Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BALLAFAQÚAR (i e) mb. 1. drejt. Që është vënë ballë për ballë me një tjetër për të nxjerrë të vërtetën rreth pohimeve të thëna. I ballafaquar me të pandehurin. I ballafaquar me publikun. Persona të ballafaquar me ligjin.
2. Që ballafaqohet me diçka tjetër për të gjetur përkimet dhe dallimet a mospërputhjet ndërmjet tyre; i krahasuar. Tekste (dorëshkrime) të ballafaquara.
3. I bashkuar buzë më buzë me diçka tjetër; i puthitur. Dërrasa të ballafaquara.
BASHKÚAR (i, e) mb. 1. Që është vënë shumë pranë a ngjitur me një tjetër, që është puqur me një tjetër; i puthitur. Me duar të bashkuara. Me thembra të bashkuara.
2. I krijuar si një tërësi e vetme nga bashkimi i pjesëve a i njësive të veçanta; që është formuar nga përzierja ose nga shkrirja e disa pjesëve a e disa njësive të veçanta; i grupuar, i përzier. Fshat i bashkuar. Shkollë e bashkuar. Shtete të bashkuara. Organizata e Kombeve të Bashkuara. Artikujt e bashkuar në këtë vëllim.
3. I lidhur ngushtë për një qëllim të përbashkët; i njësuar, i pandarë, i plotë; kund. i ndarë. Popull i bashkuar. - Të jemi të bashkuar! Të bashkuar si një trup i vetëm. Retë e bashkuara sjellin shiun, njerëzit e bashkuar bëjnë fuqinë. (fj. u.). Njerëzit janë të fortë kur janë të bashkuar. (fj. u.).
✱Sin.: i puqur, i puthitur, i grupuar, i njësuar, i pandarë, i tërë, i plotë.
GJÉRË (i, e) mb. 1. Që ka shtrirje të madhe në hapësirë në gjerësi; që ka gjerësi më të madhe nga sa duhet, nga sa është e zakonshme ose në krahasim me një tjetër; që zë një hapësirë të madhe; kund. i ngushtë. Rrugë e gjerë. Kanal i gjerë. Shpatulla të gjera. Dy metra i gjerë. Me ekran të gjerë. Bëhet më i gjerë zgjerohet.
2. Që zë një hapësirë të madhe; shtrirë nga të gjitha anët; i hapët; që nxë shumë (njerëz, sende) Fushë (luginë) e gjerë. Vend i gjerë.
3. Që rri i lirë në trup, që është më i bollshëm nga sa duhet, që nuk rri i puthitur e nuk të shtrëngon; i lirshëm; kund. i ngushtë. Pantallona të gjera. Mëngë të gjera. Këpucë të gjera. Më rrinë të gjera.
4. Që është larg nga një tjetër, që ka largësi të madhe. Rreshta të gjerë.
5. Që përfshin një numër të madh njerëzish, pjesëmarrësish ose anëtarësh; që përhapet në shumë njerëz a që përfaqëson shumë njerëz; që është për përdorim të madh; masiv; kund. i ngushtë. Mbledhje e gjerë. Pjesëmarrje e gjerë. Mallra (artikuj) të përdorimit të gjerë. Shtresat e gjera të popullit.
6. fig. Që ka përhapje a shtrirje të madhe; që rrok shumë gjëra a shumë anë; që ka përmasa të mëdha. Veprimtari e gjerë. Shtrirje e gjerë. Lëvizje e gjerë. Pasqyrim i gjerë. Në shkallë të gjerë. Në mënyrë të gjerë gjerësisht. Në kuptimin e gjerë të fjalës në kuptimin më të përgjithshëm të fjalës.
7. I gjithanshëm; që lidhet me një fushë të madhe dijesh, njohurish a veprimtarie; që shquhet për vëllim të madh dijesh e njohurish në shumë fusha të jetës; kund. i ngushtë, i kufizuar. Me horizont të gjerë. Me njohuri të gjera.
8. fig. I durueshëm e me shpirt të madh; zemërgjerë; kund. i ngushtë. Njeri i gjerë. Me zemër të gjerë.
9. mat. Më i madh se këndi i drejtë, por më i vogël se këndi i shtrirë. Kënd i gjerë.
10. gjuh. Që shqiptohet duke hapur gojën sa më shumë që të jetë e mundshme dhe që është e zëshme në shkallën më të lartë (për një zanore). Zanore e gjerë.
✱Sin.: i madh, i lirë, i gjithanshëm, i shumanshëm, i bollshëm, zemërbardhë, zemërgjerë, zemërmadh, zemërmirë.
♦ Në *ballë (në front) të gjerë. Me *bark të gjerë. Hyri në *rrugë (në udhë) të gjerë (dikush a diçka). E ka barkun të gjerë (dikush). 1. Duron shumë e i fal të tjerët edhe për gabime të rënda, për fyerje etj.; është njeri i gjerë, barkgjerë, zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka barkun hambar2; e ka zemrën hambar. 2. Është derëhapur, mikpritës, bujar e zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka gjoksin të gjerë. E ka gjoksin të gjerë (dikush). 1. shih e ka zemrën (shpirtin) të gjerë (dikush). 2. Është i fortë e i qëndrueshëm dhe mund të përballojë vështirësi e mundime; i ka shpatullat të gjera1. I ka shpatullat të gjera (dikush). 1. Është i fortë fizikisht, përballon punë të rënda; e ka gjoksin të gjerë2.2. Është i mbrojtur nga sulmet e të tjerëve, dikush e mbron dhe e përkrah; i ka shpatullat të ngrohta. E ka zemrën (shpirtin) të gjerë (dikush) duron shumë e i fal të tjerët edhe për gabime të rënda, për fyerje etj.; është njeri i gjerë, barkgjerë, zemërgjerë, shpirtmadh; e ka barkun të gjerë1; e ka gjoksin të gjerë; e ka zemrën det; e ka zemrën hambar; kund. e ka zemrën (shpirtin) të ngushtë. Në *stil të gjerë. Në *shkallë të gjerë. Me *zemër (me shpirt) të gjerë.
KARGATÍSUR (i, e) mb. 1. Që është kargatisur; i tendosur. Tel i kargatisur.
2. I mbështetur diku; i puqur a i puthitur pas dikujt a pas diçkaje.
3. edhe fig. I pezmatuar; i mahisur, i acaruar. Plagë (situatë) e kargatisur.
✱Sin.: i tendosur, i nderë, i mahisur, i pezmatuar, i acaruar.
►LIR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Fitoj lirinë, shpëtoj nga robëria a nga shfrytëzimi, çlirohem; kund. robërohem, skllavërohem. U lirua Shqipëria.
2. vetv. Dal nga burgu e qarkulloj lirisht. U lirua para kohe.
3. vetv. Dal nga shërbimi ushtarak, dal në lirim; lë një punë a një detyrë për të kaluar në një punë a në një detyrë tjetër. Është liruar nga ushtria. Lirohet nga ajo detyrë.
4. vetv. Lehtësohem nga një punë, shpëtoj nga një barrë a nga diçka tjetër. Lirohem nga puna. U lirua ca nga barra që kishte.
5. vetv., vet. v. III Del një kafshë prej një vendi ku ka qenë e mbyllur ose shpëton nga zinxhiri etj. Qeni u lirua nga zinxhiri.
6. vetv., vet. v. III Bëhet më e lirë diçka që ishte e lidhur fort; bëhet më e lirë diçka që ka qenë e shtrënguar a e puthitur shumë pas trupit a pas një pjese të tij; kund. shtrëngohet. U lirua rripi. Iu liruan këpucët. Iu lirua jaka e këmishës.
7. vetv. Heq rrobat a sendet e tjera (si armën etj.) që kam ngjeshur në trup; zgjidh; çlirohem. U liruan nga armët (nga rripat). Lirohuni burra!
8. vetv. Lehtësohem nga një dhimbje trupore. U lirua nga dhimbjet (nga barku, nga koka).
9. vetv., vet. v. III Largohet nga një send tjetër diçka që thahet, që tkurret a që mblidhet; zbërthehet. U liruan dërrasat e vozës (e dyshemesë). U lirua dritarja.
10. bised., euf., vetv. Bëj fëmijë; lind (për gratë). U lirua gruaja (nusja).
11. euf., vetv. Dal jashtë, bëj nevojën. Shko lirohu!
12. kim., fiz., vetv., vet. v. III Del jashtë, çlirohet. Lirohet nxehtësi (energji).
13. vetv., vet. v. III Kushton më lirë, mund të blihet me një çmim me të ulët. U liruan domatet (këpucët).
14. pës. e LIROJ.
✱Sin.: çlirohem, zgjidhem, zhvishem, ngelem, shpëtoj, zgjidhet, labërgohet, hapet, shtendoset, zhvidhoset, shkëputem, largohet, zbërthehem, zgjidhet, zhvishem, lehtësohem, shkrehet, lëshohet.
♦ I janë liruar *burmat (dikujt). I janë liruar *rrathët (dikujt). I janë liruar *vidhat (burgjitë) (dikujt).
LIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. I sjell lirinë një vendi a një populli, e shpëtoj nga robëria a nga shfrytëzimi, e çliroj; kund. pushtoj. E liruan vendin me luftë. E liruam Shqipërinë. E liruam Kosovën.
2. kal. E nxjerr dikë nga burgu dhe e lë të qarkullojë lirisht. E liruan nga burgu.
3. hist., kal. I jap lirinë një skllavi a bujkrobi (në rendin skllavopronar e në atë feudal).
4. kal. E nxjerr dikë nga shërbimi ushtarak, e nxjerr në lirim; e heq dikë nga një punë a nga një detyrë për ta ngarkuar me një punë a me një detyrë tjetër; kund. shtrëngoj. I liruan ushtarët. E liruan nga ajo detyrë.
5. kal. E lehtësoj dikë nga një punë, e shpëtoj nga një barrë a nga diçka tjetër. Ia liroi barrën.
6. kal. E lë të lirë dikë të shkojë diku a të bëjë diçka, e lejoj. Nuk e liroi djalin. S’e liron babai (nëna).
7. kal. E lëshoj një kafshë që ka qenë e lidhur a e mbyllur diku, e lë të kullotë a të qarkullojë lirisht. Liroi kuajt për të kullotur. E liroi qenin nga zinxhiri.
8. kal. E zbraz diçka, i heq diçkaje gjërat që ka brenda a përsipër; ia lëshoj vendin një tjetri, e lë të lirë; i largoj, i heq forcat ushtarake nga një qytet etj. Liroj enën (fuçinë, shportën, koshin). Liroj shtëpinë (dhomën). Liroi tryezën. Liroj sirtarin. I liroj vendin (karrigen, udhën, hyrjen). E liruan qytetin.
9. kal. E bëj më të lirë diçka që është lidhur fort; e bëjmë të lirë diçka që ka qenë e shtrënguar a e puthitur shumë pas trupit a pas një pjese të tij; kund. shtrëngoj. Liroi rripin (brezin). Liroj kravatën. Liroj rrotën (burmën). Liroj frenat. Liroj këpucët.
10. jokal. Më lehtësohet, më pakësohet a më ikën krejt një dhimbje trupore. Më liroi dhimbja (sëmbimi). E liruan të prerat e forta. Më liroi barku (koka).
11. jokal., vet. v. III. Largohet një send nga një send tjetër, sepse thahet, tkurret a mblidhet. Liruan dërrasat. Liroi parketi.
12. kal. Ul çmimin e një malli a të një sendi tjetër; kund. shtrenjtoj.
13. vjet., kal. Shfajësoj. E liroi veten.
14. kim., fiz., kal., vet. v. III Lëshon diçka nga vetja, e nxjerr jashtë, çliron. Liron energji (nxehtësi).
✱Sin.: çliroj, zhburgoj, zhburgos, zhdetyroj, çmbreh, fal, lehtësoj, shpëtoj, lejoj, zgjidh, lëshoj, shkreh, shtendos, shpengoj, zgjesh, zgjidh, hap, zhvesh, zhvidhos, labërgoj, zgjeroj, zhbllokoj, zbërthej, çrrethoj, zbraz, shmang, largoj, lehtëson, pakëson, ikën, shëlboj, shfajësoj.
♦ E liroj (e lëshoj) *dorën. Ia liroi (ia lëshoi) *frerin (dikujt) keq. Ia liroi (ia lëshoi) kapistallin (*kapistrën) (dikujt) keq. Ia liroi (ia lëshoi) *kapistrën (kapistallin) (dikujt) keq. Ia liroi *rrathët (dikujt). Ia liroi *rripin (dikujt). Ia liroi *vidhat (burgjitë) (dikujt).
LÍRSHËM ndajf. 1. Jo shtrënguar (për diçka të lidhur); pa u puthitur tepër pas trupit ose pas një pjese të tij; në mënyrë të çlirët, jo ngushtë; çlirët; kund. shtrënguar; ngushtë. E lidh lirshëm. E mbështolli lirshëm. I rrinë rrobat lirshëm.
2. Duke qenë i lëshuar çlirët dhe jo i tendosur; lirisht e pa tendosje; çlirët. Ecte lirshëm. I zgjatim (i varim) krahët lirshëm.
3. fig. Në mënyrë të natyrshme, pa u ndrydhur e pa druajtje, në mënyrë të çlirët, shpenguar, lirisht. Ulet (rri) lirshëm ulet pa druajtje. Ndihet lirshëm. Bisedon lirshëm.
4. fig. Lehtë e pa vështirësi; pa ndonjë pengesë a ndalim; lirisht. E flet lirshëm anglishten. I shprehin mendimet lirshëm. I shfaqin ndjenjat lirshëm.
5. Pa qenë i zënë me punë ose me ndonjë detyrë tjetër, lirë; me nge; kund. zënë. Sot jemi lirshëm.
✱Sin.: zgjeshur, dobët, lirisht, çlirët, lirë, gjerë, shtendosur, shpenguar, rrjedhshëm, ballëhapët, serbes.
LIRÚAR (i, e) mb. 1. Që ka fituar lirinë, që ka shpëtuar nga robëria a nga shfrytëzimi, i çliruar; kund. i pushtuar, i robëruar. Vend i liruar. Zonat e liruara. Në qytetin e liruar.
2. Që e kanë nxjerrë nga burgu e qarkullon lirisht.
3. Që ka dalë nga shërbimi ushtarak, që ka dalë në lirim. Ushtar (oficer) i liruar.
4. Që ka dalë jashtë prej një vendi ku ka qenë i lidhur a i mbyllur (për kafshët); i lëshuar. Si qen i liruar.
5. Që është korrur dhe i është larguar i gjithë prodhimi. Arë (tokë) e liruar.
7. Që është zbrazuar a boshatisur nga diçka. Shtëpi e liruar. Enë e liruar.
8. Që është bërë më i lirë (për diçka që ka qenë e lidhur fort, që ka qenë e shtrënguar ose e puthitur shumë pas trupit a pas një pjese të tij); kund. i shtrënguar. Rrip (brez) i liruar. Rrotë (burmë) e liruar. Sythi i liruar i çorapit. Me jakë të liruar.
9. Që është larguar nga një send tjetër kur është tharë, është tkurrur a është mbledhur; i zbërthyer. Dërrasa të liruara.
10. Që i është ulur çmimi, që është bërë më i lirë; kund. i shtrenjtuar. Mallra të liruara.
✱Sin.: i çliruar, i zhburgosur, lëshuar, i korrur, i zhveshur, larguar, zbërthyer, i lirë, lirshëm, i lëshuar, i zhbllokuar, i shkrehur, i shtendosur, i zgjidhur, i zhvidhosur, i lirësuar.
LÍRË (i, e) mb. 1. Që gëzon liri, që nuk është i pushtuar, i shtypur a i shfrytëzuar, që nuk është i robëruar; i pavarur; i çliruar. Popull i lirë. Vend (shtet) i lirë. Krahinë (zonë) e lirë. Qytetar i lirë. Jetë e lirë.
2. Që nuk është i burgosur, i internuar ose i arrestuar. Ishte i lirë.
3. Që ka të drejtën a mundësinë të veprojë sipas dëshirës së vet; që sillet a vepron në mënyrë të natyrshme, pa druajtje e pa ndonjë shtrëngim. Njeri i lirë. Është i lirë të bëjë si të dojë. E ndjen veten të lirë në skenë.
4. Që është i lëshuar, që nuk mbahet i lidhur ose i mbyllur, që nuk pengohet. Qentë janë të lirë. Kuajt i lanë të lirë në kullotë.
5. edhe fig. Që nuk kufizohet, nuk pengohet a nuk ndalohet nga dikush a nga diçka. Kalim (shteg) i lirë. Zgjedhje të lira. Gjueti e lirë. Det i lirë pjesa e detit ku anijet mund të lundrojnë lirisht si në hapësira asnjanëse. Tregti (shitje) e lirë. Bisedë e lirë. Energji e lirë (fiz.). Pllenim i lirë (bot.). Kryqëzim i lirë i bimëve (bot.). Me sy të lirë pa përdorur mjete të tjera për të parë. Shkëmbim i lirë mendimesh. Rruga ishte e lirë. Hyrja është e lirë mund të hyjë kushdo pa pasur ftesë a biletë.
6. Që bëhet lehtë e pa ndonjë vështirësi; që nuk është ose nuk bëhet sipas disa rregullave a kërkesave të prera e të pandryshueshme; që mund të vendoset, të lëvizë a të ndryshojë sipas dëshirës e pa ndonjë kufizim. Frymëmarrje e lirë. Lëvizje të lira. Përkthim i lirë përkthim që nuk bëhet fjalë për fjalë sipas origjinalit. Gjuajtje e lirë (sport.) gjuajtje në futboll ose në basketboll, gjatë së cilës kundërshtari nuk ka të drejtë të sulmojë a të ndërhyjë. Lojtar i lirë (sport.) lojtar i vijës së mbrojtjes në lojën e futbollit, i cili nuk mbulon ndonjë lojtar të vijës së sulmit të skuadrës kundërshtare, por u vjen në ndihmë mbrojtësve të skuadrës së tij kur u ikën ndonjë sulmues për të shënuar gol. Mundje e lirë (sport.) mundje, gjatë së cilës ata që ndeshen kanë të drejtë të kapin kundërshtarin në çdo pjesë të trupit, t'i përdredhin gjymtyrët etj. deri sa të mposhtet ndonjëri prej tyre. Stil i lirë (sport.) stil noti në garat e shpejtësisë, ku notarët mund të notojnë në mënyra të ndryshme. Ushtrime me trup të lirë (sport.) ushtrime gjimnastikore që bëhen duke lëvizur pjesët e ndryshme të trupit në mënyra e në drejtime të ndryshme. Ushtar i lirë (shah.) ushtar në lojën e shahut, që nuk ka përpara në kolonën e tij ndonjë ushtar të anës kundërshtare. Togfjalësh i lirë (gjuh.). Theks i lirë (gjuh.). Rendi i lirë i fjalëve (gjuh.) vendosja e fjalëve në fjali jo sipas një rendi të caktuar e të pandryshueshëm. Varg i lirë (let.). Trup i lirë (fiz.) trup që lëviz në hapësirë kur vepron një forcë mbi të. Rënia e lirë e trupit (fiz.) rënia e një trupi nën veprimin e forcës tërheqëse të Tokës ose nën ndikimin e forcës së rëndesës.
7. edhe fig. I zbrazët, pa njeri a pa sende; që nuk është i zënë, që nuk përdoret nga ndokush e mund të shfrytëzohet nga ndokush tjetër a për diçka tjetër; që ka mbetur bosh dhe nuk është zënë ende nga dikush tjetër; ende i paplotësuar; kund. i zënë. Dhomë (shtëpi) e lirë. Kishte disa vende të lira në sallë. Hapësirë (fushë) e lirë. Karrige e lirë. Telefoni është i lirë. Para (mjete monetare) të lira (fin.). Vend i lirë në organikë.
8. Që nuk është i lidhur fort; që nuk është i shtrënguar ose që nuk është i puthitur sipas trupit a pas një pjese të tij; i gjerë; kund. i shtrënguar, i ngushtë. Rrip i lirë. Lidhje e lirë. I ka këpucët (rrobat) të lira.
9. Që nuk është i zënë me ndonjë punë a me diçka tjetër; kund. i zënë. Koha e lirë. Ditën e kam të lirë. Nuk kanë asnjë orë të lirë. Sot jam i lirë.
10. spec. Që nuk lëviz pjesë të tjera të një mekanizmi; që nuk lidhet a nuk bashkohet me ndonjë pjesë tjetër. Rrotë e lirë me dhëmbëza (mek.). Thekë të lira (bot.). Organ i lirë (bot.) organ që nuk është i ngjitur me trupin e një bime.
11. kim., fiz. Që nuk është në lidhje kimike me diçka tjetër; që është ndarë nga atomet duke u zhvendosur në hapësirën midis dy atomeve. Gaz (oksigjen, azot, squfur) i lirë. Elektron i lirë (fiz.).
12. Që kushton pak, që shitet me çmim të ulët; i vogël, i ulët (për çmimin); kund. i shtrenjtë. Prodhim (mall) i lirë. Këpucë të mira e të lira.
13. fig. Që nuk është i kursyer, që i lëshon fjalët pa u përmbajtur; kund. i shtrënguar, i shtrenjtë. I lirë në fjalë, i shtrënguar në hesap. (fj. u.).
14. si em. m. e f. Sipas kuptimeve1, 8, 12, 13 të mbiemrit.
✱Sin.: i pavarur, liriplotë, i çliruar, i lëshuar, i zgjidhur, i çlirët, i liruar, i shpenguar, i zbrazët, i pazënë, i qëruar, i çelur, i çelët, i hapur, i pashtrënguar, i lirshëm, i shkrehur, i shtendosur, i dëlirë, i zgjidhur, i paputhitur, i papunë, i pakufizuar, i padetyrueshëm, i vogël, i ulët, i pakursyer.
♦ Me *dorë të lirë. Gjeti (ka) *fushë të lirë (dikush). Gjeti *shesh të lirë (dikush). Ka *dorë të lirë (dikush). E ka dorën të lirë (dikush) është dorëlëshuar, nuk e kursen paranë; e jep a e lëshon lehtë diçka; kund. e ka dorën të shtrënguar. Ka dorë të lirë (dikush) nuk e pengon asgjë dhe askush, është i lirë të veprojë sipas dëshirës së vet për të bërë diçka, mund të veprojë si të dojë. I lë *dorë të lirë (dikujt). I lë *fushë të lirë (dikujt a diçkaje). I lë *rrugë (udhë) të lirë (dikujt a diçkaje). I la *shesh të lirë (dikujt a diçkaje). I lirë në *miell e i shtrenjtë në krunde (dikush). I lirë në *djathë e i shtrenjtë në hirrë (dikush).
LÍRË ndajf. 1. Jo shtrënguar (për diçka të lidhur); pa u puthitur pas trupit ose pas një pjese të tij, gjerë, lirshëm; kund. shtrënguar, ngushtë. E lidhi lirë rripin. I rrinë rrobat (këpucët) lirë.
2. Jo ngjeshur, lirshëm; kund. shtrënguar. Jemi mjaft lirë.
3. Pa pengesa e pa vështirësi, lirisht, lirshëm. Flet lirë. Lexonte fare lirë.
4. Pa njerëz a sende të tjera brenda, bosh; kund. zënë. Shtëpia ishte lirë.
5. Pa pasur ndonjë punë a pa shumë punë ose pa ndonjë detyrë tjetër; kund. zënë. Sot jemi lirë. Je lirë apo zënë?
6. Lëshuar. Qentë janë lënë lirë.
7. Jo shtrenjtë; me çmim të ulët; kund. shtrenjtë. E bleu lirë diçka. Kushton lirë. Të prodhojmë më shumë, më mirë e më lirë! Të ble lirë e të shet shtrenjtë (fig.) është i zoti.
✱Sin.: lirshëm, lirisht, lirshëm, gjerë, zbrazët, bosh, lëshuar, ulët.
♦ E shiti lëkurën lirë (dikush) iu dha a u vu në shërbim të dikujt fare lehtë; e zhvlerësoi veten pa u mbrojtur si duhet, pranoi diçka nën vlerat e tij; kund. e shiti lëkurën shtrenjtë.
NGJÉSHUR ndajf. Shumë afër njëri me tjetrin, ngushtë. Rrinin ngjeshur. Jemi shumë ngjeshur këtu. Ngjeshur ndanë njëri-tjetrit. Fjetën veshur e ngjeshur, si në luftë fjetën pa hequr asnjë rrobe. Telefonin e mbante ngjeshur pas veshit. Armët i mban ngjeshur.
✱Sin.: rrasët, rrasur, ngucur, ngushtë, shtrënguar, shtrëngueshëm, puqur, ngjitur, puthitur, citazi.
NGJÍTUR (i, e)I mb. 1. Që është ngjitur me lëndë ngjitëse; kund. i çngjitur. Këpucë të ngjitura keq e keq. Libri i kishte faqet e ngjitura. Postera të ngjitura gjithandej. Karrige e ngjitur me tutkall.
2. Që është shumë afër me një tjetër, aq sa e prek, i puqur. I kanë shtëpitë (bankat) të ngjitura. Rrinin të ngjitur tërë kohën.
3. fig. Që është i dashur e i afrueshëm, që është shumë i dhënë pas dikujt a diçkaje, që nuk shkëputet nga diçka. I ngjitur pas s’ëmës. Shumë të ngjitura pas familjes.
4. fig., keq. Që të qepet prapa dhe nuk të ndahet, i bezdisur, i mërzitshëm. Si tip është shumë i ngjitur.
5. Që është mbrehur në zgjedhë. Kau i ngjitur ishte 3 vjeç.
6. Që është i kapur (ekonomikisht). Familje e ngjitur.
✱Sin.: i puqur, i puthitur, i përngjitur, afërndenjës, i dashur, i shkrirë, i bashkuar, i afrueshëm, i dhënë, i bezdisshëm, jargavel, shushunjë, i mërzitshëm, rrodhe.
♦ *Baltë e ngjitur keq.
NGÚSHTË (i, e) mb. 1. Që ka një shtrirje të vogël në gjerësi; që ka një gjerësi më të vogël se ajo që nevojitet; kund. i gjerë. Rrugë (rrugicë) e ngushtë. Brez (rrip) i ngushtë toke. Daltë e ngushtë. Me shpatulla të ngushta.
2. Që puthitet shumë pas trupit, që nuk është i gjerë sa duhet, që të shtrëngon; kund. i lirë, i gjerë. Pantallona të ngushta. Mëngë të ngushta. Këpucë (çizme) të ngushta. Më rrinë të ngushta rrobat.
3. Që ka hapësirë të vogël, që nxë pak; kund. i gjerë, i hapësirshëm. Korridor i ngushtë. Oborr i ngushtë. Dhomë e ngushtë.
4. Që përfshin një numër të vogël njerëzish, pjesëmarrësish a anëtarësh, i kufizuar; kund. i gjerë; masiv. Rreth (grup) i ngushtë shoqëror. Organizatë e ngushtë. Mbledhje të ngushta. Numër i ngushtë të ftuarish. Bisedë e ngushtë.
5. Që është shumë afër me një tjetër, që nuk ka largësi të mjaftë. Radhë të ngushta. Rreshta pemësh frutore të ngushta. Ndarje të ngushta me rafte.
6. fig. Që nuk i kalon disa caqe dhe që lidhet me një fushë të vogël dijesh, njohurish, veprimtarie etj.; i kufizuar; kund. i gjerë, i hapët. Specializim (specialitet) i ngushtë. Sferë e ngushtë. Profil i ngushtë. Në një kornizë të ngushtë. Fushë e ngushtë studimi.
7. fig. Që i kap gjërat në mënyrë të kufizuar, që i mungon gjerësia e mendimit; që shikon vetëm një fushë të vogël, që përfshin pak gjëra, i kufizuar. Politikan i ngushtë. Me mendje të ngushtë. Horizont (botëkuptim) i ngushtë. Pikëpamje (koncepte) të ngushta. Interesa të ngushta vetjake. Kuptim i ngushtë i një çështjeje. Mendon në mënyrë të ngushtë. Doli nga rrethi i ngushtë. Shpirti i ngushtë i një kolektivi.
8. fig. Që ka shpirt të vogël, që nuk është bujar e i hapur me të tjerët; zemërngushtë, shpirtvogël. I ngushtë nga zemra. U tregua i ngushtë.
9. fig. Që ka lidhje të drejtpërdrejta e të afërta me një tjetër; që është shumë i afërt e miqësor me një tjetër; që bëhet me përzemërsi dhe me afërsi; i afërt, i përzemërt. Bashkëpunim i ngushtë. Takime (biseda) të ngushta. Marrëdhënie (lidhje) të ngushta. Mik (shok) i ngushtë. Miqësi e ngushtë. Në lidhje të ngushtë me situatën.
10. fig. I vështirë, i rëndë për t’u përballuar. Gjendje e ngushtë. Iu ndodh në ditë të ngushtë e ndihmoi kur ishte në vështirësi.
11. Që dëshpërohet lehtë e s’sheh rrugëdalje; ndjellakeq, i rrëmaçët. Është i ngushtë, stresohet për çdo gjë. Është i ngushtë për nga natyra.
12. mat. Që është më i vogël se nëntëdhjetë gradë. Kënd i ngushtë.
13. sport. Që ka ndryshim shumë të vogël në pikë. Rezultat i ngushtë.
14. I mirëfilltë, i drejtpërdrejtë. Kuptimi i ngushtë i një fjale. Në kuptimin e ngushtë të fjalës.
15. gjuh. Që shqiptohet duke i afruar shumë buzët e duke e ngritur shumë lart gjuhën (për zanoret). Zanore e ngushtë.
✱Sin.: i puthitur, i shtrënguar, i ngjeshur, i përmbledhur, kuckë, i angësht, i vogël, i dendur, i hollë, i kufizuar, i njëanshëm, i pazhvilluar, i ngurtë, mendjeshkurtër, shpirtvogël, zemërngushtë, meskin, shtrëngues, i afërt, i përzemërt, i ngrohtë, intim, besnik, vëllazëror, i dashur, i vështirë, i rëndë, ndjellakeq, i rrëmaçët, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë.
♦ Ka *zemër (shpirt) të ngushtë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) të ngushtë (dikush) është zemërngushtë e shpirtvogël; ka zemër (shpirt) të ngushtë; kund. e ka zemrën (shpirtin) të gjerë. Me *zemër (me shpirt) të ngushtë.
PAPUTHÍTUR (i, e) mb. Që nuk është i puthitur. Derë (dritare, dërrasë) e paputhitur. Konture të paputhitura.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë