Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DHJÁM/Ë,~I m. sh. ~RA, ~RAT Lëndë organike e butë, e lyrshme, e patretshme në ujë, që ndodhet në trupin e njeriut dhe të kafshëve; yndyrë shtazore. Dhjamë i tretur (i patretur, i shkrirë). Dhjami i njeriut (i kafshëve, i bagëtive). Dhjamë derri (lope, pule, pate, balene, peshku). Indet e dhjamit. Qirinj dhjami. Mish me (pa) dhjamë. Gjellë me dhjamë. Treti dhjamin në tigan. S’e ha dhjamin. Dhjami i brendshëm dhjami i veshkave dhe i barkut të bagëtive.
✱Sin.: yndyrë, dhjamth, rrënxim.
♦ T’u bëftë *gjak e dhjamë! ur. *Cipë dhjami (diçka). I ka dalë dhjamët në *kurriz (dikujt) përb. Dhjamë cjapi diçka pa fitim, diçka pa leverdi; diçka pa vlerë. As dhjamë e as gjak shih as mish e as peshk. Dhjamë (djathë, gjalpë) i mirë në *lëkurë të qenit përçm. Fërgohet (skuqet, tiganiset) me dhjamin e vet (dikush) rregullohet a e përballon çdo gjë me të ardhurat e veta, jeton me atë që ka vetë, ia del me atë që ka vënë vetë; fërgohet (skuqet, tiganiset) në lyrën e vet; ha nga dhjami i vet; zihet në lëngun e vet; nuk i shtrin dorën (askujt). Ha nga dhjami i vet (dikush) mbahet me ato që ka, harxhon nga malli i vet, nuk u lyp të tjerëve; fërgohet (skuqet, tiganiset) me dhjamin e vet; fërgohet (skuqet, tiganiset) në lyrën e vet; zihet në lëngun e vet. E ka dhjamë (me dikë) shih e ka grurë (me dikë). Nxjerr dhjamë nga guri (dikush) shih nxjerr vaj nga guri (dikush). Nxjerr (kërkon) dhjamë nga pleshti (dikush) nxjerr përfitime edhe nga diçka që duket se s’jep gjë, di të përfitojë edhe atje ku duket se është e pamundur, është shumë i zoti për të nxjerrë fitime a për të përfituar nga gjithçka; nxjerr vaj nga guri; nxjerr dhjamë nga guri; nxjerr mjaltë nga guri; nxjerr dy lëkurë nga një berr (nga një dele); të jep ujë me bisht të lugës; qeth shelegët; qeth edhat; e rrjep morrin nga bishti; mjel (edhe) morrin; e vë (e shtie) morrin në hell. I shkon (i vete) dhjamë (dikujt) nuk ka vështirësi e pengesa në një punë a në diçka tjetër, çdo gjë e arrin lehtë, i ecën mirë; i shkon (i ecën) si në vaj. (Shkoi) për dhjamë qeni (dikush a diçka) shkoi kot, për hiçmosgjë, nuk i vlejti askujt, nuk hyri në punë; vajti dëm; (shkoi) si qeni në vresht (në rrush); (shkoi, humbi) si sëpata pa bisht; (shkoi) lyrë leshi; (shkoi) dushk për gogla; (shkoi) gur në ujë (në lumë); shkoi kurban. I shkrin dhjamët derrit (diku) bën shumë vapë, është shumë nxehtë; ziejnë fasulet në diell; piqet veza në rërë; sikur është vënë saçi. *Top me dhjamë. Iu tret dhjami (dikujt). 1. U dobësua, ra nga shëndeti, humbi në peshë. 2. E harxhoi pasurinë që kishte, ra nga gjendja ekonomike. *Tul e dhjamë. *Veshkë në mes të dhjamit. Vë dhjamë. 1. Shëndoshem, ngjallem; vë gjak1. 2. Kënaqem shumë; gëzohem; vë gjak2. 3. Vë pasuri, pasurohem, shtoj të ardhurat; vë lëng; vë brumë. I zuri bishti dhjamë (dikujt) jeton me gjithë të mirat; ra në pasuri e në bollëk, s’i mungon asgjë; zuri ledh. I ka zënë truri dhjamë (dikujt) ka humbur zgjuarsinë e shkathtësinë e mendjes, nuk mendon dot më qartë e shpejt; i është trashur mendja; i është trashur truri.
HÉRNI/E,~A f. sh. ~, ~ET mjek. 1. Sëmundje që shkaktohet nga shkarja e një organi të brendshëm ose e një pjese të tij në një vend tjetër të barkut a nën lëkurë; qeska e formuar nga organi që ka shkarë në këtë mënyrë; dhjami, dhjamth. Hernia e barkut. Hernia e diafragmës. Brez për hernie. Qeska e hernies.
2. Hernie diskale Konsumim degjenerues që ndodh me kalimin e kohës të disqeve të shtyllës kurrizore.
✱Sin.: dhjami, dhjamthi, rrënxim.
PJÉTJ/E,~A f. Rrënxim.
SHÉMBJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Prishje a rrëzim përtokë i diçkaje (mur, ndërtesë etj.), rrënim, rrafshim; kund. ndërtim. Shembja e këmbëve të urës. Shembje akulli (dëbore). Rrezik shembjeje. Shembja e ndërtimeve pa leje. Ishte marrë vendimi i shembjes së pallatit.
2. Vend i shembur, rrëzimë, shembëtirë. E përforcuan galerinë për ta mbrojtur nga shembjet. I zuri rrugën një shembje.
3. fig. Përmbysje që nga themelet, rrëzim me forcë, shkatërrim (i një sistemi shoqëror, një pushteti politik etj.). Shembja e sistemit të vjetër. Shembje e besimit. Shembja e sistemit të drejtësisë. Dita e shembjes së diktaturës.
4. Vend i vrarë nga një goditje, por pa gjak. Shembje e lehtë (e rëndë). Shembje e këmbës (dorës). Shembje e brendshme (e jashtme).
5. mjek. Shkarja e dhjamit, rrënxim. Kishte një shembje. Pësoi një shembje.
✱Sin.: rrënim, rrafshim, shkatërrim, rrëzimë, shembëtirë, shembatë, buzërripë, zharginë, shajtim, e vrarë, rrëzim, rrënxim, dëkim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë