Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KOPÉ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. Tufë e madhe kafshësh të egra, bagëtish shtëpiake etj.; tufë. Kope lopësh (me gjela deti). Dashi i kopesë. Kope ujqish.
2. bised., mospërf. Turmë e madhe njerëzish; grup i madh dhe i parregullt fëmijësh, nxënësish etj.; shumicë njerëzish; turmë. Ka një kope me fëmijë.
✱Sin.: tufë, turmë, grigjë, stan.
♦ Kope ujqish (çakejsh) keq. njerëz që përpiqen të zhdukin njëri-tjetrin; njerëz të pabesë e të rrezikshëm. U nda nga kopeja (dikush) u shkëput nga shokët, mbeti vetëm e mund të rrezikohet: u nda nga tufa; doli nga vatha. Rri prapa kopesë (dikush) keq. fshihet, nuk del në ballë, është tinëzar; i shkojnë (i venë) shtatë (në qase) (dikujt).
LÉPU/R,~I m. sh. ~J, ~JT 1. zool. (lat. Lepus timidus europaeus) Kafshë gjitare brejtëse, me kokë të rrumbullakët e me veshë të gjatë, me trupin të mbuluar me qime të gjata në ngjyrë të murrme ose të bardhë, me këmbët e prapme më të gjata se të përparmet, që rend shumë shpejt dhe që njihet si frikacake. Lepur i egër. Lepur i butë. Lepur i bardhë. Lepuri i fushave. Lëkurë (lesh) lepuri. Bishti i lepurit. Mish lepuri. Gjurmë lepujsh. Vrau një lepur. Lepuri i madh rri në ferrë të vogël. (fj. u.).
2. fig., mospërf., shar. Njeri që ka shumë frikë, frikacak i madh.
3. fig. Njeri shumë i shpejtë në të ecur.
4. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje lepujsh. Lepuri i butë (lat. Lepus cuniculus) lepur i zbutur që mbahet në mjedise shtëpiake a në komplekse industriale. Lepuri i egër (lat. Lepus europaeus) lepur me gëzof ngjyrë kafe dhe një nga llojet më të përhapur në vendin tonë.
✱Sin.: begun, kunel, buzëçarë, frikacak, frikaman, frikanjos, i shpejtë, këmbëshpejtë, këmbëlehtë.
♦ Është bërë lepur (dikush). 1. shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). 2. Është shumë i trembur; ua mbathi këmbëve nga frika; u bë erë; u bë veri. U bë *lëkurë lepuri (dikush). E bëri lepur (dikë) e frikësoi shumë, i futi tmerrin, e bëri të dridhej nga frika; i ka futur (i ka shtënë) lepurin në bark (dikujt). Më doli (më erdhi) lepuri në *shteg. Nga *ferra e vogël del lepur i madh. (Ku) fle lepuri ku qëndron e vërteta, përse është fjala, ku është thelbi i një çështjeje të fshehur etj. I ka futur (i ka shtënë) lepurin në bark (dikujt) e ka trembur shumë, e ka tmerruar; e ka bërë të dridhet nga frika; e bëri lepur (dikë). Gjuan për lepuj (dikush). 1. shih vret (numëron) miza (dikush). 2. Flet kot, flet për gjëra që s’i di mirë, ia këput; flet në tym. E humbi si lepuri në thekra (dikush) u hutua, u shastis; e humbi toruan; e humbi vulën; iu bënë mendtë bletë (dikujt). I ka hyrë lepuri në bark (dikujt) është trembur shumë, dridhet nga frika; është frikacak i madh, nuk guxon për asgjë; ka lepurin në bark (dikush); i ka hyrë frika në palcë; i shkojnë (i venë) shtatë (në qase) bised. S’është *kësmet të hajë dervishi lepur vjet. shaka. I jep lepurit *qepë (dikush) tall. Ka *gjak lepuri (dikush) tall. Ka lepurin në bark (dikush) është frikacak i madh, dridhet nga frika; i ka hyrë lepuri në bark (dikujt). Ka *zemër lepuri (pule) (dikush). Lepuri në mal e kusia në zjarr tall. shih peshku në det e tigani në zjarr tall. Nuk nxjerr lepur nga strofulla (dikush) nuk është i zoti për diçka, as një punë të lehtë a një shërbim të thjeshtë nuk bën dot; nuk e nxjerr gomarin nga balta. *Stan me lepuj tall. Shkoi *zagari e zuri një lepur. I erdhi lepuri në qerre (dikujt) i erdhi e mira në derë; i erdhi grifsha te çarku; i lulon bahçja në dimër. Më erdhi lepuri në shteg më erdhi rasti më i volitshëm për të goditur dikë a për të bërë diçka, m’u krijua mundësia më e mirë; u krijuan rrethana më të përshtatshme; më erdhi në shteg. Zuri lepurin (dikush) shaka. ra, u rrëzua përtokë, u shtri sa gjatë e gjerë; zuri zogun. E zë lepurin në lak i jap fund diçkaje, e kryej punën, e mbyll; ia dal në krye (diçkaje); ia dal mbanë (diçkaje). E zë (e kap) lepurin (dhelprën) me *qerre (dikush). (U zunë) për një *lëkurë lepuri. Zuri *qeni një lepur! iron.
LËKÚR/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shtresë e hollë, që mbështjell trupin e njeriut ose të kafshëve; kjo shtresë që u rripet kafshëve dhe përpunohet për qëllime të ndryshme; lëkurçe. Lëkurë e hollë (e trashë, e butë, e ashpër). Lëkurë e regjur. Lëkurë artificiale (sintetike). Lëkura e duarve (e fytyrës). Lëkurë deleje (qengji, keci, dhie, lope, kau, viçi, bualli, derri). Lëkurë dhelpre (kunadheje, ujku, tigri). Lëkurë gjarpri. Qimet e lëkurës. Gjëndrat e lëkurës. Sëmundjet e lëkurës. Opinga (këpucë) lëkure. Rrip (çantë, pallto) lëkure. I është plasaritur lëkura. Rrjep lëkurën. Regj (përpunoj) lëkurët. Vishen me lëkurë. E ka shtruar nimin me lëkurë. Shkurti shkurton urët, marsi rrjep lëkurët. (fj. u.). S’dalin dy lëkurë nga një dele (nga një berr). (fj. u.) nuk duhet kërkuar nga një njeri më tepër sesa janë mundësitë.
2. bised. Kacek; shakull. Lëkurë vaji. Djathë lëkure. Bie shi me lëkurë bie shi me rrëshekë.
3. sh. ~A, ~AT Lëvorja e trungut a e degëve të drurëve. Lëkurë e re (e vjetër). Lëkurë dushku (ahu, frashri, shelgu). Bori me lëkurë lofate. U zhvoshket lëkura drurëve.
4. sh. ~A, ~AT Lëvorja a cipa e disa pemëve, e disa perimeve dhe e farave të disa bimëve. Lëkurë molle (dardhe, ftoi, limoni, shege, fiku). Lëkurë domateje. Lëkurë pjepri. Lëkura e patates. Lëkura e fasules bishtaja pa kokrra. Portokalle me lëkurë të trashë (të hollë).
5. bised. Zhapë mishi, lapër. I dha të hajë një lëkurë.
6. bised. edhe fig. Veshja e trupit; pamja e jashtme; mbulesë që fsheh diçka. Ndërroi lëkurën. E zhveshi (e hoqi) lëkurën.
7. bised., keq. Jeta a qenia e dikujt; trupi, vetvetja; jetesa. Ruan lëkurën e vet. I dhimbset lëkura. Shpëtoi lëkurën. Vuri lëkurën në rrezik rrezikoi jetën. Ia bëri lëkura e ka fajin vetë. E bloi (e fshehu) nën lëkurë e mbajti të fshehtë. I ka hequr shumë lëkura ka vuajtur shumë. Ç’ka parë lëkura e tij ç’mundime ka hequr në jetë.
8. bised. Cipë që zë një lëng në sipërfaqe. Ka zënë uthulla lëkurë.
9. si mb. Shumë i dobët (për mishin). Mishi ishte lëkurë.
✱Sin.: proshtimë, mbështjellë, mbështjellëse, shkëlbozë, lëkurçe, shakull, lëvore, këmishë, lapër, cipë, zhapë, lapër, mbulesë, veshje, pamje, jetë, jetesë.
♦ I është argasur lëkura (dikujt) shih i është regjur lëkura (dikujt). Është bërë *asht e lëkurë (dikush). Është bërë *kockë e lëkurë (dikush). U bë lëkurë lepuri (dikush) u dobësua shumë, u tha fare, u tret; u bë lesh në furkë; u bë kockë e lëkurë. Është bërë lëkurë maceje (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). I është bërë lëkura *rrogoz (dikujt). I është bërë lëkura *shollë (dikujt). (Të bën) të dalësh nga lëkura (dikush) të mërzit a të prek kaq shumë, sa të bën ta humbësh durimin e gjakftohtësinë, të fryn e të pëlcet. E bëri lëkurë (për në lëkurë) (dikë) bised. e rrahu keq, e zhdëpi mirë, e argasi; i rropi (i hoqi, i mori) lëkurën (dikujt); e bëri petë; e rropi të gjallë. Ta bëfshin lëkurën *def! mallk. bised. Nuk i bën (nuk i vlen) lëkura një *para (dikujt). Ia bëri lëkurën për pesë (për dy) *para (dikujt). Ia bëri lëkurën *postiqe (dikujt) përb. Më ra lëkura u rraskapita së punuari, u dërrmova në punë; më ra bretku; më ranë kockat; më ranë brinjët. I bie lëkura te këmbët (nga dikush) e ka shumë frikë, tmerrohet kur e sheh; i venë pesë e pesë (dikujt) bised.; i shkojnë (i venë) shtatë (në qase) (dikujt). Bluan nën lëkurë (dikush) i fsheh qëllimet e veta, bën plane fshehtas për t’i bërë keq dikujt a për të bërë diçka të keqe. Çahem nën lëkurë. 1. Nuk e përmbaj dot veten, nuk kam durim, nuk më rrihet; nuk më mban vendi. 2. Pëlcas nga inati, s’duroj dot më. E di lëkura (kurrizi, shpina) (e dikujt) shih ka rënë (shumë herë) nga kali (dikush). I di lëkura (dikujt). 1. Është i zgjuar e i shkathët, nuk ia hedh dot; i di koka. 2. Di ta ruajë veten, di të shpëtojë nga një gjendje e vështirë ose të sigurojë diçka për vete; është mjaft dinak. Më djeg lëkura e vuaj vetë diçka të keqe, e pësoj vetë dhe e di se sa e rëndë është, e provoj vetë. Ia dogji (ia përvëloi) lëkurën (dikujt) ia punoi keq, ia bëri me të pabesë dhe e dëmtoi rëndë, bëri që ta vuajë ai diçka të keqe; e mori më qafë. Djathë (gjalpë, dhjamë) i mirë në lëkurë të qenit përçm. gjë e mirë në vend të keq; njeri i mirë a plaçkë e mirë në vetvete, por në duar të këqija; vath i florinjtë në vesh të derrit; flori në baltë (në pleh). Nuk do lëkurën e vet (dikush) keq. është zemërlig, nuk do njeri; nuk do t’ia dijë fare për të tjerët; ka djallin (dreqin, të paudhin) në bark. Fle në lëkurë të arushës (dikush) është shumë i varfër; e ngjyen bukën me dhallë; është (ka mbetur) trokë. I ha (i kruhet) lëkura (dikujt) jep shkak që ta qortojnë a ta rrahin, e kërkon vetë; i ha kurrizi. Të ha *shalqirin e të rreh me lëkura (dikush). Ha veten nën lëkurë (dikush) e bren fort diçka përbrenda, zien përbrenda e vuan shpirtërisht në heshtje; ha veten me dhëmbë. E hoqi (e zhveshi) lëkurën (dikush) keq. doli haptas, nuk i fsheh më qëllimet, u zbulua ashtu siç është; hoqi maskën. Ia heq lëkurën e dhelprës (dikujt) përçm. ia heq (ia gris, ia çjerr) maskën (dikujt) keq. Humbet nën lëkurë (dikush) përçm. nuk ndihet fare, fshihet, struket diku; s’bëhet i gjallë; s’bën gëk (as gëk, as mëk). Hyj (futem) në lëkurën (e dikujt) e mendoj a e zë sikur të isha në vend të dikujt, e vë veten në pozitën e tij (kur duhet të vlerësoj qëndrimin e tij). Ka lëkurë bualli (lëkurën e buallit) (dikush) nuk i ndien fare qortimet e sharjet, nuk preket fare, është krejt i pandjeshëm; e ka lëkurën të trashë; i është regjur lëkura (dikujt); e ka lëkurën të regjur. Ka lëkurë gomari (dikush) shih ka lëkurë bualli (lëkurën e buallit) (dikush). E ka lëkurën *të regjur (dikush). E ka lëkurën *shollë (dikush). E ka lëkurën *të trashë (dikush). Kam lëkurën e ujkut shih kam qimen e ujkut (dikush). Kërkon dy lëkurë nga një dele (dikush) keq. shih kërkon qumësht nga delja shterpë (dikush). Ta krip lëkurën (dikush) përb. 1. Të merr gjithçka (paratë, mallin etj.); të rrjep keqas. 2. E shet mallin shumë shtrenjtë, të merr shumë shtrenjtë (për një matrapaz). 3. Të vret. Lë lëkurën keq. 1. E pësoj keq; vdes; lë kokën. 2. Mundohem shumë, copëtohem për diçka; më mbeti lëkura (diku). Ia la plumbin në lëkurë (dikujt) i tha diçka që e merakosi, e shqetësoi dhe iku; ia la të keqen në shpirt; ia la plumbin në mish. (U zunë) për një lëkurë lepuri u zunë për diçka të vogël, pa vlerë a të parëndësishme, u zunë për hiçgjë; (u zunë) për pesë para spec; (u zunë) për bishtin e dhelprës; (u zunë) për të bardhat e laraskës; (u zunë) për mustaqet e Çelos; (u zunë) për mjekrën e qoses; (u zunë) për një kokërr hudhër. Lëkura e Shagrenit libr. mjet i magjishëm, me të cilin arrin gjithçka, zotëron gjithçka, plotëson çdo dëshirë. E mban nën lëkurë (diçka) nuk e tregon, e mban të fshehur, nuk ua zbulon të tjerëve; është fsheharak, ka qëllime të këqija, por nuk i shfaq. Nuk ma mban lëkura (diçka) nuk e duroj dot; nuk e përballoj dot; nuk ma pranon ndërgjegjja. I mban lëkura (dikujt) fsheh shumë gjëra në vetvete, ka qëllime të këqija, por nuk i shfaq; (është) thëngjill i mbuluar (dikush). Më mbeti lëkura (diku) kam punuar gjithë jetën diku; jam munduar e jam lodhur në një punë; lë lëkurën2. Ia nderi lëkurën në diell (dikujt) shih i rropi (i hoqi, i mori) lëkurën (dikujt). Ndërroi lëkurën. 1. (dikush) keq. E ndryshoi qëndrimin a sjelljen nga e keqja ose për të siguruar diçka; e ktheu (e ndërroi) fletën keq. 2. (diçka). Ndryshoi pamje, mori një dukje tjetër (kryesisht për mirë); ndërroi faqe. E ngriti lëkurën (dikush) iu përvesh një pune me shumë vrull; e ngriti feçkën; i dha gërgëmën (një pune); e mori me valë. Iu ngjit lëkura për asht (dikujt) është dobësuar shumë; i numërohen brinjët. Më sa ngjitet lëkura e gjarprit iron. shih më sa hyn bualli në veshin (në vrimën) e gjilpërës! Nuk e nxë lëkura (dikë). 1. shaka. Është shumë i shëndoshë, është ngjallur tepër. 2. Nuk duron dot, është shumë i shqetësuar a i inatosur dhe duket sikur do të shpërthejë; është fryrë e do të pëlcasë nga inati. Nxjerr dy lëkurë nga një berr (nga një dele) (dikush). 1. Nxjerr sa më shumë përfitime nga dikush a nga diçka, merr më shumë sesa janë mundësitë a sesa i takon; e shfrytëzon dikë a diçka deri në pikën e fundit; nxjerr dyfish përfitime, duke shfrytëzuar dikë a diçka; nxjerr dhjamë nga pleshti. 2. Është koprrac i madh. I nxori *rripa nga lëkura (dikujt). E njoh me lëkurë e me brinjë (dikë) e njoh mirë; ia di çarkun (dikujt); (ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush); ia di gjuhën (dikujt); kund. s’i kam dëgjuar as emrin (dikujt). (E pagoi) si *ujku me lëkurë (dikush). Sa para i bën lëkura (dikujt) iron. sa vlen, sa i zoti a sa trim është (zakonisht për dikë që e mbivlerëson vetveten e shet mend); sa i vlen lëkura kryes. tall. Plasi në lëkurën e vet (dikush) keq. e bren fort diçka përbrenda, zien përbrenda e vuan shpirtërisht në heshtje, plasi nga inati; ha veten me dhëmbë; ha veten nën lëkurë. I është regjur lëkura (dikujt). 1. Është mësuar tashmë me një punë, është kalitur dhe e përballon; ka punuar shumë e është regjur në vështirësi; e ka lëkurën të regjur (dikush); i është argasur lëkura. 2. Është mësuar me diçka e është bërë i pandjeshëm; nuk i bën më përshtypje asgjë, as qortimi, as sharjet etj.; nuk ka as turp e as droje, është regjur; i është trashur lëkura; e ka lëkurën të trashë (dikush); e ka lëkurën të regjur (dikush); i është argasur lëkura; ka lëkurë bualli (ka lëkurën e buallit) (dikush); i është bërë lëkura shollë; i është bërë faqja shollë. Ruan lëkurën (e vet) (dikush) keq. mbron vetëm veten, ruhet të mos pësojë gjë vetë, edhe pse të tjerët mund të dëmtohen. I rropi (i hoqi, i mori) lëkurën (dikujt). 1. E shfrytëzoi pa mëshirë, i mori gjithçka; u tregua mizor; ia mori shpirtin; i piu (i thithi) gjakun; i piu djersën; i nxori vaj2; i mori bashkën. 2. E rrahu keq dikë; e mundoi shumë; e bëri lëkurë (për në lëkurë) (dikë); e rropi të gjallë (dikë); i nxori rripa nga lëkura; i hoqi (ca) fasha; ia mori shpirtin; i mori bashkën. Rroj (jetoj) në një lëkurë (me dikë) jam i lidhur ngushtë me dikë dhe jam njësoj me të; bëj të njëjtën jetë me dikë dhe e njoh shumë mirë. Shet lëkurën (dikush) përb. vihet në shërbim të dikujt për para a për ndonjë përfitim tjetër, shitet. E shiti lëkurën *lirë (dikush). E shiti lëkurën *shtrenjtë (dikush). I ka parë lëkura (dikujt) ka vuajtur shumë, ka hequr në jetë lloj-lloj mundimesh, është regjur në vuajtje e në mundime; (është) i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull (dikush). Shpëtoi lëkurën (dikush) keq. shih shpëtoi kokën (dikush). I është trashur lëkura (dikujt). 1. Është mësuar në një punë a me diçka tjetër; e duron a e përballon, nuk i ndien më vështirësitë; i është regjur lëkura; i është argasur lëkura. 2. Nuk i bën përshtypje më asgjë, është mësuar me qortime, me sharje etj. dhe është bërë i pandjeshëm; i është regjur lëkura; i është argasur lëkura; i është bërë lëkura shollë; i është bërë lëkura rrogoz. I tregon lëkurën e ujkut (dikujt) e frikëson dikë, e tremb duke iu kanosur me diçka të frikshme. M’u tha lëkura e barkut vdiqa për të ngrënë; kam shumë kohë pa ngrënë; m’u bë barku petë. *Ujk me lëkurë qengji. Ia vari lëkurën (dikujt) e sorollati, e mbajti me fjalë dhe nuk ia plotësoi një nevojë a një kërkesë që kishte; e talli duke e mbajtur me shpresa të kota; e solli vërdallë (dikë); e solli rrotull (dikë). Ka veshur lëkurën e qengjit (dikush) shtiret sikur është i urtë e i butë për të fshehur qëllimet e vërteta keqbërëse; mashtron duke u shtirur si i urtë. I vuri lëkurën e gomarit (dikujt) e bëri me turp dikë; e bëri që të tjerët ta shohin si budalla; ia nxiu faqen. Sa i vlen lëkura (dikujt) kryes. tall. shih sa para i bën lëkura (dikujt) iron. (U zunë) për lëkurën e arushës shih (u zunë) për mustaqet e Çelos. (U zunë) për një lëkurë lepuri shih (u zunë) për bishtin e dhelprës.
PÉSË num. 1. Numri që vjen menjëherë pas katrës, që shënon një sasi të barabartë me katër edhe një. Pesë veta. Pesë herë. Pesë orë. Pesë ditë (muaj, vjet). Në orën pesë. Pesë herë pesë. Pesë të dhjetat. E ndau në pesë pjesë. E pjesëtoi për pesë.
2. si em. përmb. Të pestë. Erdhën të pesë.
3. si mb. I pestë. Dhoma (salla) pesë. Kabina (shkalla) pesë.
♦ U bënë pesë e pesë u shpërndanë pa rregull; u ndanë e u përçanë; u bënë kashtë e koqe; u bënë pikë e pesë. U bënë *pikë e pesë. Ia bëri lëkurën për pesë (për dy) *para (dikujt). S’të bën për pesë (dikush) nuk të vlerëson fare, s’të përfill e s’të pyet për asgjë; nuk e ka për pesë (dikë). S’bën pesë (dy) *para (dikush a diçka). E bëri për pesë (për dy) *para (dikë). Fiton pesë e prish gjashtë (dikush) prish më shumë sesa merr, shpenzon më shumë sesa fiton; nuk është kursimtar. Flet me pesë *gojë (dikush) mospërf. Futet (hyn) pesë *para në grosh (dikush) mospërf. Është *katër e pesë (dikush) keq. Nuk e ka për pesë (dikë a diçka) nuk pyet për dikë a për diçka, nuk e quan gjë, nuk e përfill fare; s’e ka frikë fare, s’do t’ia dijë për të; s’të bën për pesë (dikush); nuk ia var torbën (dikujt). Nuk ka (as) pesë (as dy) *para mend (dikush). Një *okë e pesë një okë pa pesë. Pesë *dhi gjashtë zile. Pesë me hiç pa ndonjë përfundim, pa ndonjë rezultat të vlefshëm; asgjë; bosh (kur nga diçka nuk fitohet gjë); nga hiçi në hiç. Për pesë *para. Pesë (dy) *para burrë (njeri). Pesë *para gjë. Pesë para (dy groshë) *oka mospërf. (U zunë) për pesë *para spec. Me pesë *para në xhep. Pesë *pordhë një grosh bised. vulg. Pesë më shumë e pesë më pak aty aty janë, pak a shumë njësoj janë; një okë e pesë (e dhjetë) një okë pa pesë (pa dhjetë). Sa të thuash pesë shumë shpejt, për një kohë shumë të shkurtër; menjëherë; sa çel (sa hap) e mbyll sytë; sa rreh qerpiku; fët e fët; sa kërcen gjeli tra më tra. I venë pesë e pesë (dikujt) bised. ka shumë frikë, tmerrohet, i shpëtojnë nga frika; i shkojnë (i venë) shtatë (në qase).
SHINÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Enë druri e rrumbullakët, që shërben zakonisht si masë drithi dhe që ka madhësi të ndryshme sipas krahinave; sasia e drithit që nxë një enë e tillë; karriq, karroqe. Bleu një shinik misër. Dy shinikë grurë. Shiu në korrik, misri me shinik. (fj. u.).
2. fig., keq. Ai që është i stërmadh. E kishte kokën sa një shinik.
✱Sin.: babune, karriq, karroqe, kushiq, vedër, qase.
♦ Nuk matet me shinik (diçka) vjet. ka shumë, ka pa masë; ka sa të duash; (ka) sa të hajë dreqi bised.; sa t’i gërryesh (t’i ngresh) me lopatë; sa rëra e detit; (ka) sa të hanë qentë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë