Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PETASHÚQ,~E mb. Që është i shtypur nga të dyja anët si petë, petak, rrasik. Shishe petashuqe. Gishta petashuqë. Peshk me trup petashuq.
✱Sin.: petak, petor, petator, petëzak, rrasik, i rrasur, i shtypur, shpatuk, palapetë, faqosh, faqor, faqoll, i fllashkët, dhogiç, plloçak, i sheshtë, rrudhac, i rrudhur.
PLLOÇÁK,~E mb. 1. Që është i shtypur a i sheshtë si pllakë, shpatuk, petashuq. Gur plloçak. Kuti plloçake. Shishe plloçake. Trup plloçak. Me fytyrë (me hundë) plloçake.
2. fig., tall. Që është i trashë nga trutë, i pagdhendur. I turpëroi plloçaku. Burrë plloçak. Grua plloçake.
✱Sin.: petashuq, shpatuk, i sheshtë, budalla, i trashë i pagdhendur.
SHÉSHTË (i, e) mb. 1. Që e ka sipërfaqen të niveluar, që ka njëtrajtshmëri, pa të ngritura e pa gropa, i rrafshët; që e ka sipërfaqen të lëmuar. Tokë e sheshtë. Terrene të sheshta. Sipërfaqe (rrugë) e sheshtë. Pistë e sheshtë. Limë e sheshtë.
2. Që e ka majën e shtypur. Kësulë e sheshtë. Vezë e sheshtë. Punto shpimi e sheshtë.
3. Që është i rrafshët e i cekët (për enët), i përfushtë; kund. i thellë. Tigan i sheshtë. Enë të sheshta. Tas sallate i sheshtë. Kullesë e sheshtë.
4. Që nuk ka bark, që e ka belin të theksuar. Bark i sheshtë. Me bark të sheshtë. Çaj për një bark të sheshtë. Ushtrime për një bark të sheshtë.
5. Që nuk ka takë ose që ka takë shumë të ulët. Çizme (këpucë) të sheshta. Kishte veshur një palë shapka të sheshta. Nuk ndihej mirë me sandale krejt të sheshta.
6. fig. Që është i lirë nga pengesat, pa vështirësi, i hapur, i shtruar. E ardhmja e saj ishte një rrugë e sheshtë. Kjo punë nuk është aq e sheshtë sa duket.
7. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për koncepte të ndryshme. Shtyp i sheshtë shtypshkr. mënyrë shtypi që ka të bëjë me shkronjat e radhitura a të derdhura e të faqosura, figurat, skicat etj. të cilat vendosen në një rrafsh horizontal. Taksë e sheshtë (fin.) normë e tatimit e barabartë për të gjithë.
✱Sin.: i rrafshët, i përfushtë, i përsheshtë, i shtrirë, petullak, petullor, plloçak, shpatuk, petashuq, i nderë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë