Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTAKÚZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. drejt. Dokument zyrtar që përmban të dhënat e akuzës së prokurorisë kundër një të pandehuri në gjyq; aktpadi. Aktakuza e prokurorit. Ngritja e aktakuzës. Prokurori dorëzoi aktakuzën në gjykatën kompetente. Shqyrtimi i aktakuzës. Lexohet aktakuza. Konfirmimi i aktakuzës. Pranon (kundërshton) aktakuzën. Refuzimi i aktakuzës, nga ana e gjykatës.
2. fig. Vepër e shkruar a veprim, që nxjerr në pah anët e dobëta e të errëta të një organizate etj. dhe që i godet këto ashpër. Aktakuzë e rëndë (e fuqishme, e pamëshirshme). E hodhi poshtë aktakuzën.
AKTHETÍM,~I [lexo: AKT-HETIM] m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Proces juridik që bëhet nga autoritetet hetuese (policia, prokuroria etj.) për të siguruar prova e fakte për çështje penale a civile për të zbuluar një krim etj., që përdoren në gjykatë. Prokurori nxori akthetimin. Prokuroi caktoi akthetimin. Gjatë akthetimit u morën në pyetje dëshmitarët.
2. Dokument juridik, që përmban të dhënat e një hetimi gjyqësor, akt hetimi, akt i hetimit. U zyrtarizua akthetimi.
AKTPADÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. drejt. Kërkesë me shkrim që hartohet nga pala e interesuar dhe që përmban padinë e ngritur kundër dikujt në një gjykatë civile; akt padie. Aktpadi penale. Ngrihet aktpadi. Në bazë të aktpadisë. Kopje e aktpadisë. Paraqes aktpadi në gjykatë. Prokurori paraqiti aktpadinë. Aktpadi për shkelje të kontratës dypalëshe.
2. fig. Aktakuzë. Aktpadi e rëndë (e ashpër).
ANTIMÁFI/E,~A f. Strukturë e posaçme që lufton mafien a veprimtarinë e kundërligjshme, korrupsionin dhe krimin e organizuar të lidhur me mafien. Shërbimet e antimafies. Prokurori i antimafies. Ligj për antimafien. Punon me antimafien. Antimafia italiane. Antimafia ndërkombëtare.
KALLËZÍM,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur kallëzoj dikë ose kur kallëzohet dikush.
2. edhe let. Tregim. Kallëzim i gjatë.
3. drejt. Dëshmi për një padi ose për një ndodhi a ngjarje me karakter penal; denoncim në organet përkatëse për një faj të dikujt; paditje, padi. Bëra një kallëzim në polici (në prokurori).
✱Sin.: tregim, të treguarit, rrëfim, denoncim, padi.
KALLËZ/OJ vep., ~OVA, ~UAR 1. let. Tregoj një përrallë, një histori a një ngjarje etj. Kallëzon gjyshi një përrallë.
2. I tregoj dikujt diçka që di, që kam parë me sytë e mi dhe nuk e dinë të tjerët. I tregoj gjyshit (nënës) atë çfarë tha nipi.
3. drejt. Padit, denoncoj dikë në hetuesi, në polici etj.; dëshmoj për një akt penal a për një krim. E kallëzoi në polici (në hetuesi, në prokurori). Kallëzoi i ati të birin.
✱Sin.: tregoj, rrëfej, denoncoj, padit.
♦ Ia kallëzoi (ia tregoi, ia rrëfeu, ia ujdisi) *qejfin (dikujt).
NDIHMËSPROKURÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT drejt. Ndihmës e një prokurori. Ndihmësprokuror i përgjithshëm. Ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake.
NDIHMËSPROKURÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET drejt. Ndihmëse e një prokurori. Ka punuar mbi njëzet vjet si ndihmësprokurore.
NDJÉKËS,~E mb. 1. Që vjen pas dikujt a pas diçkaje, pasues. Fjalët ndjekëse. Muaji ndjekës. Ambalazhimi është veprimtari shoqëruese, ndjekëse për të mbrojtur produktin.
2. Që është i ngarkuar për të ndjekur, për të zënë a për të kapur dikë. Repart (batalion) ndjekës. Prokurori ka funksion ndjekës.
3. av. Që shërben për të ndjekur dhe asgjësuar aeroplanët e kundërshtarit, gjuajtës. Aeroplan ndjekës.
✱Sin.: gjurmues, pasues, vazhdues, ithtar, përkrahës, gjuajtës, tjetër, vijues.
NDËRKOMBËTÁR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet vendeve ose ndërmjet popujve të ndryshëm; që bëhet midis vendeve a midis popujve të ndryshëm. Marrëdhëniet ndërkombëtare. Politika (gjendja, situata) ndërkombëtare. Forca ndërkombëtare. Diplomacia ndërkombëtare. Skena ndërkombëtare. Ujërat ndërkombëtare. Faktori ndërkombëtar. Tregjet ndërkombëtare. Ndeshje ndërkombëtare (sport.). E drejta ndërkombëtare. Prokurori (gjyqtari) ndërkombëtar. Gjykata ndërkombëtare e Hagës (drejt.).
2. Që ka të bëjë me shumë vende e popuj të botës, që përfshin përfaqësues a pjesëmarrës nga shumë vende e popuj; që është i përhapur në shumë vende; botëror, i përbotshëm. Ekspozitë ndërkombëtare. Organizatë ndërkombëtare. Në shkallë ndërkombëtare. Në arenën ndërkombëtare. Xhandar ndërkombëtar.
✱Sin.: botëror, internacional, i përbotshëm.
PROCEDÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur procedoj ose kur procedohem.
2. Mënyra e veprimit, ecuria që ndjekim kur kryejmë një punë, procedurë, ecuri. Kushtet e procedimit. Procedim në gjendje të lirë. Procedim penal. Pushim i procedimit penal. Prokurori mund të vendosë mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes. Legjislacioni procedural ka detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt.
✱Sin.: procedurë, veprim, ecuri.
PËRGJÍTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i përbashkët ose karakteristik për një tërësi njerëzish, sendesh a dukurish, që u përket të gjithëve ose një numri të madh njerëzish, sendesh etj.; kund. i veçantë; i posaçëm. Parime të përgjithshme. Tipare (karakteristika) të përgjithshme. Trajta më e përgjithshme e një fjale. Mënyra më e përgjithshme e shqiptimit. Rregull i përgjithshëm.
2. Që përfshin të gjithë anëtarët e një popullsie, të një grupi njerëzish etj.; që bëhet për të gjithë njerëzit ose nga të gjithë njerëzit; kund. i pjesshëm. Votim i përgjithshëm dhe i fshehtë. Arsim i përgjithshëm. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
3. Që prek diçka në tërësi, që e përfshin të tërën që ndodh ose që bëhet në përpjesëtime të gjera a në një hapësirë të madhe, që e përfshin të gjithë. Mobilizim i përgjithshëm. Rrëmujë e përgjithshme. Dobësi e përgjithshme e organizmit.
4. Që përfshin të gjitha sendet a dukuritë e një kategorie pa përjashtim; që bëhet në mënyrë tërësore dhe rrënjësore, i plotë; kund. i pjesshëm. Pastrim i përgjithshëm. Kontroll i përgjithshëm.
5. Që merret në tërësi, që merret i gjithë, tërësor. Prodhimi i përgjithshëm industrial. Vëllimi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave. Numri i përgjithshëm i popullsisë.
6. Që lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të madhe të popullit, që i përket gjithë popullit ose shumicës dërrmuese të tij, që është i të gjithëve, që ka të bëjë me gjithë shoqërinë; që është pranuar nga të gjithë; kund. vetjak. Lumturia (e mira) e përgjithshme. Mendimi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm.
7. Që ka të bëjë me natyrën, me botën reale e me shoqërinë në tërësi; që e formon njeriun në përgjithësi; kund. i veçantë; profesional. Ligjet e përgjithshme të natyrës (të shoqërisë). Kulturë e përgjithshme. Arsim i përgjithshëm. Lëndët e kulturës së përgjithshme.
8. Që është a që bëhet në përgjithësi, që nuk hyn në hollësira. Në vija të përgjithshme. Diskutim i përgjithshëm. I shtroi çështjet në mënyrë të përgjithshme. U shpreh me fjalë të përgjithshme. Si rregull e përgjithshme...
9. Që është në krye të të gjitha degëve a të të gjitha hallkave organizative të një administrate, të një ushtrie etj.; që udhëheq gjithë veprimtarinë e një organi a të një organizate. Komandanti i përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm.
10. mjek. Që prek të gjithë trupin; që vepron mbi të gjithë trupin; kund. i pjesshëm. Sëmundje e përgjithshme. Mpirje e përgjithshme. Bar (helm) me veprim të përgjithshëm.
11. tek. Që është ndërtuar për të kryer punë nga më të ndryshmet, i gjithanshëm, universal; kund. special.
12. shkenc. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa shkencave që merren me studimin e parimeve themelore, teorike dhe përfshijnë konceptet themelore ose japin njohuritë kryesore në fusha të caktuara. Gjeografia e përgjithshme. Historia e përgjithshme. Biologjia e përgjithshme. Kimia e përgjithshme. Gjuhësia e përgjithshme.
13. gjuh. Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla, sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta; kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk, libër, shkollë, liri, lumturi etj.).
14. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa specialistëve, që punojnë në një fushë të gjerë të veprimtarisë, të prodhimit etj., që nuk janë të specializuar vetëm për një fushë të ngushtë: Agronom i përgjithshëm. Mjek i përgjithshëm. Gjeolog i përgjithshëm.
✱Sin.: i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, i gjithësishëm, i gjithanshëm, universal, frontal, botor, publik, plenar, tërësor, i tërësishëm, total, global, grumbullor, i plotë, kapital, panoramik, i përbashkët.
VETËDORËZÍM,~I m. 1. Veprimi kur vetëdorëzohem tek armiku a të kundërshtari. Vetëdorëzim te armiku. Vetëdorëzim pa kushte.
2. Veprimi kur vetë dorëzohem (zakonisht tek organet shtetërore, si polici, prokurori etj.), po të më kërkohet. Vetëdorëzimi në prokurori.
VETËDORËZ/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR libr., vetv. 1. Dorëzohem vetë tek armiku a të kundërshtari, duke e lënë veten në duart tyre, pasi kam ndërprerë luftën dhe kam dorëzuar armët. U vetëdorëzuan në duart e armikut. U vetëdorëzua pa kushte. Nuk vetëdorëzohet për kollaj (lehtë). Ushtari i plagosur nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vetëdorëzohej.
2. Dorëzohem vetë (zakonisht tek organet shtetërore, si polici, prokurori etj.), po të më kërkohet. U vetëdorëzua në polici (në prokurori).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë