Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKSIDÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Ndodhi, fatkeqësi ose rastësi e papritur dhe e padëshiruar, në të shumtën e herës me pasoja e dëme negative ose me e dëmtime fizike, materiale, mjedisore, njerëzore deri edhe vdekje, incident. Aksident i rëndë (i lehtë). Aksident rrugor (ajror, detar, nuklear etj.). Aksidente sportive. Aksident tragjik. Aksident automobilistik. Aksident zjarri. Aksidentet në punë (në shtëpi). Aksident teknik. Pësoi një aksident. Ndodhi një aksident. U dëmtua në aksident. Shpëtoi nga aksidenti. Aksidentet gjenetike (biol.).
2. libr. Ngjarje e rastit, e papritur dhe e padëshiruar, ndodhi e paparashikueshme, e paqëllimshme, rastësi. Takimi me të ishte aksident.
AKSIDENTÁL,~E mb. 1. Që është shkaktuar ose që shkaktohet nga një aksident. Humbje (vdekje, plagosje) aksidentale. Ngjarje aksidentale. Zjarr aksidental. Rënie aksidentale. Lëndim aksidental. Vrasje aksidentale. Sigurim aksidental lloj sigurimi që ofron mbulim financiar për dëmtimet fizike, për paaftësinë ose për vdekjen si rrjedhojë i një aksidenti. Sigurimi personal aksidental. Sigurimi aksidental në grup.
2. libr. Rastësor, i rastit dhe i papritur, i paqëllimshëm; i paparashikuar. Shkak aksidental. Ndodhi aksidentale. Shtatzëni aksidentale. Ngjyra e një sendi është një cilësi aksidentale (filoz.).
✱Sin.: rastësor, i rastësishëm, i paqëllimshëm, i paparashikuar, i paplanifikuar.
AVENTÚR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Ndodhi e rastit në jetën e dikujt, me të papritura e me rreziqe. I hyj një aventure. Aventura në malet e panjohura. Bën aventura. Libër (film) me aventura.
2. Ngjarje e jashtëzakonshme, situatë dhe përvojë emocionuese ose sfiduese, përvojë e pazakontë, shpesh emocionuese ose e papritur, me zhvillime të pasigurta. Një aventurë e paharrueshme. Roman aventurash. Jetë me aventura.
3. keq. Veprim i rrezikshëm dhe i pamenduar, që niset pa peshuar rrethanat, mundësitë e forcat, që fillohet pa parashikuar përfundimin dhe pa llogaritur pasojat. Aventurë e rrezikshme. Aventurë politike (ushtarake). I futet një aventure. Hidhet në aventura. Aventurë e pamend. Shpëtoi nga aventura e fundit.
4. Lidhje e përkohshme dashurie ose erotike, zakonisht jashtë një marrëdhënieje të qëndrueshme. Aventurë dashurie.
BARRIKÁD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pengesë prej sendesh të ndryshme e të rastit (si gurë, drurë, orendi etj.) që ngrihet nëpër rrugët e sheshet e qyteteve për të luftuar dhe për të penguar lëvizjen e kundërshtarit. Lufta e barrikadave. Ngritën një barrikadë. Vunë barrikada. Sulmoi (çau, kapërceu) barrikadën. U hodh mbi barrikadë.
2. fig. Vend luftërash e përleshjesh; vija e parë e betejave. Barrikadë e luftës.
3. fig. Pengesë, gardh për të ndaluar a për të kundërshtuar kalimin ose futjen e diçkaje; ledh, gardh, barrierë. I vë (i ngre) barrikadë. Kapërcen çdo barrikadë. Thyejmë (shkallmojmë) barrikadën.
4. sport. Pengesa që ngrenë lojtarët me trup a me duar për të mos e lënë topin e kundërshtarit të kalojë në fushën ose në portën e tyre. Topi u përplas në barrikadë.
✱Sin.: pengesë, gardh, ledh, barrierë.
♦ Në *anën tjetër të barrikadës libr. I bëhem barrikadë (diçkaje) libr. e pengoj diçka që nuk duhet të ndodhë a një veprim që nuk duhet bërë; i bëhem prag; i bëhem gardh; i bëhem ledh; i bëhem barrierë.
BASHKUDHËTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që bën një rrugë së bashku me një tjetër a me të tjerë, shok udhe. Një bashkudhëtar i panjohur.
2. fig. Ai që përkohësisht ose rastësisht bashkohet me një lëvizje shoqërore a politike, pa pasur lidhje të brendshme e të thella me të. Bashkudhëtar i përkohshëm (i rastit). Bashkudhëtarë të progresit.
3. fig. Dukuri që shoqëron një ngjarje, një lëvizje etj., diçka që zhvillohet ose që ecën krahas me diçka tjetër. Bashkudhëtar i përhershëm (i pashmangshëm).
DIÇKÁ pacak. 1. Përemër që tregon një send a një dukuri çfarëdo e të papërcaktuar. Diçka lëviz. Vërej (shoh, dëgjoj, them, mendoj, kujtoj) diçka. Merrem me diçka. Iu lut (e pyeti) për diçka. Hasi në diçka të fortë. Diçka i ka ndodhur. Solli diçka të re. Është diçka e rrallë. Kishte diçka të veçantë. Ishte diçka e rastit.
2. Një sasi të vogël e të pacaktuar; pak gjë. Ka edhe ai diçka, s'është pa gjë. I dha diçka për të ngrënë. Vlen diçka vetëm ai që dashuron diçka. (fj. u.).
DOLLÍ,~A f. sh. ~, ~TË etnogr. Ngritja e shëndetit për dikë në një dasmë, në një gosti, në një pritje etj., duke pirë për të dhe duke bërë urimet e rastit; gota me raki ose me verë që pihet me këtë rast; shëndet. Dolli për nder të dikujt. Dolli për shëndetin e miqve. Dolli për prindërit (për nusen, për dhëndrin). Dolli okë e kokë dolli që duhet pirë nga të gjithë. Ngre një dolli. - Të kam gjetur me dolli! të ftoj të pish një dolli. Ia shtruan me dolli. Ngrihet kupa me dolli,/ Një dolli me tre shëndete (folk.). Dollia vjen rrotull. (fj. u.). Dollibash mustaqemiu, / vetë dollinë s’e piu! (folk.).
♦ Është për t’i pirë dollinë (dikush) është shumë i mirë, e meriton dashurinë e nderimin e të gjithëve; është shumë i zoti; është për t’i hequr kapelen.
DOMOSDÓSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që duhet patjetër, që është shumë i nevojshëm, që nuk mund të bëhet dot pa të; që duhet bërë a që duhet plotësuar patjetër, që nuk mund të lihet mënjanë; i detyrueshëm; i pashmangshëm. Ushqim i domosdoshëm. Shpjegim i domosdoshëm. Kusht i domosdoshëm. Nevojë (kërkesë) e domosdoshme. Në mënyrë të domosdoshme. Është i domosdoshëm.
2. filoz. Që është i lidhur me shkaqe thelbësore e objektive dhe që buron nga vetë natyra e brendshme e sendit a e dukurisë, që ka karakter ligjësor, që nuk është i rastit; që në kushte të caktuara ndodh në mënyrë të pashmangshme, që bëhet kështu dhe kurrsesi ndryshe. Lidhje e domosdoshme. Dukuri e domosdoshme.
EPISÓD,~I m. sh. ~E, ~ET 1. let. Veprim i dorës së dytë e i përfunduar që ndërfutet në në veprimin kryesor të një poeme, të një romani etj. Episod dramatik (tragjik, komik). Episode të ndryshme. Ndër disa episode të tyre të përziera me kohë me episode të tjera të përrallave të mëvonshme.
2. libr. Ngjarje e veçantë ose ndodhi e shkurtër a e rastit. Episod i papritur (i jashtëzakonshëm). Episode nga jeta. Kjo humbje ishte veçse një episod. Ishte një episod i vetëm. Episod i veçuar.
3. let., hist. Secila prej pjesëve me dialog ose skenave në të cilat zhvillohej tragjedia antike greke pas hyrjes së korit. Zakonisht janë katër episode. Episodi i fundit quhej eksod.
FAT,~I m. sh. ~E, ~ET fet., filoz. 1. Fuqi e panjohur, që besohet se përcakton në mënyrë të pashmangshme ecurinë e jetës së njeriut ose rrjedhën e ngjarjeve. E la në mëshirë të fatit (dikë a diçka).
2. Gërshetim rrethanash a lidhje ngjarjesh të rastit në jetën e njeriut; rrjedhë ngjarjesh që mbarojnë me një fund të kënaqshëm; mbarësi (edhe në njësi frazeologjike). E solli fati. Është me fat. Për fat të mirë fatmirësisht. Për fat të keq fatkeqësisht. Fat i bardhë.
3. E ardhmja e dikujt a e diçkaje. Nuk dihet se si do të jetë fati i tij. Fati i njeriut. Kujdesem për fatin e fëmijëve.
4. Pjesa që i takon dikujt për të marrë. Iu bë fat i erdhi diçka e mirë.
5. Bashkëshort; bashkëshorte. E mori për fat u martua. Fati i parë është i mbarë (fj. u.).
✱Sin.: e shkruar, e thënë, orë, rrisk, rrësk, kësmet, nafakë, baft, yll, e ardhme, ogur, short.
♦ Më bëhet fat (diçka) më vjen diçka e mirë, zakonisht vetë e pa e pritur; arrij të kem diçka që më pëlqen; më ecën fati (për diçka); më bëhet kësmet vjet. Më ka buzëqeshur fati më ka ecur mbarë në jetë; kam parë ditë të mira; më erdhi papritur një e mirë e madhe. I doli fati (dikujt) e gjeti bashkëshortin, u fejua a u martua (zakonisht për vajzat); i doli kësmeti vjet.; i doli asi thjeshtligj.; kund. iu thye fati. Më ecën fati (për diçka) më shkon gjithnjë mbarë, kam fat gjithnjë, jam me fat; më bëhet fat (diçka). Për fat të keq fatkeqësisht, mjerisht; kund. për fat të mirë. Për fat të mirë fatmirësisht, lumturisht; kund. për fat të keq. Për *ironi të fatit iron. libr. E ka fatin me *barrë (dikush). E ka lënë në *dorë të fatit (dikë a diçka). E lë në *mëshirë të fatit (dikë a diçka). Rrota e fatit ngjarjet e paparashikuara në jetën e njeriut. Çast që vendos fatin, çast i pashmangshëm, i paracaktuar. Iu thye fati (dikujt) u nda nga burri; nuk u lidh dot me një burrë, nuk u martua dot me të; iu prish fejesa (zakonisht për vajzat); kund. i doli fati.
FJÁL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. gjuh. Njësia më e vogël e mëvetësishme e gjuhës, që ka kuptim dhe shprehet fonetikisht dhe grafikisht, e formësuar nga ana gramatikore, e cila shënon sende dhe dukuri konkrete (abstrakte) dhe përdoret e veçohet në rrjedhën ligjërimore. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetruar). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. Ndaj fjalën në rrokje.
2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra. Fjalë mashtruese (joshëse). Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Fjala është më e rëndë se plumbi (fj.u.). Zihej (grindej, hahej) me fjalë.
3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjoi (ktheu) fjalën. E çoi në vend fjalën e mësuesit.
4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Ka dhënë fjalën. Fjala e burrit, pesha e gurit (fj. u.). Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë.
5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë burrash. Lidhën fjalën. E lë me fjalë me dikë.
6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet. Lërini fjalët! E la fjalën përgjysmë. Meqë ra (erdhi) fjala duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast.
7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri te tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. Fjala ka këmbë (fj. u.). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë (fj. u.).
8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.
✱Sin.: llaf, thënie, pohim, bisedë, kuvend, muhabet, udhëzim, urdhër, vendim, premtim, zotim, marrëveshje, besë, thashetheme, njoftim, lajm, të folur, gjuhë, ligjërim, fjalim, porosi, mesele.
♦ Fjalë petake fjalë që zënë vend. Fjalë rrumbullake fjalë që nuk zënë vend. Fjalët i merr era (fj. u.) fjalët s’kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra. I bën *dredhë fjalës (dikush). Nuk bën dy fjalë bashkë (dikush) është njeri i urtë dhe i dëgjuar, është i pafjalë, s’i ndihet zëri; kund. ka ngrënë plëndës pule (dikush) shak. Bëhet fjalë (për dikë a për diçka) flitet, thuhet diçka; shtjellohet diçka, trajtohet; përmendet dikush a diçka; zihet në gojë (dikush a diçka). Bëj fjalë (për dikë a për diçka). 1. Flas për dikë a për diçka, e përmend; them a trajtoj diçka; e zë në (me) gojë (dikë a diçka). 2. (me dikë). Grindem me fjalë; zihem me dikë për diçka që s’është si duhet; trazoj fjalët; i përpjek fjalët; bëri llafe. I bëj (i çoj) fjalë (dikujt) e njoftoj, i dërgoj një lajm, e lajmëroj për diçka; e thërres; i bëj zë. E bëri me fjalë (dikë) e përfoli dhe e turpëroi, i nxori thashetheme; bëri që të tjerët ta marrin nëpër gojë. E bëj me fjalë (me dikë) merrem vesh për diçka; e lë të bëjmë diçka bashkë; e lë me fjalë; i puq fjalët. S’bën fjalë (dikush) nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç’t’i japësh etj.; është shumë i urtë. S’e bëj për fjalë (diçka) nuk ia tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë; s’e bëj për zë. Ta bën fjalën *bosh (dikush). Nuk ia bëj fjalën *dy (dysh) (dikujt). I bën fjalës *themel (dikush). Iu bë *lak (fjala) (dikujt). Nuk i bën *lak (fjalës) (dikush). Bie fjala. 1. (për dikë a për diçka). Flitet, vjen biseda. 2. Ta zëmë, për shembull (shkurt. b.f.); fjala vjen. Bie në një fjalë (me dikë) shih e gjej fjalën (me dikë). S’i bie fjala në *tokë (dikujt). Del nga fjala (del fjale) (dikush) nuk e mban premtimin a zotimin, s’i përmbahet fjalës, gënjen, e dredh; e dredh (e përdredh) fjalën; e ha fjalën; luan nga fjala (luan fjale); kund. e mban fjalën. I kanë dalë fjalë (dikujt) është përfolur, është marrë nëpër gojë, flitet keq për të. Di të gdhendë fjalë është i zoti të gjejë fjalët e bukura; di të parashtrojë fjalët e duhura. Nuk di fjalë (dikush) i bie shkurt e copë; vepron shpejt, nuk e zgjat; është praktik. E dredh (e përdredh) fjalën (dikush). 1. E kthen dhe e stërkthen fjalën, e zgjat shumë muhabetin rreth një gjëje, duke thënë edhe hollësira të panevojshme. 2. Nuk e mban fjalën a premtimin; e ndërron mendimin, flet ndryshe nga ajo që ka thënë më parë; e ha fjalën; del nga fjala (del fjale); kund. e mban fjalën. S’do fjalë pa dyshim, s’ka dyshim, doemos; natyrisht, s’ka pse të diskutohet më tej, mos e zgjat; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendjes (mendsh). Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur; me fjalë të tjera; fundi i fjalës. Fjalë në erë (hava) fjalë të thëna pa u menduar, fjalë boshe; premtime të kota; gjepura. Fjalë ari (e artë) thënie e mençur, e vyer, që peshon. Fjalë burri fjalë me mend; premtim që mbahet; besë. Fjalë të ëmbla e punë të tharta shih fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fjalë për fjalë. 1. Pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, besnikërisht; plotësisht e me hollësi; duke përmendur a duke përkthyer çdo fjalë veças; një për (më) një. 2. Në kuptim të drejtpërdrejtë; ashtu si e ka thënë a e ka shkruar dikush, pa hequr asnjë fjalë, pikërisht ashtu. Fjalë fluturake thënie a shprehje, zakonisht e figurshme, që përmban një gjykim ose një mendim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht. Fjala e fundit. 1. Arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës. 2. Mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit. Një fjalë goje... duket shumë e lehtë diçka, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.); një llaf goje... Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë) premtim a zotim për të bërë diçka, por që nuk shoqërohet me punë e me vepra ose që nuk zbatohet, mashtrim me fjalë të bukura për ta përcjellë dikë; fjalë të ëmbla e punë të tharta. Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë; me bindje e pa e zgjatur. Me fjalë të tjera ndryshe; më shkurt e më qartë, domethënë; me një fjalë. Fjalë e urtë folk. proverb; shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a një vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali e plotë. Fjala vjen për shembull, ta zëmë se është kështu, zëre se..; bie fjala. *Fundi i fjalës. E gjej fjalën (me dikë) merrem vesh me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët a pajtohem në mendim me të; kuptohemi; bie në ujdi; bie në va; i ndreq hesapet; i puq fjalët. Sa për t’u gjendur në fjalë sa për të thënë diçka duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen, sa për të marrë pjesë në bisedë. Me një *gjysmë fjale. Gjuhemi me fjalë ngacmojmë (thumbojmë) njëri-tjetrin. E ha fjalën (dikush) e mohon atë që ka thënë, e dredh; nuk e mban premtimin, gënjen; nuk është i besës; ia kthen fjalën (dikujt); kund. e mban fjalën. E hodhi fjalën (për dikë a për diçka) e zuri në gojë dikë a diçka; dha të kuptohet në bisedë se e kishte për dikë a për diçka tjetër, e kishte për të, aludoi; ndërroi bisedë. E hedh fjalën në *pus (dikush). I humbi fjala (dikujt) u habit shumë, u hutua fare sa s’mund të fliste; iu pre goja; iu mpi gjuha. I hyj në fjalë (dikujt) e kuptoj ç’thotë, e rrok çfarë thotë; e marr vesh (dikë). Ç’është ajo fjalë! as mos e thuaj!, si mund të flasësh a të mendosh ashtu!, nuk është ashtu!, s’është e nevojshme ta thuash! (si përgjigje për një kundërshtim të dikujt ose kur ai shprehet se ndihet ngushtë etj.). I jap fjalën (dikujt). 1. E lejoj a e ftoj të flasë (në një mbledhje etj.). 2. I premtoj, e siguroj dikë për diçka. S’ka fjalë e kuvend (për diçka) është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur. I ka fjalët *të prera (dikush). E ka fjalën *pushkë (dikush). I ka fjalët *të shkurtra (dikush). E kapërcen fjalën (dikush) lë me qëllim pa përmendur diçka, i shmanget bisedës; nuk i vjen mirë të flitet për atë gjë. Këmbej (shkëmbej) fjalë (me dikë) zihem me fjalë me dikë, grindem me të; më shan dhe e shaj. Kërkon fjalë dëshiron të grindet, kërkon sherr. Ia kthen fjalën (dikujt). 1. Nuk i bindet dikujt, e kundërshton, nuk bën si thotë ai; i përgjigjet ashpër. 2. shih e ha fjalën (dikush). S’ia kthen fjalën *mbrapsht (dikujt). S’e kthen fjalën *mbrapsht (dikush). E lë me fjalë (me dikë) merrem vesh me të për t’u takuar diku a për të bërë diçka; e vendos me dikë; e bëj me fjalë. Lidh fjalën (me dikë) merrem vesh përfundimisht me dikë për të bërë diçka së bashku; e vendos përfundimisht të bashkëpunoj me të; merrem vesh. Nuk lidh (dot) dy fjalë (bashkë) (dikush) nuk di të flasë rrjedhshëm, i shpreh mendimet me vështirësi; nuk është i zoti i gojës. *Lojë fjalësh. Luan me fjalë (dikush). 1. Flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon duke thënë jo atë që duhet; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë. 2. Përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët. Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga *goja (dikush). E mban fjalën (dikush) e plotëson premtimin, çfarë thotë e bën; është i besës; kund. e ha fjalën; e dredh fjalën; luan nga fjala (luan fjale). Mbeta pa fjalë u çudita shumë, u habita jashtë mase nga diçka e papritur a e pabesueshme; dola nga këmisha; dola nga rrobat e trupit; dola linjës. E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo; e morën vesh të gjithë. E ndal diellin me fjalë (dikush) është llafazan i madh, të mbyt me llafe, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; mbush pusin me pështymë. Që ta ngas fjalën (llafin)... meqë ra fjala; që të vijoj më tej bisedën aty ku e lamë; kam parasysh që... Më ngjit fjala (me dikë) më shkon muhabeti me dikë, pajtohem në muhabet me të; e dua si shok, është i ëmbël në muhabet dhe më pëlqen të flas me të. T’i përpin fjalët (dikush) të dëgjon me shumë vëmendje; s’i shpëton asgjë nga ato që i thua; është tërë sy e veshë (dikush); s’i shpëton qimja. I përpjek fjalët (me dikë) zihem keqas me fjalë me dikë, grindem e shahem me dikë, i them e më thotë fjalë të ashpra. Prenë fjalën etnogr. caktuan ditën kur do të bëhet martesa; bënë marrëveshje e vendosën afatin për diçka. I puq fjalët (me dikë) pajtohem në mendim, merrem vesh; i rregulloj punët me të; bie në një mendje; e gjej fjalën; e bëj me fjalë. E qep fjalën them fjalë me vend, që nuk m’i rrëzon dot kush. Ta rrëmben fjalën nga goja (dikush) të kupton a ta kap mendimin menjëherë; është shumë i zgjuar; të ndërpret në të folur, nuk të lë të flasësh më tej; ndërhyn në një bisedë dhe e vijon vetë më tej. I shkon (i ecën, i dëgjohet, i zë vend) fjala (dikujt) ia pranojnë mendimin, ia çojnë në vend porositë a ia plotësojnë kërkesat; ka ndikim tek të tjerët, i binden e bëjnë si thotë ai. I shkoi fjala *bosh (dikujt). I tërheq fjalët zvarrë. 1. Flet ngadalë si i vogël. Flet me përtesë. 2. Zgjat dhe zvarrit mbarimin e një pune. I trash fjalët (me dikë) filloj të zihem me fjalë të ashpra me dikë; acarohem edhe më shumë me fjalë, nis të përdor kundër tij fjalë të rënda; i thartoj fjalët. Trazoj fjalët (me dikë) zihem me dikë, prishem me të e grindem me fjalë të ashpra. I thartoj fjalët (me dikë) zihem e keqësohem me dikë, prishem edhe më shumë me fjalë të hidhura kundër tij; i trash (i ashpërsoj) fjalët. (Nuk tha) asnjë *gjysmë fjale (dikush). Ia ushqen fjalën (dikujt). 1. Ia miraton ato që thotë; e nxit të flasë. 2. E lëvdon e i bën qejfin, e përkëdhel më shumë se ç’duhet; e përkrah, pavarësisht e ka mirë a keq. I vë *qokë fjalës. Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt).
FOTOGRAFÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Figura e dikujt a e diçkaje, e riprodhuar në letër me anë aparatesh të posaçme. Fotografi me ngjyra. Album fotografish. Dal në fotografi fotografohem.
2. Teknika e riprodhimit të figurave të njerëzve e të sendeve në letër etj. me anë aparatesh të veçanta optike nën veprimin e rrezeve të dritës etj.; arti i fotografimit; mjeshtëria e fotografit. Fotografi artistike.
3. fig. Riprodhim a përshkrim i përpiktë e i drejtpërdrejtë i një ngjarjeje, i një dukurie etj. pa dalluar atë që është e rastit nga ajo që është tipike dhe pa bërë ndonjë përgjithësim; fotografim i thjeshtë. Bëri një fotografi të ngjarjeve.
FOTOGRAFÍK,~E mb. 1. Që shërben për të fotografuar, që nxjerr fotografi; që përdoret për fotografi; që shërben për të larë filmat e për të nxjerrë fotografitë etj. Aparat fotografik. Studio fotografike.
2. Që ka të bëjë me teknikën dhe me mjeshtërinë e fotografimit; që është bërë me anë të fotografimit. Riprodhim fotografik. I ishte futur artit fotografik.
3. Që përmban fotografi, me fotografi. Album fotografik. Ekspozitë fotografike.
4. fig. Që e riprodhon a e përshkruan diçka drejtpërdrejt e në mënyrë të përpiktë, ashtu siç është, pa dalluar atë që është e rastit nga ajo që është tipike dhe pa bërë ndonjë përgjithësim. Përshkrim fotografik.
FOTOGRAFÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur fotografojmë a kur fotografohemi; nxjerrja a dalja në fotografi. Fotografimi i qytetit. Fotografim në det.
2. fig. Riprodhimi a përshkrimi i diçkaje drejtpërdrejt e me përpikëri, ashtu siç është, pa dalluar atë që është e rastit nga ajo që është tipike dhe pa bërë ndonjë përgjithësim. Fotografimi i fakteve (i rrethanave).
3. Vëzhgimi në mënyrë të përpiktë i veprimeve të dikujt, matje si me kronometër i një procesi pune etj. Fotografimi i orëve të trajnimit.
4. Fotografi. Arti i fotografimit.
FOTOGRAF/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Nxjerr në fotografi. Fotografoj bregdetin. Fotografoj lumin (shokët).
2. fig. Riprodhoj a përshkruaj diçka drejtpërdrejt e me përpikëri, ashtu siç është, pa dalluar atë që është e rastit nga ajo që është tipike dhe pa bërë ndonjë përgjithësim. I fotografonte faktet dhe ngjarjet besnikërisht.
3. Vëzhgoj në mënyrë të përpiktë veprimet e dikujt; mat si me kronometër një proces pune etj. Fotografoj ditën e punës.
HARRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. edhe psikol. Gjendja kur harroj shpesh dhe nuk më kujtohet dikush a diçka; mungesë kujtese; humbje a dobësim i kujtesës. Harresë e plotë. Harresë e përhershme (e përkohshme).
2. fig. Gjendja kur diçka lihet pas dore ose kur asaj nuk i kushtohet vëmendja e duhur. E la në harresë.
3. Harrim; të harruarit. Harresë e rastit.
✱Sin.: harrim, të harruarit, moskujtesë, mospërmendje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë