Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOLÁRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Larje automatike e automjeteve përmes një sistemi të pajisjeve dhe të makinave të automatizuara, që kryejnë larjen pa nevojën e drejtpërdrejtë të dikujt; qendër larjeje me vetëshërbim për makina, kamionë, autobusë etj. Autolarje moderne. Autolarje pa prekje. Autolarje me vetëshërbim. Autolarje e thjeshtë. Autolarje e paplotë. Punon si teknik në autolarje.
2. Pajisje automatike që lan automjetet në mënyrë të programuar. Autolarje automatike. Autolarje me presion të lartë.
AUTOMÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. tek. Makinë ose aparat që punon vetë me anë të një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; robot. Automat i programuar. Automatë elektrikë. Automati i tharjes. Automat me gaz. Automat kafeje. Automat për bileta. Automat uji. Automat monedhash. Pajis me automat. Blej automat. Punon me automat.
2. fig. Ai që vepron a që kryen diçka pa vetëdije ose pa u menduar; ai që vepron në mënyrë mekanike sipas dëshirave ose udhëzimeve të një tjetri.
AUTOMATIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET spec. Përdorimi i teknologjisë, i sistemeve dhe i pajisjeve për të kryer detyra e veprime në mënyrë të automatizuar me qëllim përmirësimin, efikasitetin, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e punës dhe të detyrave. Automatizimi industrial përdorimi i robotëve në fabrikat e prodhimit për të kryer detyra si montimi, paketimi etj. Automatizimi në biznes krijimi i softuerëve që ndihmojnë menaxhimin e emaileve, të kalendarëve dhe të proceseve financiare. Automatizimi i plotë. Automatizimi i prodhimit. Automatizimi i shprehive. Automatizimi i proceseve. Automatizëm njohës. Automatizëm mbrojtës. Automatizëm motorik. Automatizëm i programuar. Qëllimi i automatizimit.
✱Sin.: mekanizim, kompjuterizim, robotizim, programim, thjeshtim, përshtatje.
AUTOMATIZÚAR (i, e) mb., spec. Që funksionon në mënyrë të pavarur, që përdor teknologji për të kryer detyra pa ndërhyrje të vazhdueshme njerëzore. Sistem i automatizuar. Softuerë të automatizuar.
✱Sin.: i mekanizuar, i kompjuterizuar, i programuar, i robotizuar, i thjeshtuar, i përshtatur.
BIOLOGJIKÍSHT ndajf., biol. Në mënyrë biologjike, sipas veçorive biologjike. I studiuar (i vërtetuar) biologjikisht. Janë biologjikisht të afërt. E trashëgueshme biologjikisht. Të programuar biologjikisht.
GJÚH/Ë,~AII f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Mjeti themelor e më i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet njerëzve përmes sistemit të tingujve të nyjëtuar, trajtave të fjalëve e rregullave për formimin e fjalëve dhe për lidhjen e tyre në fraza; sistem i krijuar e i zhvilluar historikisht, si një nga tiparet themelore të një etnie a të një kombi. Lindja (prejardhja) e gjuhës. Gjuha shqipe (amtare). Gjuha standarde forma zyrtare e gjuhës së një shteti, me norma të ngulitura e të përgjithshme në të shkruar e në të folur. Gjuhë inflektive (gjuh.) tip gjuhësh sintetike, në dallim nga gjuhët aglutinative, që përdorin morfema për të shënuar ndryshimet morfologjike, sintaktike ose semantike. Fjalori i gjuhës shqipe. Thyej gjuhën fitoj aftësi për të folur një gjuhë të huaj. Gjuhë e folur gjuhë që përdoret në bisedë të zakonshme; gjuhë e stilit bisedor. Gjuhë e huaj gjuhë që nuk është imja; gjuhë e një populli a kombi tjetër. Gjuhë e gjallë gjuhë në përdorim; gjuhë që flitet e përdoret ende. Gjuhë e shkruar paraqitje e gjuhës me anë të sistemeve të shkrimit. Gjuhë e vdekur gjuhë që nuk përdoret më në të folur. Gjuhë indoevropiane familje gjuhësh, që përfshin gjuhët, si: shqipja, indishtja, iranishtja, armenishtja, greqishtja, latinishtja e gjuhët romane, gjuhët gjermanike, gjuhët sllave, gjuhët baltike, kelte etj. Gjuhë zyrtare gjuhë a dialekt me status ligjor të veçantë në një vend, shtet a krahinë, që përdoret në organet shtetërore e administrative.
2. Fjalët, mjetet gramatikore etj., që përdoren në të folur e në të shkruar sipas kërkesave e veçorive të një norme, të një fushe a të një gjinie; ligjërim, stil. Gjuhë bisedore. Gjuhë poetike. Gjuhë gazete. Gjuhë akademike. Gjuhë universale. Gjuhë tonike gjuhë si kinezishtja e disa gjuhë afrikane, në të cilat toni dallon kuptimet e fjalëve.
3. Mënyrë karakteristike e shprehjes së dikujt në të folur; tërësia e veçorive të përdorimit të mjeteve gjuhësore nga dikush a në një vepër, stil. Gjuhë e zhdërvjellët. Gjuha e shkrimtarit. Gjuha e romanit. Gjuha e dramës. Gjuhë shkencore.
4. edhe fig., Mjetet për të kumtuar, duke përdorur shenja të caktuara, tinguj, lëvizje etj.; mjete shprehëse që marrin një kuptim konvencional. Gjuha e gjesteve. Gjuha e pikturës. Gjuha e muzikës. Me gjuhën e shifrave. Gjuhë e makinës (tek., inf.) kod udhëzimesh që zbatohen drejtpërdrejt nga procesori qendror i makinës (kompjuterit). Gjuhë e algoritmit (inf.) gjuhë artificiale e krijuar për të shprehur algoritme. Gjuhë artificiale. Gjuhë shkencore gjuhë programimi e ndërtuar për formula dhe matrica matematikore. Gjuhë programimi (tek., inf.) gjuhë e ndërtuar nga një varg udhëzimesh, të quajtura kode të makinës, të shënuar me shifrat 1 dhe 0. Gjuhë e makinës (tek., inf.) kod udhëzimesh që zbatohen drejtpërdrejt nga procesori qendror i makinës (i kompjuterit). Gjuhë e ndërfaqes (tek., inf.) gjuhë që vendos komunikimin midis makinës dhe programeve të kompjuterit. Gjuhë e programuar (tek., inf.) gjuhë e koduar që përdor programuesi për të shkruar udhëzime të kuptueshme për kompjuterin. Gjuhë e reklamave gjuhë ose zhargon i posaçëm që përdoret për të bërë reklama të mallrave etj. Gjuhë e shenjave gjuhë që përdor shenja e lëvizje të trupit për të përcjellë një mendim, ndjenjë a gjendje.
5. Tingujt a lëvizjet e disa kafshëve dhe të shpendëve për komunikimin e thjeshtë instinktiv ndërmjet tyre. Gjuha e kafshëve. Gjuha e shpendëve. Gjuha e zogjve. Gjuha e bletëve.
6. bised. E folme, dialekt; të folur. E ka thyer gjuhën nuk flet më në të folmen e krahinës së vet.
7. Lënda e gjuhës; Gjuha shqipe si lëndë mësimore në shkollën e arsimit parauniversitar; teksti i kësaj lënde. Mësuesi i gjuhës. Libri i gjuhës. Ushtrimet e gjuhës. Mori dhjetë në gjuhë.
♦ Ia di gjuhën (dikujt) e njoh mirë, e di mirë ç’mendon a ç’qëllime ka. Flasin gjuhë të ndryshme nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, nuk merren vesh. Gjejnë gjuhë të përbashkët arrijnë të merren vesh njëri me tjetrin, pajtohen në mendime e në veprime. E ktheu gjuhën e ndryshoi fjalën, ndërroi qëndrim.
KONCÉRT,~I m. sh. ~E, ~ET muz. 1. Shfaqje e programuar me këngë, valle etj. Koncert simfonik. Koncert në Pallatin e Kongreseve. Sallë koncertesh. Programi i koncertit. Shoh (dëgjoj) një koncert.
2. Vepër e madhe muzikore e kompozuar për një instrument, që mund të shoqërohet edhe nga orkestra. Koncert për piano (për violinë).
PAPROGRAMÚAR (i, e) mb. Që nuk bëhet sipas një programi të caktuar; që nuk është parashikuar në program; kund. i programuar. Shfaqje e paprogramuar. Në mënyrë të paprogramuar.
PARAPROGRAMÚAR (i e) mb. 1. Që është paraprogramuar që të funksionojë në një mënyrë a në një kohë të caktuar (një sistem, një sistem etj.). Kontrollues i paraprogramuar. Ndryshimi i parametrave të paraprogramuar.
2. Që është programuar se kur e si të kryhet një punë, një veprimtari etj. Proces i paraprogramuar. Krizë (ndodhi) e paraprogramuar.
PLANIFIKÚAR (i, e) mb. Që zhvillohet sipas një plani të caktuar; që është parashikuar në plan, që përfshihet në plan; kund. i paplanifikuar. Zhvillim i planifikuar. Detyrë e planifikuar. Në mënyrë të planifikuar.
✱Sin.: i planëzuar, i programuar, i organizuar.
PROGRAMÚAR (i, e) mb. Që bëhet sipas një programi të caktuar, që është programuar; i planifikuar. Punë e programuar. Kohë e programuar. Në mënyrë të programuar.
✱Sin.: i planifikuar, i parashikuar.
TRU,~RI m. sh. ~, ~TË 1. anat. Pjesa qendrore e sistemit nervor të njerëzve e të kafshëve, që përbëhet nga një lëndë e butë e rrudhosur me ngjyrë të bardheme, që mbush kafkën te njerëzit e te kafshët dhe përbën pjesën qendrore të sistemit nervor; organ i të menduarit dhe i kujtesës te njeriu. Anatomia e trurit. Membranat e trurit. Truri i madh. Truri i vogël. Truri i përparmë. Truri i mesëm. Truri i pasmë. Cipa e trurit. Korja (lëvorja) e trurit. Tronditje në tru. Goditje në tru.
2. fig. Pjesa kryesore e sistemit nervor të njeriut si qendër e të menduarit; organ qendror që siguron rregullimin e të gjitha funksioneve jetike; kokë, mendje, (edhe në një varg njësish frazeologjike). Njeri me tru njeri me aftësi mendore të mëdha. Me tru e me zemër me mendje e me zemër. I punon truri. Më shastisi (më çau, më plasi, më thartoi) trutë më mërziti aq shumë sa nuk e duroja dot më. I mbiu (i ra) në tru iu ngul në mendje. I shkrepi (i erdhi) në tru një mendim. Çlodh trutë çlodhem pas një lodhjeje mendore. Iu ngulit në tru. Ia futi në tru. Po vriste trutë. Çalon nga trutë. E kanë lënë trutë. S’i pret truri. I pjell truri. I lëshon truri harron shumë. Shtrydh trutë shtrydh mendjen, mendohem thellë. Mbledh trutë mbledh mendjen, vij në vete. Të than trurin të mpin mendimin. Më ziejnë (me vlojnë) trutë më zien mendja. I kanë zënë trutë ndryshk (myk, lesh) s'mban dot mend; s’i hyn më asgjë në kokë. I janë bërë trutë çorbë (dhallë) i është bërë mendja çorbë. Lima e butë të ha trutë. (fj. u.). Mos fol me bark, po fol me tru. (fj. u.).
3. gjell. Gjellë e përgatitur me lëndën që mbush kafkën e disa kafshëve. Tru viçi (lope, dashi, qengji).
4. bised. Organ qendror që udhëheq a drejton veprimtarinë e një vendi, të një organizate, të një klase etj., njeri me aftësi të madhe mendore; njeri tejet i zgjuar që luan rol kyç në një veprimtari a në një aksion; kokë, krye, njeri kyç, drejtues, arkitekt. Truri i kompanisë. Truri i grupit (organizatës).
5. inf. Pajisje e ndërlikuar, e ndërtuar sipas modelit të trurit të njeriut, e cila kryen disa operacione a veprime me shpejtësi dhe me saktësi. Tru artificial inteligjencë informatike, tërësi përbërësish elektronikë të programuar për t’iu përgjigjur një situate të dhënë. Truri elektronik kompjuter ose makinë përkthimi, që kryen operacione që dikur kryheshin vetëm nga truri i njeriut.
✱Sin.: kokë, mendje, krye, drejtues, arkitekt.
♦ Iu bënë trutë *ciknë (dikujt). Iu bënë trutë *ujë (dikujt) keq. M’i bëri trutë *lëng (dikush). I ra në tru (dikujt). 1. U trullos, e zuri rakia, vera etj.; i ra në kokë. 2. I mori mendjen dikush a diçka e bukur, e magjepsi, e goditi dhe u dha i tëri pas tij a pas saj; i ra në mendje; iu ngul (iu ngulit) në mendje. I kanë rënë trutë në qafë (dikujt) mospërf. nuk është në gjendje të mendojë e të arsyetojë qartë; është i shushatur, është i trullosur. I ka rënë në tru të vogël (dikujt). 1. Është budallallosur, nuk di ç’flet e nuk di ç’bën, sikur e ka goditur diçka në tru; nuk është në vete (dikush); i kanë shkarë trutë; s’është në të (dikush). 2. shih iu ngul (iu ngulit) në mendje (diçka). Nuk ma bluan truri (diçka) nuk e kuptoj diçka, s’i bie në të; nuk ma rrok mendja. Çalon nga trutë (dikush) tall. shih (është) i metë nga mendja (nga trutë) (dikush). Më dolën trutë. 1. U lodha shumë nga një punë e rëndë mendore; kam studiuar jashtë mase; derdha trutë. 2. Plasa duke i folur dikujt, duke e këshilluar etj.; më plasi koka. Derdh trutë lodhem shumë duke menduar a duke u marrë me punë mendore; përdor gjithë aftësitë mendore; thartoj trutë. Ia derdhi (ia zbrazi) trutë (dikujt) bised. 1. E vrau duke e qëlluar në kokë; ia hodhi trutë në erë. 2. E lodhi mendërisht jashtë mase. Me dy *dërhemë tru shpërf. Të fluturojnë trutë shih të fluturon (të ikën) koka (kryet). Ia fut në tru (diçka) shih ia fut (ia shtie) në mendje (diçka). I ka futur trutë e maces (dikujt) keq. ia ka prishur mendjen duke e gënjyer, e ka bërë të besojë ato që thotë ai pa menduar fare, e ka trullosur për të bërë të vetën; i ka hedhur trutë e gomarit. I grinden trutë (dikujt) është në mëdyshje, nuk di ç’të bëjë, nuk merret vesh me vetveten; nuk vendos dot për diçka; është mëdyshas. M’u hapën trutë shih m’u ça (m’u hap) koka. Ia hodhi trutë në *erë (dikujt) keq. I ka hedhur trutë e gomarit (dikujt) përb. e ka budallallosur, nuk vepron më me mendjen e vet, por bën si i thotë dikush; i ka futur trutë e maces; ia mori mendjen. I hipi (i kërceu) *gjaku në tru (në kokë). Më hipi (më kërceu) në tru u ndeza menjëherë; u binda a m’u mbush mendja për diçka dhe nuk heq dorë; m’u shkrep; shpërtheva në zemërim; më shkrepi (më feksi) në tru; më hipi (më kërceu) në kokë. I është holluar truri (dikujt) shih i është holluar mendja (dikujt). Nuk më hyn në tru (diçka) nuk e kuptoj a s’e mësoj dot diçka, s’e kap dot, nuk e rrok, nuk e marr vesh, nuk e thith; nuk më futet (nuk më hyn) në kokë (në krye); nuk ma nxë koka; jam i trashë nga trutë. Më iku truri u trondita shumë nga diçka e keqe, nuk di nga t’ia mbaj, s’gjej dot një rrugëzgjidhje; më ikën trutë e kokës; më lanë (më lëshuan) mendtë. Më iku nga trutë (diçka) shih më doli (më iku) nga mendja (diçka). Më ikën trutë e kokës u shqetësova shumë nga një e keqe e madhe; u bëra si i çmendur, humba arsyen; më lanë (më lëshuan) mendtë (dikë). S’është mirë (në rregull) nga trutë (dikush) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). Iu kalbën trutë (dikujt) u matufos, është mykur, nuk është në gjendje të gjykojë më, ka marrë fund nga gjykimi; i janë mykur trutë. I ka trutë në *bark (dikush). I ka trutë në *fund të këmbëve (dikush). E ka trurin (mendjen) *fushë shpërf. I ka trutë *hime (krunde) (dikush) shpërf. S’ka tru (në kokë) (dikush) shpërf. s’është i zgjuar, s’ia thotë, s’ka mençuri; është i mpitë në të menduar, është i trashë, asgjë s’kupton; është kokëbosh; i ka trutë në bark; i ka trutë në fund të këmbëve; s’ka kokë (krye); e ka kokën (kryet) bosh; (është) mizë pa kokë (pa krye). E ka trurin *të lëmuar (rrafsh, shesh) (dikush) përçm. I ka trutë *të situr (dikush). Më kërcyen trutë në kokë. 1. shih më hipi gjaku në kokë (në tru). 2. shih më shkrepi (më feksi) në tru (diçka). Të kripsha trutë! iron. mospërf. qenke fare pa tru!; ç’janë këto budallallëqe që po thua! (kur dikush flet kot ose thotë diçka pa u menduar, pa gjykuar mirë); të kripsha mendjen. Të kruan *kokën e të nxjerr trutë (dikush) keq. E kanë lënë trutë (dikë) shih e ka lënë mendja (dikë). E ka lëshuar truri (dikë) harron shumë; nuk mban mend fare; i është mpirë truri (dikujt); nuk mban mend (dikush). Lodh trurin (për diçka) shih lodh mendjen (për diçka). Më mbiu në tru (diçka) shih më mbiu në mendje (diçka). I kanë mërdhirë trutë (dikujt) mospërf. s’është i aftë të arsyetojë qartë, është rrëgjuar nga mendtë; i është mpirë truri. I mblodhi trutë (dikush) shih e mblodhi mendjen (dikush). *I metë (çyryk, sakat) nga trutë (nga mendja) (dikush). I është mpirë truri (dikujt) e ka humbur zgjuarsinë a mprehtësinë mendore (nga lodhja, nga pleqëria etj.); i është dobësuar kujtesa; e ka lëshuar truri (dikë); (është) i mpitë nga mendtë (dikush). I janë mykur trutë (dikujt) ka mbetur prapa të tjerëve në mendime; është i prapambetur, mendon me të vjetrën; iu kalbën trutë. E ngul (e ngulit) në tru (diçka) shih e ngul (e ngulit) në mendje (diçka). Iu ngul (iu ngulit) në tru (diçka) shih iu ngul (iu ngulit) në mendje (diçka). Më nxori trutë (e kokës) (dikush) më mërziti e më shqetësoi shumë dikush duke bërtitur a duke bërë zhurmë të madhe e të vazhdueshme, nuk e duroj dot kur thërret a ulërin; më nxori mendtë; më nxori tëmthat; më thartoi trutë. Me një *okë tru. I pjell truri (dikujt) shih i pjell mendja (dikujt). S’ia pret truri (dikujt) shih s’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja (dikujt). I punon truri (dikujt) është i aftë të gjykojë e të arsyetojë drejt; kupton, është i zgjuar, e kap shpejt diçka; ka aftësi mendore krijuese, ka ide, mund të shpikë a të zbulojë diçka; i punon mendja; i punon koka. Aq i rëndojnë trutë (dikujt) tall. aq ia pret, aq mend ka, aq është i aftë të arsyetojë, nuk kupton a nuk arsyeton dot më shumë. Është ronitur nga trutë (dikush) shih është ronitur nga mendja (dikush). I është rralluar truri (dikujt) s’ka më atë qartësi mendimi ose e ka lënë kujtesa; është bërë si budalla, është matufosur a është si i trullosur; i kanë rrjedhur trutë; i janë rrudhur trutë; i kanë shkarë trutë. Ka rrjedhur nga trutë (dikush) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). I kanë rrjedhur trutë (dikujt) nuk është në gjendje të mendojë e të gjykojë qartë; është bërë budalla, është matufosur, ka rrjedhur, ka lajthitur ca; harron shumë, e ka lënë kujtesa; nuk ka aftësi të mjaftueshme mendore; ka rrjedhur nga trutë (dikush); është shkundur nga trutë (dikush); i kanë shkarë trutë; s’është mirë (në rregull) nga trutë (dikush); i janë tharë (i kanë shteruar) trutë përb.; i janë thartuar (i janë uthulluar) trutë; është trëndelinë (nga mendja) (dikush); iu bënë trutë ciknë; e kanë lënë (e kanë lëshuar) sendet (dikë). I janë rrudhur trutë (dikujt) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). I kanë shkarë trutë (dikujt) s’është më i aftë të arsyetojë e të gjykojë drejt e në mënyrë të shëndoshë, ka humbur qartësinë mendore; ka shkarë; i kanë rrjedhur trutë; i është rralluar truri; i ka rënë në tru të vogël; nuk është në vete (dikush). Më shkrepi në tru (diçka). 1. Më erdhi papritmas një mendim për diçka; u kujtova menjëherë, më shkrepi diçka; më hipi (më kërceu) në tru; më kërcyen trutë në kokë; më hipi (më kërceu) në kokë. 2. (për diçka). Më hipi në çast për të bërë diçka pa u menduar shumë, më erdhi papritur një mendim a një dëshirë për diçka, m’u shkrep; më hipi (më kërceu) në tru; më kërcyen trutë në kokë; më hipi (më kërceu) në kokë. Ia ka shkundur era trutë (dikujt) mospërf. është fare mendjelehtë dikush; është a bën si i marrë; (është) karafil nga mendja (dikush) përçm.; është trëndelinë (nga mendja) (dikush). Është shkundur nga trutë (dikush) është matufosur, ka rrjedhur; i kanë rrjedhur trutë (dikujt); i janë tharë (i kanë shteruar) trutë (dikujt); është trëndelinë (nga mendja); është trokë nga mendja. Ia shpëlau trutë (dikujt) ia hoqi mendimet a bindjet që kishte dhe i nguliti mendime e bindje të tjera; ia pastroi idetë dhe e bindi plotësisht për diçka, në mënyrë që ai të mos mendojë me kokën e vet; ia shpëlau kokën; ia kulloi mendjen. Shpëlarja e trurit keq. heqja e mendimeve a e bindjeve që ka dikush dhe ngulitja e mendimeve dhe e bindjeve të tjera; pastrimi i dikujt nga idetë dhe bindja plotësisht për diçka, në mënyrë që ai të mos mendojë me kokën e vet. Shtrydh trutë mendohem fort për diçka, shtrëngohem e përpiqem shumë ta kuptoj a ta gjej me mend; shtrydh mendjen; vras mendjen; shtrëngoj kokën me duar. I është trashur truri (dikujt) shih i është trashur mendja (dikujt). *I trashë nga trutë (nga mendja, nga koka). I janë tharë (i kanë shterur) trutë (dikujt) përb. e ka humbur aftësinë për të menduar drejt e thellë, për të gjykuar qartë, për të kuptuar mirë etj.; nuk është në gjendje të bëjë punë krijuese; ka rrjedhur, është matufosur; i kanë rrjedhur trutë; është shkundur nga trutë (dikush); s’i pjell mendja; është trokë nga mendja (dikush). Ia thau trutë (dikujt) ia lodhi aq shumë mendjen një punë, sa s’është më në gjendje të merret me një veprimtari krijuese ose të kuptojë mirë diçka, s’i hyn më gjë në kokë. I janë thartuar (i janë uthulluar) trutë (dikujt) shih i kanë rrjedhur trutë (dikujt). Thartoj trutë lexoj, mësoj a studioj shumë, sa lodhem nga mendja; derdh trutë. Më thartoi (më uthulloi) trutë (dikush a diçka) më mërziti aq shumë sa nuk e duroj dot më; më ngacmoi nervat; më lodhi sa nuk më punon mendja më; më trullosi; më nxori trutë (e kokës). *Thumb i ngulur në tru. Vuan nga (për) trutë e kokës (dikush) nuk është në gjendje të mendojë mirë e të gjejë zgjidhje për diçka dhe është vetë fajtor, s’i kupton mirë gjërat dhe vetë e ka fajin; vuan për mendtë e kokës. Vras trutë (për diçka) shih vras mendjen (për diçka). I ka zënë truri *dhjamë (dikujt). I kanë zënë trutë *myk (dikujt). I kanë zënë trutë *ndryshk (dikujt). Më ziejnë trutë shih më zien (më mizëron) koka.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë