Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLLO/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. Copë e madhe dhe e rëndë e një lënde të fortë, që ka zakonisht forma të rregullta; pjesë e madhe e një lënde të vetme. Bllok mermeri (graniti). Bllok shkëmbi (guri). Bllok betoni (metali, minerali). Bllok akulli. Çelik në blloqe. Si një bllok i vetëm.
2. Një lloj tulle e madhe prej llaçi a prej betoni, me dy hapësira brenda. Shtëpi (mur) me blloqe.
3. Rreth i madh, i gjerë e i shkurtër prej betoni a prej llaçi të ngjeshur, që përdoret për të veshur anët e puseve të ujit. Bllok pusi. Pus me blloqe.
4. Grup ndërtesash që shërbejnë për një qëllim ose që përbëjnë një tërësi më vete. Blloku i ndërtesave (i banesave, i shtëpive). Blloku i furrave. Blloku i dyqaneve. Blloku i spitalit. Blloku i uzinës.
5. hist. Pjesë e një lagjeje në qytet, e përcaktuar si nënndarje e saj; banorët e kësaj pjese të lagjes. Blloku tre i lagjes numër tetë. Administratori i bllokut. Qendra shëndetësore e bllokut.
6. Ngastër e madhe toke që është mbjellë zakonisht me pemë frutore ose me drurë të tjerë. Blloqe frutore. Blloku i ullinjve (i vreshtave, i fiqve, i mollëve etj.). Bllok pyjor. Bllok pishash. Blloku i fidanëve.
7. Fletore e trashë për shënime, nga e cila mund të shkëputen fletët; fletë dokumentesh të lidhura bashkë, që shkëputen ose që mund të plotësohen. Bllok shënimesh. Bllok xhepi. Bllok me amë e bijë. Bllok biletash (dëftesash, çeqesh). Shkruaj (shënoj) në bllok. Shkëput nga blloku.
8. Bashkim shtetesh, partish, organizatash ose grupesh, që bëhet për veprime të përbashkëta politike, ushtarake, ekonomike etj. Bllok politik (ushtarak). Bllok antifashist (demokratik). Blloku i majtë (i djathtë). Blloku i opozitës. Sistem blloqesh. Krijimi i blloqeve. Doli nga blloku.
9. tek. Tërësia e pjesëve të një mekanizmi ose të një pajisjeje, të lidhura së bashku për një punë. Blloku i cilindrave. Blloku i motorit. Blloku i zërit në televizor.
10. sport. Pengesë që i krijohet kundërshtarit në sulm, për të mos lejuar kalimin e topit mbi rrjetë (në lojën e volejbollit). Bllok njësh. Bllok i dyfishtë. Organizimi i bllokut. Takon (prek) në bllok.
11. fig. Grup i madh sendesh, njësish a çështjesh që merren si një e tërë. Bllok kryesor. Zgjidhja e çështjeve në bllok.
12. hist. Lagje e partiakëve dhe pushtetarëve të lartë në periudhën komuniste në Tiranë. Çunat e Bllokut. Dyqanet e Bllokut. Ngjarje e rëndë në Bllok.
♦ U bë bllok (me dikë) libr. u bashkua e u lidh fort dikush me dikë, sa nuk i çan dot.
BREZ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rrip i gjerë e i gjatë prej leshi, prej pambuku etj., që përdoret në disa krahina për ta ngjeshur në mes, duke e mbështjellë disa herë rreth e rreth; rrip i gjerë prej lëkure, prej metali etj., që ngjishet në mes e shërben për të mbajtur fishekë a armë, për stoli etj. Brez pambuku (mëndafshi, meshini). Brez i argjendtë. Brez burrash (grash). Brezi i martesës (etnogr.). Brezi i fishekëve (i armëve). Armët e brezit armë të vogla (si koburja, thika etj.), që mbahen në brez. Ngjesh (shtrëngoj) brezin. Zgjidh brezin. Mikja me shami pas brezi, / Zemrën flakë seç ma ndezi. (folk.). Kush vete me lugë në brez, me zahmet rri në trapezë. (fj. u.). Revolja i ka lezet brezit të trimit. (fj. u.). Mos e lësho brezin zvarrë. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta në fushën e sportit etj. Brez i bardhë (sport.) brez i sportistit të shkallës më të ulët në xhudo a në karate. Brez i kuq (sport.) brez i mjeshtrit të madh i arteve marciale. Brez sigurimi rrip që ngjeshin punëtorët në mes dhe që e lidhin te një mbajtëse e sigurt kur bëjnë punime në vende të larta; rrip që lidhin udhëtarët në automjete, aeroplanë etj. për të shmangur dëmtime fizike në rast rreziku. Brezi i shpëtimit rrip i gjerë prej gome që fryhet e ngjishet në mes dhe që shërben për të shpëtuar njeriun nga mbytja në ujë. Brez i zi (sport.) brez i sportistit të shkallës më të lartë në xhudo a në karate.
3. Rrip i gjatë e i gjerë, zakonisht i leshtë, me të cilin lidhim fëmijën në djep; ndrizë, dizgje. E lidhi (fëmijën) me brez.
4. Mes2,3. Deri në brez. Brezi i duhanit gjethet e duhanit që mblidhen gjatë një vjeljeje, fletët e një dore. Lidh brezin me shami. Ngjesh në brez. Një brez njeriu i lartë.
5. Pjesë e diçkaje (e një sipërfaqeje etj.) që ka trajtë të zgjatur e të kufizuar dhe që dallohet nga e tëra; hapësirë në trajtë rripi. Brez pyjor (kodrinor). Brez kufitar. Brez mbrojtës. Brez i bleruar. Brez i kuq (i zi, i bardhë). Brez toke. Brez resh. Brez drite shirit drite në mjedis të errët. Një brez me bojë. Brezi i uljes (i ngritjes) rrip me gjatësi të caktuar brenda aeroportit ose brenda fushës së aviacionit për uljen a për ngritjen e avionëve. Brezi i sulmit (brezi i kalitjes) (usht.) vend i pajisur me gardhe, me gropa, me tarabë, me llogore etj., ku zhvillohet stërvitja ushtarake e nxënësve në shkolla, e ushtarëve në reparte etj. Ujitje me brez. Dele me brez. Kishte rënë një brez borë.
6. Dru i gjatë a shtresë betoni që vihet përgjatë murit me qerpiç, me gurë ose me tulla, për ta lidhur ose për ta forcuar. Brezi i poshtëm (i sipërm). Brez muri. Brez hekuri (betoni). Breza kundër tërmetit. Drurë për breza. Mur me breza.
7. gjeogr. Pjesë e sipërfaqes së Tokës ndërmjet dy paralelesh ose dy meridianësh; zonë e Tokës që kufizohet nga paralele të caktuara dhe që dallohet prej zonave të tjera nga ndryshime të klimës, të bimësisë etj. Brez gjeografik. Brezi i ftohtë (i ngrohtë, i nxehtë, mesatar). Brezi arktik. Brezi tropikal. Brezi i borës.
8. Tërësia e të lindurve të një gjaku kundrejt të parëve të përbashkët; tërësia e njerëzve, që kanë pak a shumë një moshë, përkundrejt paraardhësve e pasardhësve të tyre; njerëzit e një moshe a me moshë të afërt, që jetojnë në të njëjtën kohë ose që lidhen nga veprimtaria e përbashkët, që kanë qëllime të përbashkëta etj.; brezni. Brezi i parë (i dytë, i tretë). Brezi i ri (i vjetër). Breza të gjakut (etnogr.) pasardhës nga ana e babait. Breza të gjinive (etnogr.) pasardhës nga ana e nënës. Brezat e kaluar (e ardhshëm). Breza luftëtarësh. Brezat e pasluftës. Gjatë disa brezave. Beja e rreme të ndjek gjer më shtatë breza. (fj. u.).
✱Sin.: rrip, brezar, shokë, qemer, ndrizë, dizgje, baç, çimboskë, retër, bel, ndërmjet, përmjet, rrip, rriponjë, shirit, rripëtirë, vilar, vilazë, shokë, tërthorëse, boshtivan, brezare, zonë, krahinë, vend, rajon, trevë, brezni, bark, moshë, thark, leni, pot, korë.
♦ U bë brez (dikush) u dobësua shumë, u tha fare, u tret; u bë kockë e lëkurë (dikush); u bë cironkë (dikush); u bë çengel (dikush); u bë kërrabë (dikush). M’u bë *pallaskë pas brezit (dikush). Brez pas brezi që në kohë të lashta e pa ndërprerje; nga njëri brez në tjetrin; nga brezi në brez; atë pas ati; babë pas babe; bark pas barku; djalë pas djali; bir pas biri; djep pas djepi; gjysh pas gjyshi; gjysh stërgjyshi; rrënjë pas rrënje. Nga brezi në brez vazhdimisht, pa ndërprerje, në rrjedhë të pandërprerë (për trashëgimi kulturore etj.); brez pas brezi. Brezi i qiellit astr. ylberi; shoka e kumbarës krahin. Brezi i zonjës astr. ylberi; brezi i qiellit astr.; shoka e kumbarës krahin. Hedh një brez (një shtresë) ha pak, sa thyej urinë; zë fundin e barkut. E heq brezin *zvarrë (dikush) keq. E ka barkun pa brez (dikush) ha shumë, s’ka kufi në të ngrënë, s’ngopet kurrë; s’i mbushet barku (dikujt). I ka *të shtatat në brez. Lëshon brezin (i pari) (dikush). 1. Jep shkak për grindje, hap sherr; është gati të ndeshet me dikë; kërkon gjemb për këmbë; kërkon këmbë për gjemb. 2. Bën lëshime; tërhiqet; i bën (i lëshon, i hap) rrugë (dikujt). Me *lugë në brez keq. Me *peshqir në brez keq. Rri me *duar në brez (në ijë, në mes, në gji, në xhepa) (dikush). Ia shkel brezin (dikujt) i përgjigjet ngacmimit për sherr, hyn në grindje me dikë që do të zihet; e kërkon edhe vetë shkakun për t’u grindur. Me *shpatë në brez keq. Shpëtoi me *kulaç pas brezi (dikush). Shtrëngoj brezin mblidhem e detyrohem të jetoj me më pak mjete e më keq, shpenzoj më pak para dhe rroj në kushte më të vështira; përpiqem të duroj e të përballoj skamjen duke kursyer shumë; shtrëngoj rripin; e mbledh (e rrudh) dorën; e shtrëngoj dorën. Vë (vesh, ngjesh) dy breza (dikush) bëhet burrë, burrërohet, piqet e hyn në rrethin e burrave. E zbraz *koburen që në brez (dikush) tall.
DUSH/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. bot. (lat. Quercus robur, Quercus pedunculata, Quercus racemosa) Dru i lartë pyjor me kurorë të dendur, me gjethe të shumta e të dhëmbëzuara, që lidh lëndë dhe që e ka lëndën mjaft të fortë e të rëndë; emërtim i përgjithshëm i disa llojeve drurësh që kanë tipare të tilla të afërta, si p. sh. rrënja, bunga, qarri, shpardhi, valanidhi etj.; lis. Dushk i ri. Gjethe (degë, dru, lëndë) dushku. Prush (hi) dushku. Pyll me dushqe. Dushk i egër. Dushk gjethegjatë (gjethegjerë). Dushku i kënetave. Dushku pendor. Plasi dheu, doli dushku, më i madh dhëndri se krushku. (fj. u.). Ç’u mbush mali plot me dushk, / Plot me dushk, / Thot’ babai janë krushq, / janë krushq. (folk.).
2. Lënda e këtij druri që përdoret për ndërtim, për të bërë orendi etj. Dollap dushku. Qymyr dushku.
3. përmb. Degë të vogla me gjithë gjethe, të prera prej këtij druri, që grumbullohen për dimër si ushqim për bagëtinë. Mullar me dushk. Preu (bëri, vuri) dushk. Të ushqen me dushk.
4. krahin., vet. sh. Gjethet që mbështjellin kallirin e misrit, lëpushkat e misrit.
5. krahin. Duhan vjeshtak shumë i butë. Dushku i vjeshtës.
✱Sin.: lis, qarr, qarrbutë, bujgër, rrënjë, bung, shpardh, prrall, përnar, ilqe, valanidh, ashe.
♦ *Ashkë dushku (lisi, ahu). I bën dushku *arra (dikujt). Çau dushkun (dikush) shih çau ferrën (dikush). Sa dushk e bar shumë, pa masë; sa bari i tokës; sa rëra e detit. (Flet) për *gogla dushku në lëmë (dikush). Ia fut dushk (dikush) tall. flet pa u menduar mirë, flet kot; ia fut katundit. I dha dushkun (dikujt) shih i dha duart (dikujt). S’më laget dushku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për diçka, nuk bëhem merak; s’më lagen drutë; s’më bëhet vonë; nuk më ftohet pilafi; nuk më ftohen fasulet bised. Ka mbetur në dushk (dikush) keq. është i prapambetur, është jashtë kohës; është prapa botës; i ka mbetur ora (dikujt). Mbjell në dushk (dikush) nuk punon ashtu si duhet, nuk bën punë të pastër; (punon) shkel e shko. *Pushkë në dushk. (Shkoi) dushk për gogla (diçka). 1. Shkoi kot, s’vlejti për asgjë; (shkoi) për dhjamë qeni. 2. iron. Shkoi me të hedhur, pa humbur e pa fituar gjë.
HABITÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. biol. Mjedis tokësor ose ujor me karakteristika përafërsisht natyrore, ku gjallesat rriten, ushqehen dhe shumohen; mjedis ku organizmat gjejnë gjithçka që u nevojitet për të mbijetuar. Habitat pyjor. Habitat malor. Habitat ujor. Habitat i shkretëtirës. Habitati nëntokësor.
2. fig. Mjedisi ku zhvillohet dikush a diçka. Habitati që ushqen paragjykimet. Kush je ti në habitatin e novacionit?
✱Sin.: mjedis, ambient.
LARTËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Largësia e diçkaje nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër, e cila matet në drejtimin pingul duke u nisur nga kjo sipërfaqe; hapësira mbi tokë, që ndodhet shumë lart. Në lartësi të mëdha. Lartësia e tavanit. Lartësia e fluturimit. Fluturon (qëndron) në lartësi. Merr lartësi ngrihet lart. Humbet lartësi ulet poshtë. U zhduk atje në lartësitë qiellore.
2. Shtrirja e një trupi në hapësirë nga poshtë lart, nga fundi deri në majë ose nga një rrafsh, gjatësia pingule e një trupi si një nga përmasat e tij kryesore; largësia pingule e një vendi a e një pike të tokës nga sipërfaqja e detit. Lartësi absolute (relative). Lartësia e trupit. Lartësia e lisit (e shtyllës, e murit, e ndërtesës). Lartësia e malit (e rrafshnaltës, e tokave, e liqeneve të Lurës).
3. Vend i lartë; pjesë e lartë e diçkaje. Në lartësitë e maleve. E tërheqin lartësitë.
4. gjeom. Vija pingule që bie nga kulmi i një figure gjeometrike a i një trupi gjeometrik mbi bazën e tyre; gjatësia e kësaj vije. Lartësia e trekëndëshit. Lartësia e konit (e piramidës, e cilindrit).
5. Të qenët i lartë, të qenët i hollë e i tingëllueshëm (për tingujt e zërat). Lartësia e tingullit. Lartësia e toneve.
6. fig. Caku më i lartë i ngritjes ose i zhvillimit të diçkaje, caku a niveli që duhet. Në lartësi të reja. Në lartësinë e duhur. Nga lartësitë e kohës. Në lartësinë e detyrës.
7. zyrt. Titull me të cilin u drejtohen princave dhe princeshave; ai ose ajo që mban këtë titull (në vendet ku ka familje mbretërore). - Lartësia e saj, princesha e Uellsit. - Fjala për ju, lartësia juaj!
8. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për tipa lartësish. Lartësi dominuese (pyllt.) mesatare aritmetike e lartësive të 100 drurëve më të trashë të grumbullit pyjor. Lartësi e drurit (pyllt.) përmasë gjatësie e një druri, e matur nga sipërfaqja e tokës deri në majën e tij. Lartësi mesatare (pyllt.) lartësi që përbën mesataren e lartësive të një numri drurësh të matur.
♦ E ngre në lartësi të reja (diçka) libr. e zhvilloj më tej; e çoj më përpara.
MALERRETHÚAR mb. Që rrethohet me male. Brez pyjor malerrethuar.
MASÍV,~I m. sh. ~E, ~ET 1. gjeogr. Grumbull malesh që shtrihen gati njësoj në gjatësi e në gjerësi dhe që përbëjnë një njësi më vete të relievit. Masive shkëmbore. Masivi i Kurveleshit.
2. gjeogr. Hapësirë e gjerë me karakteristika gjeografike të njëjta; grup pyjesh me një lloj druri, toka të gjera të mbjella me po atë pemë. Masiv gëlqeror (ranor). Masivi pyjor i Divjakës. Masive pishe (ahu). Masive vreshtash (ullinjsh, agrumesh).
3. gjeol. Trevë relativisht e qëndrueshme (me moshë të vjetër) nga ana gjeologjike, rreth së cilës zhvillohen zonat e reja të rrudhosura. Masivi qendror.
4. Grumbull i madh i diçkaje; sasi e madhe, masë e madhe prej diçkaje. Masiv bore. Masiv gurësh.
MBARËSHTÍM,~I m. 1. Veprimi kur mbarështoj ose kur mbarështohet diçka. Mbarështimi i shtëpisë. Mbarështimi i shpendëve. Mbarështimi i pyjeve. Kujdesem për mbarështimin e faunës së egër. Fqinji ka një qendër mbarështimi kuajsh.
2. Tërësia e mënyrave që përdoren dhe e masave që merren për të mbarështuar një pasuri a diçka tjetër me vlerë (ekonominë, shtëpinë, bagëtinë etj.). Mbarështim i mirë (i drejtë). Mbarështim kullosor teknika menaxhimi si kullotja, djegiet dhe kositjet për një vend ku rritet bari ose bimësia barishtore. Mbarështim pyjor (lat. Maneggio forestalis) fushë e pylltarisë që studion metodat e organizimit dhe administrimit të ekonomisë pyjore.
PYJÓR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me pyjet, që lidhet me pyjet; që u përket pyjeve, i pyjeve; që kalon nëpër pyje. Drurë pyjorë. Pasuritë pyjore. Rrugë pyjore.
2. Që ka të bëjë me dijen për pyjet, që lidhet me njohuritë teorike e praktike për pyjet ose që jep këto njohuri; i pyjeve, i pylltarisë. Teknikumi pyjor. Inxhinieri pyjore.
QUKAPÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT zool. 1. Zog që jeton në zgavrat e drurëve nëpër pyje, me sqep të fortë, me të cilin shpon drurët për të ngrënë krimba a kandrra ose për të bërë fole; pikth, bredrure. Qukapiku është rikthyer në park për t’u ushqyer. Fole qukapiku.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë lloje të ndryshme të këtij zogu. Qukapik barkkuq. Qukapik barkverdhë. Qukapik bishtartë. Qukapik larosh shpinëbardhë. Qukapik jakëkuq. Qukapik i gjelbër (lat. Picus viridis) qukapik me ngjyrë jeshile në pjesën e sipërme që fluturon vrullshëm, në formën e valëve, nga toka në një grumbull drurësh ose nga një fole milingonash në një livadh. Qukapik kokëbardhë. Qukapik kokëkuq. Qukapik i madh (lat. Dendrocopos major) qukapik me pendë bardhezi dhe me një njollë të kuqe në pjesën e poshtme të barkut. Qukapik i madh me pika. Qukapik qafëkuq. Qukapik i tokës. Qukapik trumcak. Qukapik veshverdhë. Qukapik i vogël larosh (lat. Dendrocopos minor) qukapik pyjor, që e kalon shumicën e kohës në majat e pemëve të larta në pyje dhe në parqe. Qukapik i vogël me pika. Qukapik i zi (lat. Dryocopus martius) qukapik që renditet si më i madhi në Evropë dhe në Azi, joshtegtues, që qëndron kryesisht në pyje gjethegjerë dhe në halorë.
✱Sin.: pik, pikth, bredrure, brelise, sqepadruth, sqepthatë, sqeptore, qokaç, qokatëz, qukëlaç, gjelac, takllore, torrkaç, shqepadru.
SHFRYTËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vëmë në përdorim diçka zakonisht për përfitim apo për një të mirë publike. Shfrytëzimi i pusit të ri të naftës. Shfrytëzimi pa kriter i lumenjve. Shfrytëzimi i materialeve arkivore. Shfrytëzimi i mjeteve digjitale në mësimdhënie. Shfrytëzimi i mirë i kushteve klimaterike. Shfrytëzim i së drejtës legjislative. Shfrytëzimi i pasurive natyrore. Sektori i shfrytëzimit të përpunimit të drurit. Koeficienti i shfrytëzimit të tokës. Shfrytëzim i kapaciteteve prodhuese. Dhënie në shfrytëzim e pronave. Vë në shfrytëzim vijën e re hekurudhore. Shfrytëzimi i mirë i hapësirave publike. Leje për shfrytëzim. Minierë shfrytëzimi. Pyll për shfrytëzimin e lëndës drusore. Shfrytëzim pyjor (bujq.) vjelja e lëndës drusore nga pyjet kur ai arrin moshën e caktuar për t’u shfrytëzuar.
2. Veprimi kur nxjerrim fitime duke shfrytëzuar punën a mundin e të tjerëve. Shfrytëzim në kurriz të dikujt tjetër. Shfrytëzimi i të miturve për të lypur.
3. Gjendja a të qenët i shfrytëzuar. Shfrytëzim në punë. Shfrytëzimi i fëmijëve. (drejt.)
2. keq. Përvetësimi i fryteve të punës së dikujt tjetër, përdorimi i burimeve të pandershme. Shfrytëzim i postit (pozitës). Shfrytëzim i arritjeve shkencore të dikujt tjetër. Shfrytëzim i plagjiaturës për të shkruar doktoratën.
✱Sin.: përdorim, përvetësim, rrjepje, nxjerrje, kthetër, robëri, shtypje.
ZVARRÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Vegël bujqësore me dhëmbë për të mbledhur barin etj., krehër bari. Barin e jonxhën zakonisht i mblidhnin me zvarritës.
2. zool. Gjymtyrë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje zogjsh. Zvarritësi (lat. Sitta europaea) shpend i vogël pyjor, që ecën poshtë përgjatë trungut të pemëve me kokën përpara. Zvarritësi gjoksbardhë (lat. Sitta carolinensis) shpend i vogël, i cili është i njohur për sjelljen e tij të veçantë, duke ecur kokëposhtë nëpër trungjet e pemëve. Zvarritësi gjokskuq (lat. Sitta canadensis) zog i vogël zvarritës, me gjoksi të kuqërremtë ose ngjyrë kanelle, që jeton kryesisht në pyje të dendur halore duke u zvarritur poshtë nëpër trungjet e pemëve. Zvarritësi krahëkuq (lat. Tichodroma muraria) zog i vogël, i pazakontë dhe shumë i veçantë, që jeton në vende malore dhe shkëmbore dhe është i njohur për ngjyrën e tij karakteristike gri, me krahë të kuq të ndezur dhe mënyrën e të ushqyerit në faqe shkëmbinjsh. Zvarritësi i malit (lat. Paroreomyza montana) zog i vogël që jeton zakonisht në pyje malorë, duke kërcyer në trungje dhe degë për të gjetur ushqim. Zvarritësi i shkrepave (lat. Sitta neumayer) zog i vogël, me kokë mbi mesatare, me bisht të shkurtër, me këmbë dhe sqep të fuqishëm, i përshtatur për jetesë në mjedise shkëmbore.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë