Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LIS,~I m. sh. ~A, ~AT 1. bot. Dru pylli i lartë, me gjethe me dhëmbëza anash, që lidh lende dhe që përdoret si lëndë ndërtimi e për zjarr; dushk. Lis i bardhë qarri. Lis i butë bungëbuta. Lis bujk bulgri. Lis i egër ashe. Dru (trung, lende) lisi. Sa më i gjatë është lisi, aq më shumë e zë era. (fj. u.). Pyje me lisa të dendur.
2. etnogr. Tërësia e pasardhësve që rrjedhin nga një baba a nga një nënë. Lisi i gjakut njerëzit që rrjedhin nga një baba. Lisi i gjinisë (i tamblit, i qumështit) njerëzit që rrjedhin nga një nënë.
3. si mb. Me trup të gjatë, të drejtë e të fuqishëm (për njerëzit). Ishte lis. E ka shtatin lis. U bë lis hodhi shtat mirë, u rrit shumë e u bë i fuqishëm.
✱Sin.: dushk, shpardh, ashe, pasardhës, shtatgjatë, trupgjatë, i fuqishëm.
♦ Kur të çelë (të njomet) lisi i thatë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen lendet lajthi; kur të shohë kurrizin (shpinën) pa pasqyrë. Del si lisi para farkës (para sharrës, para sëpatës) (dikush) shih (shkoi, vajti) si cjapi te kasapi (dikush). As *farë e as fis, as degë e as lis. *Hije lisi. Nuk ka *hije lisi (për dikë). E ka hundën në lis (dikush) është mendjemadh, mbahet shumë më të madh; e mban hundën lart; e mban hundën përpjetë; e mban hundën në qiell; shet mend; vret (rreh) lart. Këqyr lisat (dikush) iron. e kalon kohën kot; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; trazon baltën me shkop. Lis pa degë (pa gjethe) njeri i vetëm, fillikat, pa njeri tjetër të afërm; pikë në lis. Lis me (shumë) degë njeri i zoti e me shumë shokë e miq; njeri që ka përkrahje të madhe; lis me rrënjë të thella. Lisi i gjakut etnogr. njerëzit që rrjedhin nga vija e babait. Lis i lartë njeri i fortë a i fuqishëm, që përballon rreziqet e vështirësitë dhe nuk thyhet. Lisi i qumështit (i tamblit) etnogr. njerëzit që rrjedhin nga vija e nënës. Lis me rrënjë të thella njeri i fortë në shoqëri, me themele të forta, që nuk tundet nga sulmet e të tjerëve; lis me (shumë) degë. Lis i thatë (dikush) shih lis pa degë (pa gjethe). Ka mbetur *pykë në lis (dikush). Qyshse ka mbirë lisi qysh prej shumë kohësh më parë, që në një periudhë të largët sa nuk mbahet mend mirë; (që) në kohën e baba Qemos; (që) në kohën e Noes. *Mizë lisi. *Pikë në lis. Pret (prish) tre lisa për një purtekë (dikush) shih pret ftoin për t’i lëshuar hije kungullit (dikush) keq. E pret lisin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). 1. Është shumë i fuqishëm a i zoti; të mbaron punë menjëherë. 2. iron. Kujton se është i fuqishëm a i zoti dhe i bie shkurt, pa e menduar thellë diçka; e bën si të lehtë diçka të vështirë. E pret lisin me thikë (dikush) ia hyn një pune shumë të madhe pa mjetet e nevojshme; ka guxim të tepruar ose vepron pa i matur mirë forcat e veta; e mat detin me pëllëmbë. Rrëzon lisin për dy pyka (dikush) shih pret (prish) tre lisa për një purtekë (dikush). Unë për lisa e ti për fshesa! iron. nuk kuptohemi fare me njëri-tjetrin, tjetër bëj unë e tjetër ti; ç’them unë e ç’thua ti!; njëri (i bie) gozhdës e tjetri potkoit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë