Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KONCÍL,~I m. sh. ~E, ~ET fet. 1. Takim i madh me përfaqësues të rëndësishëm nga kisha të ndryshme brenda një vendi ose nga vende të ndryshme, që thirret për të diskutuar, për të dhënë këshilla dhe për të vendosur mbi çështje të rëndësishme doktrinale, liturgjike apo organizative kishtare (sot në kishën katolike ose ortodokse); sinod. Koncili i Efesit. Koncili i Nikesë. Në Koncilin e Trentit. Koncili i parë ekumenik. Koncili i Dytë i Vatikanit. Koncili i Shenjtë e i Madh i Kishës Ortodokse. Koncile të përgjithshme. Koncile provinciale. Vendimet e marra në koncile përbëjnë bazën e parimeve të besimit.
2. Njerëzit që marrin pjesë në një takim të tillë.
✱Sin.: sinod, asamble, kongres.
MOÇALÍSHT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Vend me moçale, tokë moçalore. Ishte zonë fushore e mbushur me moçalishte. Pa një pyllnajë të harlisur mbi një moçalishte. Ka një numër të madh kandrrash e kafshësh që jetojnë në moçalishte. U punua shumë për tharjen e moçalishteve. Tani moçalishtet u bënë toka buke. Duhej të kaloje përmes moçalishtesh e kallamishtesh.
2. fig. Situatë e vështirë që priret të mbetet e pandryshuar për një kohë të gjatë, moçal; amulli. Dalja nga moçalishtja hipokrite e tjetërsimit. Shkrimtar i vetëmjaftuar me moçalishten e tij provinciale.
PROVINCIÁL,~E mb. 1. Që i përket provincës, i provincës; që është ose bëhet në provincë; që banon e punon në provincë. Qytet provincial. Spital provincial. Autoritetet provinciale.
2. mospërf. Që ka zakone e sjellje si të një njeriu të provincës; i ngushtë, i pazhvilluar. Njeri provincial. Jetë provinciale.
3. gjuh., vjet. Dialektor; krahinor. Gjuhë provinciale. Fjalor provincial.
✱Sin.: krahinor, i ngushtë, i pazhvilluar, i prapambetur, dialektor.
ZBRAZËTÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT [ZBRAZËTÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT] Zbrazëti. Zbrazëtirë shumëvjeçare (e frikshme, e madhe). Nën zbrazëtirën e qiellit. I rrethuar nga një zbrazëtirë. U krijua një zbrazëtirë. Të mbushim zbrazëtirën legjislative. Për të plotësuar zbrazëtirën e luftës. Të mos ketë zbrazëtirë në këtë institucion. Zbrazëtira e jetës provinciale.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë