Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GUR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në ujë, por e thyeshme, që gjendet në brendësi ose në sipërfaqe të tokës si masë e ngjeshur ose në copa të veçanta dhe që përdoret kryesisht si lëndë ndërtimi; një copë e veçantë e kësaj lënde me përmasa të ndryshme. Gur i fortë (i butë). Gur vullkanik (gëlqeror). Gur stralli kuarc. Gur i gdhendur. Gur lumi (zalli). Gurët e kalldrëmit. Guri i themelit. Gur vatre secili nga të dy gurët e vendosur në anë të vatrës, carani i vatrës. Gurët e qosheve (e pragjeve). Rrasë guri. Çekan (sëpatë) prej guri. Shtëpi prej guri. Punime në gur. I gdhendur (i shkruar) në gur. Thyej gurë. Hedh gurin. Shtroj me gurë. I ra (e qëlloi, e gjuajti, e goditi) me gurë. Me një gur s’bëhet mur. (fj. u.). Gur, gur bëhet mur. (fj. u.). Gurë, gurë bëhet kalaja. (fj. u.). Pika shpon gurin. (fj. u.). Gur filozofik. Epoka e gurit.
2. vet. nj. Shkëmb (edhe si pjesë përbërëse e emrave të vendeve). Gur i gjallë shkëmb i tërë, fare shkëmb. Gur i thepisur. Leskovik, o gur i thatë, trima burrat, trime gratë! (kr. pop.) Guri i Kamjes. Guri i Qytetit.
3. Copë prej kësaj lënde zakonisht e gdhendur, që vendosët diku si shenjë. Gur përkujtimor. Gur kufiri. Guri kilometrik. Gur varri.
4. Një copë prej kësaj lënde me përbërje, me përmasa e me trajta të ndryshme, që kryen një punë të caktuar në një mekanizëm ose që shërben drejtpërdrejt për një punë. Gur grihës. Gur shkrepës. Gur mulliri mokër. Gur zjarri guri i urorit. Gur çakmaku. Gur kafeje gur i fortë, i gërryer brenda e i bërë si havan për të shtypur kafenë.
5. Copë nga një lloj minerali i fortë, i rrallë e i çmuar, me shkëlqim të madh; rubin. Gur i çmuar. Gur xhevahir. Guri i unazës. Unazë me gur. Orë me (pa) gurë.
6. mjek., veter. Formim i ngurtësuar në disa organe të sëmura brenda në trupin e njeriut ose të kafshëve (në veshka, në mëlçi, në tëmth etj.). Gur në veshka (në mëlçi). Gurët e tëmthit. Gurët e dhëmbëve. I hoqën (i nxorën) dy gurë.
7. Secila nga figurat që përdoren në disa lojëra. Gur bilardoje. Gur shahu. Gur dominoje.
8. bised. Secila nga copat prej metali, me peshë të caktuar, që përdoret për të peshuar mallra a sende të ndryshme në një peshore, secila nga peshat e peshores; gramar. Gur një kilogram.
9. bised. Bërthama e disa frutave. Gur thane (kumbulle, pjeshke, qershie).
10. fig. Brengë e thellë, peshë e rëndë në zemër, gozhdë. Ka një gur në zemër.
11. Sasia e ujit që nevojitet për një mulli drithi, për një palë mokra ose sasia e ullinjve që shtrydhen njëherësh në një mulli vaji. Një gur ujë. Një gur ullinj.
12. si mb. Shumë i fortë e i ngjeshur. Buka ishte gur. Ka ngrirë dheu, është bërë gur. I ka faqet gur i ka faqet të shëndosha, të ngjeshura. E ka mishin gur.
13. si mb. Shumë i rëndë. Thesi qenka gur.
14. si ndajf. Shumë (me disa mbiemra). Gur i fortë. Gur i rëndë. Gur i ftohtë.
✱Sin.: mollok, popël, qopal, fufë, shkëmb, gurinë, stranicë, fletar, rubin, xhevahir, shndrizë, peshë, dërhem, grihë, grihës, bërthamë, brengë, i fortë, i rëndë, shumë.
♦ U bë gur. 1. (diçka). U forcua shumë, u bë e fortë si guri; u bë kockë; u bë tjegull. 2. (dikush). Ngriu e u mpi së ftohti; u bë dru. 3. (dikush). Ngriu në vend nga frika a nga një fatkeqësi, nuk ndien më asgjë. U bëfsh gur! mallk. ngrifsh!, vdeksh! U bë gur e hi (diçka) u dogj e u shkatërrua krejt; u bë shkrumb (e hi); u bë pluhur (e hi); u bë hi (e pluhur). M’u bë gur në opingë (dikush) më bezdis shumë, më shqetëson a më dëmton e s’e heq dot qafe, s’e duroj dot më; ma pruri (ma solli) në majë të hundës; më plasi shpirtin; më plasi buzën. Bëhem *urë e gurë. E bën bukën gur (dikush) keq. shih bën hesap në krundet (dikush) keq. Bëri gurin e gjakut (dikush) s’la gjë pa bërë; e ktheu mbarë e prapë; bëri kiametin; bëri namin; bëri hatanë bised. E bëj zemrën gur duroj shumë; i zotëroj ndjenjat, e mbaj veten për të përballuar hidhërimin, e mposht një dhembje të thellë shpirtërore a një mall të madh; nuk e lëshoj veten, përpiqem të bëhem i fortë; i vë (një) gur zemrës. I ra gurit e drurit (dikush) u përpoq shumë, u mundua e u rropat pa masë, s’la gjë pa bërë për diçka; çau gur e dru. I rëntë gurit e drurit! mallk. mos prektë asnjeri!, kaloftë pa bërë dëm në njerëz!, rëntë aty ku nuk prish punë! (një sëmundje e rëndë a epidemi, një fatkeqësi natyrore etj.). I ra guri në opingë (në këpucë) (dikujt) i ra një e keqe së cilës nuk i shpëton dot, e zuri një hall që s’e priste. I ra sëpata në gur (dikujt) ngeci a u pengua në një punë, nuk përparon dot, i doli një pengesë e madhe a e pakapërcyeshme; i zuri (i hasi) sharra në gozhdë; i ngeci sharra në gozhdë; i ngeci veza kryq. Bluan edhe gurë (dikush) është i fortë nga dhëmbët, ka stomak të fortë, ha çdo gjë; nuk bën naze në të ngrënë. Çau gur e dru (dikush) bëri çmos, bëri të pamundurën, u përpoq me të gjitha forcat e mënyrat për të arritur diçka; i ra gurit e drurit. Çele gur *gojën! iron. Di të lidhë edhe gurë (dikush) është shumë i zoti, bën çdo lloj pune, i zë dora çdo gjë; i vjen ndoresh (dikujt); i zë (i kap) dora (dikujt); ç’i sheh syri ia bën dora (dikujt). E duan edhe gurët e sokakut (dikë) është njeri shumë i mirë, është i butë e i dashur; është melhem për plagë (dikush); shpirt njeriu. I dhimbset gurit e drurit (dikush) të gjithëve u vjen keq për dikë, vuajnë të gjithë për të, s’mbetet askush pa u prekur; dhembja është shumë e madhe. *Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fol o gur, fol o mur! mospërf. është shumë i heshtur dikush, nuk e hap gojën fare, s’e thotë një fjalë; çele gur gojën! Fsheh (mban) gurin në gji (dikush) shih e mban sëpatën nën gunë (dikush). Fut gurë në opingë (në këpucë) (dikush) thotë fjalë a shpifje për ta nxitur dikë kundër një tjetri ose për t’i futur në shpirt një dyshim a një shqetësim; fut fitila; fut kunja. U gëzuan gurët e drurët (për dikë a për diçka) u gëzuan të gjithë, s’mbeti njeri pa e shprehur gëzimin; u gëzuan edhe gurët e dheut. Gur i çmuar njeri me vlera të veçanta, njeri i përsosur; njëzet e katër karatësh libr.; i larë në flori. Guri i fundit pengesa a vështirësia e vetme, që ka mbetur për t’u kapërcyer. As gur e as haliç shih as mish e as peshk. Gur në hobe njeri shumë i lëvizshëm, që nuk rri në një vend; dikush që është i detyruar të lëvizë shpesh a vazhdimisht nga një vend në tjetrin; ku ngryset nuk gdhihet (dikush). Gur kilometrik libr. shenjë që tregon një arritje të rëndësishme a një hap të madh përpara; shkallë e një zhvillimi të madh. Me gurë në kokë (te koka). 1. Me mundime të mëdha, duke kapërcyer vështirësi të mëdha ose kushte të rënda. 2. Para rreziqeve të mëdha, nëpër rreziqe për jetën; me kokë në torbë (në trastë, në thes); me qefin nën sqetull (në kokë). Gur kufiri. 1. Pengesë që nuk duhet kapërcyer; qëndrim a kërkesë e caktuar që nuk duhet shkelur; kufi. 2. Njeri që rri në një vend si i ngurosur dhe pengon të tjerët për diçka. 3. Shenjë a diçka tjetër që ndan dikë nga të tjerët ose fusha të ndryshme, bindjet e qëndrimet e njerëzve etj. Gur mulliri. 1. Diçka shumë e rëndë, sa nuk e ngre dot. 2. Njeri shumë i fortë, që nuk e mund a nuk e thyen dot. Veç guri i mullirit nuk e ka bluar (dikë) ka hequr shumë keq, ka vuajtur shumë; ka hequr të zitë e ullirit (dikush); ka hequr pikën e zezë (dikush); ka hequr gurin e gjakut (dikush). Gur prove libr. kriter themelor që shërben për të provuar qëndrimin ndaj diçkaje, diçka që e vë dikë në provë vështirësie dhe e përcakton përfundimisht atë. Gur në qafë barrë e rëndë që na e ka ngarkuar dikush, përgjegjësi e madhe për dikë a për diçka. Gur qosheje njeri i shquar, me vlera të veçanta e me peshë, njeri me rëndësi, që i zë vend fjala e që e nderojnë të gjithë. Gur i rëndë në vend të vet njeri që vlerësohet e që ka peshë në vendlindje ose atje ku i takon të jetë. Gur shahu mospërf. njeri që bën ç’i thotë dikush tjetër, që lëviz e vepron si do një tjetër a si i duhet atij, pa menduar vetë. Me gurë në trastë i përgatitur mirë e i vendosur që ta dënojë a ta dëmtojë dikë, i gatshëm në çdo kohë t’i bëjë keq. Gur themeli diçka shumë e rëndësishme dhe e qëndrueshme, që shërben si mbështetje për diçka tjetër; kryesorja. Gur varri. 1. I ngrirë, i shtangur, i palëvizur. 2. I heshtur, që nuk flet e nuk ndihet fare; i zymtë, i ngrysur (për njerëzit). Me një gur vret dy zogj (dikush) me një përpjekje, me një veprim a me një lëvizje arrin njëkohësisht dy qëllime, bën dy punë njëherësh; me një të shtënë vret dy zogj. *Gjarpër nën gur. Gjeti *gropën e gurit (dikush). E gjeti guri *vendin. E gjuan me gurë (dikë) e lufton me mënyra të pandershme dhe me egërsi; sillet shumë ashpër me të. Ha gur e dru (dikush) shih bën be e rrufe (dikush). Ha gurë e dhe duroj e pranoj çdo sakrificë për dikë a për diçka, bëj çdo gjë për të, s’lë gjë pa bërë. I hedh gurë (dikujt) e sulmoj padrejtësisht dikë, e godit për t’i bërë keq; hedh baltë (mbi dikë). Hodhi një gur në *ferrë (dikush). Hedh gurin e fsheh dorën (dikush) është fsheharak e tinëzar, të bën një të keqe dhe e mohon ose e mbulon me çdo mënyrë; punon e vepron fshehurazi; punon nën rrogoz; i fsheh (nuk i tregon) këmbët. E hedh gurin *larg (dikush). Hodhi një gur në *lumë (dikush). Hodhi një gur në *ujë (dikush). E hedh me gur në *ujë (diçka). I heq gurin e fundit (dikujt a diçkaje) i heq mbështetjen për ta dëmtuar, për ta prishur a për ta shkatërruar, i heq themelin që të bjerë. Heq gurin e gjakut vuaj shumë, robtohem, sfilitem; heq të zitë e ullirit; më del shpirti. I ka humbur guri (dikujt) nuk është në vete; është shumë i hutuar; e ka humbur fillin (dikush); e humbi toruan (dikush). Është si guri në bahe (dikush) nuk qëndron në një vend, lëviz shumë, shkon nga një vend në një tjetër; ku mbillet s’korret; ku ngryset nuk gdhihet; ku gdhihet nuk ngryset; ku bun s’bun. Janë gur e uror (si guri me urorin). 1. Zihen keqas kur janë bashkë, s’pajtohen kurrë. 2. Ndizen menjëherë për njëri-tjetrin kur janë bashkë, marrin flakë shpejt kur afrohen. S’të jep as gur për të çarë kokën (dikush) është shumë dorështrënguar, është koprrac i madh e shpirtlig; s’të jep as litar për t’u varur. Kur të kalbet guri në fund të lumit shih kur të bëhet deti kos. I ka (në dorë) gjithë gurët (dikush) i ka të gjitha mundësitë e mjetet e duhura për të bërë diçka, s’i mungon asgjë; ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën. Ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën (dikush) ka fuqi e mundësi të veprojë si të dojë, çdo gjë varet prej tij; është në dorën e tij të veprojë si do vetë, me të mirë a me të keq; vetë shkruan e vetë vulos; vetë vali e vetë kadi (myfti); vetë kadi e vetë myfti; vetë zot e vetë shkop; pret e qep; lidh e zgjidh (vetë). Kam një gur në zemër vuaj shumë shpirtërisht, jam i brengosur; kam një shqetësim a një peng që më mundon; kam një lëmsh në zemër (në gjoks, në kraharor). E ka kokën gur (dikush) është shumë kokëfortë, është kokëshkëmb; e ka kokën të fortë; e ka kokën gdhe; e ka kokën me gunga; e ka kokën shkëmb. E ka zemrën gur (dikush). 1. Duron e përballon dhembje të mëdha shpirtërore, e mban hidhërimin, nuk ligështohet; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën hekur; ka lindur prej gurit. 2. Nuk i vjen keq për të tjerët, është zemërgur; e ka zemrën limë. Ku ha pula gur (strall) shumë larg, në një vend të vështirë për të jetuar. S’lë dy gurë bashkë (dikush) është shumë i mbrapshtë, s’lë gjë pa prekur e pa lëvizur, është trazovaç; bën shumë paudhësi (kryesisht për fëmijët); s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur); nuk lë gur mbi gur; nxjerr të vdekurin nga varri. Nuk lë gur mbi gur (dikush). 1. Nuk lë gjë pa lëvizur e pa prishur, s’lë gjë në këmbë, është shkatërrimtar i madh; s’lë dy gurë bashkë; nuk lë gur në këmbë (në vend); s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur). 2. Është ters, s’i del kurrë mbarë një punë. Nuk lë gur në vend (dikush). 1. Bën ç’është e mundur për të plotësuar një dëshirë a një nevojë vetjake, për të arritur një synim etj.; s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur). 2. S’lë gjë pa trazuar e pa lëvizur nga vendi (zakonisht për fëmijë), bën rrëmujë; s’lë dy gurë bashkë; nuk lë gur mbi gur. S’lë gur pa lëvizur (pa luajtur) (dikush). 1. shih s’lë dy gurë bashkë (dikush). 2. Bën çdo gjë për të arritur diçka, i përdor të gjitha mjetet e mënyrat; s’lë njeri pa e vënë në lëvizje e pa e shfrytëzuar për të arritur qëllimin (zakonisht për interesa vetjakë); nuk lë gur në këmbë (në vend). Ia la gurin në *qafë (dikujt). Ka lindur prej gurit (dikush) është shumë i durueshëm, është shumë i fortë e i qëndrueshëm, nuk thyhet e nuk ligështohet, është zemërshkëmb; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën gur; e ka zemrën hekur. Luan (lëviz) gurët (dikush) bën ç’është e mundur për të arritur diçka, përpiqet shumë për qëllimin e vet, përdor të gjitha mjetet e mënyrat për t’ia arritur qëllimit (zakonisht mënyra të parregullta e për interesa vetjakë). Luaj (hedh) gurin e fundit përdor edhe mundësinë e vetme a mjetin e vetëm që më ka mbetur për t’ia arritur diçkaje, pasi kam provuar të gjitha mënyrat e mjetet e tjera; luaj letrën e fundit. Mat gurët e sokakut (dikush) keq. rri kot, nuk bën asgjë; sorollatet; vjen vërdallë; mat rrugët; vjen rrotull (përqark)1. S’mbeti gur mbi gur u shkatërrua gjithçka, u përmbys nga themelet, mori fund. Mbiftë mbi gur (të thatë)! ur. le të bëhet sa më shumë, mbiftë kudo (thuhet për diçka që është shumë e nevojshme). Nxjerr *dhjamë nga guri (dikush). E nxjerr nga guri (diçka) është shumë i zoti, e siguron diçka edhe kur duket krejt e pamundur, duke shfrytëzuar çdo mjet e mënyrë, bën të pamundurën; s’lë gjë pa gjetur, pa zgjidhur etj. Nxjerr *mjaltë nga guri (dikush). Nxjerr *ujë nga guri (dikush). Nxjerr *vaj nga guri (dikush). Pëlcet (edhe) guri (diku) është shumë nxehtë, bën shumë vapë; pëlcet derri; ziejnë fasulet në diell. Pëlcet edhe gurin (dikush) të mundon e të mërzit pa masë; është i padurueshëm, të fryn, të buhavit (dikush që është përtac, i plogët, i pabindur, zvarritës etj.); pëlcet gur e dru; të pëlcet shpirtin. Pëlcet gur e dru (dikush) shih pëlcet edhe gurin (dikush). Pi gurin e gjakut (dikush) shih heq gurin e gjakut (dikush). Qajnë edhe gurët (për dikë) ka qenë njeri aq i mirë, sa u vjen keq të gjithëve që ka vdekur ose që është larguar përgjithnjë nga një vend. (Shkoi) gur në ujë (në lumë) (dikush a diçka) shkoi kot, nuk i hyri në punë e nuk i shërbeu askujt; humbi çdo vlerë; (shkoi, humbi) si sëpata pa bisht; (shkoi) për dhjamë qeni. Shkul një gur nga një mur është shumë dorështrënguar dikush, mezi e nxjerr lekun nga xhepi; sikur i shkul diçka të rëndë dhe të dhimbshme kur i merr diçka, sado të vogël; e ka (e mban) dorën grusht (dikush); shkul një qime nga një derr. Unë me *bukë (me grurë) e ti me gurë. *Urë mbi gurë. Vë gurin e parë (për diçka) e nis unë diçka, jam i pari që filloj diçka. I vë gurin e rëndë (dikujt a diçkaje) kërkon ta groposë përgjithmonë, do që ta asgjësojë fare; i vë gurin e varrit (diçkaje). I vë gurë nën rrota (dikujt) shih i vë (i fut) shkopinj në rrota (dikujt). I vë gurin e varrit (diçkaje) e mbyll një çështje përfundimisht e në mënyrë që të mos dalë më në shesh dhe të mos e marrë vesh askush; i vë kapak (kapakun); i vë gurin e rëndë (diçkaje). I vuri gurët në zemër (dikujt) e shtrëngoi shumë dikë, e detyroi me forcë për diçka; ia shtrëngoi darët. I vë (një) gur zemrës duroj shumë; i zotëroj ndjenjat, e mbaj veten për të përballuar hidhërimin, e mposht një dhembje të thellë shpirtërore a një mall të madh; nuk e lëshoj veten, përpiqem të bëhem i fortë; e bëj zemrën gur. *Xixë guri. I zuri guri *këmbët (dikujt). Sikur ka zënë perëndinë me gurë (dikush) vuajti shumë, ka kaluar shumë vështirësi e të këqija; u stërmundua, u rraskapit (në jetë a në një punë); hoqi lëngun e ullirit; hoqi pikën e zezë; nuk pa një ditë të bardhë; iu nxi jeta (dikujt).
SHKËMB,~I m. sh. ~ÍNJ, ~ÍNJTË 1. Gur shumë i madh e i fortë, i formuar natyrshëm apo nga lëndë të ngurtësuara, me faqe të rrëpirëta e me thepa, shkrep. Shkëmb i madh (i lartë). Shkëmb i zhveshur (i veshur). Shkëmb nënujor. Çanë shkëmbin. E gjeti nën një shkëmb. Manastiri ishte ndërtuar mbi një shkëmb. Rrinte mbi një shkëmb (majë shkëmbit). Hipi (ngjitem) në një shkëmb. Ra (u rrëzua) nga shkëmbi. Shkallë të gdhendura në shkëmb. Shqiponja u lëshua nga një shkëmb. Gjuha çan shkëmbin (gurin). (fj. u.).
2. gjeol. Masë minerale me ndërtim, me përbërje dhe me prejardhje pak a shumë të njëjtë, që formon pjesën më të madhe të kores së tokës. Shkëmb i butë (i fortë). Shkëmb vullkanik (gëlqeror, rreshpor, kristalor). Shkëmb i përshkueshëm (i papërshkueshëm) nga uji. Shkëmb graniti.
3. gjeol. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme shkëmbinjsh. Shkëmbinjtë magmatikë shkëmbinj të formuar nga ftohja, ngurtësimi e kristalizimi i magmës. Shkëmbinj acidë shkëmbinj magmatikë që përmbajnë shumë oksid silici. Shkëmbinj bazikë shkëmbinj magmatikë me përmbajtje relativisht të pakët oksidi të silicit dhe të pasur me hekur, magnez e kalcium.
3. fig. Qëndrim pa lëvizur. Rrinte pa lëvizur si një shkëmb.
4. sh. ~A, ~AT Stol, fron prej druri zakonisht me tri këmbë; karrige e thjeshtë prej druri. U ul në shkëmb.
5. Përdheci i parmendës. Shkëmbi i parmendës.
✱Sin.: shkrep, shpellë, rragam, harc, gur, gërxh, karpë, kep, krep, thep, qetë, cep, curr, karmë, qopal, popël, prag, burg, gocan, buzë, skërkë, stol, fron, dallgore, bigë.
♦ Bletë shkëmbi. E hedh farën në shkëmb (dikush) shih e hedh farën në ujë (dikush). Hedh *pleh në shkëmb (dikush). E ka kokën shkëmb (dikush) është shumë kokëfortë, s’tundet nga e tija; është kokëshkëmb; e ka kokën gur; e ka kokën gdhe; e ka kokën me gunga. Rrokullis shkëmbinj (dikush) bërtet me të madhe e kërcënon dikë se do t’i bëjë gjëmën, kërkon t’i futë frikën dikujt me ulërima, me sharje e me kërcënime.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë