Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKSESÓR,~I m. kryes. sh. ~Ë, ~ËT 1. libr. Pjesë plotësuese ose e dorës së dytë, që i shtohet kryesores. Aksesorët e shtëpisë (e ndërtesës). Aksesorë ligjorë. Aksesorët e makinave bujqësore. Aksesorë teknologjikë mjete ose artikuj që plotësojnë përdorimin e pajisjeve kryesore. Aksesorë mekanikë. Uzina (fabrika) dhe aksesorët e saj. Aksesorët e telefonit. Aksesorët për telefona. Aksesorë për shtëpi elemente dekorative ose praktike që përdoren për të plotësuar mobilimin dhe zbukurimin e një hapësire. Muskuli kryesor dhe aksesorët (anat.).
2. art. Hollësi plotësuese në një vepër arti; sendet e vogla, që plotësojnë mjedisin e ngjarjes në një shfaqje teatrale, detaj, plotësues; artikuj që përdoren për të plotësuar një veshje ose për t’i shtuar stil. Aksesorët dhe kostumet e teatrit. Aksesor mode.
✱Sin.: shtesë, shtojcë, plotësim, plotësues, dytësor.
AMENDAMENTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Amendim.
2. Amendament. Amendamentimi i kushtetutës. Amendamentim ligji. Propozimi për amendamentim u hodh poshtë.
✱Sin.: ndryshim, plotësim, shtim, rishikim.
APENDÍKS,~I m., anat. 1. Organ i vogël në trajtë krimbi, si zgjatim i zorrës së trashë, i vendosur në pjesën e poshtme në të djathtë të barkut; zorra e verbër, zorra qorre. Pezmatim i apendiksit. Pëlcitje e apendiksit. Mënjanimi i apendiksit.
2. let. Shtojcë, shtesë, ndajshtesë në fund të një vepre e cila edhe pa këtë plotësim përbën një tërësi, një pjesë, ku jepen sqarime, të dhëna, plotësime, tabela, korrigjime etj. Veprës ia bashkëngjiti apendiksin. Ky libër ka nevojë për apendiks.
AUGMÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Proces shtimi ose rritjeje, qoftë në madhësi, në forcë, në rëndësi, në zgjerim ose në përmirësimin e diçkaje.
2. gjuh. Element morfologjik që i shtohet një forme foljore për të ndryshuar kuptimin e saj, shpesh në kohën e kaluar; në gjuhët indoevropiane të lashta si greqishtja e vjetër dhe sanskritishtja augmenti është një parashtesë që u shtohet foljeve për të treguar kohën e shkuar.
3. muz. Dyfishim i kohëzgjatjes së toneve të një motivi, të një fraze ose të një teme.
✱Sin.: zmadhim, shtesë, shtim, plotësim, zgjerim, rritje, shumim, shumëzim, forcim, përforcim, përmirësim.
BITÍSJ/E,~A f. 1. Veprimi kur bitis diçka; kryerje, përfundim.
2. Prishje, shkatërrim.
✱Sin.: kryerje, përfundim, mbarim, sosje, prishje, shkatërrim, rrënim, shembje, rrafshim, plotësim, përmbushje, mbyllje, përmbyllje.
KOMPENSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Plotësim i çmimit të një objekti të shtrenjtë nga ana e shtetit a nga ana e një institucioni të sigurimeve shoqërore për të ndihmuar pensionistët, invalidët, njerëzit në nevojë etj.; asistencë. Kompensimi i pensionistëve me ilaçe.
2. Dëmshpërblim. Kompensim i dëmeve. Mora si kompensim një shpërblim të vogël.
✱Sin.: asistencë, dëmshpërblim.
MOSARRÍTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Pamundësi e arritjes së dikujt a të diçkaje në vendin ku duhej ose ku pritej të arrinte në kohën e caktuar; mosprani, mosqenie a mungesë e dikujt a e diçkaje në vendin ku duhej të kishte arritur; kund. arritje, mbërritje. Mosarritja në kohë (në vend...).
2. Pamundësi a paaftësi për të arritur një përfundim, një objektiv, një qëllim a një rezultat të caktuar; kund. arritje, plotësim, realizim. Mosarritja e mirëkuptimit. Mosarritja e marrëveshjes. Mosarritja e konsensusit. Mosarritja e niveleve të kërkuara. Mosarritja e qëllimit. Rreziqet që ndikojnë në mosarritjen e objektivave. Veprimet që ndiqen në rast të mosarritjes së kursimeve të garantuara sipas kontratës. Mosarritja në kurrfarë përfundimi.
3. Pamundësi ose paaftësi për të arritur suksesin; mungesë e arritjes së suksesit; të meta; dështim; kund. arritje, sukses. Tregoi në fillim arritjet dhe jo të metat e mosarritjet e nxënësve (të punonjësve, të institucionit, të vendit). Korrigjuan mosarritjet. Nxorën mësime nga mosarritjet.
✱Sin.: mosmbërritje, mosprani, e metë, dështim.
MOSPLOTËSÍM,~I m. Mungesë e plotësimit të diçkaje, moskryerje, mospërmbushje; moszbatim; kund. plotësim. Mosplotësimi i planit (i detyrës, i normave). Mosplotësimi i ditëve të punës. Mosplotësimi i regjistrave (i librezave, i dëftesave). Mosplotësimi i kërkesave (i nevojave, i dëshirave). Mosplotësimi i urdhrave (i udhëzimeve).
NGÓPJ/E,~A f. Veprimi dhe gjendja kur ngop, ose kur ngopem me diçka. Ngopje e plotë. Ngopje e tokës. Ngopje me klor (me kripëra). kim. Ngopje magnetike. fiz. shkalla më e lartë e magnetizimit të hekurit. Ngopje me premtime.
✱Sin.: ngimje, fryrje, dendje, rrasje, ngjeshje, futje, velje, ënjtje, mbushje, kënaqje, plotësim, shqepje.
PAJÍM,~II m. sh. ~E, ~ET 1. PajisjeII. Pajimi i shkollave. Pajimi i shtëpisë. Pajimi me orendi (me makineri). Pajimi me veshmbathje. Pajimet e nxënësit (e alpinistit, e gjeologut). Pajimet e peshkimit (e gjuetisë).
2. vet. sh. Tërësia e rripave për të mbajtur në trup armët e sendet e tjera të ushtarit; takëmi i shalës së kalit. Pajimet e kalit. Vuri pajimet. E vrasin pajimet.
✱Sin.: pajisje, plotësim, edukim, mjet, vegël, takëm.
PËRPLOTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Përmbushje; plotësim.
PËRPLOTËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET përf., libr. Veprimi kur përplotësoj ose kur përplotësohet. Përplotësimi i vizatimit.
✱Sin.: plotësim, përsosje.
REALIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vënie në jetë, zbatim, plotësim, përmbushje, kryerje e diçkaje. Realizimi i plotë. Realizimi ritmik. Realizimi i pritshëm. fin. Realizimi i planit. Realizimi i normave (i detyrave). Realizimi i të ardhurave. Realizimi i ëndrrave (i dëshirave). Realizimi dhe tejkalimi. Gjen realizim.
2. kryes. sh. Arritje në një fushë; vepër e realizuar. Realizime të mëdha (të shënuara). Realizimet e fundit. Realizimet shkencore.
3. kinem. Prodhim i një filmi a i një vepre skenike, produksion. Realizimi i filmit u bë me bashkëprodhim nga dy studio filmike. Realizimi i tridhjetë viteve më parë u restaurua dhe do të shfaqet në kinemanë e qytetit.
✱Sin.: arritje, zbatim, plotësim.
RESPEKTÍM,~I m. 1. Të treguarit respekt ndaj diçkaje. Respektimi i prindërve.
2. Plotësim i përpiktë i kërkesave të caktuara; zbatim. Respektimi i parimeve (i ligjeve, i marrëveshjes). Respektimi i sovranitetit. Respektimi i të drejtave. Respektimi i orarit.
✱Sin.: nderim, zbatim.
SENDËRTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur sendërtoj a sendërtohet. Sendërtimi i shpresave (i dëshirave). Sendërtimi i përpjekjeve shekullore. Parashohim një ngjarje shumë para sendërtimit të saj. Pengon sendërtimin e saj. Krijimi i kompozitave në shërbim të sendërtimit të figurës.
✱Sin.: përmbushje, plotësim, zbatim, konkretizimi, vënia në jetë.
SHEMËRTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET bujq. 1. Zëvendësimi i një fidani me një të ri. Shemërtimi i fidanëve të ullirit. Ishte koha për shemërtim. Nuk kishte shumë kohë për të kryer të gjitha shemërtimet.
2. Fashitja e një plage, shërimi i saj. Shemërtimi i së çarës.
3. fig. Zëvendësim idesh, vendesh, variantesh të ndryshme. Shemërtimi i personazhit. Shemërtimi i vendit të punës.
✱Sin.: ndërrim, zëvendësim, rimbjellje, plotësim, shërim, mbyllje, përmirësim, këmbim, ndryshim, ndërresë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë