Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ACARÚAR (i, e) mb. 1. Që është ftohur, që ka acar. Moti i acaruar. Janar i acaruar.
2. Që është prishur, që është keqësuar, që është i nderë. Marrëdhënie të acaruara. Gjendje e acaruar. Me nerva të acaruara.
3. Që është bërë me nerva, i ashpër e i vrazhdë, që është i zemëruar. Zë (ton) i acaruar. Grindje e acaruar. Çdo herë është i acaruar.
4. Që është pezmatuar, që është malcuar (për plagët); që është keqësuar e rënduar më shumë (për sëmundjet). Pankreas i acaruar. Me bajame të acaruara. Lëkurë e acaruar.
✱Sin.: i egërsuar, i tendosur, i nderë, i nevrikosur, i nervozuar, i tendosur, tendosës, i pezmatuar, pezmatues, malcues, i malcuar, rëndues, i përkeqësuar.
♦ Me *nerva të acaruara (të ngritura).
AGRÉPSUR (i, e) mb. Që është lënduar, acaruar a rënduar (plaga) nga kruajtja a nga gërvishtja; i gërvishtur. Plagë e agrepsur. Puçërr e agrepsur.
✱Sin.: i përkeqësuar, i kruar, i gërvishtur, i grithur, gërricur.
BARDHEMÍ,~A f., mjek. Sëmundje gjenetike e trashëgueshme e shkaktuar nga mungesa ose ulja e melaninës në pjesë të ndryshme të trupit, që dallohet te lëkura e zbehtë, te flokët dhe qerpikët e bardhë ose shumë të çelur, në dobësimin e shikimit, në dëmtimin e lëkurës nga rrezet ultraviolet etj.; albinizëm. Bardhemi e rënduar. Shkaqet e bardhemisë. Raste të bardhemisë te fëmijët.
DRITËSHKURTËSÍ,~A f., libr. 1. mjek. Të qenët dritëshkurtër; miopi; kund. dritëgjatësi. Dritëshkurtësi e rënduar.
2. Të qenët i cekët në mendime e në gjykimin e gjërave; paaftësi për të parashikuar zhvillimin e ngjarjeve a pasojat e diçkaje; kund. largpamësi. E ka zanafillën te dritëshkurtësia e mendimit tuaj. Dritëshkurtësi politike.
FI/LL,~LLI m. sh. ~JE, ~JET 1. Pe i hollë pambuku, leshi, mëndafshi etj., që përdoret për të endur, për të qepur etj.; fije. Fill i dredhur. Fill pambuku (leshi, mëndafshi). Fabrika e fillit. Shkoj fillin në gjilpërë.
2. Tel; send shumë i hollë e i gjatë që i ngjet perit; qime. Fill elektriku. Fill telefoni. Fill floku.
3. fig. Ajo që lidh ose bashkon një send, një njeri a një grup njerëzish me një tjetër; lidhje. Fije të padukshme. Fijet e komplotit. Janë lidhur me shumë fije.
4. fig. Shkaku i diçkaje; burimi i lindjes, fillimi i zhvillimit të diçkaje. Filli i mbarë i punës.
✱Sin.: pe, fije, tel, qime, lidhje, fillim.
♦ Ashtu më vajti filli nuk pata fat, nuk më eci, më vajti ters, nuk më del asgjë mbarë; jam fatkeq; kam qimen e ujkut; kam qimen e derrit; kam lëkurën e ujkut; kund. më doli (më erdhi) lepuri në shteg. Bie në fill (me dikë) pajtohem në mendim a merrem vesh mirë me dikë, vij në një mendje me të; bie në ujdi; e gjej fjalën. I ra në fill (në *fije) (dikush). I doli filli (diçkaje) përfundoi, mbaroi, u krye. Fill për fill. 1. Pikërisht ashtu, pa asnjë dallim; pikë për pikë. 2. Vetëm për vetëm; fillikat. Fill e nga një fill pak e nga pak; shkallë-shkallë. Për fill e për fërkem me hollësi e me kujdesin më të madh, duke e vështruar nga të gjitha anët, pa lënë asgjë jashtë vëmendjes; fill e për pe; gjerë e gjatë; degë më degë. Fill e flakë shih flakë për (më) flakë. Fill i këputur njeri i mjerë; njeri i dështuar a i pafat; njeri që nuk u qëndron dot vështirësive, rreziqeve etj. Filli e ndau (dikë) ishte në rrezik të madh; shpëtoi për një qime (dikush); qimja e ndau. Fill e për pe një për një, hollësisht, me imtësi; deri në fund, pa lënë asgjë; për fill e për fërkem; gjerë e gjatë; degë më degë. Fill shkrepëseje njeri shumë i hollë nga trupi; shumë i dobët, kleçkë. Ia gjej fillin (diçkaje) zbuloj ku e ka diçka burimin, fillimin a shkakun; e gjej nga t’ia nis; ia gjej anën; e kap lëmshin nga peri. S’ia gjej (dot) fillin (diçkaje) shih s’ia gjej dot anën (diçkaje). Nuk i gjendet filli (diçkaje); u ngatërruan fijet, është shumë e ngatërruar, s’di nga ta kapësh; është bërë lëmsh (diçka); është bërë lesh e li (diçka); është bërë lesh arapi (diçka). Ia heq fillin (dikujt a diçkaje) nuk i kushtoj më asnjë vëmendje dikujt a diçkaje, nuk kujdesem e nuk bëhem më merak për të, nuk merrem më me të, nuk ia var; e shpërfill; e lë deng (pa markë) (dikë a diçka); e lëshoj dore (dikë). Ia hoqën fillin (dikujt) nuk ka asnjë shpresë shpëtimi, është gati për të vdekur. E humb fillin hutohem trullosem, s’di ç’të bëj, nuk orientohet dot; më humb filli (i lëmshit); e humb toruan; e humb busullën. Më humb filli hutohem fare, e humb rrjedhën e mendimeve, nuk arsyetoj dot më tej; e humb fillin; e humb toruan; e humbi pusullën. I iku filli (diçkaje) nisi të prishet a të shthuret e s’e ndal dot më; s’ke nga ta kapësh më; u shthur lëmshi. I dha fill (diçkaje) e zgjidhi a bëri që të ecë mirë; e vuri (e solli) në (për) fije (diçka); e vuri në udhë (të mbarë) (diçka); e vuri (e solli) në vijë (diçka). Ia kap (ia zë) fillin (diçkaje). 1. E gjej rrugën e drejtë e më të mirë si t’ia filloj një pune ose si ta zgjidh një çështje. 2. E kuptoj se ku nis diçka, ku është shkaku a qëllimi, për çfarë flitet etj. Kush në fill e kush në majë shih njëri i bie gozhdës (thumbit) e tjetri potkoit. Ia ka lëshuar fillin (dikujt) e ka lënë të lirë të veprojë si të dojë, nuk e mban më nën kujdes e në vëmendje, s’e përfill e s’e kontrollon më; ia ka hequr kapistrën. Merr fill (diçka). 1. Nis, fillon; zë fill. 2. Merr të krisur, nis të çahet. E mblodhi fillin (dikush) arriti të përqendrohet pas një shpërqendrimi, pas një hutimi, pas një paniku etj., erdhi në gjendje normale, tash e zotëron dhe e kontrollon veten; erdhi në vete; e mori veten. Ia preu fillin e jetës (*jetën) (dikujt). Pa u trashur filli pa u bërë më e madhe a më e ndërlikuar një çështje; pa u acaruar më shumë, pa u rënduar më keq gjendja. Vajti (shkoi) në fill (te vdekja) sa s’vdiq. Si do t’i vejë filli (dikujt a diçkaje) si do të ecë e si do të përfundojë, si do të shkojë më tej, si do të ecë puna; ç’rrugë do të marrë (dikush a diçka). Zë fill (diçka) nis, fillon; e ka burimin; merr fill.
HÍDHUR ndajf. 1. Në mënyrë të tillë që të shkakton hidhërim e të lëndon zemrën, duke e prekur e rënduar dikë në shpirt; shumë keq, rëndë, ashpër. Flet hidhur. E shau hidhur.
2. Me hidhërim, në mënyrë të brengosur e të pikëlluar, me zemër të lënduar. Qante hidhur. Buzëqeshi hidhur. I erdhi hidhur u prek në zemër e u hidhërua nga diçka që nuk i pëlqeu, i erdhi shumë keq.
3. Me inat dhe zemërim të madh. I rrinte hidhur dikujt.
4. Me të ftohtë të madh që të hyn në palcë, ashpër (për motin). Bëri hidhur dimri sivjet.
✱Sin.: rëndë, ashpër, zemërvrarë, zemërplasur, shpirtlënduar, ashpër, ftohtë.
♦ I erdhi hidhur (diçka) nuk i pëlqeu, u hidhërua nga diçka që nuk e donte, i erdhi shumë keq, u mërzit; u prek.
HËRR-HËRR onom. Përdoret për të imituar zhurmë e frymëmarrjes së rënduar nga mushkëritë të bllokuara.
LÉHTË (i, e) mb. 1. Që ka peshë të vogël, që rëndon pak; kund. i rëndë. Trup (gur) i lehtë. Barrë (ngarkesë) e lehtë. Arkë e lehtë. Thes i lehtë. Këpucë të lehta. Peshë e lehtë. sport. ndarje ku bëjnë pjesë sportistë që peshojnë nga 62 deri 68 kg (në mundje), nga 60 deri 67 kg (në ngritje peshash) dhe nga 57 deri 60 kg (në boks). Është më i lehtë se uji.
2. tek., usht. Që ka përmasa të vogla e fuqi jo shumë të madhe dhe që mund të lëvizë pa vështirësi; që është pajisur me armatim jo shumë të fuqishëm, që nuk ka armatim të rëndë. Traktor i lehtë. Artileri e lehtë. Top (mitraloz) i lehtë. Tank i lehtë. Bombardues i lehtë. Këmbësori (kalorësi) e lehtë.
3. Që bëhet ngadalë, pa rënduar shumë, pa shumë forcë e pa zhurmë, që bëhet me majat e gishtave; që bëhet sipër e sipër ose anës e anës diçkaje, që prek vetëm sipërfaqen e diçkaje; që kryhet në një shkallë të vogël, që nuk është i thellë a i theksuar; që mezi dallohet a mezi shihet, që mezi dëgjohet a mezi ndihet, që mezi kuptohet; kund. i rëndë; i thellë. Hap i lehtë. Ecje e lehtë. Prekje e lehtë. Ndrysje (shtypje) e lehtë. Valle e lehtë lloj valleje popullore që nuk bëhet me lëvizje të forta. Krasitje (tëharrje) e lehtë. Përpunimi i lehtë i diçkaje. Gërvishtje (plagë) e lehtë. Gjurmë (shenjë) e lehtë. Vijë e lehtë. Dritë (ngjyrë) e lehtë. Skuqje e lehtë. Parfum i lehtë parfum i këndshëm për nuhatje, që ndihet paksa. Lëvizje e lehtë. Zhurmë e lehtë. Buzëqeshje e lehtë. Dridhje e lehtë. Tronditje e lehtë. Rrahjet e lehta të zemrës. Ka një theks të lehtë (dialektor) në të folur.
4. Që tretet pa vështirësi, që nuk të rëndon në stomak (për ushqimet); që nuk përmban shumë alkool etj., që nuk është i fortë në të pirë, i butë. Ushqim (mish) i lehtë. Gjellë e lehtë. Ujë i lehtë. Pije (verë) e lehtë. Çaj i lehtë. Duhan i lehtë.
5. Që është endur rrallë e me fije të holla; që është bërë prej pëlhure a prej stofi të hollë, i hollë. Qilim i lehtë. Veshje e lehtë. Rroba të lehta. Pallto e lehtë. Batanije e lehtë.
6. I hollë e i rrallë, i imët, jo i dendur (për shiun, dëborën, mjegullën etj.); me fuqi të pakët, i dobët (për flladin, erën). Mjegull e lehtë. Re të lehta. Vranësirë e lehtë. Shi i lehtë. Dëborë e lehtë. Erë e lehtë. Ajër i lehtë ajër shumë i pastër që thithet me lehtësi e me kënaqësi, ajër mali. Frynte një fllad i lehtë.
7. Që kërkon pak mund, që arrihet, që bëhet a që kalohet pa vështirësi të mëdha; që mësohet a që kuptohet pa vështirësi; që mund ta lëvizësh a ta drejtosh pa vështirësi; kund. i vështirë, i rëndë. Timon i lehtë (për ta rrotulluar). Punë (detyrë, barrë) e lehtë. Fitore e lehtë. Jetë e lehtë. Udhëtim i lehtë. Mësim (ushtrim, problem) i lehtë. Provim i lehtë. Gjuhë e lehtë. E ka të lehtë. Ndjek rrugën me të lehtë. Më duket e lehtë. S’është kaq e lehtë (sa duket).
8. I shkathët, i shpejtë. Është i lehtë, nuk përton. Ka këmbë të lehta ecën shpejt.
9. fig. Që i sheh gjërat në mënyrë të përciptë, që nuk gjykon thellë, që nuk i merr punët në mënyrë serioze; mendjelehtë; kund. i thellë. Njeri i lehtë. Është i lehtë (nga mendja).
10. edhe fig. Që nuk godet me forcë të madhe e nuk sjell pasoja të rënda; që nuk është aq i rëndë e i rrezikshëm, që nuk i shkel rëndë rregullat a kërkesat; kund. i rëndë. Goditje e lehtë. Grusht i lehtë. Dëm (dëmtim) i lehtë. Bombardim i lehtë. Tërmet i lehtë. Humbje e lehtë. Krizë e lehtë. Gabim i lehtë. Faj i lehtë. Ka dorë (e ka dorën) të lehtë.
11. Që nuk e dëmton shumë shëndetin e nuk e rrezikon jetën e njeriut, që kalohet pa shumë vuajtje e shërohet shpejt; kund. i rëndë. Sëmundje (rrufë) e lehtë. Grip i lehtë. Kollë e lehtë. Forma e lehtë e një sëmundjeje. Është në gjendje të lehtë.
12. Që nuk bëhet me ashpërsi, i butë; kund. i rëndë. Dënim (qortim, ndëshkim) i lehtë. Vërejtje (kritikë, masë ndëshkimore) e lehtë. Shaka e lehtë. Humor (thumb) i lehtë.
13. Që ulet a që ngrihet pak e nga pak, që nuk vjen thikë, i butë. Pjerrësi (e përpjetë) e lehtë. 14. Që del shpejt ose që ndërpritet edhe nga një zhurmë fare e vogël a nga një ngacmim i vogël, që nuk është i thellë (për gjumin). Gjumë i lehtë. Dremitje e lehtë.
15. Që është i thjeshtë, i ngrohtë e të ngjall gëzim, që të argëton. Muzikë e lehtë. Pjesë të lehta. Këngë të lehta.
16. sport. Që përfshin ushtrime e lojëra jo të vështira e jo të rënda. Sportet e lehta. Atletikë e lehtë.
17. Pjesë e dytë në disa emërtime të pathjeshta në fushën e shkencës e të teknikës. Ujë i lehtë. fiz., kim. ujë që nuk përmban shumë kripëra gëlqerore. Benzinë e lehtë. Naftë e lehtë. Vajguret e lehta. Metalet e lehta metale me peshë të vogël, si alumini, magnezi etj. Elementet e lehta. kim. elemente që kanë peshë atomike të vogël. Tokë e lehtë. bujq. tokë e shkrifët, që e kullon shpejt ujin.
✱Sin.: i lëvizshëm, i manovrueshëm, i kollajtë, i tretshëm, i hollë, i butë, i imët, i kapshëm, i thjeshtë, i kuptueshëm, i shkathët, i zhdërvjellët, i shpejtë, mendjelehtë, mendjeshkurtër, i cekët, i shkrifët, i padëmshëm, i dobët, i parrezikshëm, i përballueshëm.
♦ I bëri këmbët të lehta (dikush) iku me të shpejtë, fluturoi; ua mbathi (ua dha, u ra, ua theri) këmbëve. I qoftë dheu i lehtë! ur. u prehtë në paqe!, mos vuajttë në botën tjetër! (për dikë që vdes). Është i lehtë nga mendja (dikush) është mendjelehtë; e ka kokën të cekët. E ka dorën të lehtë (dikush). 1. Nuk e ndien shumë kur të bën gjilpërën. 2. Nuk godet rëndë, nuk e ndien kur të rreh; kund. e ka dorën të rëndë. Me *këmbë të lehta! I ka këmbët të lehta (dikush) ecën shpejt, është i lehtë në të ecur; nxiton. E kam zemrën (shpirtin) të lehtë jam qetësuar shpirtërisht, nuk jam më në ankth, jam lehtësuar e jam i qetë. Me *krahë të lehtë! ur. Me *mendje të lehtë. *Peshë e lehtë mospërf.
LÉHTË ndajf. 1. Jo rëndë, pak, pa peshë të rëndë, me ngarkesë të vogël përsipër; kund. rëndë. E ngarkoi lehtë.
2. Ngadalë, pa rënduar shumë, pa shumë forcë e pa zhurmë; sipër e sipër dhe anës e anës diçkaje, duke prekur vetëm sipërfaqen e diçkaje, pak, jo thellë; sa mezi shihet, sa mezi dëgjohet a mezi ndihet, sa mezi kuptohet; kund. rëndë; thellë. Ecte (lëvizte) lehtë. U mbështet lehtë. Kërcen lehtë. Godas (gjuaj) lehtë. I ra lehtë. E rrahu lehtë. E vrau (e dëmtoi) lehtë. Luan lehtë. sport. Ra (u rrëzua) lehtë. E tundi lehtë. U përplasën lehtë. E krasiti lehtë (hardhinë). E tëharri lehtë (misrin). Buzëqeshte lehtë. I foli lehtë dikujt. Rreh lehtë zemra.
3. Pak; pa rënduar në stomak. Hëngri lehtë. Më ra lehtë në stomak.
4. Me rroba të holla, jo trashë. Vishet lehtë.
5. Me pak mund e lodhje, pa hequr shumë, pa u lodhur shumë, pa vështirësi. E bëri (e punoi) lehtë diçka. E kaloi lehtë. E arriti (e zgjidhi) lehtë. E fitoi lehtë. E lëviz (e rrotullon) lehtë. Gënjehet lehtë. E mësoi lehtë. E ka lehtë.
6. Cekët, përciptas, jo seriozisht, pa gjykuar shumë, jo thellë; kund. thellë. I merr lehtë gjërat. E trajtoi lehtë.
7. Butë, pa e rënduar, jo ashpër; kund. rëndë. I foli lehtë. E qortoi (e kritikoi, e ndëshkoi) lehtë. E ka fyer lehtë.
8. Pa dëmtuar shumë shëndetin e pa rrezikuar jetën e njeriut; në gjendje që kalohet pa shumë vuajtje e që shërohet shpejt; kund. rëndë. U sëmur lehtë. E ka zënë lehtë gripi. Është (e ndien veten) me lehtë.
9. Në një masë të vogël, pa e prekur thellë, pak; kund. rëndë. Ka gabuar lehtë. E dëmtoi lehtë. E ka cenuar lehtë. E preku lehtë.
10. Shpejt, përnjëherë, nga një ngacmim a shqetësim i vogël. I del gjumi lehtë. Tronditet (preket, fyhet) lehtë.
✱Sin.: pak, lehtësisht, lehtas, lehtazi, ëmbël, fshikurazi, dobët, kollaj, ngadalë, lëndimthi, pak, hollë, cekët, përciptas, butë, shpejt, përnjëherë.
♦ Nuk *lidhet lehtë (dikush). E merr lehtë (diçka) nuk e gjykon thellë diçka, e sheh përciptas, jo seriozisht, pa u përqendruar e si me të qeshur; e merr me të qeshur.
LEHTËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur lehtësoj diçka ose kur lehtësohem.
2. Gjendja e bërjes më të lehtë të gjërave, procesi i kalimit nga një gjendje më e rënduar në një gjendje më të lehtë. Lehtësimi i ngarkesës. Lehtësimi i gjendjes. Lehtësimi i dhimbjeve.
3. Ndjenja kur çlirohemi nga një barrë e rëndë, nga një punë e vështirë dhe e lodhshme, kur shpëtojmë nga një hall, nga një brengë a hidhërim ose kur qetësohemi disi pas një fatkeqësie. Ndiente një lehtësim të madh. Ngushëllimet e shokëve i dhanë (i sollën) një fare lehtësimi.
4. Lehtësi3. I bëri një lehtësim dikujt. Ka shumë lehtësime.
✱Sin.: lenim, zbutje, zvogëlim, pakësim, qetësim, çlirim, përmirësim.
MBULÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Copë pëlhurë, mushamaje etj., me të cilën mbulojmë diçka që duam ta mbrojmë nga ndonjë dëmtim, nga lagështia, nga pluhuri etj.; copë, pëlhurë, zakonisht e qëndisur, që shtrohet mbi tryezë a mbi një orendi tjetër. Mbulesë e hollë (e trashë). Mbulesë e bardhë. Mbulesë e pastër. Mbulesë mushamaje (pëlhure, plastmase). Mbulesa e tryezës. Mbulesa e djepit. Mbulesa e topit (e mitralozit). Mbulesa e shtretërve të ngrohtë. I hodhi (i vuri) një mbulesë.
2. Rrobë e trashë (jorgan, batanije etj.), me të cilën mbulohemi kur flemë, mbulojë. Mbulesë e lehtë. Mbulesa të leshta (të pambukta). Shtresat e mbulesat. U fut nën mbulesë.
3. Pjesa e sipërme që mbulon një ndërtesë; çati; faqja e sipërme e çatisë. Mbulesë betoni. Mbulesë xhami. Mbulesa e shtëpisë (e fabrikës, e uzinës). Mbulesë me tjegulla. Pikon mbulesa.
4. Pjesa e sipërme e disa sendeve, që ka sipërfaqe të gjerë; guall a lëkurë e trashë që mbulon e mbron diçka. Mbulesa e kërpudhës. Mbulesa e kërmillit. Mbulesa e trungut. Mbulesa e lules kupa e lules së bashku me kurorën.
5. Letra që mbështjell kapakun e një libri; çdo gjë që mbështjell a mbulon një send dhe shërben për ta ruajtur nga dëmtimet. Mbulesa e librit. I vuri një mbulesë. U gris mbulesa.
6. Shtresë bore, pluhuri etj., që mbulon sipërfaqen e diçkaje; bimësia që mbulon një vend. Mbulesë pyjore (bimore). Mbulesë hiri. Mbulesë resh. Mbulesë bari (bimësh, drurësh).
7. Kapak që mbulon a mbyll diçka. Mbulesë pusi.
8. fin. Sasia e arit ose e valutës që ruhet në një bankë për të mbuluar sasinë e kartëmonedhave të vëna në qarkullim; depozitë, rezervë. Mbulesë ari.
9. tekst. Shulësi me dorakun; gomareza me gurin për të rënduar, bashkë me furkat (në vegjë).
10. fig., keq. Diçka që shërben për të fshehur fytyrën e vërtetë, për të mbuluar qëllimet e vërteta; maskë. Mbulesë e rreme (politike). Ia hoqi (ia çori) mbulesën ia hoqi maskën.
11. bot. Tërësi bimësh që formojnë një shtresë mbrojtëse mbi sipërfaqen e tokës; kurora e gjithë bimëve të madhësive e specieve të ndryshme që gjenden në një sipërfaqe të caktuar të tokës.
✱Sin.: mbulojë, shtrojë, shtresë, napë, kuvertë, strugë, çati, kapak, plaf, cipë, luste, maskë.
MBÝTUR (i, e) mb. 1. Që është mbytur në një lëng a gaz dhe ka vdekur. Kafshë (dhi, dele) e mbytur. Gjetën një njeri të mbytur.
2. Që është fundosur në ujë (për një mjet lundrimi etj.). Deri tek anija e mbytur. Nxorën një varkë të mbytur.
3. Që është ngopur me një lëng për t’u zbutur; që ka shumë sherbet. Bakllava e mbytur.
4. Që mezi dëgjohet, i dobët, i mekur; që duket sikur vjen nga larg ose nga një vend i mbyllur a i thellë. Zë (rënkim, gjëmim, kumbim) i mbytur. Zhurmë (krismë, klithmë) e mbytur. Kollë e mbytur. Dëgjoheshin thirrje (britma, hungërima) të mbytura.
5. Që mezi duket ose mezi digjet, i dobët, i mekur. Zjarr i mbytur. Flakë e mbytur.
6. Që është shumë i ngarkuar a i rënduar nga një gjendje emocionale, që e ka mbytur një emocion i fortë. Ishte e mbytur në ankth. U mbështet pas parmakut i mbytur në trishtim. E gjeti të bijën të mbytur në lot.
✱Sin.: i asfiksuar, i vdekur, i varur, i fundosur, i përmbytur, i ngopur, i dobët, i mekët, i mekur, i humbur, i thellë, i ulët, i shurdhër, i shurdhët.
♦ I mbytur se i mbytur keq se keq, s’ka ku të shkojë më keq; fikë se fikë. I mbytur nëpër shkumë në një gjendje shumë të vështirë, aq ngushtë sa më s’bëhet; në ditë të hallit (të pikës); në pikë të hallit; me shpirt ndër dhëmbë (në gojë).
MUJII vep., ~TA, ~TUR kal. Mposht dikë ose diçka, e mund. E mujti kundërshtarin. E mujtën armikun. E mujta urinë. S’po muj dot. A mujte? (A keni mujtë? A mujtët? A muj erdhët?) përdoret si përshëndetje me kuptimin ‘A u lodhe? A ia dole? A ia dolët? A hoqe (hoqët) keq rrugës?’ kur dikush kthehet nga një udhëtim i gjatë e i vështirë apo i rrezikshëm, nga një punë e vështirë dhe sfiduese që kërkon kohë për t’u bërë. Fjala fjalën kurrë s’e ka mujtur. (fj. u.). Sjellja e mirë e burrëria mujnë pa rënduar. (fj. u.).
NDAJ lidh., bised. 1. Prandaj, për këtë arsye, për këtë shkak. Të dua të mirën, ndaj të thashë (të fola). Ka mbetur edhe pak kohë, ndaj merr masat e duhura. Ishte rënduar shumë nga sëmundja, ndaj s'ecte dot. Po skadon afati, ndaj të them. I mbeti hatri, ndaj iku.
2. Ndërsa, kur. Po i këqyrte ndaj kërcenin.
✱Sin.: prandaj, ndërsa, kur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë