Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADENOKARCINÓM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mjek. Karcinomë që prek qelizat gjëndërore. Adenokarcinomë e saponisur. Diagnostikimi i adenokarcinomës. Trajtimi i adenokarcinomës. Adenokarcinoma e mushkërve (e gjirit, e tiroides, e pankreasit, e stomakut etj.).
AFAZÍ,~A f. Paaftësi ose zvogëlim i aftësisë së të folurit dhe të shprehurit me shkrim ose me shenja, si pasojë e dëmtimit të ndonjë pjese të trurit ose nga një sëmundje që prek pjesë të ndryshme trunore; çrregullim gjuhësor. Afazia tërësore (e plotë) humbja pothuajse e plotë e të folurit. Afazia shprehëse ngecja në shoqërimin e mendimeve përmes fjalës ose shkrimit. Trajtimi i afazisë. Diagnostikim modern i afazisë.
AFEKTÚES,~E mb., libr. Që është ndikues në gjendjen e dikujt ose në diçka; që prek ose që shkakton një efekt emocional, psikologjik ose fizik te dikush tjetër. Sjellje afektuese. Gjendje afektuese. Person afektues. Histori afektuese. U shpreh me fjalor afektues. Vendim afektues.
✱Sin.: emocionues, veprues, ndikues, prekës, mallëngjyes, afektiv.
AGNOZÍ,~A f., mjek. 1. Humbje e aftësisë për të kuptuar e për të perceptuar me shqisat ndijimore (me shqisat pamore e dëgjimore dhe me anë të prekjes); paaftësi ose çrregullim shqisor, si rrjedhojë e dëmtimeve trunore. Agnozia pamore (dëgjimore, e shijes, e nuhatjes, e prekjes). U prek nga agnozia.
2. psikol. Çrregullim emocional, që shoqërohet me paaftësinë për të njohur mjedisin. Agnozi emocionale.
3. Padije, injorancë.
AJÁZM/Ë,~AIII f. sh. ~A, ~AT mjek. Sëmundje ngjitëse që shfaqet me ënjtje të gjëndrave të pështymës, që prek kryesisht fëmijët, që shoqërohet me vështirësi në përtypje dhe në gëlltitje, me temperaturë të lartë, me fryrje të nyjave limfatike, me pezmatim të mukozës së gojës etj., që krijon imunitet të përhershëm tek i sëmuri që kalon atë; shyta. Ajazma u përhap në kopshtin e fëmijëve. Ma zuri ajazma çupën. Filloi vaksinimi kundër ajazmës.
✱Sin.: shyta, guka, pulveshe, gjatveshe.
AJËRPASTRÚES,~I m. sh. ~, ~IT tek. 1. Aparat, pajisje që bën pastrimin e ajrit nga ndotësit industrialë, nga avujt kimikë, nga grimcat e pluhurit, nga alergjenët, nga bakteret e dëmshme, nga gazrat etj. Ajërpastrues me sensor. Ajërpastrues me smartfon. Prek butonin e ajërpastruesit! Ajërpastrues me karbon aktiv. Ajërpastrues me rreze ultraviolete. Përdorimi i ajërpastruesit. Vendosa ajërpastruesin.
2. Sistemi i ajërpastrimit në një ndërmarrje industriale, në një minierë, në një ndërmarrje nëntokësore prodhimi etj.; sistemi i ventilimit. E përfunduan ajërpastruesin e minierës së qymyrgurit. Përurimi i ajërpastruesit të spitalit infektiv. Ajërpastruesi i fabrikës së tullave. Riparimi i ajërpastruesit të fabrikës së prodhimeve plastike.
AKTINOMIKÓZ/Ë,~A f., mjek. Sëmundje ngjitëse kronike që shkaktohet nga aktinomicetet dhe që prek lopët, derrat e më rrallë njerëzit. U diagnostikua me aktinomikozë. Përhapja e antinomikozës. Trajtimi i antinomikozës. Aktinomikoza e kraharorit. Aktinomikoza abdominale. Aktinomikoza cerebrale.
AMÉL,~III m. sh. ~E, ~ET 1. fig. Gjendje shpirtërore; humor. Me amel të mirë (të keq). I prish amelin.
2. fig. Prirje, damar, pikë e dobët. I gjeti amelin. E preku në amel. Mos e prek në amel! Ia gjet amelin ia gjeti anën për ta bindur, për ta bërë për vete etj.; i gjeti damarin. Sa mirë ia gjet amelin dhe e rehatoi. I ka amelet e veta ka brengat (dertet) e veta ai. I ra në amel. Fqinji i keq të qetë me amele. (fj. u.).
3. fig. Mënyrë e tërthortë për t’ia arritur qëllimit, rrethanë, rast. Përdori të gjitha amelet.
✱Sin.: arsye, shkak, mjet, vëng, vjegë, vjegëz, hallk, rrethanë, rast.
ANGJÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mjek. Sëmundje e cipës së grykës, që shfaqet me pezmatimin e saj dhe që zakonisht prek edhe bajamet. Angjina e kraharorit (e gjoksit) sëmundje që shfaqet me dhembje të forta në anën e majtë të kraharorit, të shoqëruara me zënien e frymës dhe me ndjenjën e ankthit. Vuan nga angjina. Kam angjinë.
ANTRAKNÓZ/Ë,~A f., bot. Sëmundje e bimëve që shkaktohet nga kërpudha patogjene, që prek gjethet, kërcellin dhe frytin duke formuar fillimisht pikëza të vogla që shndërrohen në njolla të mëdha të errëta ose të kuqe; sëmundje që dëmton rendimentin dhe cilësinë e prodhimeve bimore si dhe pemët pyjore. Antraknoza e luleshtrydhes (e dredhëzës). Shkaktari i antraknozës. Simptomat e antraknozës.
ANTRAKÓZ/Ë,~A f., mjek. Sëmundje e mushkërive që shkaktohet nga thithja e pluhurit të qymyrit; sëmundje profesionale që prek minatorët që punojnë në minierat e qymyrgurit. Antrakozë bronkiale. Trajtimi i antrakozës.
ANËSÍSHTI ndajf. Në mënyrë anësore; tërthorazi, jo drejtpërdrejt. Prek anësisht. Ecte anësisht.
ANËSÓR,~E mb. 1. Që gjendet në anë të një vendi a sendi, që ndodhet në krah; që vjen nga anët; i anës. Faqe anësore. Vijë anësore. Rrugë anësore. Derë anësore. Mure anësore. Krahinë anësore. Gjethe (rrënjë) anësore (bot.). Gjyqtar (lojtar) anësor (sport.). Goditje anësore. Zjarr anësor (usht.).
2. gjuh. Që shqiptohet duke kaluar rryma e ajrit anës gjuhës kur kjo puqet me dhëmbët ose me qiellzën e fortë. Bashkëtingëllore anësore (p.sh. l, ll).
3. fig. Që është i dorës së dytë, që nuk zë vendin kryesor; që nuk prek thelbin e diçkaje, që e kap cekët, anash. Problem anësor. Temë (çështje) anësore. Dukuri anësore. Në mënyrë anësore.
ARMÓ/JII vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Prek me dorë a me një mjet dikë a diçka (për plagën, zjarrin etj.).
2. Ngacmoj ose shqetësoj dikë me prekje ose me fjalë. Armoj zjarrin. E armoi të gjorin atje tek s’mban. Armoj me fjalë.
✱Sin.: ngacmoj, ngas, nxit, cyt, shtyj, nguc, trazoj, mërzis, shqetësoj, zemëroj, thumboj, shpoj, kruaj, tall.
ARRÍ/J vep., ~TA, ~TUR 1. jokal. Vij ose shkoj më këmbë a me një mjet qarkullimi në vendin për ku jam nisur, ndalem në pikën e fundit të udhëtimit; mbërrij. Arrij në shtëpi (në shkollë, në punë). Arrij më këmbë. Arriti me aeroplan. Arritën vonë (herët, me kohë). Arriti i pari (i fundit). Arriti treni. Arriti letra (lajmi).
2. vet. v. III, jokal. Vjen një kohë e caktuar; vjen një stinë e motit, një muaj, një ditë; vjen një ngjarje a një dukuri e caktuar. Arriti dreka (nata). Arriti dimri (pranvera). Arriti dita e festës. Arriti bora (shiu). Arritën të korrat. Arritën krushqit. Arriti radha ime.
3. kal. Zë (kap) dikë në të ecur, vij krahas me një tjetër që ecte para meje; vij deri te diçka; zë. E arrita në rrugë.
4. kal., fig. Barazohem me një tjetër, që është përpara në një punë, në një veprimtari etj. E arrij në mësime. E arrij në mjeshtëri. E arriti dhe ia kaloi.
5. kal. Zë, prek diçka që është pak si larg, duke u zgjatur. E arrij me dorë. E arrij me maja të gishtave.
6. kal. dhe jokal., fig. Vij te një qëllim ose rezultat i caktuar me anë të përpjekjeve; përmbush një dëshirë, kryej një detyrë. Arrij sukses (fitore). Arrij qëllimin (objektivat). Arrij në një marrëveshje. Arrij në një përfundim.
7. kal. dhe jokal. Vij deri në një cak, në një shkallë ose në një masë. Arriti shumën. Arriti kulmin. Arriti nivelin më të lartë (majat më të larta). Arrin deri në gju.
8. kal. Vij deri në një kohë të caktuar, rroj deri në një kohë të caktuar; mbush një moshë; jetoj që nga një kohë. Arrij moshën shkollore (të punës). Arriti të tetëdhjetat. Më arriti pleqëria. Ia arrita ditës. Ia ka arritur kohës së Turqisë. Mos arrifsh! (mallk.) vdeksh i ri!
9. kal. Ia dal në krye një pune, mundem ta bëj diçka, ia dal mbanë. Arrij ta mbaroj. S’arrij ta kuptoj. S’arriti të nxirrte zë.
10. jokal., vet. v. III Është aq sa duhet, është mjaft, del, mjafton. Arrin për një fustan. Arrin e tepron. S’më arrijnë paratë. S’më arrin fuqia.
11. jokal. Vij deri në një pikë sa bëj diçka të padëshirueshme ose të keqe; vjen në një cak në të cilin ndodh një e keqe e papritur, katandis puna. Arriti puna deri në grushte. Arriti të ndahet nga prindërit. Arriti të vjedhë. Arriti deri atje sa... Arriti deri në atë pikë sa... Deri aty ka arritur!
♦ Aq i arrijnë *litarët (dikujt) tall. Ka arritur *apogjeun (dikush) libr. Nuk më arrin *çapi. Deri ku i arrin *çapi (dikujt). S’më arrin *dora (kaq më arrin dora). (Me) sa më arrin *dora. (Me) sa më arrin *krahu. Aq ia arrin (ia pret) *mendja (dikujt) mospërf. Deri ku të arrin (sa të ha) *syri. S’i arrijnë *thonjtë (dikujt) mospërf.
✱Sin.: vij, mbërrij, vete, zë, kap, kryej, mbush, përmbush, mund.
ARTRÓZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mjek. Sëmundje shkatërruese e nyjave, që prek kryesisht kërcen nyjore, që karakterizohet nga harxhimi dhe shpërbërja e kërcit që mbulon skajet e kockave brenda një nyje, duke shkaktuar dhembje, ngurtësi dhe vështirësi në lëvizje. Artroza e kyçeve. Vuaj nga artroza e gjurit. Mjekimi i artrozës. Artrozë e përparuar. Simptomat e artrozës.
ÁSHPËR (i, e) mb. 1. Që e ka sipërfaqen me të dala të vogla, që nuk është i lëmuar në të prekur, që të gërvisht lëkurën kur e prek; kund. i butë. Letër e ashpër. Lëkurë (pëlhurë) e ashpër. Duar të ashpra. Çarçaf i ashpër. Dërrasë e ashpër.
2. Që është i fortë, që nuk përkulet në të prekur, i kreshtë; kund. i butë. Lesh i ashpër. Mjekër (qime) e ashpër. Furçë e ashpër.
3. Me thërrmija a me kokrriza të mëdha, jo i imët, i trashë. Miell i ashpër. Sheqer i ashpër. Rërë e ashpër.
4. tekst. Që sapo ka dalë nga tezgjahu dhe nuk është përpunuar më tej. Pëlhurë (beze) e ashpër. Fill i ashpër. Prodhime të ashpra.
5. Që është me male të larta e me shkëmbinj të thepisur, i thyer, i vështirë për t’u kaluar (për një vend); kund. i butë. Vend i ashpër. Male të ashpra. Krahinë e ashpër. Natyrë e ashpër.
6. fig. Që shoqërohet me të ftohtë të madh, me ngrica e me stuhi dëbore (për motin); kund. i butë. Mot i ashpër. Dimër i ashpër. Klimë e ashpër.
7. fig. Që është shumë i rreptë e i përgjakshëm; që bëhet me vështirësi dhe me mundime të mëdha, që është plot ndeshje e përpjekje të vështira. Luftë (përleshje) e ashpër. Ndeshje e ashpër. Jetë e ashpër. Kushte të ashpra. Konkurrencë e ashpër.
8. fig. Që i mungon butësia; që nuk sillet me dashamirësi, i vrazhdë; që shpreh rreptësi, i rreptë; kund. i butë. Prind (mësues) i ashpër. Sjellje e ashpër. Fytyrë e ashpër. Zë (ton) i ashpër. Fjalë (përgjigje) e ashpër. Bëhet i ashpër.
9. fig. Që godet rëndë e pa lëshime. Kritikë e ashpër.
10. fig. Që kërkon zbatim të përpiktë e pa shmangie; i rreptë, i shtrënguar. Ligj (rregull) i ashpër. Disiplinë e ashpër. Dënim i ashpër. Masa të ashpra. E vërteta e ashpër.
11. Që është i fortë, por i cilësisë së dobët e me shije të keqe, jo i këndshëm në të ngrënë a në të pirë; i dobët, i varfër nga përmbajtja ushqyese. Raki (verë) e ashpër. Duhan i ashpër. Ushqime të ashpra ushqime të thata për kafshët, si kashta etj.
✱Sin.: i rreptë, i vrazhdë, i egër, gërvishtës, i vështirë, i tharë, i plasaritur, i grathët, i carangthtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë