Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DEKURAJ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. Shkurajoj; kund. inkurajoj. Dekurajon përpjekjet për risi. Dekurajojnë pjesëmarrjen aktive. Nuk duhet t'i dekurajojë studentët e tij.
MARIFÉT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. 1. Mënyrë e hollë për t’ia dalë mbanë një pune me shkathtësi; shkathtësi a aftësi e veçantë për të zgjidhur diçka; mjeshtëri. Do marifet ajo punë. Nuk do ndonjë marifet të madh. I duhet gjetur marifeti. Dëborën ta hapni me marifet që të mos duket asgjë e zezë. Katund e adet, shtëpi e marifet. (fj. u.).
2. Dredhi, dinakëri; hile; djallëzi. Ia punoi me marifet. Di shumë marifete. Përdori gjithfarë marifetesh. Ia kuptuan marifetin. Lëri marifetet!
3. Gjë e vështirë, që do mençuri. Ç’i thanë dovletit epe, nuk e jap e kam për vete, se ka shumë marifete!
4. Gjë e re, risi. Ku kishin parë ata kësi marifetesh si tani: makina e televizorë?
5. Edukatë e mirë; përsosuri. Shtëpi me marifet. Familje pa marifet.
✱Sin.: dredhi, dinakëri, hile, përsosuri, risi.
MEZIARRÍTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që arrihet me vështirësi, që mezi arrihet. Risi të meziarritshme të të rinjve.
NOVACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Metodë e re në prodhim ose në teknikë; diçka e re e përparimtare në fushën e shkencës a të artit, risi, novatorizëm. Novacione teknologjike. Novacion në fushën e mjekësisë. Novacion pararendës. Novacion editorial.
✱Sin.: risi, novatorizëm.
NOVATORÍZ/ËM,~MI m. 1. Vetia e asaj që është e re dhe përparimtare në një fushë, ana e re dhe përparimtare; të qenët novator; risi. Novatorizmi i artit (i letërsisë). Novatorizmi në teknologji (në art). Tradita dhe novatorizmi.
2. Veprimtaria e novatorit, sjellja e diçkaje të re e përparimtare në një fushë; lëvizja e novatorëve. Shpirti i novatorizmit. Përhap novatorizmin.
3. edhe sh. ~MA, ~MAT Diçka e re dhe përparimtare në një fushë, novacion, risi. Novatorizma teknike. Novatorizma në fushën ekonomike. Novatorizma në industrinë e qumështit.
✱Sin.: risi, novacion.
PARISÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i risueshëm; që nuk sjell risi; kund. i risueshëm. E shpallën doktrinën të pandryshueshme e të parisueshme.
RE,~JAІІ (e) f. sh. ~JA, ~JAT (të) 1. kryes. sh. Lajm, njoftim, diçka që ka ndodhur kohët e fundit dhe që merret vesh, ngjarjet e fundit. Të rejat e ditës. Të rejat e fundit. Të rejat e shtypit (e gazetës). Mësoj (marr vesh) të rejat. Ç’të reja kemi? Ç’të re na solle? Ç’kemi ndonjë të re?
2. kryes. sh. Diçka që është zbuluar ose që është studiuar kohët e fundit, arritjet e fundit në një fushë të shkencës, të teknikës a të prodhimit. Të rejat e shkencës e të teknikës.
3. vet. nj. Ajo që ka ardhur në jetë para pak kohësh, dukuri që sapo është shfaqur; diçka e re; kund. e vjetra. E reja në jetë (në art). Lindja e së resë. Lufta e së resë me të vjetrën. Jetoj me të renë. I hap rrugën së resë.
4. Risi.
✱Sin.: lajm, njoftim, risi.
RI (i), RE (e) mb. 1. Që është në moshën e djalërisë a të vajzërisë, që nuk ka arritur moshë të pjekur; kund. plak. Djalë i ri. Vajzë e re. Nuse (grua) e re. Është i ri (e re) në moshë. Mosha e re. Brezi i ri. Vdiq i ri (e re). Më i riu. Tepër i ri (e re). Bëhem i ri përtërihem. Mbeti gjithnjë i ri.
2. Që ka mbirë, që ka lindur ose që është krijuar para pak kohësh, që ka ende moshë të vogël; kund. i vjetër. Bari i ri. Bimë e re. Degë (bisqe) të reja. Pyll i ri. Qengjat e rinj. Lopë e re. Yll i ri (astr.).
3. Që është ngritur, është ndërtuar a prodhuar ose është krijuar a formuar para pak kohe; që shfaqet, që del ose që bëhet për herë të parë, që nuk ishte a nuk njihej më parë; që është zbuluar rishtazi. Shtëpi (ndërtesë, rrugë, urë) e re. Hotel (dyqan) i ri. Bibliotekë (shkollë) e re. Universitet (institut) i ri. Teatër i ri. Pazari i ri. Lagjja e re. Vepër e re. Prodhime të reja. Artikull (mall) i ri. Racë e re qensh. Hibrid i ri misri. Libër (film, emision) i ri. Fjalë e re. Familje e re. Shtet (rend, regjim) i ri. Republikë e re. Zbulim i ri. Shpikje e re. Teknikë e re. Sëmundje e re. Tokat e reja tokat që punohen për herë të parë.
4. Që nuk është përdorur gjatë ose që është ruajtur me kujdes dhe është në gjendje të mirë, që nuk është vjetruar, i papërdorur ose i përdorur fare pak (zakonisht për veshmbathjet dhe për orenditë e pajisjet e ndryshme); kund. i vjetër, i përdorur. I kishte këpucët (rrobat) fare të reja. Shesim libra të rinj e të përdorur. Qilimi është i ri, nuk ka asnjë të metë. Bleva një makinë të re, ka bërë vetëm 30 mijë km. Ishte (dukej) i ri, me gjithë moshën.
5. Që është bërë a që është gatuar para pak kohe; që është pjekur në stinën e fundit, që është i të korrave të këtij viti; kund. i vjetër. Djathë i ri. Verë e re. Vaj i ri. Gruri i ri. Buka e re. Domate (patate, fasule) të reja.
6. Që i zë vendin një tjetri të mëparshëm; që vjen pas një tjetri, që e përsërit a që e përmirëson të parin; i mëvonshëm; kund. i vjetër. Ditë e re. Stina e re. Dëborë e re. Flokë (dhëmbë) të rinj. Gjethet e reja. Lëkura e re. Monedhë e re. Lekë të rinj. Botim i ri. Drejtori (mësuesi, shefi) i ri. Urdhri i ri. Stil i ri. Metodë e re. Qeveria e re. Adresë e re. Hëna e re hëna që duket si drapër i hollë në ditët e para pasi i ka qenë zënë drita nga Toka. Viti i ri viti që sapo ka hyrë ose që do të hyjë së shpejti.
7. Që e ka filluar punën ose veprimtarinë në një fushë para pak kohe, që sapo ka hyrë në një organizatë, në një shërbim etj.; që nuk ka ende përvojë të gjatë në një punë; kund. i vjetër. Shkrimtar i ri. Mjek (oficer) i ri. Mësuese (inxhiniere, ekonomiste) e re. Anëtar i ri. Shofer i ri. I ri në punë (në detyrë, në mjeshtëri). Kërkues shkencor i ri.
8. Që është në moshën e djalërisë ose të vajzërisë dhe sapo ka filluar të merret me një fushë të dijes a të artit, që merr pjesë në një rreth të dijes a të artit për nxënës ose për studentë. Letrarët (shkrimtarët) e rinj. Talentet e reja. Rrethi i natyralistëve të rinj.
9. Që i përket erës sonë; që i takon periudhës pas mesjetës; që ka të bëjë me epokën më të afërt për ne ose me kohën më të fundit; i kohës sonë, bashkëkohor; kund. i vjetër. Shekujt e erës së re. Historia e re. Era (epoka) e re periudha në të cilën fillon numërimi i viteve duke u shtuar njëri pas tjetrit. Para erës së re në periudhën kur vitet numërohen duke i zbritur njëri pas tjetrit. Kalendari i ri kalendari që zbatohet qysh nga shek. XVI, kur fillon numërimi i viteve sipas mënyrës që përdoret sot. Letërsia e re shqiptare letërsia bashkëkohore.
10. Që përfaqëson një etapë të mëvonshme në zhvillimin e një dukurie shoqërore, të një drejtimi a të një rryme, të një doktrine a të një teorie etj.; që përmban risi në krahasim me gjendjen e mëparshme. Kolonializmi i ri. Turqit e rinj (hist.) xhonturqit. Borgjezia e re prodhuese. Sfida për një kapitalizëm të ri. Ngritja e një shoqërie të re. Duhen njerëz të rinj.
11. Që është më i lartë, më i mirë etj. se i mëparshmi, tjetër; i përtërirë. Hov (frymëzim, vrull) i ri. Shpresa (përpjekje) të reja. Me forca të reja.
12. Që e njohim prej pak kohësh, që kemi lidhje e marrëdhënie prej një kohe të shkurtër me të; që ka të bëjë me lidhje e me marrëdhënie të tilla. Shokë të rinj. Miq të rinj zër sa të duash po të vjetrit mos i harro. (fj. u.).
13. Që është i panjohur për dikë deri në një kohë të caktuar. Fytyra të reja. Lajm i ri. Zëra të rinj. Asgjë të re.
✱Sin.: njomëzak, i paveshur, i papërdorur, i pavënë, i pazënëfill, i paprekur, i pangarë, modern, i përtërirë, i panjohur, i pashkelur, i parrahur, i freskët.
♦*Arnë e re në rrobë të vjetër. *Cergë e re krahin. Çel (hap) *rrugë të reja. Çel (hap) *shtigje të reja. Në një *dritë të re libr. Është *filiz i ri (dikush). Filloj *radhë të re. *Fshesë e re. *Gjak i ri. Hap (shkruaj) një *faqe të re.
RISÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i një moshe të re (për një dukuri), vetia e diçkaje që ka pak kohë që është shfaqur. Risia e një dukurie.
2. Dukuri e re, diçka që del për herë të parë ose që hyn e re në jetë, novacion; produkt i ri në sektorin e industrisë, të tregtisë, të teknikës. Një risi në tregun shqiptar. Risitë e modës.
3. spec. Ndryshim gjuhësor, që fillon në një pikë të caktuar të hapësirës gjuhësore nga një individ ose në një mjedis të caktuar shoqëror dhe më pas përhapet si rrezatim në hapësirat e tjera të afërta, inovacion. Risitë në gjuhë. Risi leksikore.
✱Sin.: novacion, novatorizëm, e re.
SATÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Ironi e hidhur, therëse e fshikulluese, qëndrim që shpreh një ironi të tillë. Përdor satirën. Bën artikuj me satirë. Nuk e kuptonin satirën e hollë.
2. let. Vepër letrare ose shkrim, që fshikullon me anë të ironisë së hidhur e therëse dhe të sarkazmit të metat, veset dhe anët e tjera të dobëta të njerëzve a të shoqërisë; vet. nj. gjinia letrare që përfshin këto vepra; tërësia e veprave satirike të një autori. Satirë e mprehtë që sjell risi. Satirat e Çajupit. Shkroi një satirë që përshkruan politikanët e kohës.
STATISTÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkenca që studion ndryshimet sasiore në zhvillimin e shoqërisë, të ekonomisë, të kulturës etj., duke mbledhur të dhëna numërore për to, të cilat grupohen e përpunohen me metoda të veçanta. Statistika ekonomike. Statistikat e papunësisë janë një tregues i rëndësishëm për gjendjen ekonomike të një vendi. Metodat e statistikës të përdorura në studim përbënin risi.
2. Tërësia e të dhënave numërore të mbledhura nga një fushë e jetës, e ekonomisë etj. ose për një dukuri dhe të renditura sipas një kriteri të caktuar; lista me këto të dhëna. Statistika demografike. Drejtoria e statistikës. Të dhënat e statistikës. Mban statistikën. Nxjerr statistikën. Paraqitën statistikat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë