Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTIVÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Pikëpamje, botëkuptim, bindje, që shquan rëndësinë e veprimit njerëzor në krijimin dhe në ndryshimin e botës dhe të shoqërisë. Teoria dhe praktika e aktivizmit. Strategjia e aktivizmit. Aktivizëm qytetar. Aktivizëm politik.
2. Veprim për të ndikuar në ndryshimet shoqërore (politike, ekonomike, mjedisore, kulturore etj.); projekt i një aktiviteti, i një angazhimi, i një pjesëmarrjeje në diçka të rëndësishme; marrje e përgjegjësisë; kund. pasivizëm, mosveprim. Aktivizëm i grupeve të interesit. Zotim (motiv) për aktivizëm. E kishte zënë aktivizmi (fig.).
ANTIQYTETÁR,~E mb. Që është kundër qytetarëve dhe kundër vlerave të qytetarisë; kundërqytetar; kund. qytetar. Pushtet antiqytetar. Veprim antiqytetar. Situatë antiqytetare. Sjellje antiqytetare.
ARGJENTÍNAS,~I m. sh. ~, ~IT Banor vendës i Argjentinës ose ai që e ka prejardhjen nga Argjentina; qytetar i Argjentinës. Argjentinas vendës (ardhës). Argjentinas me shtetësi amerikane.
BAROMETRÍK,~E mb. 1. meteor. Që lidhet me barometrin, i barometrit; që ka të bëjë me shtypjen atmosferike. Shkalla barometrike. Shtypja barometrike. Ndryshime barometrike. Të dhëna barometrike. Lartësia barometrike e avionit. Hartat barometrike. Vlera të ulëta barometrike.
2. fig. Që tregon ose shërben si kriter i gjendjes në një fushë të caktuar. Matës barometrik për besueshmërinë ndaj qeverisë. Pikë reference barometrike për ekonominë. Shkalla e pjesëmarrjes në votime është një tregues barometrik i interesit qytetar.
CIVÍL,~E mb. 1. drejt. Që ka të bëjë me gjendjen dhe me të drejtat ligjore të qytetarëve në një shtet; që i siguron të drejtën qytetare; që i përket qytetarit. Të drejtat civile të drejta që u njihen qytetarëve nga një shtet. Kodi Civil akt ligjor, në të cilin janë paraqitur normat e marrëdhënieve pasurore ndërmjet shtetasve ose institucioneve qeveritare. Gjendja civile gjendja juridike vetjake familjare e një njeriu. Zyra e gjendjes civile zyrë ku regjistrohen lindjet, martesat dhe vdekjet. Përgjegjësi civile. Nëpunës i gjendjes civile.
2. libr. Që është tipar dallues i njeriut të lirë e me të drejta të plota të një shoqërie e të një shteti; që përshkohet nga ideja për të mirën dhe dobinë e shoqërisë, qytetar. Detyrë civile. Burrëri civile. Guxim civil.
3. Që nuk ka të bëjë me ushtrinë, joushtarak; kund. ushtarak. Jeta civile. Shërbim civil. Rroba civile. Spitali civil. Administrata civile. Autoritete civile. Gjyq civil.
4. Që nuk ka të bëjë me fenë dhe as me politikën; kund. fetar, kishtar. Martesë civile.
DJÁL/Ë,~I m. sh. DJÉM, DJÉMTË 1. Fëmijë mashkull deri në moshën e pjekurisë, në moshë të re, zakonisht i pamartuar; njeri shumë më i ri në moshë kundrejt një më të vjetri, ai që quhet prej dikujt si i ri; ai që s'e ka përvojën e duhur a që nuk është i rrahur në jetë; ai që s’është pjekur ende. Djalë i vogël (i ri, i bukur). Djalë trim (punëtor, i urtë, azgan). Djalë i prapë. Djemtë e klasës. Veshje për djem. Lindi djalë. Është ende djalë. - Ti, djalë, mos u rrëmbe! - Dëgjomëni mua, or djem! Pleqtë qajnë halle, djemtë heqin valle (fj.u.).
2. Fëmijë mashkull kundrejt prindit të vet, i biri i dikujt; vet. sh. brezi pasardhës, pasardhësit, bijtë. Djali i vogël (i madh, i mesëm). Djali ynë. Djalë i vetëm. Djali i parë (i dytë). Djali i shtëpisë. Djalë burri djalë i gjetur, thjeshtër. Djali i pleqërisë djali më i vogël, me të cilin zakonisht bashkëjetojnë prindërit në pleqëri. Djalë i gjetur thjeshtër. Djalë në (për) shpirt bir për shpirt, djalë i birësuar. Nënë (shtëpi) pa djalë. Ka dy djem e një vajzë. Martoi djalin. Rri te djali. Erdhi me djalin. E kam si djalin tim. Shqiptari kur jep fjalën ther djalën (fj.u.). Djali i pleqërisë – shtylla e shtëpisë. (fj. u.). Ç’e do mallin, ç’e do gjënë, kur s’ke djemtë për të qenë. (fj. u.). Shite kalin e mëso djalin. (fj. u.). Dil, moj nëne, dil, / Dil e bëj sehir, / Se ç’të solli djali, / Një thëllëzë mali. (folk.). Në daltë djalë, të na rrojë, në daltë çupë, të të rrojë. (fj. u.). Djali na u trashëgoftë! / Nusja me hair na qoftë! (folk.). Këto të mira do t’i gëzojnë djemtë tanë. Babë pas babe e djalë pas djali brez pas brezi.
3. Qytetar i denjë i një vendi a i një populli ose pjesëtar aktiv i një organizate, i shoqërisë etj., që është rritur e edukuar në të dhe që mbron interesat e tyre; bir. Djemtë e Shqipërisë (e popullit, e fshatit, e malësisë).
4. fig. Njeri trim, i zoti e luftëtar; burrë, trim. Djemtë e maleve. Djalë për kokën e djalit. Kush është djalë, në fushë të mejdanit duket (fj .u.).
♦ Djalë pas djali shih brez pas brezi. Djalë (*çun) mamaje iron. Djali (biri) plangprishës bibl. i penduari; ai që i ka kuptuar thellë gabimet që ka bërë ndaj dikujt. E do si djalin e shemrës (dikë) iron. nuk e do fare, e urren, s’e duron dot; (e do) si zjarrin në gji iron.; e do si prushin në gji iron.; e ka prush në gji; e do si kripën në sy iron.; e ka kripë në sy; nuk e sheh dot me sy; e ka halë në sy. Djali pa lerë e djepi blerë iron. thuhet kur bëhet diçka para kohe, kur dikush vepron pa pasur mjetet a kushtet e nevojshme, kur nuk ka siguruar ende gjënë më kryesore; peshku në det e tigani në zjarr. *Nusja e djemve euf. Vajti djali te *dhaskali edhe iron.
EDUKÍM,~I m. 1. Veprimi kur edukoj dikë ose kur edukohem; kund. çedukim. Edukimi i fëmijëve (i nxënësve). Metodat e edukimit. Dha kontribut në edukimin e dhjetëra gjeneratave. Shkalla e arsimimit dhe e edukimit të njeriut. Roli i familjes në edukim patriotik. Grupi i edukimit publik.
2. Edukatë. Edukim i gjithanshëm. Edukimi qytetar.
✱Sin.: edukatë, arsim, arsimim, formim, mirërritje.
EMANCIPÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur emancipoj dikë apo kur emancipohem. Emancipimi qytetar. Hapi i parë drejt një procesi emancipimi.
2. Gjendja kur emancipoj dikë apo kur emancipohem. Shkalla e emancipimit të shoqërisë. Në këtë nivel ka arritur emancipimi i tyre politik.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë