Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NDRIT (NDRIS) vep., ~A, ~UR jokal. 1. vet. v. III Lëshon dritë, ndriçon fort; shkëlqen në dritë të fortë, shndrit. Ndrit dielli (hëna). Ndritin yjet. Ndrit si pasqyrë. Çdo gjë që ndrit nuk është ar (flori). (fj. u.).
2. vet. v. III Shkëlqen nga pastërtia, nga rregulli, është shumë i pastër e i rregullt, shndrit. Ndrit shtëpia (dhoma). Ndrit nga pastërtia.
3. vet. v. III Merr një shprehje të jashtme, që tregon një ndjenjë të fuqishme, frymëzim ose gjallëri të brendshme. Vajzës i ndriti fytyra nga ngazëllimi. Vogëlushit i ndritën sytë nga befasia.
4. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më ecën një punë, më shkon mbarë; ia arrij qëllimit (zakonisht me mohim). Nuk i ndriti me të. S’i ndrit tek unë. I ndriti fati.
5. kal. I jap dritë, ndriçoj. Doli hëna e ndriti dheun. Një rreze dielli ia ndriti fytyrën.
6. fig., kal. I tregoj rrugën e drejtë; i zbuloj të vërtetën dikujt duke e mësuar, ndriçoj, shndrit. I ndritën rrugën popullit. Ia ndriti mendjen (trurin).
7. iron., kal. E bëj keq një punë, e prish. E ndriti punën! Ç’na ndrite dhe ti me këto! E ndritën për shumë vjet me radhë.
✱Sin.: pastroj, spërndris, shkëlqar, shkëlqej, feks, ndriçon, ndrin, përndrit, rrezaton, rrezit, rrezon, rrëzëllen, vezullon, vetëtin, shkëndijon, shndrit, shkëndit, shkreptin, ndizet, xixëllon, zbardh, zbardhet, zbardhëllon, zdrit, llamburit, llapëtin, llaps, qeshet, gëzohet, sqaroj, shpjegoj, ecën, drejtoj, përshkëndit, udhëheq, shquhet, prish.
♦ I ndrit *fytyra (dikujt). I ndrit (i qesh) *nuri (dikujt). I ndrit *sytë (dikujt). I ndritin (i shkëlqejnë) *sytë (dikujt). I ndrittë *shpirti! I ndrit *ylli (dikujt).
RREZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal., vet. v. III Lëshon a përhap rreze, ndrit me rreze. Rrezon dielli (hëna).
2. kal. Ndriçoj me rreze diçka; e vë nën veprimin e rrezeve të diçkaje; e vë nën rrezet e diellit, e nxjerr në diell, e lë a e vë të marrë një rreze diell. Dielli rrezon kreshtat. E rrezojnë grurin (niseshtenë) disa ditë me radhë.
3. fig., jokal., vet. v. III Shkëlqen, ndrit si rreze. I rrezon fytyra.
✱Sin.: ndrit, ndriçon, rrezit, shkëlqej.
SHKËLQ/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. jokal., vet. v. III Lëshon dritë të ndritshme e vezulluese, rrezaton dritë; shndrit. Shkëlqen hëna (dielli). Shkëlqejnë yjet. Shkëlqen drita. Shkëlqen si yll. Shkëlqen si dielli i pranverës.
2. jokal., vet. v. III Reflekton dritë të fortë, është si i larë në dritë, bëj të ndritë diçka duke e pastruar me kujdes; llamburit, vezullon. Shkëlqen në diell. Shkëlqejnë të artat (perlat, rruazat, florinjtë, gurët e çmuar). Shkëlqejnë gotat (pjatat, lugët, enët). I shkëlqenin xhamat. Shkëlqen bora. Shkëlqen oqeani (lumi, liqeni, deti). I shkëlqejnë këpucët (çizmet). I shkëlqejnë dhëmbët. I shkëlqejnë faqet (flokët). Shkëlqen si kristal (si ar).
3. jokal., vet. v. III Ndrin nga pastërtia, vetëtin. Shkëlqen dhoma (shtëpia). I shkëlqejnë rrobat.
4. jokal., Duket sikur shndrit nga një ndjenjë e brendshme e fortë (për sytë dhe fytyrën); shpreh gëzimin, lumturinë etj. me pamjen e fytyrës e të syve. I shkëlqejnë sytë nga gëzimi. I shkëlqen fytyra nga lumturia. Shkëlqen nga dashuria. Shkëlqen i tëri. Shkëlqen e qesh.
5. jokal., fig. Bie në sy për cilësi të veçanta, shquhet mbi të tjerët në një fushë, në një punë të caktuar etj.; ka famë. Shkëlqen me zgjuarsinë (me talentin) e tij. Shkëlqen në matematikë (në mësime). Shkëlqen në ekran. Shkëlqen si shkrimtar. Shkëlqen në të gjitha fushat. Emri i Skënderbeut shkëlqen në çdo kohë. Shkëlqen nga goja flet bukur. Shkëlqen me stilin e tij.
6. kal. I jap shkëlqim diçkaje. I shkëlqeu enët.
✱Sin.: shndrit, ndrit, llamburit, vezullon, llapëtin, zdrit, dritëson, shkëndit (shkëndis), përshkëndit, rrëngjen, flakërin, flakëron, flakërit, flakon, rrezaton, rrëzëllen, rrezit, rrezon, shkëlqeron, shkëndis, përshkëndis, praron, shkreptin, ndizet, llaps, llapëtin, praron, prarohet, farfurit, zbardh, zbardhëllon, zbardhëllen, qesh, feks.
♦ I shkëlqejnë *faqet (dikujt). I shkëlqejnë (i ndritin) *sytë (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë