka dalë nga *fiqiri (dikush) keq. Del nga *fjala (del fjale) (dikush). I kanë dalë *fjalë (dikujt). I doli *flaka (diçkaje). Doli me *flamur (dikush). Më dolën *fletë. I doli *fryma (dikujt). I ka dalë *fryma (diçkaje). I dal në *fund (diçkaje). Doli në *fushë (diçka). Më doli *gorricë (diçka). S’del *gjë (nga dikush). Më doli *gjuha një pëllëmbë (një pashë, nga vendi) tall. I doli *gjumi (dikujt). I dola *hakut (dikujt). Nuk më del *hesapi (llogaria). Doli në *hënëz (dikush). Më doli nga *hiri (dikush a diçka). Doli nga hullia (nga *brazda) (dikush). Më doli nga *hundët (për hundësh) (diçka). (Hëngri) sa i doli nga *hundët (për hundësh) (dikush). Ia do *hunda (dikë a diçka). I doli (i vajti) *huq (dikujt). I doli *içi (diçkaje). Dal *jashtë euf. Dal (vij) në *jetë. Dal (iki, ndahem) nga *jeta. I doli *kallaji (dikujt) keq. I dal (i rri) *kallkan (dikujt). Dola nga *këmisha. I doli *kësmeti (dikujt) vjet. I kanë dalë *kockat (dikujt). I doli *koka (diçkaje). I doli *kondakut (dikush) keq. Ka dalë (luajti) nga *kondaku (dikush) tall. Dal nga *kornizat libr. I dal (i bëhem) *krah (dikujt). Më dolën *krahë. I del *krehër (dikujt). Më doli (m’u bë) *kripë (diçka). I doli *kripa (dikujt a diçkaje). Ia dal në *krye (diçkaje). Nuk i doli në *kut (dikujt). Doli pa u *lagur (dikush). Dola *i larë. I doli (i iku) *lezeti (dikujt a diçkaje). (Të bën) të dalësh nga *lëkura (dikush). S’ka dalë nga *lëvozhga (e vezës) (dikush) mospërf. Dola *linjës. Doli nga *loja (dikush). Më doli (më ra) *lotaria. Sikur i del *lugati (dikujt) iron. I doli (i iku) *lyra (dikujt). Më doli *llapa tall., bised. Ia dal *mbanë (diçkaje). Nuk del në *mejdan (dikush) keq. Më doli (më iku) nga *mendtë (diçka). Doli *mendsh (dikush). Më doli nga *mendja (diçka). (Del) *mendje mbi mendje (dikush) iron. Më doli *mjekra. Dal nga *mosha. S’ka dalë jashtë *mureve (dikush). Doli (u nda) me *nder (dikush). Dal në *orbitë libr. Doli në *pah (dikush a diçka). Ka dalë në *pazar (diçka). I dolën *pendët (dikujt). I dal *përpara (dikujt a diçkaje). Nuk i dal (dot) *përpara (dikujt). S’ka dalë nga *pragu (dikush). Doli *puplash (dikush). I dolën *puplat (dikujt). Më doli nga *qejfi (dikush a diçka). Del në *reliev (diçka) libr. I ka dalë *rrënja (dikujt). I doli *rripi (dikujt) keq. vulg. Doli nga *rruga (rruge) (dikush). Doli në *sipërfaqe (dikush a diçka). I dal në *skaj (diçkaje). Doli në *skenë (dikush) libr. Doli (u largua) nga *skena (dikush) libr. Del nga *strofulla (dikush). Më dolën *sytë. Të del *syri (për dikë a për diçka). Nuk i dal në *sy (dikujt). I dolën *sytë (jashtë, nga vendi) (dikujt). Del në *shesh (diçka). Doli *sheshit (diçka). S’ka dalë nga *shpërgënjtë (dikush) mospërf. I doli *shpirti (dikujt). Dil o *shpirt të dalësh! I doli *shtupë (dikujt). Në mos del, tepron shaka. do të bëj si të bëj, të mos qahem për vështirësitë ekonomike; do t’ia dal me ato që kam. Doli nga *terezia (dikush). Më dolën *trutë. I doli *tymi (diçkaje). Tym të dalë! (tymi le t’i dalë!). Më dolën* thinjat. S’i del gjë prej *thonjve (dikujt). Doli mbi *ujë (dikush). Dal në *va. Sikur ka dalë nga *varri (dikush). Dal nga *vetja. Doli (u bë) më *vete (dikush). Del (vjen) *vetvetiu (diçka). Sa ka dalë nga *veza (dikush) mospërf. S’ka dalë nga *veza (dikush) mospërf. Më doli nga *zemra (dikush a diçka). I dal për *zot. *Fishek hyri e fishek doli (dikush) keq. *Hyjmë e dalim (me dikë). Si *hyri doli (dikush). Hyn me *mend e del pa mend (diku). Është dil të dalim (dikush) është kokëkrisur, nuk mendohet shumë për të bërë diçka; (është) si era e malit; e ka mendjen veri. Këtej i *hyn andej i del (dikujt) mospërf. Ka dalë në *mezhdë (dikush). Ka nisur t’i dalë *gjuha (dikujt) keq. Të del *syri (për dikë a për diçka). Nuk i dal në *sy (dikujt). Të dalshin (të plaçin) *sytë shar. I doli në *shteg (dikujt). Dola *shyt. Më dolën *trutë. I thotë *diellit ja dil a ja të dal (dikush). I doli *thonjsh (diçka a dikush). Doli udhe (nga udha, rruge, nga *rruga) (dikush). Doli nga *vallja (dikush). Doli nga *vatha (dikush). Nga një *vesh i hyn nga tjetri i del (dikujt). S’del *yndyrë (nga dikush). Më doli nga *zemra (dikush a diçka). I dal për *zot (dikujt a diçkaje).
EFÉKT,~I m. sh. ~E, ~ET libr.1. Pasojë a rrjedhim që vjen nga një shkak; ndikimi a dobia e diçkaje. Efekt i fuqishëm (i dobët). Efekt qetësues. Efektet anësore. Efekti serrë. Efekti i mjedisit ku jeton. Efekt i padëshiruar. Bari (ilaçi) i bëri efekt.
2. Përshtypje a mbresë që lë diçka. Nuk shkakton asnjë efekt. Nuk i bëri efekt fare këshilla.
3. zyrt. Qëllim, pikësynim. Kategoritë e punonjësve për efekt të deklarimit. Për efekt të llogaritjes së kontributeve. Bëhet për efekt të kategorizimit.
✱Sin.: pasojë, rrjedhim, ndikim, dobi, përshtypje, mbresë, qëllim, pikësynim.
FUND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pjesa e poshtme e një ene, e një arke, e një shporte, e një anijeje etj., e cila është zakonisht e sheshtë, duke shërbyer edhe si pjesë mbështetëse. Fund i sheshtë. Fundi i kazanit. Fundi i arkës. Fundi i anijes. Pastroj fundin. Kulloi në fund.
2. Pjesa e poshtme e diçkaje që mbështetet në tokë e që ngrihet mbi të ose që është ngulur në tokë; vendi ku lidhet me trupin një gjymtyrë a organ i veçantë ose ku lidhet me trungun një degë; rrëzë; taban. Fundi i malit. Fundi i digës. Fundi i lisit. Fundi i krahut. E preu pemën deri në fund. Në fund të fshatit.
3. Trualli a shtresa e tokës që ndodhet nën ujin e detit, të liqenit, të lumit a të një pellgu etj.; pjesa e poshtme e një vendi të thelluar në tokë. Fund ranor (shkëmbor). Fund me baltë (me zhavorr). Fundi i detit. Fundi i pusit. Gërryej fundin.
4. Diçka në sasi të vogël, që ka mbetur në pjesën e poshtme të një ene a të një vendi të thelluar. Hëngri fundin e tenxheres. E derdhi fundin e fuçisë.
5. Caku e skaji ku mbaron diçka që shtrihet në hapësirë (një sipërfaqe, një rrugë, një varg sendesh a frymorësh, një shtrojë a mbulojë, një tel a litar i gjatë etj.); skaji më i largët i një vendi a i një hapësire të madhe; mbarimi, pjesa e skajshme e një sendi a e një hapësirë; kund. krye, fillim. Fundi i fushës (i kopshtit). Fundi i qilimit. Në fund të sheshit (të oborrit, të rrugës, të bulevardit). Fundi i rreshtit (i vargut të njerëzve, i kolonës së automjeteve). E ka theksin në fund.
6. Pjesa e fundit e një vepre të shkruar, e një shfaqjeje a e një krijimi tjetër artistik; kund. fillim. Fundi i librit (i romanit, i artikullit). Fundi i filmit (i dramës, i shfaqjes, i videoklipit).
7. Veshje e sipërme grash ose pjesë e kostumit të grave, që mbulon trupin nga mesi e poshtë. Fund i gjerë. Fund me pala (me kinda). Vesh fundin.
8. Caku që shënon mbarimin e një kohe; pjesa e kohës që lidhet me këtë cak; caku kohor që shënon mbarimin e një pune, të një veprimi a të një veprimtarie etj.; pjesa e fundit e një pune a e një veprimtarie; mbarim, përfundim; kund. fillim. Fundi i vitit. Në fund të javës. Fundi i punës. Fundi i lojës (i ndeshjes). Aty nga fundi i mbledhjes.
9. bised. Mbarimi i jetës, vdekja. Fund i parakohshëm (i hidhur). I erdhi fundi.
✱Sin.: rrëzë, taban, mbarim, fundje, fundar, anë, skaj, bisht, përfundim, mbyllje, epilog, fustë, kotull, rashe, pështjellak, fustan, zgrip, vdekje, perëndim.
♦ I afron fundin (dikujt) bën që dikush të dështojë në punën e tij, të bjerë nga përgjegjësia etj.; bën që të marrë fund. Pa *anë e pa fund (pa fund e pa anë). *Ballë e fund. U bë *pus pa fund (diku). Më ra (më shkoi) *gjaku në fund të këmbëve. I ra koshi në fund (dikujt) shih i ushtojnë hambarët (dikujt). I ra shekja (e djathit) në fund (dikujt) nuk është mirë nga gjendja ekonomike, është trokë; nuk ka asgjë në hambar; i ushtojnë sheket; i ra koshi në fund; (është) kripë në diell (dikush); e ka hambarin dërrasë (dikush). Deri në *cakun e fundit. *Dritë në fund të tunelit Fundi i arkës rrobat më të mira të ruajtura për festë; gjërat më të mira të vluara diku. (Ia di, ia njoh) fundin e barkut (dikujt) shih (ia di) zorrët e barkut (dikujt). Në fund e në bisht shih në fund të fundit. Fundi i botës. 1. Një vend shumë i largët, skaj i panjohur e i harruar; në fund të botës. 2. Shkatërrim i plotë, zhdukje, përmbysje e gjithçkaje, katastrofë. Në fund të botës (të dynjasë) shumë larg, në një vend shumë të largët; fundi i botës; në anë të anës. I heq *gurin e fundit (dikujt a diçkaje). (Është) në fund të dardhës (dikush) është ende prapa, është në bisht; ka mbetur në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës). Në fund të detit diku shumë larg a në një vend të fshehtë ose të vështirë për të arritur atje. Në fund të ditës si përfundim, si rrjedhim i veprimeve që kemi bërë, përfundimisht; në mbyllje. Fundi i fjalës shkurt; si përfundim; me një fjalë; fundi i fundit; në fund të fundit. Fundi i fundit tekembramja, më në fund; sido që të jetë; në fund të fundit; fundi i fjalës. Në fund të fundit tekembramja, më në fund; në fund të diçkaje; si përfundim; si mbyllje; fundi i fundit; fundi i fjalës. Fundi i kazanit gjellë e mbetur; ushqimi më i keq; kund. gryka e kazanit. Fund e krye (e majë) krejt, plotësisht; që të gjithë, pa asnjë përjashtim; kokë e këmbë; nga koka deri te këmbët; nga a-ja deri te zh-ja; ind e majë. Nga fundi në krye krejt, tejendanë; nga kreu në fund. Në fund e në krye (e në majë) tejpërtej; krejt. Nga fundi i zemrës (i shpirtit) shih nga thelbi i zemrës (i shpirtit). (Humbi) si *gjilpëra në fund të bunarit (dikush a diçka). I jap (i vë) fund (diçkaje) e kryej, e mbaroj a e përfundoj me sukses, e përmbyll përfundimisht; i vë fund; i vë kapak (kapakun). Kur të kalbet *guri në fund të lumit. I kallëzoj fundin e arkës (dikujt) ia them të gjitha, nuk lë gjë pa thënë, ia them gjithçka që mbaj përbrenda, i zbrazem; i zbraz barkun; nuk mbaj gjë në bark; ia hap barkun. I ka trutë në fund të këmbëve (dikush) është budalla, është pa tru; është shumë mendjelehtë; s’ka tru në kokë. E kam ujin në fund të arës nuk më vete puna mbarë, nuk më ka fryt puna; nuk më ndih fati, nuk më ecën; kund. e kam ujin në krye të arës. E kërcen *vallen deri në fund (dikush). Ka marrë fund. 1. (diçka). Ka përfunduar, është kryer plotësisht; ka mbaruar. 2. (diçka). Është vendosur përfundimisht, nuk rikthehet më. 3. (dikush a diçka). Është dobësuar a është prishur krejt, nuk ka më fuqi a vlerë, nuk mund të rrojë a të veprojë më; ka shkuar në fund (dikush); është bërë fare (dikush). 4. (dikush). Është varfëruar fare; ka mbaruar me liq e me shpatë. I nxjerr (i gjej) fundin (diçkaje) e përpunoj a e studioj thellë diçka, e shqyrtoj me themel e deri në imtësi; i zbuloj çdo të fshehtë; i dal në fund; i nxjerr tabanin. I nxjerr fundin e arkës (dikujt) e pres dikë me gjërat më të mira që kam, nuk kursej asgjë, i shtroj çdo gjë që e kam ruajtur a që ka mbetur. Ia nxjerr prej fundit të barkut (diçka) e detyroj të thotë edhe fjalën e fundit, e shtrëngoj të thotë gjithçka, nuk i lë gjë pa nxjerrë; ia nxjerr me darë. Ka shkuar në fund (dikush a diçka) shih ka marrë fund3 (dikush a diçka). E shkundi fundin e barkut (dikush) keq. i tha të gjitha, nuk la gjë pa thënë, i zbrazi ç’kishte brenda; është llafazan i madh; s’i vë fre gojës (gjuhës); e ka gjuhën (llapën) të gjatë (një pëllëmbë, një pash) keq. I shpon *kungulli fundin e kusisë (dikujt). *Shportë pa fund mospërf. I erdhi fundi (dikujt). 1. Është në prag të vdekjes ose tash do ta pësojë të keqen; (është) në buzë të varrit (të gropës) (dikush); (është) me një këmbë në varr (dikush). 2. shih (është) në buzë të greminës (të humnerës) (dikush). Zë fundin e barkut ha fare pak, ha sa për të thyer urinë; hedh një brez. Mos të zëntë fundi i javës! mallk. vdeksh!
KAQ ndajf. 1. Në këtë sasi, në këtë masë a në këtë shkallë, siç mendohet ose siç është përmendur më parë. Kaq i fortë ishte. Po kaq shpejt (vështirë, bukur).
2. gjuh. Fjalëz në fjalinë kryesore e cila përdoret në të njëjtin kuptim si në fjalinë e varur, e shoqëruar me fjalëzën sa (p.sh. ishte kaq i zoti sa sot na çuditi fare). Kaq më dhembi sa nuk e duroja dot. Kaq sa… përdoret si lidhëz për të lidhur fjali shkakore e rrjedhore.
3. Aq sa po flitet tani; mjaft, jo më shumë. Kaq kushton, mos e zgjat më! Kaq dita, kaq thashë.
4. Pak; në një shkallë a në një masë të vogël ose të kufizuar; jo shumë. Kaq mendon ai.
♦ Kaq sa… përdoret si lokucion lidhëzor për të lidhur dy fjalë me marrëdhënie shkak – rrjedhim. Jo vetëm kaq përdoret si fjalë e ndërmjetme për të treguar se përveç kësaj që po thuhet ka edhe diçka tjetër. *Aq e kaq. Aq sa *duhet.
KONSEKUÉNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Të qenët konsekuent a këmbëngulës; të qenët këmbëngulës dhe i vendosur në pikëpamje, në ide ose bindjet e veta etj. Zbaton (ndjek) me konsekuencë vijën (idenë) e vet.
2. Pasojë; rrjedhim. Kjo punë ka (do të ketë) konsekuenca.
✱Sin.: pasojë, rrjedhim.
KËTÉJ ndajf. 1. Në këtë anë, në këtë vend (më afër folësit, por i papërcaktuar mirë); këndej; kund. andej. Shko këtej! Më këtej. Eja (shiko) këtej!
2. Në një kohë të afërt, por pa e saktësuar; këndej. Këtej, diku rrotull.
3. Si rrjedhim a si përfundim i diçkaje për të cilën po flitet; këndej. Këtej del se…
4. si parafj. Ana e këtejshme e diçkaje; këndej; kund. andej. Këtej lumit (kanalit, përroit).
✱Sin.: këndej, këtejpari.
♦ *Andej e këtej (sa andej-këtej). *Bam këtu e bam atje (bam këtej e bam andej). Dhashë *andej e dhashë këtej. Këtej të lan e andej të lyen (dikush) keq. shtihet si i mirë, por të bën të keqen; në sy të bën lajka dhe pas krahëve të bën të keqen; është hipokrit; është njeri me dy fytyra e shtiracak; me gojë të lan e me dhëmbë të çan; (është) mësallë me dy faqe; ka dy fytyra.
LIGJËSÓR,~E mb., libr. Që kushtëzohet, ekziston, zhvillohet a ndryshon sipas ligjeve objektive; që kushtëzohet a varet nga veprimi i ligjeve objektive; që ka lidhje të brendshme thelbësore e të domosdoshme, që ka lidhje shkaku a pasoje; që ka të bëjë me ligjet a me ligjësoritë objektive të natyrës e të shoqërisë. Lidhje (dukuri) ligjësore. Zhvillim ligjësor. Rrjedhim ligjësor.
LOGJÍK,~E mb. 1. Që mbështetet në ligjet e logjikës, që është sipas ligjeve të logjikës; që ka të bëjë me shkencën e logjikës, që i përket logjikës, i logjikës. Ligjet (rregullat) logjike. Analiza logjike. Arsyetim logjik. Kategoritë logjike. Gabim logjik. Theksi logjik (kuptimor) (gjuh.) Theksimi i një fjale, të cilën duam ta dallojmë në fjali nga kuptimi, për të shprehur pikërisht atë që synojmë gjatë ligjërimit.
2. I arsyeshëm, i logjikshëm. Është logjike të mendohet se...
3. Që ka lidhje të brendshme, të rregullt e të domosdoshme; që shihet sipas lidhjeve të brendshme. Rrjedhim (përfundim) logjik. Nga ana logjike. Në mënyrë logjike.
✱Sin.: i arsyeshëm, i logjikshëm.
MISH,~I m. sh. ~RA, ~RAT 1. Pjesa e tultë e trupit të njeriut a të kafshëve, që përbëhet nga indet e buta të muskujve dhe mbështjell eshtrat. Mishi dhe kockat. Mishi i njeriut (i kafshëve, i shpendëve, i peshqve). Mishi i dhëmbëve pjesa e tultë ku janë ngulur dhëmbët, trysa. Mishi i varfër (bised.) diafragma. Ngjyrë mishi ngjyrë trëndafili e ndezur. Ia nguli gjilpërën në mish. I qëroi (i hoqi) mishin. Më dhëmbin mishrat. E zuri në mish. S’ndahet mishi prej thoit. (fj. u.) përdoret kur flasim për dy vetë që janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin.
2. Copë nga trupi i kafshëve të therura, që përdoret për ushqim. Mish i njomë (i butë). Mish i tharë (i tymosur) pastërma. Mish i hollë mish bagëtish të imëta. Mish i trashë mish bagëtish të trasha, mish gjedhi. Mish i majmë (i shëndoshë, i dobët). Mish i pjekur (i skuqur, i zier). Mish i shijshëm. Mish tul (pa kocka). Mish i grirë. Mish lope (viçi, dashi, qengji, derri, kali, lepuri). Mish pule (pate, rose). Mish gjahu. Mish kutie. Mish me patate (me fasule). Lëng mishi. Thelë mishi. Makinë (grirëse, rrahëse) mishi. Kombinati i mishit. Dyqani i mishit. Çmimi i mishit. Një kilogram mish. Një copë mish. Gjellë me mish. S’e ha mishin. Shumë pupla e pak mish. (fj. u.) dikush fryhet a mburret shumë, por në të vërtetë ka pak vlerë. Dasmë pa mish nuk ka (nuk bëhet). (fj. u.) në çdo luftë, ka edhe të vrarë.
3. bised. Bagëti e therur për të ngrënë ose e caktuar për t’u therur. Mish i therur. Mishra të pjekura. Theri dy mishra. Poqi një mish. Solli një mish për dasmë. Çdo mish (berr) varet nga këmbët e veta (në çengelin e vet). (fj. u.) a) secili përgjigjet vetë për punën e vet, secili i del zot vetes; b) çdo njeri duhet trajtuar dhe vlerësuar sipas veçorive që ka, duhet parë më vete pa e futur në një thes me gjithë të tjerët.
4. Pjesa e jashtme e zbuluar e trupit të njeriut, trupi lakuriq; lëkura. I doli mishi i duket lëkura. E preku në mish. Mbeti në mish mbeti lakuriq. Kish dalë në mish kish dalë lakuriq. E vë (e vesh, e mban) fanellën në mish.
5. bised. Pjesa e tultë e kokrrës së disa pemëve, që mbështjell bërthamën a farat dhe që zakonisht hahet, tul. Mishi i mollës (i dardhës, i pjeshkës, i kumbullës). Mishi i ullirit. Mishi i pjeprit. Ka shumë mish.
♦ Iu bë mish (dikujt) iu gjakos (këmba, dora etj.) nga puna e rëndë a nga të ecurit, nga një sëmundje etj.; i ra copë. U bë mish për hell (dikush) u mundua e u sfilit shumë për të arritur diçka; u bë gjak; i ra mishi përtokë (dikujt); u bë copë; i ranë thonjtë (dikujt). E bëri mish e gjak (diçka) e përvetësoi thellë, e bëri të vetën plotësisht; e bëri gjak. M’u bë mishi *kokrra-kokrra. E bëri mish për poçe (dikë) mospërf. e rrahu fort, e zhdëpi në dru, e dërrmoi; i nxori rripa nga lëkura (dikujt); e bëri lakër; e bëri fërtele; e bëri pelte. Më ra mishi përtokë hoqa e lëngova shumë; u sfilita, u copëtova për diçka; u bëra mish për hell. *Cjapi mish e dhia tavë mospërf. *Copë mishi (me dy sy) përçm. *Çengel mishi përb. *Dhia mish e cjapi tavë mospërf. Gjeti mish të ngordhur! (dikush) mospërf. e trajton keq, ndryshe nga të tjerët, një njeri të pafuqishëm dhe pa përkrahje; e shpërfill, e shkel, e nëpërkëmb, e përdor keq, nuk e do; e merr nëpër këmbë (dikë); e sheh me syrin e njerkës (dikë); e ka bërë shtupë (enësh) (dikë). Hyn mish e del peshk (dikush) tall. nuk mëson asgjë më shumë, mbetet njësoj i paditur, nuk bën ndonjë përparim; hyn kungull e del kastravec. (Janë) mish e gjak janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e kockë; (janë) mish e thua; u bënë gjak; topi s’i ndan. (Janë) mish e kockë janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e thua; (janë) mish e gjak; topi s’i ndan. (Janë) mish e thua janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e gjak; (janë) motër e vëlla; (janë) arkë e dry; topi s’i ndan. S’i ka mish brinja (dikujt) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Kam këputur mish jam lodhur aq shumë sa nuk lëviz dot; jam vrarë e jam copëtuar në punë. Sikur ka këputur mish në thembër (dikush) tall. është dembel; hiqet sikur lodhet shumë në punë, bën sikur ka punuar shumë; as mbjell e as kopaçit iron.; ngul hunj e shkul hunj; sillet si pordha nëpër brekë bised. tall. vulg. Kërkon (do) mish pa kocka (dikush) shih kërkon qiqra në hell (dikush). Ia la plumbin në mish (dikujt) shih ia la plumbin në lëkurë (dikujt). Mishi i bardhë libr. vajza e gra që trafikohen për prostitucion. Mish (copë mishi) me dy sy mospërf. njeri i trashë nga mendja, që nuk kupton e nuk vepron, gdhe; i pandjeshëm, kërcu; mish i gjallë; mish pa kocka përçm. Me mish e me gjak i gjallë, i tëri, i plotë; ai vetë, i njëjtë (për dikë që ka lidhje gjaku ose ngjan shumë me një tjetër). Mish i gjallë mospërf. njeri me shëndet të mirë, por i trashë nga mendja; mish (copë mishi) me dy sy. Mish i huaj dikush a diçka që nuk është i përshtatshëm në mjedisin ku gjendet dhe që pengon punën ose zhvillimin e përgjithshëm; trup i huaj. Me mish e me kocka shih me mish e me gjak. Si mishi me kockën (me thuan) i lidhur fort me dikë, shumë i ngushtë me të, i pandashëm, sa nuk mund të shkëputet prej tij. Mish pa kocka përçm. njeri i squllët ose i paqëndrueshëm, që mund ta përpunojnë të tjerët si të duan; tul; mish (copë mishi) me dy sy mospërf.; tul me dy sy përçm. Mish pas lajmësi porosi që shkon dorë më dorë a njeri pas njeriu, porosi që nuk kryhet drejtpërdrejt dhe si rrjedhim nuk është e sigurt ose humbet rëndësinë. Mish në mashë. 1. Krejt i zhveshur e i zbathur, lakuriq, pa asgjë në trup; fare i pambrojtur. 2. Shumë i varfër, i këputur. Mishi i mishit fëmija i fëmijës tim, që është më i dashur dhe më i ëmbël për mua; gjaku i gjakut; mjalti i mjaltit. As mish e as peshk i papërcaktuar mirë, pa tipare dalluese e pa një vlerë të qartë, as kështu e as ashtu; as verë e as uthull. Mishi të piqet e helli të mos digjet (fj. u.) ta bësh një punë me kujdes e mirë, pa dëmtuar dikë a diçka tjetër; ta bësh diçka si duhet, me fitim e pa dëme. Mish me porosi shih mish pas lajmësi. Mish me presh e presh me mish është e njëjta gjë, s’ka ndonjë dallim, barabar është; është njësoj, po ajo gjë a po ai njeri; dhia mish e cjapi tavë mospërf.; cjapi mish e dhia tavë mospërf.; Ali hoxha e hoxhë Aliu. Me mish e me shpirt. 1. Me të gjitha forcat e mundësitë, me sa energji kam, pa kursyer asgjë; me dëshirë të madhe; me gjithë zemër. 2. Fort, shumë. Mish për top libr. keq. njerëz (ushtarë) që dërgohen me forcë a shkojnë verbërisht për t’u vrarë në luftë për interesa të tjetërkujt. M’u ngjeth (m’u drodh, m’u rrëqeth) mishi (mishtë) u trondita shumë, m’u drodh trupi, u tmerrova; u preka thellë në shpirt, u mallëngjeva shumë; m’u ngjeth (m’u rrëqeth) trupi; m’u bë mishi kokrra-kokrra. Pret *thika në mish të botës (për dikë). M’u shkoq mishi prej ashti shih më ra mishi përtokë. Vë (lidh) mish shëndoshem, ngjallem.
NËN parafj. Përdoret me një emër në rasën kallëzore për të treguar: 1. Sendin, vendin etj., poshtë të cilit ndodhet a lëviz dikush a diçka ose kryhet diçka; kund. mbi. Nën tryezë (nën shtrat). Nën jorgan. Nën kokë. Nën sqetull. Nën mollë (nën një rrap). Nën tokë (ujë). Nën qiellin e kaltër. Nën muret e kështjellës. U fut nën strehë. U fsheh nën rërë. Tokë nën kulturë tokë e mbjellë.
2. Një gjendje më të ulët se ajo që është e nevojshme a e zakonshme për dikë a diçka ose që merret si pikënisje; kund. mbi. Nën moshë. Nën kufi. Nën normë. Nën nivelin e duhur. Nën mesataren e rrethit. Punon nën ngarkesë. Temperatura nën zero.
3. Sendin, mjetin ose dukurinë që vepron mbi dikë a diçka. Nën zjarrin e armikut. Nën breshërinë e plumbave. Nën një shi të rrëmbyeshëm. Natyra shkëlqente nën rrezet e diellit. Nën dritën e hënës. Toka nën ujë. Vuri nën thikë një ka.
4. Gjendjen e varësisë ndaj dikujt a diçkaje a të kujdesit për dikë a diçka ose kushtet e rrethanat në të cilat është vënë dikush a diçka, bëhet a kryhet diçka. Nën komandën (varësinë) e... Nën kontrollin (mbikëqyrjen, kujdesin) e... Nën kujdestarinë e... Nën drejtimin e... Nën sundimin e një shteti tjetër. Marr nën kontroll (nën mbikëqyrje, nën kujdes). E ka nën vete. Nën efektin e alkoolit. Nën sanksionet e vendosura.
5. Shkakun e ndonjë veprimi, të ndonjë dukurie a gjendjeje me kuptimin: si pasojë e..., si rrjedhim i... Nën peshën e fajit ai u dorëzua. Nën shtytjen e... Nën përshtypjen e... Nën ndikimin e të ftohtit. Nën goditjet e artilerisë, toga u tërhoq.
6. Mjetin për të fshehur qëllimet e vërteta, për të cilat bëhet diçka; me. Nën maskën e miqësisë. Nën një emër të rremë.
7. Tingujt, zhurmat ose zërat që shoqërojnë një gjendje a një veprim. Nën tingujt e korit (e bandës, e këngës). Nën zhurmën e fishekzjarreve.
8. Përdoret me një emër në rasën kallëzore në disa shprehje frazeologjike për të treguar mënyrën si bëhet a kryhet diçka. Punon nën rrogoz. Flas nën zë. Qesh nën buzë. Ia dha nën dorë. Vepron nën hundën e dikujt. E thirrën nën armë. Para nën dorë para që i jepen dikujt fshehtas për të përfituar një të mirë a shërbim.
✱Sin.: poshtë, në, përposhtë, përfund(i), me.
♦ Hyn nën *udhë (dikush).
PARKETÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur parketoj ose kur parketohet diçka.
2. Rrjedhim kur parketoj ose kur parketohet diçka. Parketimi shtëpisë (i lokalit, i vilës, fushës së basketbollit).
PARËSÓR,~E mb., libr. 1. Që vjen përpara një tjetri dhe nuk varet prej tij, por mund ta përcaktojë atë ose mund ta ketë si rrjedhim a si pasojë (zakonisht në kundërvënie me “dytësor”). Dukuri parësore.
2. Që qëndron në vend të parë nga rëndësia, i dorës së parë; më i rëndësishëm. Çështje parësore. Kërkesë parësore.
✱Sin.: primar, prioritar, i parë, kryesor, përcaktues, themelor.
PASÓJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Gjurmët a ndikimi që lë një veprim ose një gjendje e mëparshme; diçka zakonisht e padëshirueshme a e keqe, që vjen pas një veprimi; rrjedhim. Pasojë e drejtpërdrejtë. Pasoja të rënda (të këqija, të hidhura). Me pasoja vdekjeprurëse. I mbarsur me pasoja. Ka (sjell) pasoja. U zhdukën të gjitha pasojat e luftës (e tërmetit). Si (për) pasojë... rrjedhimisht, prandaj, për rrjedhim. Urrejtja është pasojë e një jete të pakënaqur (afor.).
2. filoz. Dukuri a gjendje që lind e kushtëzohet nga një shkak ose nga disa shkaqe. Shkaku dhe pasoja.
✱Sin.: gjurmë, rrjedhojë, rrjedhim, konsekuencë, rezultat, përfundim, efekt, fryt, gërmadhë.
PLEHËRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur plehëroj ose kur plehërohet një arë, një pemë etj.
2. Rrjedhim kur plehëroj ose kur plehërohet një arë, një pemë etj. Plehërim i plotë (i pjesshëm, plotësues). Plehërim bazë. Plehërimi i bimëve (i pemëve, i tokës). Plehërim i gjelbër (bujq.) plehërim me bimë të gjelbra, si misri etj., të grira imët. Plehërim organik. Plehërim gjethor. Plehërim i përvitshëm. Plehërim i tërthortë. Plehërim me aeroplan. Plehërim me dorë. Plehërim me ujë. Plehërim nëntokësor. Plehërim i shkallëzuar.
✱Sin.: pasurim, ushqyerje.
PRODÚKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Send me vlerë, mjet, vegël etj., që përgatitet në një fabrikë, në një ndërmarrje, në një sektor a në një degë të veçantë të ekonomisë.
2. Lëndë që nxirret me mënyra të ndryshme industriale, kimike etj. Produkt i gatshëm (gjysmë i gatshëm). Produktet dhe nënproduktet e naftës.
3. Diçka e dobishme që merret nga punimi i tokës, nga bagëtitë etj. Produkte industriale (bujqësore, blegtorale). Produkte dhe nënprodukte të qumështit (të drithërave).
4. Diçka që del nga puna e njeriut, prodhim i duarve e i mendjes së njeriut; çdo gjë që prodhohet, prodhim. Produkti shoqëror (ek.). Produkti i përgjithshëm bruto (ek.) Produktet e punës (ek.).
5. fig., libr. Rezultat, përfundim i diçkaje, pjellë, rrjedhojë e diçkaje. Gjej produktin (mat.).
✱Sin.: prodhim, rezultat, pjellë, përfundim, rrjedhim, rrjedhojë, shumë.
PËRFLÚSHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përflush ose kur përflushet deti etj.; valëzim.
2. Rrjedhim a gjendja kur përflush ose kur përflushet deti etj.
PËRFUNDÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përfundoj ose kur përfundohet diçka.
2. Gjendja pasi përfundon a përfundohet diçka. Përfundimi i studimeve (i aplikimeve). Përfundimi i punimeve. Është në përfundim e sipër.
3. Fundi i diçkaje, mbarim, mbyllje. Para përfundimit të mbjelljeve. Në përfundim të kampionatit.
4. Diçka që del ose që arrihet nga mbarimi i një pune dhe nga përpjekjet që bën dikush; rezultat. Kemi arritur përfundime të mira (të kënaqshme). E shqetësuan shumë përfundimet e nxjerra.
5. bised. Nota mesatare e fundit, që vihet kur mbarojnë mësimet, në provimet etj. (në shkolla e kurse). Përfundimet vjetore. Nxjerr përfundimet e nxënësve. Pati përfundime të mira.
6. Mendim përgjithësues që nxirret pasi shqyrtohet e studiohet një çështje ose diçka tjetër, duke u mbështetur në të dhëna të ndryshme; rrjedhim, pasojë. Përfundim logjik. Arriti në një përfundim të drejtë. Nxjerr si përfundim. Si përfundim...
7. mat. Shuma a numri që del nga një veprim matematik, rezultat. Përfundimi i pjesëtimit. Nxjerr përfundimin.
✱Sin.: mbarim, kryerje, mbyllje, përmbyllje, fund, fundje, sosje, rezultat, konkluzion, rrjedhim, rrjedhojë, pasojë, zgjidhje, shkrehje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë