Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NËNSHTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë nën pushtetin a nën sundimin tim; vë në gjendje varësie, e detyroj të bindet. Nënshtruan vendin. Nuk i nënshtruan dot protestuesit. S’mundën ta nënshtronin Shqipërinë.
2. Bëj diçka që të veprojë në dobinë time e sipas qëllimeve të mia. Nënshtrojmë natyrën (forcat e natyrës).
3. Vë diçka në shërbim të një ideje a detyre kryesore, të një qëllimi a synimi themelor që qëndron mbi çdo gjë tjetër. Ia nënshtruan gjithçka socializmit. Ia nënshtroj interesin vetjak interesit të përgjithshëm.
4. E kaloj diçka nëpër një shqyrtim. Ia nënshtroj gjykimit të masës. Ia nënshtroj oponencës publike një vepër.
✱Sin.: mposht, zë, pushtoj, shkel, zaptoj, robëroj, gjunjëzoj, përul, skllavëroj, gëlltis, shtroj, shtyp, përgjunj, përshkardh, thyej, karfos, kërrus, sundoj, shfrytëzoj, ndrydh, zotëroj, zotoj, provoj.
PRÁNGA,~T f. vet. sh. 1. Zinxhir a hekura me hallka të kapura njëra me tjetrën, që përdoren për t’i lidhur duart dikujt që arrestohet a burgoset. I vunë prangat. I hodhi (i shtiu) prangat.
2. hist. Zinxhir me hallka të forta, që përdorej për t’u lidhur këmbët dhe duart skllevërve. I lidhën me pranga.
3. fig. Diçka që të mban të lidhur e të mbërthyer, që të pengon të veprosh e të ecësh përpara; diçka që të mban të ndrydhur; pengesë e fortë që dikush i vë një tjetri; sundim i egër. Prangat e kanunit (e fanatizmit). Prangat e robërisë (e skllavërisë, e pushtuesve).
✱Sin.: vargonj, zinxhirë, hekura, byzylykë, veriga, hallka, lila, kllapë, pengesë, sundim.
♦ I hedh (i vë) prangat (dikujt). 1. E arrestoj; e lidh, e prangos. 2. E robëroj. Thyej (këput) prangat. 1. Çlirohem, fitoj lirinë; shpëtoj me forcë nga një sundim a nga një shtypje; këput zinxhirin (zinxhirët); këput hallkën. 2. Hedh tej çdo pengesë që nuk më lejon të veproj lirisht a të përparoj; thyej e kapërcej çdo pengesë. Më ka vënë prangat (dikush) nuk më lejon të veproj lirisht, më pengon në çdo hap, më ka lidhur; më ka lidhur duart.
PUSHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Fut ushtrinë në një vend tjetër dhe shtie në dorë tokat e tij, e shkel një vend tjetër dhe ushtroj pushtetin mbi të; i heq me dhunë lirinë dhe pavarësinë një vendi a një populli, e robëroj; zë me forcë një vend; kund. çliroj. Pushtuan tërë vendin. E pushtuan me (pa) luftë. Nuk e pushtuan dot.
2. edhe fig. Arrij deri në një vend të vështirë dhe e shkel atë; ngjitem deri në një vend shumë të lartë; shtie në dorë diçka, arrij ta zotëroj. Alpinistët pushtuan majën. Aeroplanët pushtonin qiellin.
3. E kap dikë dhe e shtrëngoj fort me të dy krahët, e përqafoj dikë me mall; e përfshij diçka me dy krahët të hapur. Pushtoi të birin me mall. E pushtoi në kraharor. E pushtoi me të dy duart. E pushtoi fort. Nuk e pushtonin dot dy veta atë pemë.
4. fig. Arrij ta kap të gjithin me një vështrim. E pushtoi peizazhin detar (malor, kodrinor) me sy. E pushtoi sallën (klasën) me një vështrim.
5. edhe fig., vet. v. III Vjen, përhapet (zakonisht diçka jo e pëlqyeshme) dhe mbulon një vend a hapësirë, e përfshin të gjithë, e pllakos E pushtoi flaka. Bora pushtoi male e fusha. Mornicat i pushtuan trupin. Vendin e pushtoi errësira. Heshtja pushtoi sallën.
6. fig., kryes. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) Më zë, më kap tërësisht një ndjenjë, një mendim a një gjendje, më mbërthen të tërin; më bën për vete. E pushtoi gëzimi (krenaria). E pushtoi dëshira. E pushtoi frika (tmerri, paniku, zemërimi). E pushtoi mërzia. E pushtuan mendime të zymta. Pushtoi mendjet (ndjenjat) e lexuesve.
✱Sin.: zaptoj, gllabëroj, robëroj, okupoj, shkel, zë, përlaj, gëlltit, kap, përfshij, përqafoj, rrok, mbështjell, përmbështjell, përhap, pllakos, rrëmbej, mbërthej, hipi, zatet, ndërhyj, skllavëroj, nënshtroj, arrij, ngjit, zotëroj, shtrëngoj, mbuloj, kaploj, vërshoj, regëtij, kllapos.
SHFRYTËZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë në përdorim për të nxjerrë fitime (zakonisht për një burim natyror). Shfrytëzoj pasurinë e detit. Shfrytëzoj erën. Shfrytëzuan burimin e ujit.
2. Nxjerr sa më shumë të ardhura duke përfituar nga puna dhe mundi i të tjerëve, përfitoj. Shfrytëzoj punën e emigrantëve të paligjshëm. Shfrytëzojnë punëtorët. Shfrytëzojnë egërsisht (pa mëshirë gjer në palcë). Shfrytëzon forcën e lirë të krahut të punës.
3. Vë në sundim një vend tjetër për të nxjerrë prej tij përfitime sa më të mëdha, e nënshtroj; shtyp; kund. liroj. Shfrytëzojnë vendet pak të zhvilluara. Shfrytëzojnë vendet që janë përfshirë në luftë.
4. Përdor diçka për një qëllim të caktuar, nuk e lë të shkojë kot; e përdor për qëllime të mira diçka, frytëzoj. Shfrytëzojnë mjetet (makinat, makineritë, pajisjet). Shfrytëzuan mbetjet për riciklim. Shfrytëzojnë hekurudhat (mjetet e transportit). Shfrytëzojnë energjinë e lumenjve (energjinë diellore, energjinë atomike). Shfrytëzoj teknologjinë e re. Shfrytëzon plotësisht kohën e punës. Shfrytëzon çdo sekondë. Shfrytëzoj inteligjencën artificiale në mjekësi. Shfrytëzoj njohuritë e marra në një fushë. Shfrytëzoi rërën e ngrohtë për këmbën. Shfrytëzoj dokumentet në gjuhë të huaj. Shfrytëzoj aftësitë në teknologji. Shfrytëzoj bibliografinë (librat, dokumentet, arkivat, kartotekën). Shfrytëzoj hapësirën ligjore.
4. Përfitoj nga dikush a nga diçka; e përdor diçka në mënyrë të padrejtë, abuzoj. Shfrytëzoj një të drejtë. Shfrytëzoj momentin (situatën, rastin). Shfrytëzoj famën e dikujt. Shfrytëzoj pushtetin. Shfrytëzon mosmarrëveshjet për të arritur qëllimin e vet. Shfrytëzon dobësitë (mirëbesimin, papjekurinë) e dikujt. Shfrytëzoj rrjetet sociale për ta dëmtuar dikë. Shfrytëzoj kohën e mirë (ditët me diell). Shfrytëzuan errësirën e natës. Jeton duke shfrytëzuar prindërit. Shfrytëzoj një dorëshkrim dhe e paraqiti si të vetin. Shfrytëzoi përfundimet e profesorit për artikullin e vet.
5. min. Nxjerr nga toka minerale të ndryshme, naftë etj. Shfrytëzojnë minierat. Shfrytëzoj burimet nëntokësore. Shfrytëzojnë puset e naftës me efikasitet.
✱Sin.: përdor, frytëzoj, përfitoj, robëroj, nënshtroj, shtyp, harxhoj, shpenzoj, rrjep, nxjerr.
SKLLAVËR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E kthej në gjendjen e një skllavi, i rrëmbej lirinë e çdo të drejtë dhe e shtyp pa mëshirë; robëroj. Donin të skllavëronin botën (popujt). Skllavëruan të gjithë banorët e qytetit të pushtuar.
2. fig. E vë plotësisht nën ndikimin dhe nën pushtetin tim, i heq çdo liri e pavarësi të veprimeve, e nënshtroj, e robëroj, pushtoj. I skllavëruan ndërgjegjen (shpirtin). I skllavëronin njerëzit me dogma të ndryshme.
SUND/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Kam pushtetin në një vend, jam në fuqi në një shtet. Sundoi shumë vjet. Kishte sunduar me dhunë.
2. kal. Mbaj nën pushtet një vend a një popull; kam fuqinë mbi një vend a një popull, që e kam nënshtruar. Përpjekjet e superfuqive për të sunduar botën. Ishte ai që sundonte detet.
3. jokal., vet. v. III Ka fuqi të plotë, ka pushtet, zotëron. Ka vende ku sundon paraja. Tani mund të themi se sundon ligji.
4. jokal., vet. v. III Ka përhapje të gjerë, zotëron mbi gjithçka tjetër, ndihet shumë prania ose fuqia e diçkaje, mbizotëron. Kudo sundonte rregulli e pastërtia. Kudo sundon një frymë reformimi.
5. jokal., vet. v. III Ngrihet me lart se gjërat e tjera që ka përreth, del mbi të tjerat dhe ka pamje të hapët. Kështjella sundonte mbi gjithë fushën. Bëri një foto nga shpati që sundonte luginën. Do të ngrihej një godinë shumëkatëshe që do të sundonte gjithë sheshin.
6. Ua nënshtroj diçka qëllimeve të mia, jam në gjendje ta shfrytëzoj diçka për nevoja e qëllime të caktuara. Sundojnë natyrën. Diga kishte sunduar lumin.
7. Jam në gjendje ta urdhëroj dikë e t'ua nënshtroj kërkesave e vullnetit tim; i vë fre, e mbaj nën kontroll; përmbaj. Nuk e sundon dot më të birin. E sundon veten ruan gjakftohtësinë, nuk e humbet kontrollin e vetes, di të përmbahet.
✱Sin.: shtyp, shfrytëzoj, robëroj, mbretëroj, zotëron, mbizotëron, mbaj, zotëroj, i vë fre.
VASALIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Nënshtroj, mbaj a vë nën pushtetin a sundimin tim një shtet a dikë; e bëj që të varet plotësisht nga unë dhe të veprojë ashtu siç dua unë, të më përulet, të më nënshtrohet; sundoj. Perandoritë vasalizonin vendet e vogla dhe të varfra.
✱Sin.: nënshtroj, zaptoj, robëroj, skllavëroj, gjunjëzoj.
ÇLIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I sjell ose i kthej lirinë një vendi a një populli, e shpëtoj nga robëria; kund. pushtoj, robëroj. Çliruam vendin (atdheun). Çlirojnë popullin. Çlirojnë një qytet (një krahinë).
2. I heq kufizimet e pengesat dhe i jap mundësi të veprojë lirisht. Një investim infrastrukturor që çliron një potencial të jashtëzakonshëm. Të nëntë vëllezërit ia dalin ta çlirojnë të shoqen e dreqit nga burri i saj. Ky aksion çliron hapësirat përgjatë rrugëve.
3. E shpëtoj nga diçka e padëshirueshme; e lehtësoj. E çliroj nga një barrë e rëndë. E çliroi nga një detyrë. E çliroj nga detyrimet (nga borxhet). Duhet të na çlirojë nga ky ankth.
4. E bëj më të lirë diçka të lidhur a të shtrënguar fort, e liroj; kund. shtrëngoj. Çliroj rripin (perin). Çliroj kravatën. Ia çliroi këmbën nga laku.
5. vet. v. III, kim., fiz. Lëshon e nxjerr jashtë diçka nga vetja gjatë një procesi. Çliron hidrogjen (oksigjen, gaz karbonik). Çliron ujë. Çliron nxehtësi. Çliron elektrone. Çliron energji.
6. vet. v. III, jokal. Nxjerr jashtë qelb, plas, shpërthen. Çliroi varra.
7. ek. Liroj një shumë të caktuar parash që ishte caktuar për diçka tjetër; kund. ngrij. Institucionet evropiane, para se t’i çlirojnë fondet, studiojnë situatën. Çliron fonde të domosdoshme. Shkëmbimi i monedhave me Kinën çliron 250 milionë euro fonde.
8. bank. Zhbllokoj një llogari bankare ose një fond. Çliroj llogarinë bankare. Çliroj fondin.
✱Sin.: shpëtoj, shpengoj, lehtësoj, liroj, lëshoj, nxjerr, plas, shpërthen, zhbllokoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë