Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BEFÁJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT krahin. Gjendje e vështirë, hall, shtrëngesë. E zuri befaja.
✱Sin.: hall, e keqe, shtrëngesë, shtrëngicë, ngërmesë, rricë.
LASTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Degë e njomë, e gjatë, e hollë dhe e drejtë, filiz; kërcell i hollë e i gjatë kryesisht i disa bimëve kacavarëse ose që shtrihen përtokë. Lastar i ri (i njomë). Lastar i gjatë. Lastar pemësh. Lastar ulliri (dardhe). Lastar rrushi. Lastar kungulli (domateje). Lëshoi lastarë. I këputi lastarët.
2. fig. Njeri me trup të gjatë, të drejtë e të zhdërvjellët.
✱Sin.: filiz, lumak, vishkull, vrushkull, kërcell, mugull, syth, bulë, thupër, degë, furatë, fidan, rasat, thithak, thithës, rremb, rrëfatë, rrënjëz, ngallë, ngallicë, krëndth, përpajnë, përparje, pipth, dredhkë, bilashnjok, cimak, mbishartesë, biskonjë, beronjë, bitonjë, bitme, kalem, fundak, fundçe, landare, smat, loze, smag, stërpik, pinjoll, sumbull, shpatull, trikë, bisk, bifkë, bimëz, rricë, dredhë, përdredhës, qerthull, bilonjë, fillak, mënjollë, endës, fregull, gem, grep, imshtak, fshikull, frushkull, fiskajë, çicërr, ngallë, bumbë, bumbeskë.
♦ Ha lastarë më të lartë (dikush) keq. e mban hundën përpjetë, del mbi të tjerët; shet mend; pështyn lart (përpjetë). Nuk lëshoi lastarë (dikush) shih iu shua pragu (dikujt).
LÓZ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. bot. Dredhë hardhie, kungulli etj. Loze hardhie (rrushi). Lozet e kungullit. Lozet e fasuleve.
2. Guzhmë. U këput lozja.
3. fig., bised. Lloj, fare, race, prejardhje. Loze e keqe.
✱Sin.: dredhkë, dredhë, lastar, guzhmë, rricë, lloj, farë, racë.
♦ Lëshon loze krahin. 1. (dikush). E zgjat një punë, një bisedë etj.; e bën tërkuzë. 2. (diçka). Rritet e zhvillohet, zgjerohet e përparon; shtrin (zgjat) krahët.
NGUSHTÍC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grykë e ngushtë, që lidh me një rrip uji dy dete a dy oqeane njëri me tjetrin. Ngushtica e Gjibraltarit (e Dardaneleve). Kalon nëpër ngushticë.
2. Mungesë hapësire, ngushtësi. Ngushticë vendi.
3. fig. Gjendje e vështirë; gjendje e rëndë ekonomike; nevojë e madhe për diçka, shtrëngesë. Ngushticë ekonomike (financiare). Gjendet në ngushticë të madhe. Dal (shpëtoj) nga ngushtica. E ndihmoi në ngushticë.
4. anat. Rrip i ngushtë që bashkon dy pjesë të mëdha të një organi; kalim a kanal i ngushtë që bashkon dy zgavra. Ngushtica e aortës. Ngushtica e gjëndrës.
✱Sin.: vështirësi, nevojë, hall, ngushtim, ngushtësi, rricë, shtrëngesë, shtrëngim, shtrëngatë, shtrëngicë, siklet.
NGÚSHTË ndajf. 1. Me gjerësi të vogël a të pamjaftueshme, shtrënguar; kund. gjerë. E ka prerë (e ka qepur) ngushtë. I rrinë ngushtë rrobat (pantallonat). I bien ngushtë këpucët (çizmet).
2. Me një hapësirë të vogël për të banuar, për të punuar etj.; shumë afër me një tjetër, shtrënguar; kund. lirshëm, gjerë. Ishin ngushtë me shtëpi. Rrimë ngushtë.
3. fig. Në një gjendje të vështirë për ta përballuar, pa rrugëdalje, pisk, keq. Ishte (gjendej, ndodhej) ngushtë. Mbeti (ra) ngushtë. E ka ngushtë. E zuri (e kapi) ngushtë e gjeti a e vuri dikë në kushte të vështira, pa rrugëdalje. Jam ngushtë me dikë më shkakton shqetësime dikush, nuk di si t’ia bëj me dikë, e kam keq punën me të.
4. fig. Në nevojë për diçka a për dikë; në gjendje të keqe ekonomike. Ishte ngushtë nga gjendja (ekonomikisht). Dikur ishin ngushtë për bukë (për ushqime). Ranë ngushtë atij dimri. Është ngushtë për diçka. Në kohë fushate ishte ngushtë për njerëz. Ngushtë fort iron. nuk do t’ia dijë për dikë. Është ngushtë fort për ty! S’jam ngushtë për ty.
5. fig. Në mënyrë të drejtpërdrejtë e shumë të afërt; në mënyrë të afërt dhe të përzemërt. I lidhur ngushtë me popullin (me masat). I lidhur ngushtë me problemet e kohës (e jetës). E lidhin ngushtë me praktikën.
6. fig. Në mënyrë të kufizuar, me një pamje të ngushtë, pa gjerësi. Gjykon (mendon) ngushtë. E kupton ngushtë problemin (çështjen). I sheh ngushtë punët.
✱Sin.: shtrënguar, ngjeshur, krrëk, fort, rrasur, ngucur, dendur, angësht, vështirë, rëndë, pisk, keq, acar, rricë, ngushtësisht, pandashmërisht, pazgjidhmërisht, drejtpërdrejt, shtrëngueshëm, hollë, hollazi, përzemërsisht, ngurtë.
♦ *Gjallë e ngushtë (e keq). Jam (bie) ngushtë. 1. (me dikë). Më shkakton shqetësime dikush e nuk di si t’ia bëj me të, e kam keq punën me të; bie trashë; bie në hall. (për diçka). Më mungon diçka e kam shumë nevojë për të; jam në gjendje të keqe ekonomike; bie në një gjendje shumë të rëndë, nga është vështirë të dal; e kam pisk. E ndiej (e shoh) veten ngushtë. 1. Më vjen zor a turp para dikujt a në një mjedis të panjohur, ndihem keq; zihem ngushtë; e ndiej (e shoh) veten pisk. 2. Ndihem fajtor për diçka; jam i prekur nga pasojat e një veprimi; ul kokën. E zuri ngushtë (dikë) e vuri në një gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, e vuri në kushte të tilla që s’di nga t’ia mbajë a si të përgjigjet; e zuri (e bëri) mat; e zuri pisk; e shtiu (e futi) në rreth. Zihem ngushtë vihem në gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, s’di nga t’ia mbaj a si të përgjigjem; e ndiej (e shoh) veten ngushtë; gëlltit (kapërcej) pështymën; zihem pisk; më zuri rrota (qerrja) bishtin.
PISK ndajf. 1. Në gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, në vështirësi të madhe, ngushtë; keq, kur s’ke ç’të bësh. E ka punën pisk. E pa punën pisk. E pa veten pisk. U zu pisk. Do ta kenë pisk. Më zuri pisk, s’kam ç’bëj.
2. Me majën e gishtit të madh dhe të treguesit, duke i bashkuar këta dy gishta e duke e shtrënguar me ta. E kapi pisk e pickoi. Ia zuri dorën pisk.
✱Sin.: vështirë, keq, cimbthi, komb, nyjë, keq, ngushtë, acar, dobët, rricë, ibret, shtrënguar.
♦ E kam pisk jam në gjendje shumë të vështirë, të rëndë a të rrezikshme, s’di ç’të bëj a nga t’ia mbaj, nuk kam rrugëdalje; e shoh pisk; jam (bie) ngushtë; më erdhi veza (për të pjellë); më shtrëngoi veza; e pashë keq. E ndiej (shoh) veten pisk shih e ndiej (e shoh) veten ngushtë. Pisk e lakuriq i zhveshur krejt, pa asgjë në trup; si e ka lindur (e ka bërë) nëna; mish në mashë; me kostumin e Adamit iron. E zuri pisk (dikë) shih e zuri ngushtë (dikë). Zihem pisk shih zihem ngushtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë