Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MEREND/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë me radhë, vë sipas një rendi, rendit, rreshtoj. Merendoj librat. Merendoj shembujt (ngjarjet). I merendon kujdesshëm argumentet.
2. Ndaj në grupe sipas një rendi të caktuar, i vë në disa radhë. E merendojmë materialin në tri grupe.
✱Sin.: radhit, rendit, rreshtoj, radhoj, sërëndit, sëros.
RADHÍT (RADHÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Vë në radhë, vendos njërin pas tjetrit ose njërin përbri tjetrit sipas një rregulli; rreshtoj, rendit. Radhit librat (karriget, arkat). Radhit ushtarët (nxënësit). Radhit emrat (fjalët) sipas rendit alfabetik. E radhiti në vendin e katërt.
2. Zë në gojë, përmend një pas një disa gjëra ose disa njerëz. Radhitni numrat sipas madhësisë. Radhiti arsyet e kandidimit. I radhiti të gjithë pa harruar asnjë.
3. Rendit me dorë, me linotip etj. shkronjat dhe fjalët për të riprodhuar një tekst që do të shtypet. Radhit një artikull. Radhit një faqe.
4. Shtyp me gishta butonat e tastierës së një kompjuteri për të regjistruar të dhëna ose për të riprodhuar një tekst; digjitalizoj. Radhit në kompjuter.
5. fig. Vë diçka a dikë në një radhë me diçka a me dikë tjetër, e quaj të një shkalle a të një vlere me një tjetër; barazoj. E radhiti me veten. E radhiti krahas më të mirëve. I radhitën me vendet problematike.
✱Sin.: radhoj, rendit (rendis), rreshtoj, merendoj, krahishtoj, rendoj, vë.
RENDÍT (RENDÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Vë sipas një rendi, vë në radhë, radhit, rreshtoj. Rendit librat (tryezat, gurët, sendet). Rendit njerëzit (ushtarët, nxënësit). Rendit fjalët (mendimet). Rendit bashkë.
2. Zë në gojë, përmend një pas një, radhit. Rendit disa shembuj (ngjarje). Rendit shkaqet (arsyet).
3. fig. Vë diçka a dikë në një radhë me diçka a dikë tjetër, e quaj të barabartë, të afërt a të ngjashëm me një send a me dikë tjetër, radhit, krahasoj. E rendit midis më të përparuarve.
✱Sin.: radhit, rreshtoj, rendoj, radhoj, merendoj.
RRESHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë në rresht, vendos njërin pas tjetrit ose njërin përbri tjetrit zakonisht në vijë të drejtë; radhit, rendit. Rreshtoi nxënësit. Rreshtoi skuadrat. Rreshtoj librat.
2. fig. Përmend një pas një disa gjëra, shifra, njerëz etj.; radhit. Rreshtoj ngjarjet. Ia rreshtoi të gjitha një për një ia tha të gjitha, ia numëroi të gjitha, s'i la gjë pa thënë.
✱Sin.: drejtrreshtoj, radhoj, vargëzoj, përmend.
♦ S'di t'i rreshtojë fjalët nuk di të flasë bukur, nuk i lidh rrjedhshëm fjalët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë