Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSOLUTÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT libr. Ai që ka pushtet të pakufizuar dhe qeveris pa ndarje të pushtetit; sundimtar ose pushtetar absolutist. Absolutist i pamëshirshëm. Ishte absolutist.
ABSOLUTÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET libr. Ajo që ka pushtet të pakufizuar dhe qeveris pa ndarje të pushtetit; sundimtare ose pushtetare absolutiste. Absolutiste e pakompromis. Vepronte (sillej) si absolutiste.
ABSOLUTÍZ/ËM,~MI m., libr. Sistem a formë qeverisjeje, në të cilin pushteti është i përqendruar në duart e një individi ose të një autoriteti të vetëm, zakonisht të një mbreti ose të një perandori që qeveris ose sundon pa kufizime nga ligje, nga institucione ose nga organe të tjera qeverisëse; sundim absolut. Kundër absolutizmit. Absolutizmi i sulltanit. Rënia (rrëzimi, përmbysja) e absolutizmit.
✱Sin.: autokraci, autoritarizëm, diktaturë.
ADMINISTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR drejt., kal. 1. Drejtoj dhe organizoj punën në një fushë a në një degë të veprimtarive shtetërore, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, shkencore sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Administron ekonominë. Administron shëndetësinë. Administron një kompani. Administronte biznesin e vet. Administron burime financiare. Administruan investimet.
2. Kujdesem për një pasuri të luajtshme (të paluajtshme) ose për një vlerë, që të përdoret mirë sipas rregullave ose sipas nevojave; mbikëqyr, përdor. Administroj vlerat (të ardhurat, fondet). Administron pasurinë e përbashkët. Administron tokat (banesat, objektet, burimet etj.). Administroj ilaçet.
✱Sin.: qeveris, udhëheq, drejtoj, organizoj, përdor, menaxhoj, mbarështoj, ndoroj.
ASÉT,~I m. sh. ~E, ~ET ek., fin. Burim ekonomik, pasuri, që një individ, një biznes ose një entitet tjetër ka ose drejton a qeveris për të përfituar prej tyre në një të ardhme; para, prona të paluajtshme, pajisje, investime dhe pasuri tjetër, që ka vlerë ekonomike dhe që mund të përdoret për të krijuar të ardhura. Asete të mëdha. Asete të paluajtshme. Asete materiale (jomateriale). Asete reale. Asete financiare. Asete për marrjen e fondeve afatshkurtra (afatgjata).
✱Sin.: pasuri, burim, mall, resurs.
BABOVÍT (BABOVÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Rregulloj, qeveris shtëpinë, amvis. Babovita shtëpinë.
2. I jap dikujt të hajë, e vesh dikë, e mbath, e bëj gati. Mezi i baboviste fëmijët.
✱Sin.: rregulloj, amvis, ndreq, ftilloj, krahishtoj, sistemoj, qeversis, mataroj, kullandris, ujdis, godit, ndërtoj, ormis, orendit.
BASHKËQEVERÍS vep., ~A, ~UR zyrt., kal. Qeveris së bashku me një tjetër a me të tjerë. Bashkëqeverisim me sukses.
BASHKËQEVERÍSËS,~E mb., zyrt. Që qeveris bashkë me dikë a me të tjerë. Parti (forca politike) bashkëqeverisëse.
DREJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj të drejtë diçka që ka qenë e shtrembër, e lakuar a e përkulur, e kërrusur, e pjerrët a me dredha; e bëj të sheshtë; kund. shtrembëroj, përkul. Drejton telin (gozhdën). Drejton shkopin (shufrën, thuprën). Drejton gardhin. Drejtoi krahun (këmbët). Drejtoi qafën. Drejton dërrasën. Drejton kapakun (llamarinën, kapakun e tenxheres, fundin e tiganit). Drejtoi hunjtë (shtyllat, furkat). Drejtoi fidanët. I drejtoi faqet.
2. Rregulloj diçka duke e kthyer në gjendjen e vet të zakonshme. Drejtoi supet. Ia drejtoi sytë (për dikë që i ka pasur të shtrembër). I drejtoi sytë vështroi drejt përpara (për dikë që vështronte shtrembër).
3. I jap drejtimin në një pikë të caktuar, e kthej dikë a diçka nga ajo anë drejt së cilës do të lëvizë; e vë drejt asaj ane a hapësire ku gjendet dikush a diçka; e kthej në një drejtim të caktuar. E drejtoi nga lindja (nga veriu, nga ana e detit, me fytyrë nga dielli). E drejtoi nga vetja. E drejtoi grykën lart (poshtë, anash). I drejtoi topin. E drejtoi andej (në anën e kundërt).
4. E vë diçka në një qëndrim të caktuar, ashtu si duhet ose sipas drejtimit të diçkaje tjetër. E drejton pingul (horizontalisht). E drejtoi sipas murit (sipas tavanit, sipas truallit).
5. E çoj te dikush, e këshilloj dikë të shkojë diku në një zyrë etj. për punën që ka; e çoj a e nis në një drejtim të caktuar, e dërgoj diku. E drejtoi në ministri. E drejton te të tjerët. - Për ku po më drejton? - Mos i drejto tek unë! I drejtoi për në fshat (për në Durrës).
6. I dërgoj dikujt një letër, njëftesë, një shkresë, një lutje etj.; i dërgoj nga larg një letër përshëndetjeje, të fala etj.; i bëj të njohur diçka me gojë ose me shkrim; i kërkoj diçka ose i bëj thirrje për diçka. I drejtoi një letër (një telegram). I drejton të fala (përshëndetje). I drejtoi një thirrje (një notë). I drejtoi një lutje (një kërkesë, një ankesë). I drejtoi një pyetje.
7. fig. Hedh në një drejtim; përqendroj. Drejton sytë (vështrimin) te (nga) dikush a te (nga) diçka. Drejton vëmendjen.
8. libr. Ngas një automjet ose një aeroplan. Drejton makinën (buldozerin, aeroplanin).
9. Dirigjoj orkestrën ose korin. Drejton korin (orkestrën).
10. Organizoj e udhëheq punën a veprimtarinë e një institucioni, të një grupi njerëzish, në një fushë të veprimtarisë shoqërore etj., jam përgjegjës e kujdesem që ajo të shkojë mbarë e të përparojë; organizoj një mbledhje a një konferencë, kujdesem për të, jap udhëzime të veçanta gjatë zhvillimit të punimeve, mbaj radhën e rregullin gjatë diskutimeve etj. Drejton institutin (kompaninë, shoqatën, shkollën). Drejton punën (praktikën mësimore, seminaret, ekspeditën). Drejton grupin (nxënësit, studentët). Drejton mbledhjen (konferencën).
11. fig. I tregoj dikujt rrugën për t'ia arritur një qëllimi, i caktoj atij pikësynimet e afërta e të largëta dhe rrugën që duhet të ndjekë për t'i arritur ato. Drejton kryengritjen (demonstratën).
✱Sin.: shtrij, zgjat, ndreq, rrafshoj, kthej, sjell, çoj, hedh, dërgoj, paraqit, parashtroj, bëj, ngas, prij, kryesoj, dirigjoj, udhëheq, qeveris, komandoj, mbuloj.
♦ E drejtoi (e ndreqi, e rregulloi) *gojën (dikush). Drejtoj *sytë. I ka drejtuar *shigjetën (dikujt a diçkaje). E drejtoi *shpinën (kurrizin) (dikush).
KEQQEVERÍS vep., ~A, ~UR kal. dhe jokal. Qeveris keq.
KEQQEVERÍSËS,~E mb. Që qeveris keq. Metoda keqqeverisëse.
MATAR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E pastroj dhe sistemoj, e vë në rregull, rregulloj (për shtëpinë ose diçka tjetër); mbarështoj, qeveris, mbarështoj (zakonisht për punët e shtëpisë). E mataroi shtëpinë.
2. E kryej në rregull, e mbaroj një punë. I mataroi punët e shtëpisë. I mataroi fëmijët i rregulloi, u dha të hanë e të pinë dhe i vuri në gjumë.
✱Sin.: rregulloj, gatit, ndreq, pastroj, sistemoj, mbarështoj, qeveris.
MÁTK/Ë,~AIV f. sh. ~A, ~AT bised. 1. Grua me përvojë që ka përgjegjësinë kryesore në punët e shtëpisë, amvisë e mirë që qeveris shtëpinë. Ajo grua është matka e shtëpisë. Janë dy matka në shtëpi është vjehrra dhe nusja që hahen se kush do të jetë e para në shtëpi. U bënë dy matka në shtëpi kanë mbetur dy nuse në shtëpi e grinden mes tyre për të marrë pleqësinë e shtëpisë.
2. Grua që kursen, kursimtare. Është një matkë ajo që s’ia gjen shoqen.
✱Sin.: amvisë, shtëpiake, kursimtare.
MBARËSHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Kujdesem për ekonominë e shtëpisë, për tokën, për bagëtinë a për diçka tjetër me vlerë që të vejë mbarë, të përdoret e të shfrytëzohet drejt e në mënyrë sa më të dobishme dhe që të ruhet e të mos dëmtohet; rregulloj mirë dhe e vë në udhë të mbarë një punë a një ekonomi; qeveris, krahishtoj. Mbarështoj shtëpinë. Mbarështojnë tokën (ekonominë, bagëtinë). Fshati kryesisht mbarështonte delen.
✱Sin.: amvis, mataroj, qeveris, ndreq, rregulloj, krahishtoj, mbarësoj, administroj.
MIRËQEVERÍS vep., ~A, ~UR kal. Qeveris mirë. E mirëqeveris shoqërinë. E drejta e një populli për t’u mirëqeverisur konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë