Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GËRSHÉT,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Tufë flokësh si bisht, që vajzat e gratë e bëjnë duke thurur tri tufëza së bashku; bishtalec. Gërshet i gjatë (i trashë). Gërsheta të zezë (të verdhë). Thur gërshetat. Mban gërsheta. I preu gërshetat. Lidh gërshetat. Si gërshet.
2. Diçka e thurur si flokët në trajtën e bishtit; varg. Gërshet kashte (gruri). Gërsheti i litarit. Gërshet fijesh. Gërshet hudhrash (qepësh).
3. Qëndismë me këtë lloj thurjeje ose thurimë në triko, në çorape etj. në trajtë të bishtalecit.
4. si ndajf. Në trajtë të një tufe a të një vargu të përbërë nga tri pjesë të thurura bashkë. Thur (bëj) gërshet flokët (hudhrat, qepët, zorrët).
✱Sin.: gërshetë, bisht, bishtalec, varg.
♦ E bëri gërshet (diçka) shih e bëri lëmsh (diçka). I kanë dalë mendtë mbi gërsheta (mbi *bishtaleca) (dikujt).
LÍDHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur lidh diçka; kund. zgjidhje, çlidhje. Lidhja e duajve. Lidhja e plagëve. Lidhja e librave. Lidhja e mësimit me punën (me jetën). Lidhja e teorisë me praktikën.
2. Marrëdhënie e varësi e ndërsjellë ndërmjet qenieve, sendeve ose dukurive; marrëdhënie të afërta ndërmjet dy a më shumë vetave që jetojnë a punojnë së bashku ose që kanë mendime të njëjta a synime të përbashkëta. Lidhje dashurie. Lidhje e përhershme. Lidhje shkakësore. Lidhje pune. Lidhje interesash. Lidhja ndërmjet sendeve (dukurive). Kanë lidhje ndërmjet tyre. S'kanë asnjë lidhje. Ka (mban) lidhje të mira me dikë. I ndërpreu (i preu) lidhjet.
3. Bashkërendim i natyrshëm dhe i përshtatshëm ndërmjet pjesëve të diçkaje, bashkim i qëlluar dhe i përpjesëtuar mirë i elementeve përbërëse të diçkaje; pajtim i plotë ndërmjet dy gjërave, përputhje e dyanshme sipas një përpjesëtimi të caktuar. Lidhje shumë e mirë (e përsosur, e plotë). Fjalë (mendime) pa lidhje. I mungon lidhja diçkaje. Nuk ka lidhje logjike.
4. Afri gjaku e gjinie a farefisnie ose marrëdhënie të tjera familjare. Lidhje familjare (martesore). Lidhje gjinie (gjaku, farefisnie). Lidhje krushqie.
5. Lidhëse2, 3. Lidhje leshi (liri, lëkure). Lidhje thesi. Lidhje plagësh. Lidhje duajsh (kashte, gruri). E mbështolli me lidhje.
6. Nyjë, komb. E bëri lidhje. Nuk e zgjidhi dot lidhjen.
7. Pe në të cilin janë shkuar gjethet e një bime; varg në të cilin janë lidhur kokat e disa perimeve ose kallinjtë e drithërave; kurorë. Lidhje duhani. Lidhje misri. Lidhje qepësh (hudhrash). I bëri lidhje.
8. Dredhë hardhie, kungulli etj., lidhëse. Lidhjet e hardhisë (e kungullit, e fasules).
9. Mjet marrëveshjeje ndërmjet njerëzve në largësi; të qenët i lidhur me një mjet të tillë. Lidhje telefonike (telegrafike). U prish (u ndërpre) lidhja. Vendos lidhjen. Ka lidhje me telefon (me radio).
10. Brez që mbërthen e përforcon trarët e pingultë të çatisë me ata horizontalë. Lidhje trarësh. Lidhjet e çatisë.
11. Shami koke si trekëndësh me dy cepa të gjatë, me të cilën gratë lidhin flokët; kryqe. Mblodhi flokët me lidhje.
12. spec. Mënyrë si mbërthehen a bashkohen pjesët ose detalet e diçkaje. Lidhje e shkurtër. Lidhje në seri (paralele) (elektr.). Lidhje me kabllo.
13. Shkalla e qëndrueshmërisë ose e fortësisë së një të tëre që përbëhet nga pjesë të ndryshme, të qenët i lidhur. Lidhje e fortë (e qëndrueshme, e dobët). Lidhja e murit. Lidhja e çimentos (e betonit). Lidhja e atomeve (e grimcave) të një molekule.
14. Grup njerëzish të organizuar; shoqatë; bashkim politik e shoqëror, që vepron si një organizatë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja e Kombeve (hist.) organizatë politike ndërkombëtare midis dy luftërave botërore, në të cilën përfaqësohej një pjesë e shteteve (sot Organizata e Kombeve të Bashkuara). Lidhja (aleanca) e shenjtë (hist.).
15. shtypshkr. Veshja dhe qepja e librit. Lidhje e thjeshtë (speciale).
16. kim. Përzierje e ngurtë ose e lëngët e fituar nga shkrirja e një metali me metale të tjera (ose me shtesa elementesh jo metalike), e cila ka veti të ndryshme fizike dhe kimike. Lidhje metalike. Lidhje shumë të forta (shumë të buta).
17. kim. Forcë tërheqëse e qëndrueshme ndërmjet atomeve ose joneve që bën të mundur formimin e molekulave. Lidhje bioklimatike (kim.)
18. let. Nyjë, ngjarja e parë që shënon fillimin e vargut të ngjarjeve kryesore të subjektit në një vepër letrare. Lidhja e një romani. Lidhja e subjektit.
✱Sin.: bashkim, ndërlidhje, caktim, marrëdhënie, raport, hallkë, shtrëngim, kapje, mbledhje, mbështjellje, ngjitje, mbërthim, urë, bashkërendim, pajtim, përputhje, afri, farefisni, gjak, lidhëse, liktyrë, gjalmë, nyjë, komb, kurorë, fashim, brez, shami, kryqe, shoqatë, ligë, shoqëri, aliazh, qepje, fije, fill.
♦ S’ka lidhje burri (dikush) përb. është i pabesë, nuk e mban fjalën e dhënë; t’i lë bajgat nën thonj keq.; punon prapa gardhit. I kam prerë (i kam humbur) lidhjet (me dikë) libr. jam shkëputur nga dikush për një kohë të gjatë, ngaqë s’e di se ku është ose ngaqë nuk dua të kem punë me të, nuk jap e marr më me të.
QEPI vep., ~A, ~UR kal. 1. Kap me pe, të shkuar në gjilpërë, anët e copave prej pëlhure, prej stofi, prej lëkure, një kopsë etj.; bëj rroba sipas masës; kund. shqep. Qep këmishën. Qep me dorë (me makinë). Qep me pe (me spango). Qepi një këmishë me porosi. Mësoj (di) të qep. Makinë për të qepur.
2. mjek. Bashkoj me pe, të shkuar në gjilpërë, dy buzët e një plage a të një të çare në trup. Qep plagën. Ia qepën buzën e çarë.
3. I lidh fletët e letrës a fashikujt e një libri së bashku me pe a me tel. Qep librin. Qep dokumentet.
4. fig. Mbyll fort. Qepe gojën! Duhet ta qepësh njëherë e përgjithmonë!
5. fig. Puthit fort, bashkoj e shtrëngoj fort. I qepi buzët. M'i qepi gjumi sytë (qepallat).
6. fig. Thur, shkruaj. Kishte qepur një poezi të bukur. Qepi një këngë të re për festival.
✱Sin.: zë, lidh, mbërthej, puq, përpuq, ildis, end, godit, bëj.
♦ *Pret e qep (dikush). I kanë qepur *arnën (dikujt). I qepi *buzët (dikush). E qepi (e kyçi, e mbylli, e mbërtheu) *gojën (dikush). Qep edhe pa *gjilpërë (dikush). Qep me pe të kalbur (dikush). Qep një *pëllëmbë e shqep një pash (dikush). Qep e shqep (dikush) e zvarrit shumë një punë, nuk e mbaron kurrë; as e kryen e as e lë; hiq e mos këput. *Vetë pret e vetë qep (dikush).
TÚF/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grup njerëzish a kafshësh, grumbull; grumbull kafshësh që jetojnë e ushqehen së bashku, tubë, kope, grigjë. Tufë djemsh (grash, vajzash). Tufë fëmijësh. Tufë bagëtish (dhensh, dhish). Tufë shpendësh (zogjsh, pulash, rosash). Tufat e lopëve (e kuajve). Tufë peshqish (balenash). Tufë ujqish lukuni, zogori. Kullotnin tufat. Vuri tufën përpara. U nda nga tufa. Delen që ndahet nga tufa, e ha ujku. (fj.u.).
2. Tërësi sendesh të hedhura njëri mbi tjetrin pa rregull; grup sendesh njëri pranë tjetrit, grumbull gjërash. Tufë gazetash (revistash). Tufë letrash (shkresash). Tufë lekësh. Tufë resh.
3. Një dorë lulesh të këputura me bisht dhe të lidhura a të mbështjella së bashku; buqetë, tubë; tufël. Tufë me lule. Tufë trëndafilash (zambakësh). Bëri një tufë me manushaqe.
4. Disa gjëra të një lloji, të lidhura së bashku; grumbull fijesh, fletësh, kërcejsh etj. që mbahen në dorë a lidhen së bashku; dorëz. Tufë bari. Tufë gruri (thekre). Tufë kallinjsh. Tufë qepësh (hudhrash). Tufa preshi (spinaqi). Një tufë karotash. Tufë flokësh. Tufë çelësash.
5. bot. Tufëz, xhufkë. Tufë misri lulja e misrit.
6. Shumicë, disa, qerre (fig.), zhgan. Janë një tufë në shtëpi. Kishte një tufë fëmijë. Ishin bërë një tufë.
7. Shtojcë, bisht. Fjalë me (pa) tufa.
8. fiz., gjeom. Grumbull drejtëzash ose rrezesh që dalin nga një pikë a nga një burim dhe që zgjaten në një drejtim të caktuar. Tufë drejtëzash. Tufë drite. Tufë rrezesh. Tufë shkëndijash.
9. si ndajf. Së bashku, në grumbuj të dendur, grumbull. Bagëtitë rrinin tufë. Lulet kishin çelur tufë.
✱Sin.: tufël, tufëz, tubë, kope, karvan, grigjë, lukër, stan, lukuni, mandër, lagje, trumbë, tumbë, turmë, roj, buqetë, çufër, tutël, zhgan, bylyk, shtëllungë, xhufkë, grumbull. gulç, gulçim.
♦ I ka mendtë në tufë të festes (dikush). 1. Është shumë mendjelehtë; sillet në mënyrë të shkujdesur, duke i marrë gjërat lehtë; nuk është i pjekur e serioz. 2. Është i hutuar, rri sikur s’është këtu; i ka fluturuar (i ka ikur) mendja (dikujt); nuk e ka kokën (mendjen) në vend. U nda nga tufa (dikush) u shkëput nga shokët e miqtë dhe mori një rrugë të keqe a mbeti prapa të tjerëve në jetë; u nda nga kopeja; doli nga vatha.
VAR/G,~GUI m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Radhë sendesh të një lloji, të shkuara në pe, në tel etj. ose që janë lidhura a gërshetuar njëri me tjetrin. Vargje duhani. Varg qepësh (hudhrash). Një varg rruazash. Vargje me fiq. Shkoj (duhanin) në varg.
2. Grup sendesh të një lloji, që janë vendosur njëri pas tjetrit në një radhë; radhë njerëzish, kafshësh etj., që lëvizin a që ecin në të njëjtin drejtim e zakonisht për një. Varg i pafund. Vargu i njerëzve. Vargu i shtëpive. Vargu i makinave. Vargu i patave. Vargu i maleve. Varg shkëmbinjsh.
3. fig., kryes. nj. Një radhë gjërash a ngjarjesh që vijnë njëra pas tjetrës në mënyrë të pandërprerë. Varg protestash. Varg arritjesh. Në vargun e sukseseve. Varg fjalësh (mendimesh). Në vargun e viteve. Në vargun e ngjarjeve.
4. let. Njësi poetike që përbëhen prej fjalësh e fjalish të shkruara në një radhë dhe që kanë një ritëm dhe një numër të caktuar rrokjesh; çdo frazë ritmike që krijohet nga alternimi i një sasie të caktuar rrokjesh të theksuara e të patheksuara; vet. sh. vjershë, poezi. Roman në vargje. Shkruan (thur) vargje. Strofë me katër vargje.
5. Pjesa e parë e emërtimeve për lloje të ndryshme vargjesh që përdorën në krijimtarinë poetike. Varg i bardhë vargu që nuk ka rimë me ndonjë varg tjetër, sepse mundëson një vazhdimësi më të madhe dhe tinguj më të afërm me ligjërimin e përditshëm sesa vargu i rimuar, e gjejmë në vargjet e eposit të kreshnikëve. Varg i lirë lloj vargu që nuk ka një numër të caktuar rrokjesh, theksash ritmikë e pauzash ose nuk formon strofa me rima sipas skemave tradicionale të metrikës. Varg i thyer varg i copëzuar që për arsye theksimi, intonacioni etj. copëzohet a shkruhet i ndarë. Vargu aleksandrin përbëhet nga dymbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë rrokje me një cezurë në mes pas rrokjes së gjashtë ose të tetë. Varg i dyzuar dy vargje pesërrokëshe, dy gjashtërrokëshe; dy shtatërrokëshe, paraqiten të lidhura në një varg të vetëm dhe krijojnë një varg të dyzuar. Varg i dyfishtë varg i dyzuar. Varg dymbëdhjetërrokësh. Varg heroik varg në metrikën e lashtë që ka dhjetë rrokje e pesë theksa dhe që rimon me vargun vijues. Varg klishe varg që përsëritet gjithmonë njësoj.
6. spec. Tërësi madhësish të vendosura në një radhë të caktuar; grup bashkimesh kimike që kanë një lidhje të caktuar ndërmjet tyre. Varg gjeometrik. Varg radioaktiv. Varg numerik. Varg natyror. Vargu i uranit.
7. edhe fig., kryes. nj. Numër i madh, sasi e madhe qeniesh, gjërash a dukurish që vijnë njëra pas tjetrës ose që formojnë një grup; disa. Në vargun e arritjeve. Varg fjalësh (mendimesh). Në vargun e viteve. Në vargun e ngjarjeve. Një varg bimësh nuk e durojnë thatësirën. Kishte një varg të metash (dobësish). Paraqiti një varg kërkesash. Ngriti një varg çështjesh. Bëri një varg pyetjesh. Ka shkruar një varg librash
✱Sin.: rresht, vistër, vistrak, vargan, vargua, vargare, vardar, kordon, tufë, kalivare, kalisher, kolonë, vazhdar, seri, sërë, qerthull, radhë.
♦ Varg e varg një pas një, njëri pas tjetrit, me radhë, radhazi, zinxhir; varg pas vargu; varg e vijë; varg e vistër (e vijë). Varg pas vargu shih varg e varg. Varg e vistër (e vijë) një pas një; njëri pas tjetrit; radhazi, me radhë e pa ndërprerje; varg e varg; varg pas vargu.
VÍST/ËR,~RAI f. sh. ~RA, ~RAT 1. Varg peshqish të shkuar në një fill a në një thupër të hollë; varg pemësh a perimesh të shkuara në pe. Vistrën e peshqve e hodhën përtokë dhe shpejtuan duke kapërcyer gurët e lumit. Vistër qepësh (hudhrash). Vistër fiqsh. Vistër specash.
2. Varg qeniesh a gjërash që vijnë njëra pas tjetrës. Një vistër e gjatë (pa fund). Një vistër njerëzish shkonin njëri pas tjetrit. Një vistër kuajsh të ngarkuar ngjiteshin si me përtesë lakoreve të malit. Një vistër automjetesh shkonin autokolonë.
✱Sin.: varg, radhë, kalisher.
♦ *Varg e vistër (e vijë).
ZÁG/ËN,~NA f. sh. ~NA, ~NAT 1. Pjesë are e ngushtë dhe e gjatë, pak më e ngritur në mes, që ka në të dy anët vija kulluese, lehe, vllajë; pjesa e dheut e ngritur midis dy hullive; hulli, brazdë. Zagën gruri (misri, duhani, qepësh, hudhrash). E mbollën në zagna. Ujërat e zagnave.
2. krahin. Copë toke (parcelë) e ndarë prej të tjerave me kufi gurësh.
✱Sin.: vijë, hulli, lehe, vllajë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë