Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÁSHK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Gjithë leshi i pashprishur që merret nga një qethje e deles, tërësia e leshit që mbulon lëkurën e deles etj.; ble. Bashkë leshi. Njëzet bashka. Lidh bashkën. Shkoi për bashkë dhe erdhi i qethur. (fj. u.). Jepi dreqit bashkën, të të lërë lëkurën. (fj. u.). Delja shkoi për bashkë, breshka për patkonj! (fj. u.).
2. fig. Diçka e bardhë, e fryrë dhe e butë, që i ngjan leshit të deles. Bashkë resh. Bashka bore.
♦ S’më la asnjë bashkë (dikush) shih mbeta (ngela) me gisht në gojë. I mori bashkën (dikujt) e shfrytëzoi deri në palcë, e rropi, e qethi mirë; i rropi (i hoqi) lëkurën; ia mori shpirtin.
GËRSHË́R/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vegël e përbërë nga dy krahë të mprehtë çeliku, që lëvizin të kryqëzuar rreth një boshti të përbashkët për të prerë pëlhurë, letër, llamarinë etj. ose për të krasitur pemët. Gërshërë e vogël (e madhe). Gërshërë flokësh. Gërshërë rrobaqepësish. Gërshërë thonjsh. Gërshërë për krasitje. Gërshërë për prerjen e metalit. Dorezat e gërshërës. Pres (qeth) me gërshërë.
2. Makinë a mekanizëm me dy krahë të mprehtë për prerjen e metaleve të ndryshme, të lëkurës etj. Gërshërë automatike. Gërshërë elektrike.
3. Qethja e dhenve me një vegël të tillë; sasia e leshit që merret nga kjo qethje. Gërshëra e parë (e dytë).
4. Gërshërëz.
5. fig. Dallim i theksuar, hendek; mospërputhje. Gërshëra e çmimeve. Gërshëra midis fshatit dhe qytetit. Gërshëra midis punës mendore dhe punës fizike. Ngushtimi i gërshërës midis importit dhe eksportit.
6. si mb., sport. Që bëhet duke kryqëzuar këmbët ose duart. Stil gërshërë mënyrë kërcimi së larti që bëhet duke kryqëzuar këmbët në ajër. Not gërshërë lloj noti që bëhet duke u shtrirë gjysmë anash e duke kryqëzuar duart dhe këmbët.
♦ I bëri veshët gërshërë (dikush) shihi bëri veshët pipëz (dikush). I ra gërshëra (dikujt a diçkaje) shih i ra fshesa (dikujt a diçkaje). Ka futur kryet ndër gërshërë (dikush) shih e vuri (e futi) kokën në gërshërë (dikush). Është e gërshërës dhe e gjilpërës (dikush) është e aftë për të prerë e për të qepur; është shumë e zonja në punë shtëpiake; i ka duart flori. E kam kokën në gërshërë jam në rrezik shumë të madh; e vë (e fut) kokën në gërshërë; e kam litarin (lakun, thikën, halën) në grykë. E korr livadhin me gërshërë (dikush) mundohet shumë për të bërë një punë, sepse nuk ia ka gjetur mjetet a mënyrën e përshtatshme; ia hyn një pune shumë të vështirë pa mjetet e duhura; e than detin me lugë; bën urë me gëzhdalla. Me *kryet në gërshërë. U ngushtua gërshëra. 1. U pakësuan dallimet a mospërputhjet midis dy gjërave, janë afruar edhe ca. 2. U shkurtuan afatet për të përfunduar diçka, u shtuan kërkesat e detyrimet për t’i dhënë fund; u shtrëngua puna. I prerë me gërshërë shumë i përshtatshëm për të bërë një punë, pikërisht ashtu si duhet. I ka prerë një gërshërë janë shumë të ngjashëm, janë pothuajse njësoj. I vuri (i futi) gërshërën (diçkaje) e preu krejt; e qethi; e shkurtoi shumë, i hoqi pjesë të tëra (një shkrimi etj.). E vuri (e futi) kokën në gërshërë (dikush) e rrezikoi veten, e vuri jetën në rrezik të madh; e ka kokën në gërshërë.
MEKANÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me mekanikën, që i përket mekanikës, i mekanikës; që merret me mekanikë. Ligjet mekanike. Shkollë mekanike. Dega mekanike e fakultetit të inxhinierisë.
2. Që punon a lëviz me ndihmën e një makine ose të një mekanizmi; që bëhet me makinë. Mjete mekanike. Sharrë (pompë, sitë) mekanike. Lopatë (shkallë) mekanike. Endje mekanike. Mjelje (qethje) mekanike. Shirje (korrje, zhveshje) mekanike. Shpim mekanik.
3. Që ka të bëjë ose që merret me projektimin, me prodhimin dhe me ndreqjen e makinave e të aparateve të ndryshme, si edhe të pjesëve të tyre të veçanta. Industria mekanike. Uzinë mekanike. Repart mekanik. Baza (ofiçina) mekanike. Inxhinier mekanik.
4. Që shkaktohet nga një forcë e jashtme (tronditje, lëkundje, gërvishtje etj.), e cila vepron mbi diçka. Dëmtime mekanike.
5. fig. Që bëhet në mënyrë të vetvetishme e të pavullnetshme, në mënyrë të pavetëdijshme e pa u menduar; që është diçka e jashtme, jo e brendshme e organike; që punon e vepron si një makinë; që nuk kërkon ndonjë përpjekje të madhe mendore; i thjeshtë. Lëvizje mekanike. Punë mekanike. Zbatim mekanik. Lidhje mekanike. Shtesë mekanike. Riprodhim mekanik i mësimit. Në mënyrë mekanike mekanikisht. Shumica mekanike e votave shumica e thjeshtë. Kujtesë mekanike (psikol.).
QÉTHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Prerja e flokëve të dikujt; prerje, heqje e leshit të bagëtive me gërshërë a me makinë; prerja a shkurtimi i pushit të sixhadesë, të stofit etj.; krasitje; shkurtim; shfarosje në masë; kositje. Qethja e parë (e dytë). Qethja e flokëve (e kokës). Qethja e dhenve. Qethja e sixhadeve. Dita e qethjes. Qethja e shkurreve. Qethja e artikullit. Qethje elektrike proces i qethjes së bagëtive të imëta me qethëse elektrike. Qethje me dorë proces i qethjes së bagëtive të imëta (dele e dhi) me gërshërë qethëse dore.
✱Sin.: shkadhitje, harrje, tëharrje, rrallim, të krasiturit, cungim, zvogëlim, pakësim.
SHKURTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ia zvogëloj diçkaje gjatësinë Shkurtimi i afateve. Shkurtimi i ditës (i natës). Ka vend për shkurtime.
2. Heqja e një pjese nga një tekst i shkruar; pjesa që hiqet. Botohet me disa shkurtime.
3. vjet. Përmbledhje e një shkrimi a e një fjalimi. U botua një shkurtim i fjalimit.
4. gjuh. Paraqitja e një fjale a e një grupi fjalësh në trajtë të shkurtuar, që bëhet për ta shkruar atë më shpejt dhe në më pak vend (p.sh. km «kilometër», d.m.th. «domethënë», p.sh. «për shembull», etj. «e të tjera»). Pasqyra e shkurtimeve. Përdorimi i shkurtimeve.
✱Sin.: cungim, cungullim; zvogëlim; pakësim, ulje, kufizim; paracukël (emri); heqje; qethje, prerje, marrje,përmbledhje; pakësim, ulje; krasitje.
VILÁTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vilat pemët. Vilatja e pemëve. Vilatja e mollëve (rrushit). U bëri një vilatje të imët pemëve.
2. Veprimi kur vilatim delet në gushë, në bark e në bisht. Vilatja e dhenve. U bëri dhenve një vilatje të lehtë në bark e në gushë.
✱Sin.: krasitje, rrallim, qesim, shkadhisje; përvjelje, qethje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë