Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LEX/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Njoh shkronjat dhe kuptimin e fjalëve të shkruara në letër a diku tjetër, duke i shqiptuar me zë ose duke i përshkuar me mend. Lexoj letrën. Lexoj librin (gazetën, revistën). Lexoj bukur (rrjedhshëm, shpejt, ngadalë, keq). Lexoj fjalë për fjalë. Di të shkruajë e të lexojë.
2. Ndjek me sy shenjat e ndryshme të diçkaje të shkruar, arrij t’i kuptoj a t’i zbërthej ato dhe i shqiptoj me zë a i riprodhoj me mend fjalët me të cilat emërtohen; jam i aftë të kuptoj diçka të shkruar, di, mund të kuptoj ç’shkruhet. Lexoj numrat. Lexon notat muzikore. E lexon hartën gjeografike. Lexoj (një skicë, një projekt). Lexoj sahatin e ujit (termometrin). Lexoj një njoftim të shifruar. Lexon frëngjisht (gjermanisht). Lexon në dy (tri) gjuhë.
3. Njihem me përmbajtjen e diçkaje të shkruar; ndjek rregullisht një botim periodik, veprat e një autori etj. Lexon rregullisht gazetën (revistën, periodikun etj.). Lexon shumë romane. E lexon me ëndje atë autor.
4. Mbaj me gojë përpara dëgjuesve një ligjëratë, një referat a kumtesë. Lexoi referatin (kumtesën). Lexoi fjalën përshëndetëse. Lexoi fjalimin që kishte përgatitur.
5. fig. Arrij të kuptoj gjendjen shpirtërore, mendimet, qëllimet a dëshirat e dikujt sipas shprehjes së fytyrës ose shenjave të tjera të jashtme; depërtoj në mendimet dhe ndjenjat e fshehta të dikujt. I lexon mendimet (dëshirat) në sy (në fytyrë). Di të lexojë në zemrat e njerëzve. Lexoj në mes të radhëve (të rreshtave) arrij të kuptoj diçka që është nënkuptuar.
✱Sin.: lëçis, këndoj, zgjedh, shkoqis, zbërthej, ligjëroj, kuptoj, kap, depërtoj.
PËRCÍPTAS ndajf. Pa hyrë thellë në brendësi a në thelbin e diçkaje, në mënyrë të përciptë e të sipërfaqshme, në mënyrë të cekët, pa u thelluar; cekët; kund. thellë. E shtron (e trajton) çështjen përciptas. I kap (i kalon) gjërat përciptas. Preket përciptas në referat.
✱Sin.: përciptazi, cekët, shkarazi, brinjas, ciptas, ciptazi.
REFERÁT,~I m. sh. ~E, ~ET Kumtim i gjerë me shkrim, që mbahet para një mbledhjeje për një temë të trajtuar në vijat më themelore ose hollësisht; raport i hollësishëm që mban një drejtues rreth çështjeve dhe veprimtarisë së sektorit të vet. Referat shkencor (letrar, politik). Referat problemor. Referati kryesor. Referati i drejtorit (i përgjegjësit). Diskutimet rreth referatit. Bëj (shkruaj, mbaj, lexoj) një referat.
REFER/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Paraqit me shkrim a me gojë gjendjen e punës së një dege ose një çështje, duke shprehur edhe mendimin për të; mbaj një referat. Referoj në mbledhje (në sesionin shkencor). Referoj për një temë (për një çështje).
2. zyrt., kal. Ia bëj të njohur një organi ose një përgjegjësi një çështje; ia përcjell dikujt një çështje ose një dokument për të vepruar më tej. Ia referoj administratës (përgjegjësit). Ia referoi për kompetencë.
3. kal. I tregoj lexuesit burimin nga janë marrë të dhënat e një shkrimi, citatet që përdoren aty etj., e drejtoj te një vepër a te një autor tjetër. E referoi te një autor (te një burim, te një dokument).
SHKURT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ia zvogëloj diçkaje gjatësinë a lartësinë, e bëj më të shkurtër. Shkurtoj drutë. Shkurtoj këmbët e tryezës. Shkurtoj flokët. Shkurtoj perdet (fustanin, mëngët). Shkurtoj hapin. Shkurtoj shënjestrën. usht. i jap shënjestrës një gradim më të vogël për ta dërguar predhën në një shenjë që ndodhet më afër.
2. sport. E bëj më të shkurtër largesën që më ndan nga ata që janë para meje në një garë vrapimi, çiklizmi etj. Shkurtoj largësinë.
3. E bëj që të zgjatë më pak, të përfundojë më shpejt, të kryhet në një kohë më të shkurtër; e bëj që të vdesë a të shkatërrohet më shpejt; kund. zgjat. Shkurtoj kohën e... (afatin e...). Shkurtoj orët (javën) e punës. I shkurtoj jetën (ditët) dikujt a diçkaje.
4. Pakësoj ose zvogëloj sasinë a vëllimin e diçkaje duke i hequr një a disa pjesë; kund. shtoj; zgjeroj. Shkurtoj një studim (një referat). Shkurtoj shpenzimet (buxhetin). Shkurtoj organikat (kuadrin, fuqinë punëtore). Shkurtoj listën.
5. bised. Largoj dikë nga një punë ku nuk është më i nevojshëm, heq. Shkurtuan dy veta. Ia shkurtuan vendin.
6. edhe jokal. I bie për shkurt, zgjedh rrugën më të shkurtër ndërmjet dy pikave. Shkurtoj udhën. Kjo rrugë shkurton.
7. Vras, pres; i marr jetën, e vdes. I shkurtoi armiqtë. I shkurtoi kryet (kokën) i preu kryet (kokën). E shkurtoftë plasja (kolera)! (mallk.)
8 vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Më pret, më than (për erën kur është shumë e ftohtë dhe e fortë). Atje të shkurton era.
✱Sin.: zvogëloj, cungoj, cungulloj; ul, pakësoj heq, largoj, pushoj, qeth, marr, pres, vras, vdes; krasis, këpus, shartoj, krasis,vras, përmbledh, përshtas, ngrin.
♦Ia shkurtoi *ditën (ditët) (dikujt). Ia shkurtoj *dorën (duart) (dikujt). Shkurtoja *drutë! (dikujt). E shkurtoi (e preu) *gjuhën (dikush). I shkurtoi *jetën (dikujt). Ia shkurtoj *këmbët (dikujt). Më shkurtoi (më preu) *krahët (dikush a diçka). Ia shkurtoj *udhën (rrugën) (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë