Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►ACAR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III. Ftohet shumë (për motin). Acarohet koha (moti).
2. fig., vetv., vet. v. III Bëhet i nderë, ashpërsohet. Acarohet gjendja (atmosfera). Acarohen marrëdhëniet. Acarohet lufta (konflikti). Acarohen bisedimet.
3. fig., vetv. Prish marrëdhënien, miqësinë; prishem keqas me dikë, i keqësoj, i bëj të ndera marrëdhëniet me dikë; prekem nga diçka. U acarova me drejtorin. Janë acaruar me njëri-tjetrin. U acaruan i madh e i vogël.
4. vetv., vet. v. III Pezmatohet (për plagët); bëhet më e rëndë (për sëmundjet). M’u acarua plaga. Iu acarua sëmundja. Iu acarua gjendja.
5. vetv., vet. v. III Përkeqësohet gjendja e lëkurës. Iu acarua fytyra. Më janë acaruar duart.
6. fig., vetv. E qortoj dikë duke e kërcënuar. Iu acarua të voglit. - Mos u acaro me të! I acarohet si gjel.
7. pës. e ACARÓJ.
✱Sin.: egërsohem, keqësohem, prishem, cakërrohem, mahiset, qelbësohet, rëndohem, kërcënohem, kanosem, gërmushem, ngërdhucem.
AFATIZÍM,~I m., fin. 1. Veprimi kur afatizoj ose kur afatizohet një veprimtari etj.
2. Afat kohor i përcaktuar me marrëveshje ligjore bankare dypalëshe, sipas së cilës një depozitë (një kursim me normë të caktuar interesi për deponuesin) nuk mund të preket a të tërhiqet nga depozituesi pa kaluar afati kohor i përcaktuar me këtë marrëveshje. Afatizim i kursimeve. Ndërprerje e afatizimit të depozitës. Skadimi i kontratës së afatizimit. Prish marrëveshjen e afatizimit. Periudha e afatizmit. Kontrata e afatizmit.
AGJËRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET ET 1. Heqje dorë nga gjithë ushqimi a nga ushqime të caktuara, e ndonjëherë edhe nga pijet, për një kohë të caktuar. Ditë agjërimi. Mbaj agjërim. Agjërim me ndërprerje nuk ha për një numër të caktuar orësh gjatë ditës.
2. fet. Heqje dorë nga ushqimi ose kufizim në ushqim a në pije për arsye fetare; kreshmë. Nis agjërimin. Agjërim i gjatë. Javë agjërimi. Muaji i agjërimit. Prish agjërimin. Me agjërim në gojë nuk vë gjë në gojë.
♦ Prish agjërimin bëj diçka që e kisha lënë a që e kisha të ndaluar; burbuletem.
AH,~UI m. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Fagus) Dru gjethor i pyjeve malore, me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme ose ngjyrë mishi, lënda e të cilit përdoret për orendi, në ndërtim etj. Ah i bardhë (i kuq). Pyll ahu. Në hije të ahut. Gjethe ahu. Ah i ri. Dru ahu. Dyer ahu. Dërrasë ahu. Tryezë (dollap) ahu. Sharroj trungun e ahut.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ahesh: Ahu amerikan ahu gjethemadh. Ahu i argjendtë (lat. Fagus menziesi, Nathofagus menziesi) ah me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme, me gjethe të vogla, të trasha dhe thuajse të rrumbullakëta në çifte. Ahu evropian ahu i zakonshëm. Ahu i bardhë ahu damaror. Ahu bakëror ahu i purpurt. Ahu damaror (lat. Fagus nervosa, F. procera) ah me lëvore të hirtë, që plasaritet rreth moshës 25-vjeçare të saj, me kreshta të ngushta vertikale, me sytha të hollë e të gjatë konikë ngjyrë kafeje në të blertë me push në ngjyrë të kafenjtë, me gjedhe të bardheme si kurrizi i peshkut e pak të rrudhura midis damarëve kryesorë, me sytha të hollë e të gjatë konikë të kuq në të jeshilët, me gjethe qumështore, të rrumbullakosura në bazë e më pak në majë, që nxjerr me lule treshe kurorë. Ahu gjethemadh (lat. Fagus grandifolia) ah me lëvore të lëmuar me ngjyrë të blertë në të argjendtë, me sytha shumë të hollë dhe të gjatë, me gjethe të mëdha me bisht të shkurtër në ngjyrë të blertë në të errët, të thjeshta dhe të dhëmbëzuara, me lule të dy gjinive në të njëjtën pemë, që lidh fruta si një arrë të vogël të mbledhura në çifte në një shark me katër lobe me gjemba të butë. Ahu japonez (lat. Fagus japonica) ah me lëvore të lëmuar në ngjyrë të hirtë në të blertë, me gjethe të thjeshta vezake të blerta të ndërkëmbyeshme me mjaft damarë dhe me kërcell frutor të gjatë 3-4 cm, që kultivohet në malet e Japonisë, të Koresë etj.; ahu blu japonez, ahu i qenit. Ahu jugor (lat. Nothofagus) ah me lëkurë të ndritshme, me gjethe të dhëmbëzuara ose të plota, që lidh fruta si një arrë të vogël, të sheshtë ose trekëndore, në shark deri në shtatë kokrra, që gjen përdorim të gjerë në zdrukthëtari, në industrinë e letrës, në industrinë e bakrit etj. Ahu i kuq (lat. Fagus fusca, Nothofagus fusca) ah zbukurues, me gjelbërim të përhershëm, me lartësi mesatare deri 50 m e që këkon klimë të butë oqeanike, me kurorë ovale ose cilindrike në pjesën e sipërme, me gjethe të vogla vezake tringjyrëshe: në ngjyrë kuqe në të gjelbër kur janë të reja, në ngjyrë vjollcë kur rriten, që lidh fruta kubore me tri fara. Ahu lindor (lat. Fagus orientalis) ah gjetherënës me trung të trashë, me sytha të gjatë e të hollë, me gjethe të thjeshta dhe të plota e në skaje pak të dhëmbëzuara, me lule të vogla që lidh fruta si arra trekëndëshe të cilat piqen në vjeshtë. Ahu i malit (lat. Nothofagus solanderi cliffortoides) ah i pyjeve malore me gjelbërim të përhershëm që rritet në toka të thata e jopjellore, me lëvore të lëmuar ose me rrudha të imëta horizontale në ngjyrë hiri të errët, me bisqe të holla me qime të dendura në ngjyrë të kuqe në të errët, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të ndritshme vezake me majë të rrumbullakët, që lidh fruta me tri arra. Ahu mërsinor (lat. Fagus cunninshami, Nothofasus cunninghami) ah i fortë dhe i qëndrueshëm ndaj ngricave, që rritet në hije e në lugina me gjethe të vogla të thjeshta trekëndëshe e dhëmbëzore, të ndërkëmbyeshme e me ngjyrë të gjelbër në të errët, që pranverë marrin ngjyrë të theksuar të kuqe, rozë dhe portokalli, që lidh me fruta tri arra. Ahu i pjerrët (lat. Fagus obliqua, Nothofagus obliqua) ah malor gjetherënës i Amerikës Latine, me trung të trashë me lëvore të hirtë në ngjyrë kafe të errët, me gjethet që përdridhen mes damarëve dhe skajeve dhëmbëzore, me lulet të vogla të rrethuara me brakte të gjelbra, që përdoret në mobilieri, në ndërtimtari etj.; lisi patagonian. Ahu i praruar (lat. Fagus sylvatica zlatio) ah parku, me degëzime të ulëta, me kurorë rruzullore të hapur, që rritet në toka të pasura me humus me lëvore të butë e të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të ndritshme vezake me ngjyrë të verdhë të lehtë dhe të artë në të gjelbër, që lidh arra të mëdha në një shark me qime. Ahu i purpurt (lat. Fagus sylvatica purpurea) ah me trung me lëvore të hollë, të lëmuar dhe në ngjyrë hiri, me sythat në ngjyrë të bakërt të ndërkëmbyeshme, me gjethe të kuqe në vjollcë që në vjeshtë kur ato marrin ngjyrë të bakërt; ahu bakëror. Ahu i qenit ahu japonez. Ahu i zakonshëm (lat. Fagus sylvatica) ah gjetherënës, i përhapur në pyje në Evropë, ah i zakonshëm me trung të trashë mbi një metër, me lëvore në ngjyrë hiri, të lëmuar dhe e hollë, me gjethet vezake e me lule me thekë në tufë. Ahu i zi (lat. Fagus solanderi) ah me shumë degë të holla, me lëvore në ngjyrë të hirtë të errët e të lëmueshme me rrudha të imëta horizontale, me bisqe të holla e të kuqe në të errët dhe me qime të dendura, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të gjelbra dyvjeçare vezake e me maja të rrumbullakëta, që lidh fruta zakonisht me tri fara e që rritet në toka të thata e më pak pjellore.
✱Sin.: drudet, fag, okshe.
♦ *Ashkë ahu (lisi, dushku). Prish një ah për një bisht kmese (dikush) iron. shih prish bucela (bute) e bën kënaçe (dikush).
AKSIÓN,~II m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Veprim i përqendruar për një qëllim a synim të caktuar. Aksione të përbashkëta. Aksione diplomatike. Aksion politik. Aksion humanitar. Ndërmarr aksion. Aksion kolektiv. Aksion i qytetarëve. Aksioni për mbjellën e pemëve. Aksione shkollore.
2. usht. Veprim luftarak për t’i dhënë dikujt goditje të shpejtë dhe të papritur. Aksion i shpejtë. Aksion i guximshëm policor. Ndërmorën një aksion në shkallë të gjerë. Vendi i aksionit. Bëj (kryej, përgatit) një aksion. Aksion ushtarak. Aksion i forcave ushtarake. Aksion i komandove. Përfundimi i aksionit. Bëj analizën e aksioneve kundër kultivuesve të drogës (kundër trafikantëve të qenieve njerëzore).
3. let. Veprimi në një vepër letrare, në një vepër dramatike, në një film etj. Aksioni i veprës (i pjesës). Aksioni i filmit artistik.
4. sport. Veprim i shpejtë dhe i organizuar, që kryen gjatë ndeshjes një skuadër ose një lojtar i saj. Bëj (ndërmarr, thur) një aksion. I prish aksionin. Është në aksion. Vazhdon aksioni. Aksion i mirëfilltë.
✱Sin.: veprim, aktivitet, veprimtari, sipërmarrje, ndërmarrje, punë, nismë, lëvizje.
ÁKU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Ujë i ngrirë. Akull i trashë (i hollë). Akull i përjetshëm. Shtresë (cipë) akulli. Hell (qiri) akulli. Copë (kallëp) akulli. Fabrikë (punishte) akulli. Ujë me akull. Balet në akull. Zë akull. Shkriu (ngriu) akulli. Vë në akull. Rrëshqas në akull.
2. përd. mb. Shumë i ftohtë. M’u bënë duart akull.
3. përd. mb. Shumë i pastër; i ngrirë. E bëri shtëpinë akull. I rrinë (i mban) rrobat akull.
4. përd. mb., fig. I ftohtë, pa ndjenja (për njeriun); i ngrirë. Është akull me mua. Më qëndron akull.
5. përd. ndajf. Shumë, fare (me mbiemrat); shumë bukur, shumë mirë, shumë pastër (me foljet). Akull i ftohtë. 1 pastër akull. Akull i ri. Ishte veshur akull.
♦ Me akull të mendjes me gjykim a me arsye të ftohtë; i qetë, i përmbajtur e i qartë. Akull me tel shumë e bukur, shumë e mirë; është bukuri e rrallë; të rrëzon nga kali (dikush); t’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (dikujt); shtie hënën përdhe (dikush); kund. s’hahet as me vaj e as me uthull (dikush). U bëra akull. 1. Ngriva së ftohti; u bëra kallkan; u bëra borë; u bëra kërcu. 2. U shtanga nga një lajm i keq a nga një e papritur; m’u bë zemra akull; më ngriu (m’u prish) gjaku. Të bëhet pështyma akull bën acar i madh, është shumë ftohtë, thahesh së ftohti; të ngrin gjuha në gojë; të bien thonjtë; të bie hunda përdhe; fle ujku me delen. M’u bë zemra akull u tmerrova, ngriva nga frika, nga dëshpërimi a nga një fatkeqësi; nuk ndiej më asgjë, jam i ftohtë ndaj gjithçkaje; u bëra akull; u bëra kallkan. E bëri akull (dikush). 1. (diçka a diku). E pastroi shumë mirë, sa ndrit nga pastërtia, e shkëlqeu. 2. (dikë) shih e la lakuriq (dikë). Ma bëri zemrën akull (dikush a diçka) më tmerroi, më kalli frikën a tmerrin; më dëshpëroi shumë; më bëri të mos ndiej më asgjë. Më ka rënë akull në gjunjë shih m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. (E do) si akullin në gji (dikë) iron. nuk e do fare, nuk e duron dot, e urren; e do si prushin në gji iron.; (e do) si zjarrin në gji iron.; e do si mëzi samarin; nuk do t’ia shohë sytë (dikujt); nuk ia sheh dot bojën (dikujt). Ia fërkoj kokën me akull (dikujt) e bëj të vijë në vete, e sjell ndër mend që të shohë e të kuptojë se ç’po bën a ç’duhet të bëjë. E ka gjakun akull (dikush) është krejt i ftohtë e i pandjeshëm; nuk i bën përshtypje e nuk kthen përgjigje për asgjë; është gjakftohtë; ka gjak të ftohtë. E ka mendjen akull (dikush) e ka gjykimin të kthjellët, ka kujtesë të shkëlqyer, nuk e ka lënë mendja; mendon e arsyeton me gjakftohtësi, qartë e me logjikë të shëndoshë; ka mendje të ftohtë (dikush). E kam zemrën akull nuk kam asnjë ndjenjë, jam i mpirë krejt nga dëshpërimi, jam bërë i pandjeshëm (zakonisht pas një fatkeqësie); nuk kam më besim a shpresë për diçka; e kam barkun (zemrën) të ftohtë. Ngrin akull në korrik (dikush). 1. Është ngatërrestar i madh, bën hile e gënjen; bën të pabërën. 2. Është shumë i zoti, bën edhe të pamundurën. Ngul këmbët në akull (dikush). 1. Është pa mbështetje, nuk ka ku të mbahet. 2. Ngul këmbë kot ose kur nuk duhet, se nuk mund të arrijë atë që do; tregohet kokëfortë. Më rri barku akull (për dikë) jam i shqetësuar që nuk e kam pranë, më merr malli shumë për dikë; më digjet zemra prush; m’u këput shpirti (zemra); kund. s’më ha (s’më pret) malli (për dikë) iron. Shkel mbi akull (dikush) nis një punë me rrezik, bën diçka nga e cila mund ta pësojë; ia hyn diçkaje të pasigurt. Shkriu akulli libr. nisi një ndryshim për të mirë, zunë të përmirësohen kushtet e të kapërcehet një gjendje e vështirë; nis të zgjidhet një mosmarrëveshje, të kapërcehet një zemëratë etj. E shkruaj në akull (diçka) libr. e quaj të humbur diçka; e bëj diçka me mendimin që të harrohet shpejt; e shkruaj në ujë; e shkruaj në rërë. U thye akulli libr. shih shkriu akulli libr. Thyej (çaj, shkrij) akullin libr. bëj hapin e parë e më të vështirë; hap i pari shtegun për të tjerët në një punë që ka ngecur në vend. E var në akull (dikë) mospërf. nuk e përfill, nuk i jap rëndësi, s’pyes fare për të; e heq (e fshij) nga defteri; s’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në numër; s’e bëj për osh; nuk e vë në shpatull të pulës; kund. e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër).
ALTER/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR spec. 1. kal. Ndryshoj diçka për nga pamja, përmbajtja, forma, fuqia; zëvendësoj, prish. Alteroj veten. Alteroj ngjyrën e mureve. Alteroj dendësinë e lëngut. Alteroj mendimin (botëkuptimin, pikëpamjen).
2. tek., kal. Përziej sipërfaqen e një metali me një metal tjetër, duke i ndryshuar qëndrueshmërinë, pamjen etj. Alteroj një tabaka llamarine me alumin (me argjend, me ar). Alteroj kornizat e dritareve. Alteroj kompletin e lugëve (të pirunëve, të thikave).
3. gjeol., kal., edhe jokal. v. III Ndryshon përbërjen apo strukturën si pasojë e një procesi kimik, fizik ose biologjik. Koha i alteron shkëmbinjtë. Minerali më vonë ka alteruar në limonit.
4. jokal., vet. v. III Zbardh dita, çel drita, nis agimi, fillon mëngjesi. Alteroi dita.
✱Sin.: ndryshoj, shndërroj, ndërroj, shformoj, shpërbëj, shfytyroj, prish, keqësoj, përkeqësoj, modifikoj, zëvendësoj, këmbej, transformoj.
AMÉL,~III m. sh. ~E, ~ET 1. fig. Gjendje shpirtërore; humor. Me amel të mirë (të keq). I prish amelin.
2. fig. Prirje, damar, pikë e dobët. I gjeti amelin. E preku në amel. Mos e prek në amel! Ia gjet amelin ia gjeti anën për ta bindur, për ta bërë për vete etj.; i gjeti damarin. Sa mirë ia gjet amelin dhe e rehatoi. I ka amelet e veta ka brengat (dertet) e veta ai. I ra në amel. Fqinji i keq të qetë me amele. (fj. u.).
3. fig. Mënyrë e tërthortë për t’ia arritur qëllimit, rrethanë, rast. Përdori të gjitha amelet.
✱Sin.: arsye, shkak, mjet, vëng, vjegë, vjegëz, hallk, rrethanë, rast.
ÁM/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Vendi ku nis një rrjedhë uji, burim; shtrati i një rrjedhe uji. Ama e ujit (e vijës). Ama e lumit. Ku e ka amën ky lumë? Del nga ama. Ama e detit. Shtëpia është si ama e detit, s’lë gjë pa përpirë. (fj. u.).
2. fig. Burim, gurrë. Ku e ka amën kjo histori. A i dihet ama kësaj intrige? Nëse nuk sillet mirë, ia pres ujët në amë. I është thyer ama i është ndarë uji i mullirit në burim të jazit. Ia pres (ia ndaj) ujët në amë i bëj dëm dikujt, aty ku e ka burimin, në rrënjë, i prish punë atij që ka në dorë diçka; e lë duarthatë. I është shtjerrë ujët në amë nuk i ecën puna si dikur, nuk përfiton më prej dikujt; e ka humbur forcën e gjallërinë, i është tharë përfitimi në burim.
3. Pjesa e kreut në një bllok biletash, çeqesh, faturash etj., që ruhet si dëshmi për pjesën e këputur. Amë e bijë.
✱Sin.: burim, gurrë, shtrat, rrjedhë.
♦ Ra në amë të vet (dikush) u qetësua, u rregullua, gjeti prehje, u rehatua; iu largua mërzia, i iku zymtia, u çel; u zgjidh diçka; e mblodhi veten; erdhi në vete. Doli nga ama (dikush) shih doli nga rruga (rruge) (dikush). E shtie në amë. 1. (diçka). E sjell përsëri brenda kufijve, e kthej atje ku ishte a ku duhet. 2. (dikë). shih e vë në udhë (të mbarë) (dikë).
ANUL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. drejt. I heq fuqinë një ligji, vendimi, urdhri etj., prish ose e kthej mbrapsht, e tërheq, nuk e lejoj të bëhet, e bëj të pavlefshëm. Anulon një ligj (një vendim).
2. Prapësoj; tërheq; nuk lejoj të bëhet (një veprim). Anuloj mbledhjen (ndeshjen, vizitën). Anuloi një marrëveshje. Anulon fluturimin.
✱Sin.: shfuqizoj, abrogoj, zhbëj, prapësoj.
AQ ndajf. 1. Në një shkallë, në një masë a në një sasi të atillë, sa është përmendur më parë ose përmendet në fjalinë tjetër; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Edhe një herë aq më i madh se ky.
2. Në një shkallë të lartë ose në një masë a në një sasi të atillë të madhe, më shumë nga ç’mendonim ose nga ç’prisnim, shumë; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq mirë (keq). Aq afër (larg). Aq shpejt (vonë). Aq bukur. Aq i thjeshtë. Jo dhe aq. S’është edhe aq.
3. Përdoret me shkallën krahasore të ndajfoljeve e të mbiemrave me kuptim përforcues; me këtë kuptim përdoret edhe si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq më tepër (më shumë). Aq më mirë (më keq). Aq më pak (më fort). Aq më i lehtë (më i vështirë).
4. Përdoret në njërën nga fjalitë e bashkërenditura kundërshtore, zakonisht me mohim, për të treguar se shkalla e veprimit që mohohet është më e ulët sesa ajo e veprimit që pohohet. Jo aq për ty.
5. Mjaft, jo shumë. Aq, jo më tepër. Aq, më mjafton.
6. Në një shkallë a masë të vogël, të kufizuar në krahasim me atë që duhet, jo më shumë; pak. Aq di. Aq kupton. Aq mendon. Aq ia pret. Aq donte. Aq priste. Aq kishte hall.
♦ Aq i ha *krahu (dikujt). Aq ia arrin (ia pret) *mendja (dikujt) mospërf. Aq i arrijnë *shkallët (dikujt). Aq më bën! s’dua t’ia di, nuk pyes për dikë a për diçka; nuk çaj kokën; nuk e prish gjakun; nuk e prish gjumin; s’më djersin veshi; nuk më plasi barku iron. mospërf.; nuk më ftohen fasulet iron. mospërf.; nuk më prishet gjiza iron. mospërf. Aq dua! këtë pres, kjo më duhej për të vepruar pastaj ashtu si di vetë. Aq i hedh *dyfeku mospërf. Aq e ka. 1. (diçka). Nuk mund të rrojë më shumë. 2. (dikush). Nuk ka fuqi a aftësi për të bërë më shumë; nuk kupton a nuk bën dot më shumë; aq ia arrin (ia pret) pret mendja (dikujt) mospërf. 3. (dikush). Nuk do shumë mund për ta nxitur për diçka (për të qarë, për t’u grindur, për t’ia hyrë një rreziku etj.); është i lehtë. Aq e ka *vrapin (dikush). Aq e kaq në një sasi ose masë të caktuar, në një madhësi pak a shumë të njohur. Në aq e në kaq rrallëherë, nganjëherë. Aq *mend ka (dikush) mospërf. Aq e pati zakon. iron. mori fund, s’vete dot më tutje; kaq e pati zakon. iron. Aq sa i peshon *djersa (dikujt). Aq i peshon *kandari (dikujt) mospërf. Aq ia pret (dikujt) keq. nuk di më shumë, aq mund të bëjë; aq e ka2 (dikush); aq mend ka (dikush) mospërf. Aq i rëndojnë *trutë (dikujt) tall. U bëra edhe një herë aq (kaq) u gëzova shumë; m’u bë zemra mal.
ÁRDHM/E,~JA (e) f. 1. Koha që pritet të vijë, periudha pas së tashmes, pas së sotmes; e nesërmja; kund. e shkuar. Në të ardhmen. Në një të ardhme të afërt. Detyra për të ardhmen. E sotmja dhe e ardhmja. Parashikon të ardhmen.
2. Kushtet, rrethanat e jetës në kohën që do të vijë; ngjarjet që priten, ajo që do të ndodhë. E ardhme e lumtur (e ndritur, e shkëlqyer). E ardhme e sigurt (e dyshimtë). E ardhmja e fshatit. E ardhmja e vendit (e popullit). Ndërtojmë të ardhmen. Punoj për të ardhmen. Siguroj të ardhmen. Mos ia prish të ardhmen!
3. Gjendje më e mirë, mbrothësi e përparim në punë dhe në jetë në kohën që do të vijë; diçka më e mirë për kohën që do të vijë. E ardhme premtuese. Njeri me (pa) të ardhme. Ka të ardhme.
4. gjuh. Koha e ardhme. Zgjedhimi i së ardhmes. E ardhme e përparme. E ardhme e përbërë (e thjeshtë).
✱Sin.: e ardhshme, e nesërme.
♦ E ka të ardhmen *përpara (dikush).
ARMATÚR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. ndërt. Formë prej dërrasash të mbërthyera ose prej metali, që shërben për të derdhur shtylla, trarë etj. prej betoni ose për të mbajtur a për të përforcuar një pjesë të një vepre që ndërtohet. Armaturë mbajtëse. Armaturë druri (hekuri). Armatura e urës. Ngre armaturën. Heq (prish) armaturën.
2. Shufra ose pjesë metalike të lidhura si skelet ndërmjet tyre, që vihen si përforcim brenda shtyllave, trarëve, soletave etj. të derdhura me beton. Armatura e shtyllës (e digës).
3. min. Armatesë. Armatura e galerisë.
4. tek. Pajisje, vegla dhe pjesë të vogla të makinave e të aparateve, që shërbejnë për të punuar mirë. Armatura e automjetit. Armatura e anijes.
5. Rreth, skelet ose kornizë (për syze, pasqyra etj.); kuti (për radio etj.); këllëf. Armatura e syzeve.
6. Raft ku vihen të mbështetura më këmbë armët, armëmbajtëse; raft për veglat e punës. Armatura e pushkëve. Armatura e veglave. Lë në armaturë. Marr nga armatura.
7. hist. Pajisja luftarake e një ushtari në kohët e vjetra e në mesjetë. Armaturë e lehtë (e rëndë). Armatura e luftëtarit. Heq (vë) armaturën.
8. muz. Tërësia e diezëve dhe e bemoleve, që vihen pas çelësit për të shënuar shkallën e një pjese.
✱Sin.: armatesë, përforcuese, pajisje, kornizë, rreth.
ARMÍ/K,~KU m. sh. ~Q, ~QTË 1. Ai që i do të keqen një tjetri, që e urren dhe që përpiqet ta dëmtojë; kund. mik. Armik i hapët (i fshehtë). Armik i përbashkët. Armik i egër (i pabesë). Armik i betuar. Armik për vdekje. Bëj armiq. Mos ta preftë armiku fjalën (kuvendin)! i thuhet dikujt me takt, që të mos fyhet, kur i ndërhyhet gjatë bashkëbisedimit. Darova e armikut o helm, o thikë. (fj. u.) armiku kurrë nuk ta do të mirën, mos prit të mirë nga armiku. Armikut dhe erës tregoju gjoksin! (fj. u.) mos u përkul përpara armikut; mos u tremb nga vështirësitë.
2. Ai që është kundër interesave të atdheut e të popullit, të kombit e të shtetit dhe që lufton e vepron kundër tyre. Armiqtë e brendshëm (e jashtëm). Armik i popullit. Armik i shtetit. Mbroj vendin nga armiku. Vegël e armikut. Agjent i armikut. Bën punën e armikut. Dënoj (luftoj) armiqtë. Në shërbim të armikut.
3. përmb. Ushtria kundër së cilës bëhet lufta dhe shteti të cilit i shërben ajo; kundërshtari. Forcat e armikut. Ushtria e armikut. Planet e armikut. Sulmon (dërrmon) armikun. Mbrojtje nga armiku.
4. Ai që urren diçka dhe që lufton kundër saj, ai që nuk pajtohet me diçka, që nuk e pranon diçka; kundërshtar. Armik i përparimit (i lirisë). Armik i gënjeshtrave (i thashethemeve). Armik i duhanit (i alkoolit). Armiku i së vërtetës është frika. (fj. u.). Armiku i njeriut është përtacia. (fj. u.).
5. Diçka që sjell dëm, që prish ose që bën keq. Armik i shëndetit.
✱Sin.: kundërshtar, urrejtës, oponent, rival, hasëm, dushman.
ARN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I vë arnë një petku, një këpuce, një ene etj.; zë një vrimë a një të çarë me diçka. Arnoj trikon (çorapet). Arnoj kazanin. Arnoj murin.
2. fig. Mbuloj të metat, dobësitë etj. me ç’të kem në dorë; ndreqje e diçkaje për të dalë nga vështirësitë. Gris (prish) gjirin, arno pëqirin! (fj. u.) thuhet kur dikush prish a dëmton një punë të madhe e të rëndësishme për të bërë diçka të vogël.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë