Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DHEN,~TË f. vet. sh. 1. Delet, deshtë dhe shqerrat së bashku; delet. Bari dhensh. Tufë dhensh. I qethën dhentë. Kam ruajtur dhentë që i vogël.
2. bot. Pjesë e dytë e emërtimit të pathjeshtë për një lloj luleje. Lule dhensh (lat. Bellis perennis) luleshqerrë.
3. zool. Pjesë e dytë e emërtimit të pathjeshtë për një lloj zogu. Zogu i dhenve (lat. Motacilla) bishtatundësi.
♦ Si dhentë pa bari (pa çoban) pa udhëheqje, pa drejtues e pa kujdestar; nuk ka kush t’i ruajë e t’i mbrojë. Dhen në shtrungë. 1. Në rresht njëri pas tjetrit e ngjeshur me njëri-tjetrin; dhen në vathë. 2. Si të trembur, si me frikë para dikujt; të shtruar e të bindur. Dhen në vathë grumbull, kokë më kokë, ngjeshur me njëri-tjetrin; dhen në shtrungë1. Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Kapllan Qeres! thuhet kur dikush punon, mundohet e lodhet, por namin, lavdërimet, të mirat etj. i merr një tjetër; kush punon e kush fiton!; kush polli e kush mori groshin! (Njihet) si *dhia në mes të dhenve. I flas për dhentë e më kthehet për dhitë (dikush) bised. tall. flet tjetër për tjetër, flet kot, si t’i vijë, pa i ditur gjërat e pa i gjykuar fare; rri me dhen e flet për dhi; flet për gogla dushku në lëmë. Ndaj dhentë (delet) nga dhitë dalloj nga njëra-tjetra dy gjëra që s’duhen ngatërruar; i sqaroj mirë gjërat; ndaj shapin nga sheqeri; ndaj egjrën nga gruri; ndaj grurin nga egjra. Kur të qethen dhentë e kuqe iron. shih kur të hipë gomari në fik iron. Rri me dhen e flet për dhi (dikush) keq. shih i flas për dhentë e më kthehet për dhitë (dikush) bised. tall. I vijnë dhentë pa çoban (dikujt) i shkojnë punët shumë mirë, i ka punët gjithnjë si duhet; çdo gjë i vete mbarë vetë; i vjen e mira në derë; e gjen e mira vetë (dikë); i pjell edhe gjeli.
DHI,~A f. sh. ~, ~TË 1. Kafshë me trup sa delja me brirë e me lesh të gjatë, të drejtë e të ashpër, e cila mbahet për qumështin, leshin, mishin dhe lëkurën. Dhi e bardhë (e zezë, e larme). Dhi shytë. Rritja e dhive nëpër male. Mish (lesh, qumësht, gjalpë, lëkurë) dhie. Bari dhish. Brirë dhie. Djathi i dhisë është më i shtrenjti. Dhia në malësi, delja në vërri (fj. u.). secili duhet të qëndrojë në vendin e vet, gjithçka duhet vënë në vendin që i përket.
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme dhish. Dhi malteze dhi e një race të mirë që jep shumë qumësht. Dhi mali dhi me trup të fortë e përshtatur për t’u mbajtur në zona malore. Dhi cjapore dhi me brirë si të cjapit. Dhi e egër kafshë e ngjashme me dhinë, me brirë shumë të gjatë e shumë e zhdërvjellët, e cila jeton në male të larta e të thepisura.
♦ *Bari dhish keq. E bëri *çorap me lesh dhie (diçka) iron. Ble dhi pa gjetur barí (dikush) tall. e bën diçka para kohe, nxiton e bën një punë të papjekur; nuk i mendon mirë gjërat, është i nxituar; djali pa lerë e djepi blerë iron. *Cjapi mish e dhia tavë mospërf. Ku di dhia ç’është tagjia (ç’është kulumbria)! mospërf. nuk është i zoti dikush të vlerësojë atë që është me të vërtetë e mirë dhe me vlerë (zakonisht për dikë që është i prapambetur e i pagdhendur); ku di derri këmborë! *Dhentë e dhitë e Zeres nami i Kapllan Qeres! Dhi arrakate shar. vajzë që nuk mblidhet në shtëpi, që bredh poshtë e përpjetë; vajzë e egër, e pashtruar në punë a në shkollë; dhi e egër. Dhi e egër vajzë a grua e gjallë a e shkathët, por jo e afrueshme; dhi arrakate shar. (Njihet) si dhia në mes të dhenve bie në sy menjëherë në mes të tjerëve, dallohet qartë për keq; nuk i përshtatet mjedisit ku ndodhet, është i huaj për rrethin ku jeton; (njihet) si kau balash. Dhia mish e cjapi tavë mospërf. është e njëjta gjë, nuk ka ndonjë dallim, është njësoj; po ajo gjë a po ai njeri; cjapi mish e dhia tavë; mish me presh e presh me mish; Ali hoxha e hoxhë Aliu. Si dhia thikën me shumë frikë nga diçka që pritet të ndodhë e që do t’i kushtojë shumë, me tmerr; me zemër të ngrirë; me gjak të ngrirë. Dhi (dele) në mes të ujqve ai që është në rrezik të madh, në rrethana ku mund të zhduket, pa mbrojtje e shumë i rrezikuar. Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë (cakërr) mospërf. njeri i pavlerë, por mendjemadh; njeri që s’ka asgjë ose që s’është i zoti për asgjë, por hundëpërpjetë; edhe qeros, edhe qibar (fodull); breshri e rreh e hunda me majë. I flas për *dhentë e më kthehet për dhitë (dikush) bised. tall. Ia fsheh *brirët dhisë (dikush) keq. E futën në *vathë të dhive (dikë). I kanë ikur dhitë (dikujt) tall. nuk është në rregull nga mendja, ka shkarë, nuk është në vete, s’është në terezi; ka lajthitur, ka shkalluar ca; e kanë çukitur pulat (dikë) tall.; s’është në terezi (dikush); s’është në liq (dikush); kund. i erdhën dhitë (dikujt)tall. Ka *syrin e dhisë (dikush) iron. Si *këmbët e dhisë mospërf. I kërkon *brirë dhisë shytë (dikush) iron. Kërkon *kec nga dhia shterpë (dikush). Mjel një *dele e një gjysmë dhi (dikush). Mori *udhën e dhive (dikush) iron. Ndaj *dhentë (delet) nga dhitë. Një nga dhia e dy nga vija (dy nga vija e një nga dhia) ka më shumë ujë se qumësht a se një pije tjetër. Rri me *dhen e flet për dhi (dikush) keq. Pesë dhi gjashtë zile më shumë zhurmë se punë; shumë vetë që s’bëjnë ndonjë gjë të madhe, por e fryjnë më shumë sesa është. *Shakull dhie me lesh përbrenda përb. I erdhën dhitë (dikujt) tall. shih i erdhën mendtë2; kund. i kanë ikur dhitë (dikujt) mospërf.
GROSH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT vjet. Monedhë turke, që është përdorur edhe në Shqipëri, me vlerë dyzet para ose sa një e njëqindta e lirës turke; kacidhe. S’bën (s’vlen) asnjë grosh nuk vlen fare. Paguan një grosh e hyn në valle. Paguan njëqind e s’del dot (fj. u.) është e lehtë t’ia hysh një pune, por është e vështirë t’ia dalësh mbanë.
♦ E bën groshin *kacidhe (dikush). Dy groshë (pesë para) *oka mospërf. Na dy groshë e më qaj burrin! përçm. shih i nxjerr gështenjat (nga zjarri) me duart e botës (dikush). Futet (hyn) pesë *para në grosh (dikush) mospërf. Pesë *pordhë një grosh biesd. vulg. Më polli groshi (me dikë) shih më polli (më ndezi) belaja (me dikë). Kush polli e kush mori groshin! thuhet kur dikush punon, mundohet e lodhet, por namin, lavdërimet, të mirat etj. i merr një tjetër; dhentë e dhitë e Zeres nami i Hasan Qeres!*Vrima e miut pesëqind groshë!
NAM,~I m., bised. 1. Fama që i del dikujt ose mendimi që është krijuar për dikë a për diçka për të mirë ose për të keq. Është me nam është shumë i njohur, i përmendur. Me nam të mirë (të keq). Me nam e në zë. Burrë (punëtor) me nam. Fshat me nam. I doli nami u bë i njohur. I doli nami i mirë (i keq). Fitoi (mori) nam të madh. Ka një nam. Ia rriti (ia shtoi) namin. I vajti nami larg. T'u shoftë nami! (mallk.) I humbtë nami! (mallk.) Më mirë të të dalë syri, sesa nami. (fj. u.).
2. fig. Dëm i madh, e keqe e madhe, shkatërrim i madh, kërdi, gjëmë; zhurmë e madhe për diçka, qamet. Bëri namin për një pulë. S’bëhet nami!
3. Sasi shumë e madhe. U mblodh nami i gjindjes. Nami i kokrrave ranë në tokë nga era e madhe.
✱Sin.: famë, emër, zë, zulmë, dëm, shkatërrim, kërdi, gjëmë, zhurmë.
♦ S’u bë nami! mospërf. nuk ndodhi ndonjë e keqe e madhe, s’u prish ndonjë punë e rëndësishme; punë e madhe (fort)! mospërf. Bën namin (dikush). 1. Arrin diçka të madhe; fiton bujshëm. 2. Bërtet e shan me të madhe për diçka, bën zhurmë të madhe; e kthen gjithçka përmbys; bën hatanë; vë kujën; bën gurin e gjakut; e ngre zërin në qiell. *Dhentë e dhitë e Zeres nami i Kapllan Qeres! (Humbi) pa nam e pa nishan (dikush a diçka) u zhduk krejt, humbi pa lënë asnjë gjurmë; as e dimë ku ka vajtur a ku është, nuk i gjendet asnjë shenjë; i humbi (s’i gjendet) nishani (dikujt a diçkaje); (humbi) si pluhuri në erë; (sikur) ra në pus. Është me nam (dikush a diçka) shquhet, dallohet, e njohin të gjithë (për të mirë a për të keq). La nam (dikush) bëri diçka të jashtëzakonshme (të mirë a të keqe), që i habiti të tjerët e pati jehonë të madhe; la përshtypje tek të gjithë; e përflasin të gjithë; ia bëri fora; u bë përrallë.
QÉR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Sëmundje ngjitëse e lëkurës së kokës, që shkaktohet prej disa kërpudhash shumë të imëta dhe që shfaqet me plagë të qelbëzuara, nga të cilat bien flokët dhe lëkura bëhet luspa-luspa; qerosë. Bari i qeres. I ka rënë (e ka zënë) qerja. Qerja e këmbëve (mjek.) sëmundje e lëkurës së këmbëve, që shfaqet me flluska me ujë, sidomos midis gishtërinjve. Qerja e thonjve (mjek.) sëmundje e thonjve të duarve dhe të këmbëve, nga e cila ata trashen, çngjyrosen dhe thyhen.
2. tall. Lëkurë e kokës pasi bien flokët; tullë. Kruan qeren. I shkëlqen qerja.
♦ Qime në qere diçka shumë e rrallë; diçka që ndodh shumë rrallë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë