Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHPÉJTË (i, e) mb. 1. Që lëviz, ecën, shkon, vrapon a rrjedh me shpejtësi; që ka shpejtësi të madhe; kund. i ngadalshëm. Tren i shpejtë. Kalë i shpejtë. Anije e shpejtë. Me hapa të shpejtë. Ecje e shpejtë. Rrjedhje e shpejtë. Lojë e shpejtë. Rrotullim i shpejtë. Me ritme të shpejta. I shpejtë si shigjeta.
2. Që është i aftë t'i kryejë shpejt punët e tij, që punon shpejt, i shkathët, i gjallë; kund. i ngadalshëm. Shitës i shpejtë. I shpejtë në punë.
3. Që bëhet brenda një kohe a brenda një afati të shkurtër, që bëhet në pak kohë a pa kaluar shumë kohë; i menjëhershëm; kund. i ngadalshëm. Ngrohje (ftohje) e shpejtë. Përgatitje e shpejtë. Zhvillim i shpejtë. Vdekje e shpejtë. Përgjigje e shpejtë. Helm (bar) me veprim të shpejtë. I hodhi një vështrim të shpejtë.
4. I afërt (në kohë); që dëshirojmë të ndodhë sa më parë, në një kohë sa më të afërt. Me shërim të shpejtë! (ur.) E ka fundin të shpejtë.
5. I shpejtuar, që bëhet shkel e shko. Punë e shpejtë.
6. krahin. I hershëm; i vjetër; i lashtë. Të lashta të shpejta. Fik i shpejtë
✱Sin.: i shkathët, i gjallë, i rendur, i papërtueshëm, i papërtuar, i virgjilltë, i shpitë, i lehtë, i zhdërvjellët, hapshpejtë, lepur, bletë, dre, flutur, flugtar, fluturak, fluturashkë, gjeraqinë, hapshpejtë, hapdrenushë, këmbëlehtë, këmbëshpejtë, këmbësutë, çapshpejtë, rrufe, shigjetë, vetëtimë; i menjëhershëm, i rrufeshëm.
♦E ka të shpejtë. 1. (dikush). Do të vdesë pas pak kohe, nuk do ta shpjerë gjatë, do të mbarojë shpejt; po jep (po heq) shpirt; i ka ditët të numëruara; i ka ditët të shkurtra. 2. (diçka). Nuk do të shkojë gjatë, nuk do të vonojë, do të marrë fund brenda një kohe të shkurtër; i ka ditët të numëruara.
VRAP,~I m. 1. Ecje me hapa shumë të shpejtë dhe duke kërcyer, ecje me shpejtësi të madhe në një drejtim të caktuar, rendje; aftësia që ka dikush për të vrapuar shpejt; vrapim. Vrap i shpejtë. Vrap kali. Ku shkon me kaq vrap Shkoi (erdhi, u nis, iku) me vrap. Shpejtoi (ngadalësoi) vrapin. Filloi (mori) vrapin. Ia dha (ia shkeli, ia mbathi) vrapit iku me vrap. U lëshua me vrap. Bëri një vrap. U turr me sa i arrinte vrapi.
2. Nxitim, shpejtësi; ngutje, ngut. E bëri punën me vrap. Iku me vrap se nuk priste puna iku duke nxituar, me ngut. E ke marrë me vrap këtë punë.
3. fig. Fuqi trupore e mendore që ka dikush për të bërë një punë, mundësi, aftësi. Aq e ka vrapin. Bëri sa kishte vrapin. Bëje (mate, lëshoje) vrapin sa ke hapin (fj. u.) vepro sipas mundësisë që ke.
4. përd. kallëzues. Vrapoj (kryesisht me kuptim nxitës). Gati, vrap! Vrap e në shtëpi! Vrap e vrap, sosi te burimi.
✱Sin.: rend, rendje, e rendur, ngarend, ngarendje, vrapim, shpejtim, fugim. turr, turravrap, ngut, galop, revan, ling, yrysh.
♦ Aq e ka vrapin (dikush) aq fuqi fizike a mendore ka, aq mundet, aq është i aftë për diçka; aq i ha krahu (dikujt). E bën vrapin sa ka hapin (dikush) bën sipas mundësive që ka, nuk e tepron, është i matur në çdo gjë; nuk i del zot diçkaje jashtë fuqive të veta, merr përsipër e bën aq sa mundet. I ka hipur *thiut në vrap (dikush). Ia dha (ia theri, i ra, ia mori) vrapit (dikush) iku me të shpejtë, vrapoi shpejt, u turr; ia mbathi me të katra; (vrapoi) sa i hanin këmbët. S’e ka vrapin *të gjatë (dikush). E ndali (e la, e mbajti) vrapin (diku) ndaloi më në fund diku, atje u ndal pas një ecjeje të gjatë e të shpejtë ose pas përpjekjesh të vrullshme (për shkak të diçkaje të ngutshme, të frikës se e ndjekin etj.); shkoi me një frymë te dikush për diçka; e mbajti frymën. Ia preu vrapin (dikujt) e bëri të ndalet në një veprim të vrullshëm, e frenoi; e përmbajti; ia preu hovin. Një vrap pele (gomari) afër; jo shumë larg.
VRAPÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vrapoj, rendim. Vrapim i lehtë. Kalë për vrapim.
2. Vrap. Vrapim me të katra. Ishte skuqur nga vrapimi. Bëri një vrapim. Ngadalësoi vrapimin.
3. sport. Garë shpejtësie me vrap. Garat e vrapimit. Rekordmenët në garat e vrapimit. Pas një vapimi të shpejtë, ai arriti i pari te shiriti i kuq. Vrapimi në pistë. Vrapim me pengesa. Pista (fusha) e vrapimit.
✱Sin.: vrap, rendje, ngarendje, e rendur, baritje, fugim, turr, turravrap, revan, grahje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë