Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
REZERV/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Heq, ruaj mënjanë diçka ose një pjesë të saj për ta përdorur në një kohë a në një rast tjetër; lë, ruaj diçka për një tjetër që do të vijë më vonë. Rezervoj ushqime.
2. Prenotoj. Rezervoj një biletë. Rezervoj një tryezë në restorant (për dikë). Rezervoj dy vende në teatër.
3. Mbaj, ruaj një mundësi a një të drejtë për ta përdorur më vonë. Rezervoj të drejtën të flas një herë tjetër.
RÚAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. Kujdesem për një njeri a për një kafshë që ta mbroj nga ndonjë e keqe, mbikëqyr me kujdes; e mbroj nga dikush a nga diçka që mund ta dëmtojë. Ruaj fëmijët. Ruaj bagëtinë (tufën, kopenë, lopët). Ruaj nga zjarri (nga uji, nga shiu, nga era, nga dëbora, nga të ftohtët). Ruaj nga armiqtë. Ruaj nga rreziqet. Ruaj veten!
2. Rri diku për të mbikëqyrur a për të mbrojtur diçka, që të mos e sulmojnë, të mos e dëmtojnë a të mos e grabitin; bëj rojë; mbroj. Ruaj shtëpinë. Ruaj vreshtin. Ruaj dyqanin (ndërmarrjen). Ruaj rrugën. Ruaj kufirin. Frika i ruan vreshtat. (fj. u.).
3. Pengoj dikë të dalë, të ikë a të arratiset, duke e mbikëqyrur me shumë kujdes. Ruaj të burgosurin. Ruaj robërit.
4. E ndihmoj dikë, duke u kujdesur që të mos bëjë diçka të gabuar, të keqe; mbroj. E ruaj nga gabimet. Ruaj të rinjtë nga veset.
5. Mbaj në gjendje të mirë diçka të vlefshme që të mos dëmtohet; mirëmbaj; kund. prish. Ruaj rrobat (këpucët, librat). Ruaj pasurinë (paratë).
6. Vazhdoj të kem a të mbaj në gjendjen e mëparshme diçka pa e ndryshuar, nuk e lë të prishet, të hiqet, të zhduket, të humbasë; mbaj; kund. humbas. Ruaj largësinë (forcat, fuqinë). Ruaj qetësinë (rregullin). Ruaj gjakftohtësinë. Ruajnë miqësinë edhe mbas kaq vitesh. Ruajmë marrëdhëniet. Ruaj lirinë (pavarësinë). Kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet e lashta. Ruaj shëndetin (bukurinë, mirëqenien). Ruaj nderin (emrin e mirë, imazhin, dinjitetin). Vazhdon të ruajë vendin e parë.
7. Mbaj veçan diçka për ta mbrojtur nga dëmtimi a nga prishja ose për ta përdorur më vonë, kur të duhet; heq, ndaj mënjanë diçka për të kursyer; vloj. Ruaj ushqimet (verën). Ruaj për farë. Ruaj për dimër. Ruaj një pjesë nga rroga. Ruaj në arkën e kursimit. Ruaj një pjesë nga ushqimet.
8. inf. Kopjoj të dhënat e punimit në memorien e kompjuterit ose në pajisje të tjera për t’i shpëtuar nga humbja ose nga fshirja pa dashje; shpëtoj. Ruaj një dokument në kompjuter. Mos harro ta ruash materialin para se të mbyllësh kompjuterin.
9. Vë mënjanë diçka për dikë, e lë për dikë, ia lë dikujt. I ruaj pjesën. Ruaj një vend (në teatër). Ruaj një biletë. Ruaj një libër për dikë.
10. fig. Ngul në mendje, në kujtesë diçka; mbaj (në veten time); kund. harroj. Ruaj kujtime të mira. Ruaj amanetin e dikujt. Ruaj në kujtesë (në zemër, në mendje).
11. Shoh me vërejtje, vështroj; vëzhgoj me vëmendje dikë a diçka që të mos më shpëtojë, nuk ia ndaj sytë; e përgjoj fshehurazi. Ruaj anash (jashtë). Ruaj një të dyshimtë. I ruaj çdo lëvizje. E ruan në sy. E ruan si macja miun. Ruaj të vdekurin kaloj gjithë natën pranë një të vdekuri para se të varroset.
12. Pres çastin e volitshëm për të bërë diçka; gjej rastin e duhur; përgjoj. Ruaj rastin. Ruaj ditën që t’i dal përpara.
13. E mbaj të fshehtë, nuk e zbuloj; nuk e përhap. Ruaj të fshehtën (sekretin).
✱Sin.: mbikëqyr, shikoj, kursej, pruaj, puroj, mirëmbaj, konservoj, lë, pres, përgjoj, gjuaj, mbaj, rezervoj, mbroj, resht, trashëgoj.
♦Ruan *erërat (dikush). E ruan *faqen (dikush). E ruaj (e mbaj) me *kimet (dikë). Ruan *lëkurën (e vet) (dikush) keq. S’është as për të ruajtur *lopët (dikush) keq. Ia ruaj (ia mbaj) në *xhep (dikujt). E ruaj në *zemër (dikë a diçka). *Zot na ruaj! (ruajna Zot!).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë