Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
VËLLÁ,~I m. sh. VËLLÉZËR, VËLLÉZËRIT 1. Djali kundrejt fëmijëve të tjerë që kanë prindër të njëjtë. E kam vëlla. Jemi vëllezër. Vëllai i madh (i vogël). Vëllai im. I vëllai vëllai i tij (i saj). Vëlla e motër. Duhen si vëllezër e shkuar vëllezërve. Vëllai për vëllanë. (fj. u.). vëllezërit duhet ta ndihmojnë kurdoherë njëri-tjetrin.
2. Pjesa e parë e emërtimeve të pathjeshta për vëllezër të ndryshëm. Vëlla prej babait (prej nënës) djali kundrejt fëmijëve të tjerë nga baba (ose nga nënë) tjetër. Vëlla i gjetur vëlla vetëm nga nëna ose vetëm nga babai. Vëlla qumështi djali kundrejt fëmijëve të një familjeje tjetër, nëna e të cilëve i ka dhënë gji. Vëlla gjaku dy shokët e ngushtë që pinë nga një pikë gjak prej njëri-tjetrit. Vëlla shpirti vëllam. Vëlla i shpifur vëlla prej nëne, të cilin e ka me burrë të dytë. Vëlla me hajmali vëllam. Vëlla në katund (etnogr.) familje e një katundi që vjen e ngulet në një katund tjetër me pëlqimin e tyre. Vëlla trojesh (etnogr.) ai që nuk ka lidhje gjaku me ata që ka kufitarë tokash, por që është vendosur aty me pëlqimin e tyre.
3. etnogr. Vëllam, probatin. E kishte bërë vëlla. Ishin bërë vëllezër.
4. Ai që është i një gjaku a i një fisi me dikë tjetër, ai që është i së njëjtës kombësi a i të njëjtit komb me një tjetër, bashkëkombës. Vëllezër të një gjaku. Vëllezërit tanë jashtë kufijve. Jemi vëllezër shqiptarë.
5. Ai me të cilin na lidhin kushtet shoqërore e qëllimet e përbashkëta; shok mendimi e ideje; shok lufte; shok a mik shumë i ngushtë. Vëllezër armësh. Jemi vëllezër. E kam vëlla e shkuar vëllait e kam shok e mik shumë të dashur, si vëlla e më të afërm se vëllain.
6. Përdoret për t'iu drejtuar me ngrohtësi, në mënyrë familjare e miqësore një burri, një djali ose një të riu. Eja ti vëllai im! Që thua ti, vëlla i dashur... More vëlla! Ç'të të them, more vëlla!
7. bot., kryes. sh. Filiz bime që del e rritet njëkohësisht nga e njëjta rrënje; këlysh; binjak; kopil; vet. sh. disa kallinj misri të ngjitur së bashku. Bimë me shumë vëllezër. Ka nxjerrë vëllezër. Kanë dalë vëllezër. Bimë me shumë vëllezër. Ka nxjerrë vëllezër. Kanë dalë vëllezër.
✱Sin.: byrazer, bacë, lalë, apë, vëllath, vëllam, bashkatdhetar; këlysh, lastar, binjak, kopil.
♦ (Janë) *motër e vëlla. Sikur edhe vëllai të më lindë! kurrë, çfarëdo që të ndodhë, edhe sikur të më vijë diçka shumë mirë (për diçka që s’dua ta bëj); edhe sikur nëna të më ngjallet! Vëllezër (binjakë) siamezë libr. njerëz shumë të ngjashëm në pamje, në mendime, në sjellje e në shije; njerëz të lidhur fort, që nuk ndahen kurrë.
VËLLÁM,~I m. sh. ~Ë, ~ËT etnogr. 1. Secili nga dy shokë të ngushtë, të rinj a burra, që pinin nga një pikë gjak prej njëri-tjetrit dhe bëheshin si vëllezër, ai që pinte gjak me një tjetër, probatin; vëllamë bëheshin dy vetë kur ishin në të njëjtën moshë, të rinj ose burra, të cilët ishin shumë miq dhe e vlerësonin njëri-tjetrin, vëllamëria mund të bëhej edhe ndërmjet një burri dhe një gruaje. E bëri (e kishte) vëllam. U bënë vëllam. Besnik si vëllami. Ata të dy janë vëllamë.
2. Një i afërm i dhëndrit, që shoqëronte nusen kur i vihej kurora; secili nga të dy fëmijët që rrinin pranë dhëndrit e nuses kur këta vinin kurorë. Vëllami i dhëndrit. Vëllami e mbante nusen për krahu.
✱Sin.: vëlla, probatin, byrazer, vëllath.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë