Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
RESTAUR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Sjell përsëri në gjendje të mirë a në formën fillestare një vepër arti a një send me vlerë të dëmtuar; e bëj siç ka qenë ose ndreq një monument, një ndërtesë të lashtë me vlerë etj. Restauroj një monument (një kështjellë). Restauroj një pikturë.
2. Rivendos, i jap jetë përsëri diçkaje; rikthej një institucion, një rend ose një regjim që është përmbysur. Po restaurojnë diktaturën. U përpoqën të restauronin monarkinë.
✱Sin.: rindërtoj, rivendos.
RI- fjalëform. Parashtesë, me të cilën ndërtohen fjalë që tregojnë përsëritjen e një veprimi, kthimin përsëri të një gjendjeje a të një cilësie, pajisjen me diçka të re, organizimin në mënyrë të re etj. (p. sh.: riaftësoj, ribashkoj, ribëj, riblej, ribotoj, rihap, rimëkëmb, ripushtoj, rishkruaj, rivendos etj.).
RIVENDÓS vep., ~A, ~UR kal. 1. Kthej përsëri diçka në gjendjen e mëparshme, e bëj përsëri të punojë a të jetë si më parë. Rivendosin marrëdhëniet diplomatike. Rivendosën qetësinë (rregullin). Rivendosi besimin e humbur. Rivendosi drejtpeshimin. Rivendosën ndërlidhjen. Rivendos fjalëkalimin.
2. Kthej përsëri dikë në vendin e mëparshëm; i kthej prapë atë që i ishte hequr pa të drejtë. E rivendosën në punë.
3. Sjell prapë në fuqi një rend ose një regjim, që ishte përmbysur, restauroj. Duan të rivendosin monarkinë. Po rivendosin regjimin e vjetër.
✱Sin.: rikthej, restauroj.
►RIVENDÓS/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Kthehem përsëri në vendin e parë ose në gjendjen e mëparshme; vet. v. III fillon përsëri të punojë a të jetë si më parë. U rivendos në fshat (në shtëpi). Rivendoset pulsi.
2. vetv., vet. v. III Vjen përsëri në fuqi një rend ose një regjim, që ishte përmbysur, restaurohet.
3. pës. e RIVENDÓS.
✱Sin.: rikthehet, restaurohet.
SINTONIZATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT tek. Pajisje për sintonizim. Sintonizatori u rivendos në punë.
STABILITÉT,~I m. Qëndrueshmëri. U rivendos një stabilitet ekonomik mes shteteve të rajonit. Stabiliteti i çmimeve erdhi si rrjedhojë e disa operacioneve financiare. Rivendosën stabilitetin mes palëve kundërshtare.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë