Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKSIONÍZ/ËM,~MI m., art. Rrymë ose drejtim artistik, letrar, filozofik dhe mendimor i shekullit të 20-të, që lindi si kundërpërgjigje ndaj realizmit dhe ndaj përpjekjeve për të përshkruar botën e jashtme ashtu siç është, të njëmendtë e të drejtpërdrejtë; shmangie e paraqitjes së objekteve ose skenave reale dhe përqendrim në forma, në ngjyra, në struktura dhe në linja për të shprehur ndjenja, ide dhe përvoja të brendshme. Arti i abstraksionizmit. Parimet e abstraksionizmit. Pasuesit e abstraksionizmit. Abstraksionizmi i filozofëve. Abstraksionizëm i pastër. Formë e abstraksionizmit artistik. Abstraksionizmi logjik.
ABSTRÁKT,~E mb. 1. Që nuk përjetohet ose që nuk ndihet me anë të shqisave, por që del me anë të përgjithësimit mendor; që nuk lidhet me objekte ose pamje të njohura dhe reale, por që është më shumë një shprehje e lirshme ose e përgjithshme e ideve, e ndjenjave ose e përvojave; që del me anë të abstraksionit dhe që mbështetet tek ai; kund. konkret. Mendim abstrakt. Nocion abstrakt. Roman abstrakt. Muzika abstrakte. Puna abstrakte (tek.).
2. Që është i shkëputur nga realiteti, që është shumë teorik dhe i papërcaktuar; që është i vështirë për t’u kapur e për t’u kuptuar. Teori abstrakte. Diskutim abstrakt. Flet në mënyrë abstrakte.
3. filoz. Që nuk lidhet drejtpërdrejt me realitetin konkret, që ekziston vetëm si ide, si koncept ose si formë përgjithshme e jo si diçka e prekshme. Koncept abstrakt. Ide abstrakte.
4. gjuh. Që emërton një cilësi, një tipar ose një veprim të shkëputur nga sendi ose objekti që ka cilësi a tipare ose nga vepruesi; kund. konkret. Emër abstrakt. Kuptim abstrakt. Fjali abstrakte. Ligjërim abstrakt.
5. art. Që ka të bëjë me një stil a shprehje artistike, që nuk përfaqëson drejtpërdrejt realitetin, por që përqendrohet në përdorimin e formave, të ngjyrave dhe të linjave për të shprehur ide ose ndjenja. Arti abstrakt. Pikturë abstrakte. Figura abstrakte. Vija abstrakte.
6. mat. Që nuk shoqërohet me emrin e njësisë së matjes ose të sendeve të numëruara; që ka të bëjë me gjedhe ose struktura që nuk ekzistojnë fizikisht, por që ndihmojnë në kuptimin e fenomeneve reale. Numër abstrakt. Madhësi (shifër) abstrakte. Algjebra si fushë abstrakte e matematikës.
AMBÍCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET libr. 1. Dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të bërë diçka me vlerë, që të ngre në sytë e të tjerëve dhe të shtyn përpara. Kam ambicie. Ajo ka shumë ambicie. Ambicie reale. Ambicia do përkushtim. Mungesë e ambicies. Ambicie pushtuese.
2. keq. Dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të arritur diçka të madhe, për t’u dalluar, ose për të pasur sukses në një fushë të caktuar, për lavdi personale, për pushtet, për famë, për suksese, për ngritje në karrierë; synim për të dalë me çdo mënyrë mbi të tjerët në përpjekjet për të arritur një qëllim të caktuar. Ambicie e sëmurë. Ngjall ambicien. Kënaq ambiciet e dikujt.
✱Sin.: mëtesë, mëtim, mësim, synim, pretendim.
ANTIHISTORÍ,~A f., libr. 1. Histori e pambështetur në fakte reale e shkencore, histori që është në kundërshtim me parimet e historizmit. Rrëfimi i tij përfaqëson një antihistori. Ndërtoi një antihistori të pabesueshme.
2. Histori e shkruar ndryshe nga historia ekzistuese. Ai shkroi antihistorinë.
ANTIHISTORÍZ/ËM,~MI m. 1. Të qenët antihistorik; mosmbështetje në parimet e historizmit dhe në faktet reale e shkencore; mospërputhje me të vërtetën historike dhe me zhvillimin historik; kundërhistorizëm. Në pikëpamjet e tij ka elemente të antihistorizmit. Formë e re e antihistorizmit. Postmodernizimi u kritikua për antihistorizëm. Fjala e tij mbështetet në antihistorizëm.
2. Doktrinë që mohon rëndësinë ose rolin përcaktues të historisë në zhvillimin e ideve, të fenomeneve, të dukurive, të proceseve shoqërore apo kulturore.
ANTINATYRALÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Rrymë, ideologji, qëndrim apo mendim që kundërshton natyralizmin, në kuptimet e tij: filozofik, letrar ose shkencor; të qenët kundërshtar i botëkuptimit filozofik natyralist; kund. natyralizëm. Antinatyralizmi metafizik. Antinatyralizmi monist (pluralist). Antinatyralizmi në filozofinë e shkencës.
2. fet. Mendimi ose ideja që vlerat morale nuk burojnë nga natyra, por nga arsyeja, nga shpirti, nga Zoti ose nga norma të pavarura. Antinatyralizmi (etik, teologjik etj.).
3. let. Të qenët kundër natyralizmit në letërsi dhe në arte, kundërshtar i drejtimit letrar-artistik, i cili paraqet natyrën dhe njeriun në mënyrë objektive, reale, të drejtpërdrejtë. Kritika e antinatyralizmit. Parimet e antinatyralizmit. Manifesti i antinatyralizmit.
ÁRDHUR,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) 1. kryes. sh., fin. Para ose vlerë materiale që marrin organet dhe institucionet shtetërore, ndërmarrjet, nga veprimtaria ekonomike, nga anëtarët e tyre etj.; para ose vlerë materiale që marrin njerëzit e veçantë nga puna e tyre ose nga burime të tjera. Të ardhurat vjetore (mujore, javore, ditore etj.). Të ardhurat reale (mesatare). Të ardhurat kombëtare. Të ardhurat e fshatarësisë. Të ardhurat e familjes. Të ardhura në të holla (në natyrë). Të ardhura nga toka. Burim të ardhurash. Ndarja (shpërndarja) e të ardhurave. Merr të ardhura. Siguron të ardhura. S’ka të ardhura.
2. Ardhje.
ARIANÍZ/ËM,~MI m., libr. 1. Bindje ose besim pseudoshkencor mbi ekzistencën reale të racës ariane; ideologji mbi karakterin sipëror të racës së bardhë. Arianizmi si herezi. Arianizmi u përhap gjerësisht.
2. fet. Lëvizje ose rrymë teologjike dhe doktrinare në krishterimin e hershëm, që propagandonte ose mbronte tezën se Ati dhe Biri nuk janë të së njëjtës lëndë dhe natyrë dhe se Jezusi është krijuar nga Perëndia dhe, për rrjedhojë, nuk ishte i përjetshëm.
ASÉT,~I m. sh. ~E, ~ET ek., fin. Burim ekonomik, pasuri, që një individ, një biznes ose një entitet tjetër ka ose drejton a qeveris për të përfituar prej tyre në një të ardhme; para, prona të paluajtshme, pajisje, investime dhe pasuri tjetër, që ka vlerë ekonomike dhe që mund të përdoret për të krijuar të ardhura. Asete të mëdha. Asete të paluajtshme. Asete materiale (jomateriale). Asete reale. Asete financiare. Asete për marrjen e fondeve afatshkurtra (afatgjata).
✱Sin.: pasuri, burim, mall, resurs.
BÓT/Ë,~AI f. 1. Rruzulli i Tokës; dheu me gjithçka që është në të, sipërfaqja e Tokës dhe gjithë qeniet që jetojnë në të, dheu, toka. Lëmshi (rruzulli) i botës. Harta e botës. Kontinentet (shtetet) e botës. Lumenjtë (ujërat) e botës. Rreth botës. Në fund të botës. Në të katër anët e botës. Udhëtim nëpër botë. Sa të jetë bota për jetë të jetëve. Botën kush e pa, / Botën kush gjezdisi, / Iu lumturua zemra, / Iu lumturua shpirti! (folk.). S’merret bota në krahë (në kurriz). (fj. u.). Bota është e rrumbullakët. (fj.u.).
2. sh. ~Ë, ~ËT Trup qiellor; planet. Botë të panumërta. Botët e gjithësisë.
3. Tërësia e formave të materies, realiteti; tërësia e çdo gjëje që është pavarësisht nga ndërgjegjja. Bota objektive (materiale, fizike, reale) të gjitha sendet pa jetë; gjithçka praktike që haset në jetën e përditshme, ndryshe nga bota abstrakte, teorike ose e idealizuar. Botë virtuale (inf.) mjedis elektronik i rrjeteve kompjuterike të komunikimit. Bota e jashtme. Njohja e botës. Uniteti i botës. Pasqyrimi i botës. Prejardhja e botës.
4. përmb., bised. Njerëzit mbi Tokë, popullsia e Tokës; njerëzit e tjerë, gjindja që na rrethon, njerëzia; njerëzit e huaj me të cilët nuk kemi të bëjmë; një njeri tjetër, dikush. Gjithë bota. Si gjithë bota. Në shtëpi të botës. Fjalët (gojët) e botës. Malli i botës mall i huaj. Në dasmë të botës. Me fjalët e botës. Çuditet gjithë bota. E di (flet) e gjithë bota. U rrit në dyert e botës. Hyri botë hyri si i huaj në shtëpinë e një tjetri. Jam botë për të jam njeri i huaj e i panjohur për të, s’jam i tij. Kali i botës të lë në udhë (në rrugë). (fj. u.). Mos hyr në pus me litarin e botës. (fj. u.). Mos shtjer kripë në gjellën e botës! (fj. u.). Bota jep sa t’i kesh dhënë. (fj. u.). E dhëna e botës - e gënjyera e gojës. (fj. u.). Kalit të botës i këputet nënbishtja edhe në të përpjetë. (fj. u.). Edhe pula jote në kopshtin e botës të duket më e majme. (fj. u.).
5. edhe sh. ~Ë, ~ËT Shoqëria njerëzore e një vendi ose e disa vendeve, që është organizuar sipas një rendi të caktuar dhe që dallohet nga tipare historike e kulturore të veçanta; mënyra e jetesës dhe e organizimit shoqëror në një vend, në një grup vendesh ose në një periudhë historike. Bota e re. Bota perëndimore. Botë e lashtë (e vjetër) (hist.) bota që nga fillimet e qytetërimit deri në ndarjen e Perandorisë Romake (në vitin 467 të erës së re). Bota shqiptare. Bota antike. Bota ilire (greko-romake, arabe). Bota perëndimore. Bota e Lindjes. Bota moderne bota e sotme me zhvillimet e fundit dhe me idetë e reja. Bota përparimtare. Bota e jashtme vendet e tjera, vendet e huaja. Bota e tretë (hist.) kombe në zhvillim në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine; grupe të pakicave kombëtare brenda një kulture më të madhe mbizotëruese. Lufta ndërmjet dy botëve.
6. Tërësia e qenieve të gjalla që kanë veçori të përbashkëta të zhvillimit e të jetesës; tërësia e sendeve ose e dukurive që na rrethojnë; fushë e veçantë e dukurive a e sendeve të realitetit objektiv. Bota e gjallë. Botë bimore (bot.) tërësi e bimësisë së rruzullit të Tokës; klasifikim i organizmave të gjallë që përfshin të gjitha bimët; kategori e organizmave që përfshin të gjitha bimët me përjashtim të algave, kërpudhave e baktereve. Bota organike (joorganike). Bota njerëzore. Bota e kafshëve (biol.) botë shtazore Bota e pyllit. Bota e ngjyrave (e tingujve). Bota e yjeve. Në botën e përrallave.
7. Fushë e veçantë e veprimtarisë së njerëzve, sfera e punës së njeriut; rreth njerëzish që merren me një veprimtari të njëllojtë a që kanë interesa të përbashkët, që i përkasin një mjedisi etj. Bota shkencore (letrare, artistike). Bota financiare. Bota e fëmijëve. Bota e shkrimtarëve (e artistëve). Në botën e shkencës dhe të teknikës. Bota e krimit.
8. Tërësia e dukurive të jetës shpirtërore e psikike të njeriut (perceptimet, ndjenjat, mendimet etj.), tërësia e ndjenjave dhe e mendimeve të njeriut; një rreth shfaqjesh psikike, që lidhen me moshën, me veprimtarinë mendore etj., rrethi i interesave të njeriut. Bota shpirtërore e njeriut. Bota vetjake (e brendshme). Botë e vogël (e mbyllur, subjektive).
9. Jeta në Tokë, jeta e vërtetë objektive; jeta në tokë dhe jeta e përtejme në kundërvënie njëra me tjetrën, sipas perceptimeve fetare e pikëpamjeve idealiste. Kjo botë. Bota jonë. Bota tjetër (e përtejme, e përtejvarrit).
✱Sin.: tokë, dhe, glob, dynja, alem, shekull, popullsi, dynjallëk.
♦ Që kur është bërë bota prej kohësh a në kohë shumë të lashta; që nga fillimi i jetës. U bë *gazi i botës (dikush). U bë *goja e botës (dikush). U bë *përralla e botës (dikush). Bëhet *plak në shtëpinë e botës (dikush) keq. Bëhet *saç për lakrorin e botës përçm. Bën *zemrën e botës (dikush). *Biri i botës (i biri i botës). (Edhe sikur) bota (dynjaja, qielli) të përmbyset! çfarëdo që të ndodhë, edhe e keqja më e madhe po të ndodhë; në asnjë mënyrë, kurrsesi; themeli çati (le) të bëhet!; të bëhet ç’të bëhet!; njëra të bëhet!; (sikur) qeni qepën të hajë! *Burri i botës përçm. E çoi në botën tjetër (dikë) përçm. e vrau; e vdiq. E çoi prapa botës (dikë) e degdisi shumë larg, në një vend të humbur a të shkretë; e dërgoi (e çoi) prapa diellit. Doli në botë (dikush) lindi, erdhi në jetë; pa diellin (me sy); kund. shkoi (vajti) në atë botë. Dëgjohet nëpër botë (dikush) keq. flasin e përflasin për dikë, thonë; e marrin (e mbajnë) nëpër gojë (dikë). M’u errësua bota. 1. Më zuri turpi; s’dija ku të futesha nga turpi; m’u errën (m’u errësuan) sytë. 2. Rashë në një gjendje shumë të keqe a të vështirë, nuk shoh ditë të lumtura; m’u nxi jeta; m’u errësua vendi. Sa për *faqe të botës. *Fundi i botës. Në *fund të botës (të dynjasë). Ha *bukën e vet e bën davanë e botës (dikush). Ha nga *xhepi i botës (dikush) keq. Hedh *kripë në gjellë të botës (dikush). Hyn në *pus me litarin e botës (dikush). Iki nga kjo botë shih iki nga kjo jetë; kund. vij në këtë botë. Është në atë botë (dynja) (dikush) shih s’është në këtë botë (dynja) (dikush) përçm. S’është në këtë botë (dynja) (dikush) përçm. s’merr vesh çfarë po bëhet, s’kupton ç’po ndodh rreth e rrotull tij; është jashtë botës; është prapa botës; s’di si (nga) lidhet gomari. Është jashtë botës (dikush) përçm. s’merr vesh nga bota; sillet ndryshe nga të gjithë e jo ashtu si duhet; s’është në këtë botë; është prapa botës; s’është në këtë dynja; s’di si (nga) lidhet gomari. Është prapa botës (prapa dynjasë) (dikush) përçm. 1. Është i paditur, ka mbetur prapa, nuk është zhvilluar me kohën; është i prapambetur e fanatik. 2. Nuk di se ç’bëhet, nuk merr vesh të rejat; s’është në këtë botë; është jashtë botës. Sikur ka botën (tërë botën) nën këmbë (dikush) përb. është bërë mendjemadh, është fodull, mburret e krekoset; i duket vetja i gjithëpushtetshëm, kujton se mund të bëjë ç’të dojë me të tjerët; shet mend (dikush); sikur ka zënë qiellin me dorë; i ka hipur mendja në qafë (në qiell); e mban hundën në qiell iron.; i është rritur hunda. Në të katër *anët e botës (e dheut). Këqyr *kafshatën e botës (dikush). *Kërthiza e botës. S’më lënë *zilet e mia të dëgjoj këmborët e botës. Mori botën (dynjanë) (diçka) u përhap kudo, u përhap anembanë, u shtri gjerësisht; mori dheun. Mori botën (dheun) ndër (në) sy (dikush) iku shumë larg vendit të banimit të zakonshëm, iku në anë të anës; shkoi larg në mërgim, mërgoi; shkoi në shumë vende, ku nuk shkoi!; mori detin në sy2; mori sytë (e iku); (iku) nga (ku) sytë këmbët. *Miell nga thesi i botës (i huaj) iron. I nxjerr *gështenjat nga zjarri me duart e botës (dikush). Përmbys botën (për dikë a për diçka) bëj gjithçka, edhe të pamundurën, pa e kursyer veten. Pret *thika në mish të botës (për dikë). Nuk u prish (nuk u shemb) bota (dynjaja) mospërf. s’ka ndodhur ndonjë e keqe e madhe; nuk ra sheqeri në ujë; s’u bë kiameti. *Pula e botës i duket më e majme (patë) (dikujt). Në *sy të botës. Sa për *sy të botës. Nuk u shemb (nuk u prish) *bota (dynjaja) mospërf. Shkoi (vajti) në atë botë (në atë dynja) (dikush) vdiq; ndërroi jetë; doli (iku, u nda) nga jeta; kund. doli në botë. Shkon me *mendtë e botës (dikush). Ka parë botë (dynja) (me sy) (dikush) ka shëtitur në shumë vende, është njeri i dalë; ka përfituar dhe është kulturuar, është zhvilluar, është bërë i ditur; ka parë jetë. Sa për “shihni botë!” sa për t’u dukur përpara të tjerëve; sa për sytë e botës; sa për faqe të botës; sa për sy e faqe (për sy e për faqe). Të pafsha në (nëpër) *dyert e botës (dyerve të botës)! mallk. Shtie me *pushkën e botës (dikush). Vajti në atë botë dhe u kthye (dikush) vdiq e u ngjall; vuajti shumë; s’tregohet (s’rrëfehet) me gojë (diçka). Vij në këtë botë shih vij në jetë; kund. iki nga kjo botë.
DISKÚRS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Shprehje formale, e rregullt dhe zakonisht e zgjatur e mendimit mbi një temë të caktuar. Diskurs mbi ndikimin e mediave. Diskurs solemn mbi paqen dhe unitetin kombëtar. Diskursi i opinionistëve. Diskursi i kryeministrit. Diskurs i hollësishëm filozofik.
2. gjuh. Të folurit ose të shkruarit e lidhur; përdorimi i gjuhës në kontekst shoqëror, kulturor dhe ideologjik; mënyra se si njerëzit ndërtojnë kuptim nëpërmjet gjuhës në situata reale. Diskurs i strukturuar qartë. Diskurs narrativ. Diskurs informativ. Diskurs i shkurtër. Diskurs dialogjik. Diskurs përshkrues. Diskurs i mirëstrukturuar. Diskurs akademik. Diskurs tematik. Universi i diskursit.
GJÝSMËMITOLOGJÍK,~E mb. Që nuk është plotësisht mitologjike; me tipare mitologjike dhe reale. Nga figurat mitologjike te kreshnikët gjysmëmitologjikë dhe rivalët e tyre.
JOREÁL,~E mb. 1. Që s’është i vërtetë, që s’është në botën e vërtetë të sendeve e të dukurive, që është vetëm në përfytyrimin e njeriut ose që është nxjerrë nga koka e njeriut, që nuk ka ndodhur me të vërtetë; kund. real. Tregim joreal. Histori (ngjarje, rrëfenjë) joreale.
2. Që nuk mund të vihet në jetë, që nuk mund të përmbushet a të plotësohet, sepse nuk është bërë mbi baza të drejta e reale, nuk është bërë duke vlerësuar drejt forcat, mundësitë e rrethanat; që s’është real; i pazbatueshëm; kund. real. Planifikim joreal. Kërkesa (propozime) joreale.
KALLÁJ,~I m. 1. kim. Metal i butë në ngjyrë të argjendtë dhe i paoksidueshëm, që shkrin lehtë dhe përdoret për të kallajisur enët (simboli Sn). Ngjit (lyej) me kallaj. Oksid kallaji.
2. fig., mospërf. Shkëlqim i jashtëm, lustër për t’u dukur ose për të fshehur realitetin a një të vërtetë; mashtrim. I dha një kallaj i dha një pamje «reale» sa për t’u dukur ose për të fshehur diçka. Ia nxori kallajin në shesh bëri që t’i dalë pamja e vërtetë dikujt; ia nxori kallajisjen ose lustrën.
✱Sin.: lustër, mashtrim.
♦ I doli kallaji keq. (dikujt a diçkaje). 1. I iku vlera dikujt, i doli fytyra e vërtetë; humbi emrin e mirë ose nderimin e të tjerëve; i doli bakri; i doli boja; u bë bajat. 2. Humbi vlerën diçka, u vjetrua nga përdorimi i dendur; u zbulua diçka, iu hoq ajo që e fshinte, e kanë marrë vesh të gjithë, nuk është më e fshehtë; i doli bakri; i doli boja; u bë bajat. Kaloi me kallaj mbi gunë (dikush a diçka) kaloi kot, pa bërë a pa ndodhur asgjë; nuk pati një qëllim që të ndiqej deri në fund; u bë diçka jo si duhej, me mënyra e me mjete që nuk shkonin ose në mënyrë të sipërfaqshme e për ta mbuluar. Ia nxori kallajin (dikujt) keq. ia zbuloi fytyrën e vërtetë, bëri që të dalë ashtu siç është, ia hoqi atë që e fshihte se si është në të vërtetë; ia nxori bojën. S’i zë kallaji në misur (në ibrik) (dikujt) shih nuk i shkon kali (gomari) në urë (dikujt).
KATEGORÍK,~E mb. 1. filoz. Që lidhet me kategorinë si koncept filozofik, që shpreh diçka nga bota reale, në mënyrë të qartë e të saktë; kategorial. Koncept kategorik (edhe logj.).
2. edhe fig. Që ka të bëjë me një çështje të prerë dhe të qartë, që nuk mund të diskutohet ose të kundërshtohet; i pakundërshtueshëm. Urdhër (qëndrim, vendim) kategorik.
3. mospërf. Që shpreh vendosmëri, këmbëngulje, palëkundshmëri, por ndonjëherë edhe autoritarizëm, protagonizëm, mungesë respekti e mospërfillje ndaj të tjerëve etj.; që ka karakter urdhërues a diktatorial. Sjellje kategorike. Urdhër (qëndrim, ton, mendim) kategorik. Në mënyrë kategorike.
✱Sin.: kategorial, i prerë, i pakundërshtueshëm, autoritar.
►KONKRETIZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. vetv. Bëhet konkret dhe real; materializohet duke u shoqëruar a duke u demonstruar me mjete konkrete, me fakte reale e të qarta, të cilat kapen nga shqisat. Mësimi u konkretizua mirë.
2. pës. e KONKRETIZÓHET.
✱Sin.: materializohet, demonstrohet.
KONKRETIZÚAR (i, e) mb. Që është konkretizuar, që shoqërohet a demonstrohet me fakte reale, me prova konkrete etj. Mësim (shpjegim) i konkretizuar.
✱Sin.: i materializuar, i demonstruar.
KONTRÓLL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shqyrtimi edhe një herë me kujdes i një pune ose i gjendjes reale, që bëhet me qëllim verifikimi, saktësimi etj.; rishikim i vëmendshëm i punës që është kryer, i dokumenteve përkatëse, i të ardhurave dhe fitimit etj., që bëhet për të nxjerrë në pah të vërtetën. Kontroll i cilësisë (i detyrave). Kontroll financiar (i financës, i llogarisë). Kontroll shtetëror (policor, kufitar). Kontrolli i dijeve të nxënësve pyetja që mësuesi u bën nxënësve për të provuar dijet e tyre të mësuara në klasë. Bëj (ushtroj) kontroll kontrolloj.
2. Organ shtetëror që bën këtë shqyrtim. Kontrolli i Lartë i Shtetit.
3. Mënyra se si bëhet ky shqyrtim. Kontroll i befasishëm (mujor, tremujor, vjetor).
4. mjek. Vizitë tek mjeku për të ndjekur procesin e një sëmundjeje. Kontroll klinik (në klinikën e spitalit).
5. Mbikëqyrje; kontrollim. E kam punën nën kontroll.
6. përmb., bised. Tërësia e kontrolluesve të ngarkuar që bëjnë këtë shqyrtim. Erdhi kontrolli.
✱Sin.: kontrollim, shqyrtim, mbikëqyrje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë