Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOFAGJÍ,~A f., biol. Proces biologjik natyror ose aftësi e qelizave në trup për të shpërbërë e për të ricikluar mbetjet që grumbullohen në të dhe në mjedisin e saj si dhe për t’u përtërirë. Procesi i autofagjisë. Dieta sipas autofagjisë. Nxitja e autofagjisë përmes urisë dhe aktivitetit fizik. Autofagji e trupit pastrim dhe humbje e kilogramëve të tepërt.
✱Sin.: vetëpastrim, përtëritje, riciklim.
SHFRYTËZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë në përdorim për të nxjerrë fitime (zakonisht për një burim natyror). Shfrytëzoj pasurinë e detit. Shfrytëzoj erën. Shfrytëzuan burimin e ujit.
2. Nxjerr sa më shumë të ardhura duke përfituar nga puna dhe mundi i të tjerëve, përfitoj. Shfrytëzoj punën e emigrantëve të paligjshëm. Shfrytëzojnë punëtorët. Shfrytëzojnë egërsisht (pa mëshirë gjer në palcë). Shfrytëzon forcën e lirë të krahut të punës.
3. Vë në sundim një vend tjetër për të nxjerrë prej tij përfitime sa më të mëdha, e nënshtroj; shtyp; kund. liroj. Shfrytëzojnë vendet pak të zhvilluara. Shfrytëzojnë vendet që janë përfshirë në luftë.
4. Përdor diçka për një qëllim të caktuar, nuk e lë të shkojë kot; e përdor për qëllime të mira diçka, frytëzoj. Shfrytëzojnë mjetet (makinat, makineritë, pajisjet). Shfrytëzuan mbetjet për riciklim. Shfrytëzojnë hekurudhat (mjetet e transportit). Shfrytëzojnë energjinë e lumenjve (energjinë diellore, energjinë atomike). Shfrytëzoj teknologjinë e re. Shfrytëzon plotësisht kohën e punës. Shfrytëzon çdo sekondë. Shfrytëzoj inteligjencën artificiale në mjekësi. Shfrytëzoj njohuritë e marra në një fushë. Shfrytëzoi rërën e ngrohtë për këmbën. Shfrytëzoj dokumentet në gjuhë të huaj. Shfrytëzoj aftësitë në teknologji. Shfrytëzoj bibliografinë (librat, dokumentet, arkivat, kartotekën). Shfrytëzoj hapësirën ligjore.
4. Përfitoj nga dikush a nga diçka; e përdor diçka në mënyrë të padrejtë, abuzoj. Shfrytëzoj një të drejtë. Shfrytëzoj momentin (situatën, rastin). Shfrytëzoj famën e dikujt. Shfrytëzoj pushtetin. Shfrytëzon mosmarrëveshjet për të arritur qëllimin e vet. Shfrytëzon dobësitë (mirëbesimin, papjekurinë) e dikujt. Shfrytëzoj rrjetet sociale për ta dëmtuar dikë. Shfrytëzoj kohën e mirë (ditët me diell). Shfrytëzuan errësirën e natës. Jeton duke shfrytëzuar prindërit. Shfrytëzoj një dorëshkrim dhe e paraqiti si të vetin. Shfrytëzoi përfundimet e profesorit për artikullin e vet.
5. min. Nxjerr nga toka minerale të ndryshme, naftë etj. Shfrytëzojnë minierat. Shfrytëzoj burimet nëntokësore. Shfrytëzojnë puset e naftës me efikasitet.
✱Sin.: përdor, frytëzoj, përfitoj, robëroj, nënshtroj, shtyp, harxhoj, shpenzoj, rrjep, nxjerr.
TRAJTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Sjellje e caktuar ndaj dikujt. Trajtim i mirë (i keq). Trajtim njerëzor (çnjerëzor).
2. Mbikëqyrje e një të sëmuri, mjekim sipas protokollit të shëndetësisë, kurim, përkujdesje që i bëhet një të sëmuri. Trajtimi i të sëmurëve.
3. Shtjellim me gojë a me shkrim i një teme, i një çështjeje etj. Trajtimi i një temë. Trajtimi i një problemi. Trajtim teorik (i dukurisë, i çështjes).Trajtim shterues (i plotë).
4. bujq. Mbajtje e farës ose e bimës në kushte të veçanta për ta ruajtur a për ta zhvilluar; shërbimi që i bëhet diçkaje. Trajtim i farës së grurit. Trajtim i kulturës së ullirit. Trajtimi i tokës me plehra kimike.
5. Përpunim i diçkaje sipas një rregulloreje të caktuar. Trajtimi i mbetjeve urbane (spitalore) mbledhja, grumbullimi i tyre në vende të caktuara dhe përpunimi, riciklimi, përftimi dhe asgjësimi sipas një protokolli të caktuar në këtë rast.
6. Ndërtim; ndërtesë.
✱Sin.: sjellje, mbikëqyrje, mjekim, kurim, përkujdesje, shtjellim, punim, përpunim, riciklim, ndërtim, ndërtesë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë