Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APLIKÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbatoj.
2. Paraqes kërkesë diku a për diçka (për punësim, për pozicion pune, për të ndjekur një program studimi, për t’u pranuar si anëtar në një organizatë, për mjete financiare, për të fituar shtetësinë, për një leje, për vizë turistike a pune, për çështje administrative etj.). Aplikoj në Ministri për punësim. Si mund të aplikoj për studime pasdiplomike? Si mund të aplikoj për pjesëmarrje në garë? Aplikoi për pasaportë shqiptare. Aplikoni për rimbursim për çmimin e biletës! Aplikoi përmes internetit.
3. Vë në përdorim një metodë, një mjet etj.; vë në funksion një aparat, një makinë, etj.; e bëj të plotfuqishëm (një ligj, një rregullore, një vendim etj.); zbatoj. Aplikoj metodën me laser. Aplikuan rregulloren e re.
4. Përdor diçka (një bar në lëkurë, etj.) Aplikoi kremin në fytyrë. Aplikuan trajtim masazhi. Aplikuan zbardhues për pllakat e korridorit.
FJÁL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. gjuh. Njësia më e vogël e mëvetësishme e gjuhës, që ka kuptim dhe shprehet fonetikisht dhe grafikisht, e formësuar nga ana gramatikore, e cila shënon sende dhe dukuri konkrete (abstrakte) dhe përdoret e veçohet në rrjedhën ligjërimore. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetruar). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. Ndaj fjalën në rrokje.
2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra. Fjalë mashtruese (joshëse). Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Fjala është më e rëndë se plumbi (fj.u.). Zihej (grindej, hahej) me fjalë.
3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjoi (ktheu) fjalën. E çoi në vend fjalën e mësuesit.
4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Ka dhënë fjalën. Fjala e burrit, pesha e gurit (fj. u.). Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë.
5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë burrash. Lidhën fjalën. E lë me fjalë me dikë.
6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet. Lërini fjalët! E la fjalën përgjysmë. Meqë ra (erdhi) fjala duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast.
7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri te tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. Fjala ka këmbë (fj. u.). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë (fj. u.).
8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.
✱Sin.: llaf, thënie, pohim, bisedë, kuvend, muhabet, udhëzim, urdhër, vendim, premtim, zotim, marrëveshje, besë, thashetheme, njoftim, lajm, të folur, gjuhë, ligjërim, fjalim, porosi, mesele.
♦ Fjalë petake fjalë që zënë vend. Fjalë rrumbullake fjalë që nuk zënë vend. Fjalët i merr era (fj. u.) fjalët s’kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra. I bën *dredhë fjalës (dikush). Nuk bën dy fjalë bashkë (dikush) është njeri i urtë dhe i dëgjuar, është i pafjalë, s’i ndihet zëri; kund. ka ngrënë plëndës pule (dikush) shak. Bëhet fjalë (për dikë a për diçka) flitet, thuhet diçka; shtjellohet diçka, trajtohet; përmendet dikush a diçka; zihet në gojë (dikush a diçka). Bëj fjalë (për dikë a për diçka). 1. Flas për dikë a për diçka, e përmend; them a trajtoj diçka; e zë në (me) gojë (dikë a diçka). 2. (me dikë). Grindem me fjalë; zihem me dikë për diçka që s’është si duhet; trazoj fjalët; i përpjek fjalët; bëri llafe. I bëj (i çoj) fjalë (dikujt) e njoftoj, i dërgoj një lajm, e lajmëroj për diçka; e thërres; i bëj zë. E bëri me fjalë (dikë) e përfoli dhe e turpëroi, i nxori thashetheme; bëri që të tjerët ta marrin nëpër gojë. E bëj me fjalë (me dikë) merrem vesh për diçka; e lë të bëjmë diçka bashkë; e lë me fjalë; i puq fjalët. S’bën fjalë (dikush) nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç’t’i japësh etj.; është shumë i urtë. S’e bëj për fjalë (diçka) nuk ia tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë; s’e bëj për zë. Ta bën fjalën *bosh (dikush). Nuk ia bëj fjalën *dy (dysh) (dikujt). I bën fjalës *themel (dikush). Iu bë *lak (fjala) (dikujt). Nuk i bën *lak (fjalës) (dikush). Bie fjala. 1. (për dikë a për diçka). Flitet, vjen biseda. 2. Ta zëmë, për shembull (shkurt. b.f.); fjala vjen. Bie në një fjalë (me dikë) shih e gjej fjalën (me dikë). S’i bie fjala në *tokë (dikujt). Del nga fjala (del fjale) (dikush) nuk e mban premtimin a zotimin, s’i përmbahet fjalës, gënjen, e dredh; e dredh (e përdredh) fjalën; e ha fjalën; luan nga fjala (luan fjale); kund. e mban fjalën. I kanë dalë fjalë (dikujt) është përfolur, është marrë nëpër gojë, flitet keq për të. Di të gdhendë fjalë është i zoti të gjejë fjalët e bukura; di të parashtrojë fjalët e duhura. Nuk di fjalë (dikush) i bie shkurt e copë; vepron shpejt, nuk e zgjat; është praktik. E dredh (e përdredh) fjalën (dikush). 1. E kthen dhe e stërkthen fjalën, e zgjat shumë muhabetin rreth një gjëje, duke thënë edhe hollësira të panevojshme. 2. Nuk e mban fjalën a premtimin; e ndërron mendimin, flet ndryshe nga ajo që ka thënë më parë; e ha fjalën; del nga fjala (del fjale); kund. e mban fjalën. S’do fjalë pa dyshim, s’ka dyshim, doemos; natyrisht, s’ka pse të diskutohet më tej, mos e zgjat; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendjes (mendsh). Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur; me fjalë të tjera; fundi i fjalës. Fjalë në erë (hava) fjalë të thëna pa u menduar, fjalë boshe; premtime të kota; gjepura. Fjalë ari (e artë) thënie e mençur, e vyer, që peshon. Fjalë burri fjalë me mend; premtim që mbahet; besë. Fjalë të ëmbla e punë të tharta shih fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fjalë për fjalë. 1. Pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, besnikërisht; plotësisht e me hollësi; duke përmendur a duke përkthyer çdo fjalë veças; një për (më) një. 2. Në kuptim të drejtpërdrejtë; ashtu si e ka thënë a e ka shkruar dikush, pa hequr asnjë fjalë, pikërisht ashtu. Fjalë fluturake thënie a shprehje, zakonisht e figurshme, që përmban një gjykim ose një mendim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht. Fjala e fundit. 1. Arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës. 2. Mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit. Një fjalë goje... duket shumë e lehtë diçka, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.); një llaf goje... Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë) premtim a zotim për të bërë diçka, por që nuk shoqërohet me punë e me vepra ose që nuk zbatohet, mashtrim me fjalë të bukura për ta përcjellë dikë; fjalë të ëmbla e punë të tharta. Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë; me bindje e pa e zgjatur. Me fjalë të tjera ndryshe; më shkurt e më qartë, domethënë; me një fjalë. Fjalë e urtë folk. proverb; shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a një vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali e plotë. Fjala vjen për shembull, ta zëmë se është kështu, zëre se..; bie fjala. *Fundi i fjalës. E gjej fjalën (me dikë) merrem vesh me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët a pajtohem në mendim me të; kuptohemi; bie në ujdi; bie në va; i ndreq hesapet; i puq fjalët. Sa për t’u gjendur në fjalë sa për të thënë diçka duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen, sa për të marrë pjesë në bisedë. Me një *gjysmë fjale. Gjuhemi me fjalë ngacmojmë (thumbojmë) njëri-tjetrin. E ha fjalën (dikush) e mohon atë që ka thënë, e dredh; nuk e mban premtimin, gënjen; nuk është i besës; ia kthen fjalën (dikujt); kund. e mban fjalën. E hodhi fjalën (për dikë a për diçka) e zuri në gojë dikë a diçka; dha të kuptohet në bisedë se e kishte për dikë a për diçka tjetër, e kishte për të, aludoi; ndërroi bisedë. E hedh fjalën në *pus (dikush). I humbi fjala (dikujt) u habit shumë, u hutua fare sa s’mund të fliste; iu pre goja; iu mpi gjuha. I hyj në fjalë (dikujt) e kuptoj ç’thotë, e rrok çfarë thotë; e marr vesh (dikë). Ç’është ajo fjalë! as mos e thuaj!, si mund të flasësh a të mendosh ashtu!, nuk është ashtu!, s’është e nevojshme ta thuash! (si përgjigje për një kundërshtim të dikujt ose kur ai shprehet se ndihet ngushtë etj.). I jap fjalën (dikujt). 1. E lejoj a e ftoj të flasë (në një mbledhje etj.). 2. I premtoj, e siguroj dikë për diçka. S’ka fjalë e kuvend (për diçka) është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur. I ka fjalët *të prera (dikush). E ka fjalën *pushkë (dikush). I ka fjalët *të shkurtra (dikush). E kapërcen fjalën (dikush) lë me qëllim pa përmendur diçka, i shmanget bisedës; nuk i vjen mirë të flitet për atë gjë. Këmbej (shkëmbej) fjalë (me dikë) zihem me fjalë me dikë, grindem me të; më shan dhe e shaj. Kërkon fjalë dëshiron të grindet, kërkon sherr. Ia kthen fjalën (dikujt). 1. Nuk i bindet dikujt, e kundërshton, nuk bën si thotë ai; i përgjigjet ashpër. 2. shih e ha fjalën (dikush). S’ia kthen fjalën *mbrapsht (dikujt). S’e kthen fjalën *mbrapsht (dikush). E lë me fjalë (me dikë) merrem vesh me të për t’u takuar diku a për të bërë diçka; e vendos me dikë; e bëj me fjalë. Lidh fjalën (me dikë) merrem vesh përfundimisht me dikë për të bërë diçka së bashku; e vendos përfundimisht të bashkëpunoj me të; merrem vesh. Nuk lidh (dot) dy fjalë (bashkë) (dikush) nuk di të flasë rrjedhshëm, i shpreh mendimet me vështirësi; nuk është i zoti i gojës. *Lojë fjalësh. Luan me fjalë (dikush). 1. Flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon duke thënë jo atë që duhet; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë. 2. Përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët. Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga *goja (dikush). E mban fjalën (dikush) e plotëson premtimin, çfarë thotë e bën; është i besës; kund. e ha fjalën; e dredh fjalën; luan nga fjala (luan fjale). Mbeta pa fjalë u çudita shumë, u habita jashtë mase nga diçka e papritur a e pabesueshme; dola nga këmisha; dola nga rrobat e trupit; dola linjës. E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo; e morën vesh të gjithë. E ndal diellin me fjalë (dikush) është llafazan i madh, të mbyt me llafe, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; mbush pusin me pështymë. Që ta ngas fjalën (llafin)... meqë ra fjala; që të vijoj më tej bisedën aty ku e lamë; kam parasysh që... Më ngjit fjala (me dikë) më shkon muhabeti me dikë, pajtohem në muhabet me të; e dua si shok, është i ëmbël në muhabet dhe më pëlqen të flas me të. T’i përpin fjalët (dikush) të dëgjon me shumë vëmendje; s’i shpëton asgjë nga ato që i thua; është tërë sy e veshë (dikush); s’i shpëton qimja. I përpjek fjalët (me dikë) zihem keqas me fjalë me dikë, grindem e shahem me dikë, i them e më thotë fjalë të ashpra. Prenë fjalën etnogr. caktuan ditën kur do të bëhet martesa; bënë marrëveshje e vendosën afatin për diçka. I puq fjalët (me dikë) pajtohem në mendim, merrem vesh; i rregulloj punët me të; bie në një mendje; e gjej fjalën; e bëj me fjalë. E qep fjalën them fjalë me vend, që nuk m’i rrëzon dot kush. Ta rrëmben fjalën nga goja (dikush) të kupton a ta kap mendimin menjëherë; është shumë i zgjuar; të ndërpret në të folur, nuk të lë të flasësh më tej; ndërhyn në një bisedë dhe e vijon vetë më tej. I shkon (i ecën, i dëgjohet, i zë vend) fjala (dikujt) ia pranojnë mendimin, ia çojnë në vend porositë a ia plotësojnë kërkesat; ka ndikim tek të tjerët, i binden e bëjnë si thotë ai. I shkoi fjala *bosh (dikujt). I tërheq fjalët zvarrë. 1. Flet ngadalë si i vogël. Flet me përtesë. 2. Zgjat dhe zvarrit mbarimin e një pune. I trash fjalët (me dikë) filloj të zihem me fjalë të ashpra me dikë; acarohem edhe më shumë me fjalë, nis të përdor kundër tij fjalë të rënda; i thartoj fjalët. Trazoj fjalët (me dikë) zihem me dikë, prishem me të e grindem me fjalë të ashpra. I thartoj fjalët (me dikë) zihem e keqësohem me dikë, prishem edhe më shumë me fjalë të hidhura kundër tij; i trash (i ashpërsoj) fjalët. (Nuk tha) asnjë *gjysmë fjale (dikush). Ia ushqen fjalën (dikujt). 1. Ia miraton ato që thotë; e nxit të flasë. 2. E lëvdon e i bën qejfin, e përkëdhel më shumë se ç’duhet; e përkrah, pavarësisht e ka mirë a keq. I vë *qokë fjalës. Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt).
FUQIPLÓTË mb., libr. Që ka fuqi të plota; i plotfuqishëm. Ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplotë. I dërguar i jashtëzakonshëm e fuqiplotë.
FÚRK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkop i trashë e i gjatë me një bigë në krye, që shërben si mbështetëse për diçka; bigë, mbajtëse. Furkat e kasolles. I vë një furkë. E mbaj me furkë.
2. Shkop me bigë në majë, ku vihet shtëllunga e leshit a e pambukut për ta tjerrë. Furkë leshi. E tjerr në furkë.
3. Sfurk. Furkë druri (hekuri). Furkë për bar.
4. Secila nga shtyllat kryesore prej druri, të ngulura në tokë, në çdo qoshe të kasolles a të shtëpisë së ulët, mbi të cilat hidhen trarët anësorë të çatisë. Shtëpi me furka.
✱Sin.: bigë, mbajtëse, furkëz, çatalle, drugë, drugëz, krevë, qatër, garravesh, furkaçe, çandër, pajandër, urojmë, maxhallëk, sfurk.
♦ (U bë) *bosht furke (dikush). (U bë) *lesh në furkë (dikush). (Del) si *boshti para furkës (dikush) keq. E di (e njoh, e kam) si *plaka furkën (diçka). E dredh në furkë (dikë) e ndëshkoj rëndë (për një faj që ka bërë); i tregoi vendin. I ikën (i luajtën) furkat (dikujt) tall. u çmend, lajthiti, shkau; luajti mendsh (nga mendtë). S’është as për furkë e as për çorap (dikush) nuk është i zoti për asgjë, nuk bën dot asnjë punë; s’e nxjerr qimen nga qulli; kund. të merr gjak në vetull (dikush). Ka edhe furkën, edhe drugën (dikush) mund të bëjë çdo gjë, është i plotfuqishëm; ka edhe gurin, edhe arrën. Si *rrushi pa furkë (pa herek) (dikush).
GJITHMËND/ËM (i), ~ME (e) mb. I plotfuqishëm; i gjithëpushtetshëm. Iu kujtua e kaluara, kur ishte i gjithmëndëm.
✱Sin.: i gjithëpushtetshëm, i gjithëfuqishëm, i tërëfuqishëm, gjithmëndës, fuqimadh.
GJITHËFUQÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është me pushtet absolut, të pakufishëm; i plotfuqishëm, i tërëfuqishëm; që është i aftë të zgjidhë a të arrijë gjithçka. Populli është i gjithëfuqishëm..
2. Që ka ndikim a forcë vepruese mbi gjithçka. Qetësi e gjithëfuqishme.
✱Sin.: fuqiplotë, fuqimadh.
GJITHËPUSHTETSHMËRÍ,~A f. Të qenët i plotfuqishëm. Fjalë të gjithëpushtetshme. Vështrim i pushtetshëm. Në mënyrë të pushtetshme.
GJITHËPUSHTÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që ka pushtet të pakufizuar; i plotfuqishëm. I gjithëpushtetshëm mbi natyrën. Perëndeshë e gjithëpushtetshme.
✱Sin.: i plotfuqishëm, i plotpushtetshëm, fuqimadh, fuqiplotë.
PLOTFUQISHMËRÍ,~A f., libr. Të qenët i plotfuqishëm, e drejta që ka dikush për të vendosur vetë për diçka. Plotfuqishmëria e popullit. Ka (gëzon) plotfuqishmëri.
✱Sin.: plotfuqi, gjithëfuqishmëri, plotfuqishmëri, gjithëfuqi, gjithëpushtetshmëri.
PLOTFUQÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që ka fuqi a të drejta të plota për të vepruar, për të marrë vendime etj., që i janë dhënë fuqi të plota për të bërë diçka; fuqiplotë, i gjithëfuqishëm. Zot i plotfuqishëm i fateve të tij. Sundimtar i plotfuqishëm. Ishte (u bë) i plotfuqishëm. Ishte i plotfuqishëm në çdo gjë.
✱Sin.: fuqiplotë, fuqimadh, i gjithëfuqishëm, i tërëfuqishëm, i gjithëpushtetshëm, i plotpushtetshëm, zot.
PLOTPUSHTÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb., libr. Që ka pushtet të pakufizuar, i gjithëpushtetshëm; i tërëpushtetshëm, i plotfuqishëm. Sundimtar i plotpushtetshëm. Zotërues i plotpushtetshëm.
✱Sin.: i gjithëpushtetshëm, i plotfuqishëm.
PUSHTÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka pushtet mbi dikë a mbi diçka; i plotfuqishëm; që ka prirje a që e ka zakon të japë urdhra, autoritar. Njeri (prind) i pushtetshëm. Është bërë i pushtetshëm.
2. Që nuk mund të kundërshtohet; që shpreh pushtetin që ka dikush a diçka ndaj dikujt a diçkaje tjetër; nënshtrues. Fjalë të pushtetshme. Vështrim i pushtetshëm. Në mënyrë të pushtetshme.
✱Sin.: autoritar, i plotfuqishëm, i rreptë, i pakundërshtueshëm, nënshtrues.
RATIFIKÍM,~I m. sh. ~E,~ET dipl. Njohje e miratim zyrtar nëpërmjet organit më të lartë shtetëror i një traktati a i një marrëveshjeje të lidhur në mes të përfaqësuesve të plotfuqishëm të shtetit me një a me shumë shtete të tjera. Ratifikimi i traktatit (i marrëveshjes). Instrumentet e ratifikimit. Kuvendi bëri ratifikimin e marrëveshjes me BE.
RATIFIK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR dipl., kal. Njoh dhe miratoj zyrtarisht nëpërmjet organit më të lartë shtetëror një traktat a një marrëveshje të lidhur në mes të përfaqësuesve të plotfuqishëm të shtetit me një a me shumë shtete të tjera; i jap fuqi ligjore një marrëveshjeje ndërkombëtare për ta vënë në veprim. Ratifikoj një traktat (një marrëveshje).
RRETH,~I m. sh. RRÁTHË, RRÁTHËT 1. Vijë e lakuar dhe e mbyllur, pikat e së cilës kanë të njëjtën largësi nga qendra; sipërfaqja e rrafshit që ndodhet brenda kësaj vije. Rrathë bashkëqendrorë. Rreth i jashtëshkruar. Rrezja e rrethit. Diametri i rrethit. Qendra e rrethit. Vizatoj një rreth.
2. Rrip metali a druri i mbyllur si unazë, që shtrëngon degët e fuçisë, një rrotë etj.; pjesa e rrumbullakët si unazë, që shërben për të mbajtur, për të shtrënguar pjesët e tjera të një sendi; fletë e prerë si unazë a e rrumbullakët. Rreth hekuri (teli). Rrathët e fuçisë. Rrathët e syzeve. Rrethi i kosës unaza që shtrëngon kosën te bishti. Rrethi i kapelës. Rreth për flokët. Rreth për gjimnastikë. Shtrëngoj rrathët.
3. Unazë. Rreth floriri. Rreth dore byzylyk. Rrathë veshi vathë të rrumbullakët.
4. Rreth druri në lartësinë e gjoksit të fëmijës, me këmbëza e me rrota të vogla, ku futen foshnjat para se të fillojnë të ecin; qerthull, rrethore. I kishin dhuruar një rreth për djalin që po niste të ecte.
5. Rrip i ngushtë ose vijë e rrumbullakët, që shfaqet anës diçkaje, që formohet nga diçka ose që dallohet në sipërfaqen e diçkaje; unazë. Rrathët e dritës. Vështronte pa mendje rrathët e tymit. Rrathë në ujë. Rrathët e barkut.
6. Varg njerëzish a sendesh, të rreshtuar në vijë të mbyllur rrotull dikujt a diçkaje. Formuan një rreth. I vuri në rreth.
7. sh. ~E, ~ET Ndarje administrative, që përfshin një krahinë të gjerë me një bashki e disa komuna brenda një qarku. Rreth malor. Rrethi i Shkodrës. Në shkallë rrethi.
8. vet. nj., fig. Fusha që përfshin një veprimtari, tërësia e dukurive, që përfshihen brenda një kufiri; sfera. Rrethi i njohurive. Rrethi i problemeve. Rrethi i interesave. Rrethi i të drejtave.
9. sh. ~E, ~ET fig. Grup njerëzish që mblidhen rregullisht në një vend të caktuar për një veprimtari të përbashkët; grup njerëzish me interesa të njëjtë shoqërorë, kulturorë etj.; qark; mjedis. Rrethi letrar. Rrethi i muzikës. Rrethet diplomatike.
10. vet. nj., fig. Njerëzit e afërm, farefisi, miqësia; tarafi. Rrethi familjar. Rrethi i nuses (i dhëndrit). Ftoj rrethin tim. Ka rreth të madh (të gjerë). E ndihmoi rrethi i vet.
11. vet. sh. ~E, ~ET Vendet që shtrihen rrotull një qyteti, rrethinat; afërsitë. Në rrethet e qarkut të Tiranës.
12. sport. Rruga që ndjek gjatë një gare një grup sportistësh (çiklistë, motoçiklistë etj.), duke u kthyer përsëri në pikën e nisjes. Etapat e rrethit çiklistik. Rrethet çiklistike të fundit kishin tërhequr shumë sportdashës.
13. Perimetër. Rrethi i kraharorit. I mati rrethin e gjoksit
14. sh. ~E, ~ET astr. Vijë rrethore e përfytyruar në rruzullin tokësor ose në hapësirën qiellore. Rrethi polar. Rrethi i mesditësit.
15. Shtresë a brez guri me pllaka të dala në sipërfaqe. Rrathët e Veleçikut. Del një rreth e s'punohet. Është vendi rreth e s’kalohet dot.
16. Rripi i fishekëve, rrethatore. Rrethi i fishekëve. Ngjesh rrethin.
17. vet. sh. Thurima të rrumbullakëta prej shufrash, të cilat vihen nën këpucë a nën opinga që të mos fundosen këmbët gjatë ecjes mbi dëborë. Rrathët e dëborës. Vë rrathët.
18. bised. Tufë, shumicë, sasi e madhe. Ka një rreth fëmijë.
19. Horizont. Rrethi i malit. Rrethi i qiellit.
✱Sin.: rrotullore, hark.
♦ U bë për rreth lodre (dikush) është shumë keq; është në gjendje shumë të keqe a të vështirë; është varfëruar shumë, është bërë për t’u mëshiruar; është për lumë; (është) për t’i qarë hallin. Ia bëj rrethin (dikujt a diçkaje). 1. E rrethoj. 2. I përgatit dikujt diçka fshehurazi për ta dëmtuar a për ta shkatërruar; i ngre një grackë (dikujt). 3. E di se si të veproj me të, gjej një rrugë për ta shtënë në dorë; ia gjej anën. I bie në rreth (dikush) iron. është llafazan i madh, të mbyt me fjalë, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; e dredh muhabetin, nuk i bie drejtë; e ndal diellin me fjalë; mbush pusin me pështymë. E kanë lëshuar rrathët (dikë) nuk është fare në rregull nga mendja, nuk e kontrollon më veten, ka rrjedhur; i janë liruar rrathët (dikujt); kund. i shtrëngoi rrathët (dikush). I janë liruar rrathët (dikujt) nuk është fort në rregull nga mendja, nuk e kontrollon mirë veten, ka filluar të rrjedhë; e kanë lëshuar rrathët (dikë). Ia liroi rrathët (dikujt) nuk e shtrëngon a nuk e detyron më që të bëjë diçka, e lë më të lirë për të vepruar a për t’u sjellë si do vetë; ia liroi vidhat; ia liroi burgjitë; kund. ia shtrëngoi rrathët. Mbeti pa *vathë e pa rrathë (dikush). I qit rrethin (dikujt) i lutem shumë, nuk iu ndahem derisa të më plotësojë dëshirën a kërkesën; i bëhem qen e mace. Rreth i mbyllur libr. 1. Arsyetim i gabuar, që bëhet duke vërtetuar një mendim me anë të një parimi, i cili ka vetë nevojë të vërtetohet me mendimin e parë. 2. Gjendje pa rrugëdalje, kur kthehesh aty nga je nisur. 3. Grup i kufizuar njerëzish të lidhur me diçka, në të cilin nuk futen më të tjerë. Rreth i hekurt libr. tërësi rrethanash a masash shtrënguese e detyruese, që nuk të lënë të veprosh siç do; kërkesa të rrepta, të cilave nuk u shmangesh dot. Rreth e më rreth gjithandej, cep më cep. Rreth shekeje përçm. puthador, servil. E sjell në rreth. 1. (dikë). E edukoj, e ndreq, e bëj të sillet mirë; e sjell në rrugë të drejtë (të mbarë). 2. (diçka). E bëj si duhet, e ndreq, e rregulloj; e vë në vijë. E shtiu (e futi) në rreth (dikë) e rrethoi; s’e la të lëvizë as andej e as këtej, e mbërtheu në vend; e zuri ngushtë. I shtrëngoi rrathët (dikush) u qetësua e u përmbajt; u përmblodh; e mblodhi veten; e mblodhi mendjen; kund. e kanë lëshuar rrathët (dikë). Ia shtrëngoi rrathët (dikujt) e detyron të bëjë diçka, ia mbledh, e bën të përmbahet e të sillet si duhet; ia shtrëngoi vidhat; ia shtrëngoi burgjitë; kund. ia liroi rrathët. I vuri rreth (një rreth) kokës (dikush) e vuri veten në një gjendje të vështirë a para një detyrimi, i nxori kokëçarje vetes; shak. u martua e ka detyrime. I ka zënë syri rreth (dikujt) është dobësuar, është hequr shumë; është bërë kockë e lëkurë (dikush); u bë çengel (dikush); u bë cingaridhe (dikush); u bë kërrabë (dikush).
SIGLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. zyrt. Veprimi kur sigloj a siglohet. Siglimi i shkresës. Bëri siglimin faqe për faqe të dokumentit.
2. dipl. Nënshkrimi i një marrëveshjeje në mënyrë paraprake, para se të miratohet zyrtarisht nga organi i plotfuqishëm. Siglimi i marrëveshjes (i traktatit). Siglimi i kopjes së shkresës.
SIGL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. zyrt. Nënshkruaj me shkronjat e para të emrit për të dëshmuar se e kam parë diçka të shkruar a të shtypur; i vë siglën. Sigloj shkresën. Siglon fletoret e nxënësve. E sigloi faqe për faqe dokumentin.
2. dipl. Nënshkruaj një marrëveshje në mënyrë paraprake, para se të miratohet zyrtarisht nga organi i plotfuqishëm. Palët sigluan marrëveshjen.
SUNDIMTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që ka pushtetin e plotë në një vend. Ky burrë thuhet se është një sundimtar. Një sundimtar mund të jetë mizor. Njeriu që refuzoi të bëhej sundimtar.
2. hist. Zyrtar i lartë, i plotfuqishëm, që përfaqësonte pushtetin qendror në një krahinë; ai që kishte fuqinë në dorë në një krahinë. Ky ishte vendimi i sundimtarit. E kishin caktuar sundimtar të krahinës. Do t’i drejtohej me një kërkesë sundimtarit.
✱Sin.: mbret, despot, sundues, tiran, shtypës, shfrytëzues, patriark.
TÓK/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. vet. nj. Planeti ynë, si një nga planetët e sistemit diellor; rruzulli i këtij planeti me pjesën e fortë e me pjesën ujore, si edhe shtresa e gaztë (atmosfera) që e rrethon; planet ku jeton njerëzimi në tërësi; botë. Rruzulli i Tokës. Boshti i Tokës. Korja e Tokës. Bërthama (qendra) e Tokës. Ekuatori i Tokës. Meridianët e Tokës. Jeta në Tokë. Lindja e jetës në Tokë. Toka dhe Dielli. Toka rrotullohet rreth Diellit. Toka është e rrumbullakët.
2. Pjesë e fortë e rruzullit tonë në kundërvënie me ujin a e kufizuar prej tij. Tokë e mbyllur. Toka e bregdetit. Në tokë e në det. Zbriti (zbarkoi) në tokë. Doli në tokë. E nxori në tokë. Uji lag tokën.
3. Kore e rruzullit tonë në tërësinë e saj a në një pjesë të caktuar; shtresë e sipërme e kësaj koreje; lëndë e fortë a e shkrifët, që përbën koren e rruzullit tonë; dhe. Tokë e bardhë (e zezë, e verdhë, e përhime). Tokë e hedhur. Lëkundje të tokës tërmet, shkundullimë. Shembjet (shkarjet) e tokës. Rrëshqitje e tokës. E futi në tokë. E nxori nga toka.
4. Rrafsh, në të cilin qëndrojnë e lëvizin njerëzit, kafshët etj., sipërfaqe, truall. Ulem (shtrihem) në tokë. Rri (bie) në tokë. Ngrihet mbi tokë. Zhvillohet në tokë. Vë këmbën (gjurin) në tokë. Prek tokën ulet (avioni). U ngrit nga toka fluturoi (avioni). Zuri tokë. Shkeli në tokë. Preku tokën. U bë njësh (rrafsh) me tokën.
5. Copë trualli që e punojmë dhe e mbjellim me bimë bujqësore, me pemë, me bar etj.; arë, vresht, pemishtë etj.; vend i kufizuar, i punuar a në gjendje natyrore, që e ka dikush në pronësi dhe e përdor për diçka. Tokë e vogël (e madhe). Tokë pjellore. Tokë e ujitur (nën ujë). Tokë e punueshme. Tokë djerre. Tokë buke. Tokë për vreshta ( për duhan, për pyje, për kullotë). Tokat e kishës (e teqesë). Kullimi i tokës. Pjelloria e tokës. Punojmë (lërojnë, mbjellin) tokën. Hapën tokë të re. Pasurohet (varfërohet) toka. Lejohet shitja (blerja) e tokës.
6. Sipërfaqe e pakufizuar; pjesë e sipërfaqes së rruzullit tonë ashtu siç është. Tokë e zhveshur (e veshur). Toka të panjohura (të pafundme).
7. gjeol. Shtresë gjeologjike me ndërtim të veçantë nën ndikimin e faktorëve kimikë, biologjikë etj. Tokë ranore (argjilore, gëlqerore). Tokë e kripur. Përbërësit e tokës. Shkenca mbi tokën gjeologjia.
8. lart. Vend, shtet; atdhe. Toka arbërore. O toka ime! Toka mëmë mëmëdheu. Toka e etërve (e të parëve) tanë atdheu. E duam tokën tonë.
9. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që lidhen më disa emërvende. Toka e Franc Jozefit Toka e Re.
✱Sin.: tokë, dhe, botë, rruzull, sipërfaqe, terë, stere, shesh, truall, territor, terren, pronë; arë, fushë, vend, shtet, atdhe.
♦ Sa *bari i tokës. Kur të bashkohet (të puqet) *qielli me tokën iron. U bë rrafsh me *tokën (dikush a diçka). E bëri rrafsh me *tokën (diçka). E bëri të puthë tokën (dikush) e mundi, e mposhti, e rrëzoi përdhe dikë; e bëri të hajë bar. S’i bie fjala në tokë (dikujt) nuk thotë asnjë fjalë pa vend dhe e dëgjojnë të gjithë të bindur, e di se ç’flet, nuk flet kot; është i pjekur e i matur; është i zgjuar. Bie me këmbë në tokë (dikush) nis të njohë jetën e vërtetë a rrethanat, në të cilat punon e vepron; nuk rron më me ëndrra, nuk fluturon kot më kot; e kupton më mirë jetën, i sheh gjërat ashtu siç janë; bëhet realist. Ra për toke (dikush) u pikëllua, e vuajti shumë diçka. I digjet (i ndizet) toka (trualli) nën këmbë (dikujt). 1. E presin kudo me luftë të ashpër, gjen qëndresë të fortë; nuk e lënë të qetë a që të zërë vend; iu bë vendi zjarr. 2. Nuk i rrihet në një vend, rri si mbi prush; iu bë vendi zjarr. I dridhet (i rrëshqet) toka (trualli) nën këmbë (dikujt). 1. Gjen qëndresë të fortë dhe nuk po e mban dot të pushtuar një vend; nuk është i sigurt e i plotfuqishëm, po i lëkundet pushteti i vet. 2. Mezi mbahet, shkon drejt rënies e drejt shkatërrimit. Fiton tokë (truall) (diçka) forcohet ndikimi a zgjerohet veprimi i diçkaje; përhapet, shtrihet në hapësirë; fiton terren libr.; kund. humb tokë. Për *gaz të tokës (të dynjasë). M’u hap toka (nën këmbë) rashë në një gjendje të vështirë e s’di ku të futem nga turpi; u lemerisa. Humb tokë (diçka) dobësohet ndikimi a ngushtohet veprimi i diçkaje; kufizohet në hapësirë; rrëgjohet a humb diçka e fituar; humb terren libr.; kund. fiton tokë. (Janë) si *qielli me tokën. S’e ka toka (dikë) shih nuk e ka shokun (dikush). Sa të ketë *qiell e tokë (e dhe). *Kripa e tokës. S’e lë të bjerë në tokë (*përdhe) (dikë a diçka). *Marrja e tokës përçm. S’më mban toka (dheu). 1. shih s’më mban vendi1. 2. v. III (diçka). Nuk durohet, nuk mund të pranohet kurrsesi (një veprim i ulët, një sjellje shumë e keqe etj.); s’e mban qielli. S’e prek tokën (dikush). 1. I duket vetja se kushedi ç’është, mbahet me të madh; nuk përmbahet, fluturon; e mban hundën përpjetë. 2. Nuk ka lidhje me njerëzit, nuk e njeh jetën e gjallë; nuk është realist. Puth tokën (truallin) (dikush). 1. Është kërrusur shumë, i ka dalë kurrizi, është palosur më dysh (nga pleqëria a nga një sëmundje). 2. Përulet me nderim përpara dikujt; bie në gjunjë para dikujt a para diçkaje; i përlëkuret a i lëpihet dikujt. 3. Bie i vdekur përtokë. As në *qiell e as në tokë (as në dhe). (Sikur) *qielli me tokën të puqen! Rri në tokë! iron. jo more!; eja në vete! (kur dikush thotë diçka shumë të çuditshme e të pabesueshme); ulu ca!2; ulu (poshtë) se të panë! Shket (rrëshqet) në tokë të thatë (dikush) nuk është shumë i zoti dhe e pëson keq edhe në kushte të mira; nuk di të mbahet si duhet a të shfrytëzojë rrethanat e favorshme. Me *shpinë në tokë (përdhe). (Taktikë, politikë) e tokës së djegur libr. shkatërrim i plotë i çdo gjëje, që lë prapa një ushtri pushtuese ose një grup shoqëror në një vend. Tokë (fushë) djerrë diçka e panjohur a e pastudiuar fare; diçka e paprekur a e pashfrytëzuar fare. I vari *hundët në tokë (dikush) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë