Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PAKUSHTËZÚAR (i, e) mb. Që nuk varet nga kushte a rrethana të caktuara; që nuk kushtëzohet nga diçka tjetër; i pavarur; kund. i kushtëzuar. Dukuri e pakushtëzuar. Në mënyrë të pakushtëzuar. Refleks i pakushtëzuar (i trashëguar) (psikol.).
✱Sin.: i pavarur, i pashoqëruar.
PASQYRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur pasqyroj ose kur pasqyrohet diçka. Pasqyrimi i dritës.
2. Figura ose shëmbëllimi i dikujt a i diçkaje që riprodhohet në pasqyrë ose në një sipërfaqe tjetër të lëmuar e të ndritshme. Pasqyrimi i hënës në ujë.
3. Paraqitje a shprehje e dukurive, e ngjarjeve dhe e rrethanave; diçka që jep shëmbëllimin ose gjurmët e ndikimit të dukurive, të ngjarjeve e të rrethanave; pasqyrë. Pasqyrim i kohës (i epokës, i shoqërisë).
4. filoz. Veti e përgjithshme e materies për të pasqyruar çdo veprim a ngacmim të jashtëm; vetia e psikikës dhe e ndërgjegjes për të pasqyruar botën e jashtme. Pasqyrimi fizik pasqyrimi karakteristik për botën jo të gjallë. Pasqyrimi biologjik format e ulëta të pasqyrimit të botës së gjallë. Pasqyrimi psikik format e larta të pasqyrimit te kafshët e zhvilluara e te njeriu, që lidhen me veprimtarinë e sistemit të lartë nervor. Teoria e pasqyrimit. Ndijimi dhe pasqyrimi. Vetia e pasqyrimit.
✱Sin.: reflektim, kthim, bredhje, paraqitje, pasqyrë, refleks, riprodhim, shfaqje, shprehje, figurë, shëmbëllim.
REFLÉKS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. fiziol. Kundërveprim i pavullnetshëm i organizmit të gjallë ndaj një ngacmimi të jashtëm a të brendshëm, që bëhet me pjesëmarrjen e qendrave të larta të sistemit nervor qendror. Refleks i pakushtëzuar (i trashëguar) (psikol.) refleks, të cilin organizmi e ka që në lindje. Refleks i kushtëzuar (i fituar) (psikol.) refleks që organizmi e fiton gjatë jetës së tij dhe që kërkon patjetër pjesëmarrjen e gjysmësferave të mëdha të trurit. Refleks nervor. Refleks mbrojtës. Refleksi i ushqimit. Refleksi i dritës. Teoria e reflekseve. Krijimi (zhdukja) e reflekseve. I është bërë refleks.
2. Veprim i vetvetishëm, i menjëhershëm dhe ashtu siç duhet në rrethana të ndryshme ose të reja. Reflekset e sportistit (e shoferit). Ka reflekse të mira. Zhvillohen reflekset.
3. fig. Pasqyrim a rrjedhim i diçkaje. Refleks i botës së brendshme. Refleks i pikëpamjeve të dikujt.
4. Shkëlqim i ngjyrës së një sendi, që vjen nga pasqyrimi i dritës së një sendi tjetër. Reflekset e dëborës (e ujit). Reflekset e dritës (e ngjyrave). Pëlhurë me reflekse. I jep një refleks.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë