Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAHÚM,~E mb., përçm. 1. I ngathët, i ngadaltë; kund. i shkathët. Gjataman bahum. Ai mori një nuse bahume.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
✱Sin.: ngelaq, ngalaq, ngalakaq, i ngalët, ngatharak, dorëngathët, i plogët, i mpitë, i vdjerrë, i mefshtë, i ngathët, mëngjarash, i vakët, shalavriq, shkallaban, i pazoti, i squllët, i qullët, qullavec, qullash, qullac, qullaman, avdall, i brumtë, batall, këmbëshakull, këmbëtharë, këmbëzënë.
BREZHÚMBUR mb. [lexo: BREZ-HÚMBUR] bised., keq. 1. Që është krejt i paaftë për të bërë një punë si duhet, që s’mund të bëjë asgjë për të qenë, i humbur, i shushatur; që humb rrugën në oborr. Vështirësia e parë lind për mënyrën e leximit të fjalëve brezhumbur, meshollë etj.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
✱Sin.: i humbur, i shastisur, i shushatur, hutaq, shushaq, i ngathët, i squllët, i qullët, qullash, i brumtë, i brydhtë, i mefshtë.
BULLAMÁÇ,~I m. 1. Gatesë me miell të zier me ujë a me qumësht; qull. U bë si bullamaç. Bullamaçi për dimër dhe dhalli për behar janë një e një. (fj. u.).
2. Ushqim për kafshët a për shpendët që bëhet me miell, me krunde, me copa bukësh e me ujë ose me miell misri të përvëluar me ujë. U hedh bullamaç zogjve (derrave).
✱Sin.: qull, qullash, hurdhiq, bobotë, cive.
BYTHËPAMBÚK,~E mb., bised. 1. Që është mësuar rehat dhe sʼi ka njohur vështirësitë, që nuk ka vuajtur në jetë; qullash. Djalë bythëpambuk. Nuk të mbaron punë, është bythëpambuk.
2. krahin. Bishtnues, që i shmanget punës, që u bën bisht vështirësive.
3. tall. Që kujdeset vetëm për vete, që shikon vetëm rehatinë e tij, bythëmadh; egoist. - Ç’janë kaq bythëpambukë këta njerëz?
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. - Ç’e mban pas vetes atë bythëpambuk?
DALLASHÁN,~E mb., bised. 1. I ngathët. Është një burrë dallashan, i çuditshëm në qëndrime e zakone.
2. Që nuk i zë dora asgjë, që s’i vjen ndoresh për punë, i pazoti.
3. Ngatërrestar, i mbrapshtë. Grua dallashane që nuk la njeri pa ngatërruar..
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Dukej dallashan, s’e kapte dot ritmin e shokëve.
✱Sin.: i ngathët, i mpirë, ngalaq, i plogët, i mefshtë, i vakët, qullash, i pazoti, i paaftë, i humbur, dorëngathët, këmbëtharë, punëkeq, punëmbrapshtë, ngatërrestar, i mbrapshtë, dackanar.
DEKÁÇ,~E mb., bised. 1. I ngathët, që s’e nxjerr dot qimen nga qulli, qullash; i ngalët, i mefshtë, i plogët, i vakët. - Ik, ore dekaç tutje!
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Një dekaçe, që e kishte lënë bota prapa.
✱Sin.: i ngalët, ngelaq, ngalakaq, i ngathët, ngatharak, i mefshtë, i plogët, i plogësht, i mpitë, i flashkët, qullash, i qullët, i fjetur, avdall, i squllët, i vakët, i brumtë, batall.
MBÉTUR (i, e) mb. 1. Që ka mbetur. Trungu i mbetur nga lisi i prerë. Fëmijë i mbetur i vogël nga shtati. I vetmi libër i mbetur.
2. Që ka tepruar. Gjellë e mbetur. Mall i mbetur. Para të mbetura.
3. Që i ka kaluar mosha e martesës dhe ka mbetur pa u martuar (për vajzat); Vajzë (çupë) e mbetur.
4. Që s’ka asnjeri të afërt. Fëmijë i mbetur jetim pa njeri. Plak i mbetur plak që ka mbetur pa njerëz të afërt.
5. Që ka mbetur prapa të tjerëve; që s’është mbledhur ende; i lënë, i braktisur. Makinë e mbetur. Ushtar i mbetur. Misër (grurë) i mbetur. Shtëpi e mbetur.
6. fig. Që është i ngathët, i qullët, i mekur; i humbur. Njeri i mbetur.
✱Sin.: i ngelur, i mbetshëm, i pabërë, mbetës, i lënë, i braktisur, i qullët, qullash, i mekur, i humbur.
MÉFSHTË (i, e) mb. 1. Shumë i ngadalshëm në punë, në lëvizje, në veprime, në të menduar etj.; i ngathët. Njeri i mefshtë. U tregua i mefshtë. Është frikacak e i mefshtë në veprim. Nuk duhet një luftë e mefshtë ndaj korrupsionit. E kishte zemrën të mefshtë.
2. I plogësht, i qullët, i fjetur. Shikoj fytyrën e mefshtë të dikujt. I hodhi një vështrim të mefshtë. Shoh buzëqeshjet e mefshta të tyre. Një zë i mefshtë brenda meje më foli.
3. si em. m. e f. Njeri i ngathët; njeri i plogësht. A e di ky i mefshti që bota po ndryshon?
✱Sin.: i ngadalshëm, i ngathët, i plogët, i plogësht, i mpitë, i lënë, i flashkët, i pazoti, qullash, i qullët, i fjetur, ngordhalaq, fishkaraq, shodol, i shogët, shakllaban.
NGÁTHËT (i, e) mb. 1. I mpirë nga të ftohtët etj. Duar të ngathëta nga acari.
2. Që është i ngadalshëm dhe si i mpirë në lëvizje a në veprime; që i mungon vullneti dhe energjia; i plogët; kund. i shkathët, i tjertë. Breshka është e ngathët. Njeri i ngathët. I ngathët në punë (në lojë). I ngathët për nga natyra. Lëvizje (veprime) të ngathëta. U tregua i ngathët. Me duar të ngathëta. Fliste me një frëngjishte të ngathët.
✱Sin.: i mpirë, i ngadalshëm, i plogët, i tharë, i thatë, i vakët, i vakur, i pavullnetshëm, i shastisur, i fjetur, dorëngathët, i topitur, i vdekur, i humbur, këmbëshakull, i ngurrët, i qullët, baltavec, i squllët, shakllaban, shodol, shalëngjitur, shalavriq, krahëthatë, i lagët, i tultë, i brydhët, ngalaq, ngalakaq, ngelaq, i ngalët, ngatharak, tul, fokë, bullar, katac, gjytyrym, qytyk, batall, derëmbyllur, i trashë, i hekurosur, mëngjarash, avdall, i vdjerrë, i rëndë, i mefshtë, i vakët, i pazoti, qullavec, qullash, qullac, qullaman, qullamac, i brumtë, këmbëzënë.
PÉLT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ëmbëlsirë si qull i trashë, që përgatitet me niseshte e sheqer, paluze. E ushqen me pelte (fëmijën).
2. Lëng pemësh a perimesh që lihet të trashet duke zier në zjarr. Pelte pemësh (ftonjsh, mollësh, kumbullash). Pelte domatesh.
3. Lëndë si qull i trashë; diçka e qullët. Pelte gjaku. Paçja ishte bërë pelte.
4. fig., bised. Njeri i ngjallur, por i pafuqishëm, njeri i qullët.
✱Sin.: paluze, llapa, zerva, qull, i qullët, qullash, qullamac.
♦ U bë pelte (diçka) u shtyp e u zbut shumë; u hollua, u squll. E bëri pelte. 1. (diçka). E zbuti shumë, e holloi; e bëri lloç. 2. (dikë) bised. E rrahu fort, e shqepi në dru, e zhdëpi; ia zbuti kurrizin (dikujt); ia bëri kurrizin më të butë se barku (dikujt); e bëri peshk; e bëri petë. 3. (dikë a diçka). E shtypi krejt, e zbuti; e squlli; e bëri fërtele. Pelte pa kripë tall. dikush që nuk qëndron mirë, që nuk e mban trupin drejt (zakonisht për një fëmijë).
PLASTELÍN/Ë,~A f. 1. Lëndë plastike e butë, që përgatitet duke përzier deltinë me dyllë e me yndyrë dhe që përdoret nga nxënësit për punëdore etj. Plastelinë e kuqe (e gjelbër). Punime me plastelinë.
2. edhe si mb. Njeri i qullët, qullash.
3. edhe si mb. Ai që e kthehet nga fryn era, i pakarakter; ai që mban anë e bëhet dyshek i të tjerëve.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë