Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGÁST/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. Copë toke për mbjellje. Ngastër e madhe (e vogël). Ngastër shtëpiake. U grindën për një ngastër toke. Kullimi i ngastrave. Mbjellja e ngastrave. Ngastër eksperimentale (bujq.) copë toke e posaçme e veçuar, në të cilën kryhen eksperimente bujqësore në përputhje me kërkesa të caktuara.
2. Një pjesë e prerë nga një lakror a një byrek, copë. Një ngastër lakror. Hëngri vetëm një ngastër.
3. krahin. Lakror me miell misri dhe me barishte. Na serviri ngastër për drekë.
4. arb. Lagje.
✱Sin.: parcelë, pendore, plloçë, lacë, kind, lakror, dasik, rranicë, copë.
NGJÉSHUR (i, e) mb. 1. Që i ka thërrmijat, shtresat ose pjesët përbërëse të bashkuara a shumë të afruara njëra me tjetrën, i rrasët, i dendur; i ndrydhur; kund. i shkrifët, i çngjeshur, i pangjeshur, harmuri. Tokë e ngjeshur. Borë e ngjeshur. Bistak rrushi i ngjeshur. Shkëmbinj gëlqerorë të ngjeshur. Pëlhurë (beze) e ngjeshur. Karton i ngjeshur.
2. tek. Që bëhet a është bërë më i dendur e më solid, i kondensuar. Materie e ngjeshur nga forca e rëndesës.
3. Që i ka radhët shumë afër njëra-tjetrës, që nuk lë të depërtojë diçka; kund. i rrallë. Rreshta të ngjeshur. Mbrojtje e ngjeshur. Turmë e ngjeshur si një bllok.
4. fig. I mbushur mirë me diçka; i ngarkuar. Plan i ngjeshur. Program i ngjeshur. Vit i ngjeshur (me aktivitete).
5. I fuqishëm e i shëndetshëm, i lidhur. Me trup të ngjeshur. Me shpatulla të ngjeshura. Është i shkurtër, por i ngjeshur.
6. Që i është bërë ngjeshja për të ngelur shtatzënë. Nusja e ngjeshur mbeti shtatzënë.
7. Që është ngjeshur me fjalë. U largua i ngjeshur mirë.
8. I veshur i tëri, i mbathur; kund. i zgjeshur. I ngjeshur si për acar.
9. gjuh., let., filozof., kompj. Që është përqendruar në formë a në strukturë, i kondensuar. Struktura kuptimore të ngjeshura.
✱Sin.: i ngjeshët, i dendur, i rrasur, i kondensuar, i ngushtë, i ngushtuar, i citosur, i dendësuar, i ngrydhët, plloçë, i hupët, i shkelur, i presuar, i shtypur, i ndrydhur, i trashë, trupak, i thukët, i rrasët, i tulatur, i rrasallitur, i rëndë, shatorr, shulak, i shpeshtë, i zhulatur, shtëng, shtupë, i thatë, tallabak, i shtrënguar, i fortë, thuk, i mbushur, i mbrujtur, i shëndetshëm, topolak, dërdëng, i shëndoshë, rrondokop, i fuqishëm, i lidhur, brufullak, i ngarkuar, i vejtur, i zënë, i ngjizur.
PÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shtresë e hollë brumi në trajtë të rrumbullakët, që është hapur e është holluar me petës për të bërë byrek etj. Petë të pjekura. Petët e byrekut (e bakllavasë, e lakrorit). Byrek (qumështor) me petë. Hollojnë (bëjnë) petë. Shtrojnë petët në tepsi. Lyejnë petët me gjalpë (me vaj). Mos i ngri petën, se i bie era. (fj. u.).
2. bised. Lakror a byrek i përgatitur me shtresa të tilla të holla brumi, ndërmjet të cilave zakonisht hidhet një gatesë; petanik. Petë të fshira (gat.).
3. Brumë i gatuar me vezë etj., që hollohet, pritet rripa-rripa dhe lihet të thahet, ose që thahet në diell pa u prerë e pastaj copëzohet për t’u përdorur si makaronat; petarishte, jufka. Petët e dimrit. Petë me gjalpë. Pulë me petë. Bëri ca petë.
4. Shtresë e hollë e rrasike e diçkaje; fletë a pllakë e hollë guri, metali etj. Petë guri. Petë akulli. Teli bëhet petë. Petë bakri (argjendi, ari).
5. Një copë guri e hollë në trajtë të rrumbullakët ose copë tjegulle, që e përdorin fëmijët kur luajnë petash; gur petashuq. Luaj me peta luaj petash.
6. bised. Ajka e qumështit. Ka vënë petë qumështi.
7. Peshqir që mban një burrë në qafë.
✱Sin.: cipë, petanik, petarishte, rrasë, pllakë, paftë, shapetë, paftë, ajkë, dërrasë, plloçë, petkë, droqe, lakror, byrek, jufkë, bixhë, petëz, rreshpe, fletë, rrasik, i shtypur, petashuq, i zbrazët.
♦ Barkun petë e shpatullat (shpinën) drejt (dikush) edhe pse është në varfëri, edhe pse është i pangrënë, prapëseprapë është krenar e i panënshtruar. M’u bë barku petë kam uri të madhe; kam shumë kohë pa ngrënë; m’u bë barku gropë; m’u bë barku dërrasë; m’u ngjit barku pas shpine (me kurrizin); m’u tha barku. U bë petë. 1. (diçka). U shtyp fare; u sheshua. 2. (dikush). U dobësua shumë, u tret e u hollua; u bë dërrasë. 3. (dikush). U shtri rrafsh me tokën që të mos duket; u bë rrafsh me tokën. E bëri petë. 1. (dikë a diçka). E shtypi fare; e sheshoi; e bëri pelte. 2. (diçka). E shtriu rrafsh me tokën që të mos duket; e bëri rrafsh me tokën. 3. (dikë). E rrahu shumë, e shqepi, e zhdëpi; e bëri peshk; ia zbuti kurrizin (dikujt); ia bëri kurrizin më të butë se barkun (dikujt); e bëri lëkurë (për në lëkurë). S’i dredh dot ato petë (dikush) nuk është i aftë për të bërë një punë të caktuar, s’i bën dot ballë asaj pune; s’i ha dot ato kothere; s’ka këllqe (kërçikë); nuk ia rrok (nuk ia kap) pëllëmba (dikujt). Ia hoqi petën lakrorit (byrekut) (dikush) e zbuloi diçka të fshehtë, tregoi si është e vërteta; ia zbuloi krejt të fshehtat dikujt, foli haptas e ia nxori të metat para të gjithëve; ia nxori lakrat në shesh (dikujt); ia hoqi vellon nuses. I ka plasur (i ka dalë) peta (*cipa) (e ballit) (dikujt). S’e tëholl dot petën (dikush) shih s’i dredh dot ato petë (dikush).
PLLÁK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Rrasë e hollë prej guri, prej mermeri, prej çimentoje etj. zakonisht me katër qoshe, me sipërfaqe të sheshtë e të lëmuar, që shërben për të shtruar dyshemetë, rrugët, këmbësoret etj. ose për të mbuluar a për të veshur diçka; petë e tillë prej metali a prej lënde tjetër që shërben për punë të ndryshme. Pllakë e gurtë (e metaltë). Pllakë guri (mermeri, çimentoje, hekuri, gize, bakri). Pllakë xhami (plastike, fibre). Pllaka fajance. Pllakë zdrukthi pllakë prej tallashi të trashë, të përzier me tutkall e të ngjeshur fort, që përdoret si dërrasë. Pllakat e varrit. Oborr (rrugë, dhomë) me pllaka. E shtruan (e mbuluan, e veshën) me pllaka.
2. vjet. Rrasë e vogël, e hollë, me katër qoshe e në ngjyrë të zezë, që përdorej nga nxënësit e fillores për të shkruar mbi të me një laps të posaçëm. Pllakë me vija (me kuti). Shkruanin në pllaka. Fshiu pllakën.
3. Rrasë guri a metali ku është shkruar diçka. Pllakë përkujtimore pllakë mermeri a metali që vendoset diku për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme ose një njeri të shquar.
4. Petë e vogël guri, me të cilën luajnë fëmijët.
5. Rrotull e hollë prej lënde të posaçme, ku është regjistruar një këngë, një melodi a zëri i dikujt, disku i gramafonit; (bised.) kënga a melodia e regjistruar në këtë rrotull. Pllakë gramafoni. Pllaka shqiptare. Pllakë e bukur (e vjetër). Vuri një pllakë. U thye pllaka.
6. Fletë xhami e veshur me një shtresë shumë të ndjeshme ndaj dritës, që përdoret për fotografim. Pllakë fotografike.
✱Sin.: rrasë, dërrasë, pllakaqe, plloçë, petë, disk, kapak, rreshpe, rriskë.
♦ Pllakë gramafoni keq. 1. Dikush që llomotit pa pushim, ai që flet e grin kot, pa i menduar fjalët. 2. Ai që flet i kurdisur nga dikush tjetër, që thotë ç’i kanë mësuar, që përsërit fjalët e tjetërkujt. E kthen (e ndërron) pllakën (dikush). 1. Nis një bisedë tjetër, e ndryshon temën e bisedës. 2. keq. E ndërron qëndrimin a mendimin e mëparshëm; bëhet herë me njërin e herë me tjetrin; nuk e mban fjalën, nuk është i qëndrueshëm, është me shumë fytyra; e dredh; e kthen (e ndërron) fletën; i luan telat; e kthen timonin.
PLLÓÇ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT krahin. 1. Rrasë, pllakë. Plloçat e oborrit (e çatisë, e trotuarit). Nxjerr plloça. E mbuloi (e shtroi) me plloça.
2. Diçka që ka trajtën e një pllakë; pjesë e vogël dhe e veçuar e diçkaje. Mbetën ca plloça në arë pa ujitur.
3. Copë e vogël toke e gardhuar. Ishte prishur gardhi i plloçës.
♦ E bëri (vendin) plloçë (dikush) iron. nuk punon fare; nuk lëviz nga vendi; është dembel; pret të dalë miza nga qypi iron.; numëron qimet e postiqes; trazon baltën me shkop. T’ia tregoj edhe plloçës (diçka) shih t’ia tregoj varrit (diçka). I vuri plloçën (diçkaje) shih i vuri kapak (kapakun) (diçkaje). E zunë me plloça (dikë) keq. e përzunë, e dëbuan me forcë, e shporrën; e zunë me gurë; i dhanë dërrmën (dikujt).
RRÁS/Ё,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Pllakë guri; petë e trashë guri. Rrasë guri. Rrasë e nxehtë. Rrasë mermeri. Rrasa e varrit. Po nxirrnin rrasat e çatisë. E shtruan oborrin me rrasa. Pasi laheshin në lumë thaheshin në rrasat buzë tij. Luaj rrasash luaj me rrasa.
2. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje rrasash. Rrasë kose grihë e posaçme për të mprehur kosën. Nuk mund të kositësh pa e mprehur kosën me rrasë kose. Rrasa e vegshit pllakë e rrafshët që i vihet vegshit si kapak.
3. Faqe e një shkëmbi të petëzuar. Shkau nga rrasa. Hipën në rrasë.
✱Sin.: rreshpe, rrasik, dërrasë, plloçë, petë, akullishtë.
♦ Gjeti rrasa *vegshin keq. Gjeti vorba rrasën iron. shih gjeti tenxhereja kapakun. Mbeta rrasë në diell humba gjithçka e nuk kam më asgjë; mbeta pa asnjë farë pasurie; mbeta kripë (e shëllirë). E nxjerr në rrasë të gjallë (dikush) është shumë i zoti, siguron çdo gjë që do edhe në rrethana a në kushte shumë të vështira; nxjerr vaj nga guri. Rron (edhe) në rrasë të gjallë (dikush) është shumë i kalitur, asnjë rrethanë a vështirësi nuk e thyen; është mësuar në kushte të rënda e me mungesa, kalon çdo vështirësi dhe nuk epet; është i aftë, i duruar e trim. E shkruaj në rrasë të oxhakut (diçka) nuk e harroj që më ka shqetësuar shumë, e kujtoj gjithnjë që më ka hidhëruar shumë, më ka lënë një mbresë të thellë, e ngulit e nuk e harroj kurrë (një humbje, një fatkeqësi etj.); e kam plagë (në zemër); e kam thikë në zemër; e kam gozhdë në zemër; e kam pikë në zemër; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja; kund. e hedh pas (prapa) krahëve. I vuri rrasën (diçkaje) shih i vuri plloçën (diçkaje).
VEND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Hapësirë a sipërfaqe tokësore, tokë e kufizuar a pjesë toke që ka veçori të caktuara fizike e gjeografike; truall; zonë. Vend malor (shkëmbor, fushor, moçalor). Vend i sheshtë (i ngritur, i thyer, i hapët). Vende të ulëta (të larta). Vend i bukur (i butë, klimaterik). Vend i thatë (i zhveshur). Vend djerr. Vendet e nxehta.
2. Pjesë toke a pjesë e sipërfaqes tokësore (fushë, pyll, fshat, krahinë etj.), që ka diçka të veçantë ose përdoret për diçka; hapësirë a sipërfaqe që shërben për një qëllim të caktuar, truall i caktuar për një punë; pjesë hapësire ose sipërfaqeje tokësore ku është një njeri a një send, ku ka ndodhur diçka, për ku ka marrë drejtimin një lëvizje etj. Vend historik. Vendi i lojës (i takimit). Vendi i burimit. Vendi i ngjarjes. Vendi i nisjes (i mbërritjes). Vend për ndërtim. Vend për kullotë. Vend për fushë sporti. Ndajfolje vendi (gjuh.). Rrethanor vendi (gjuh.). Në çdo vend. Në vende publike. Në vende kyç. Vajtëm deri në njëfarë vendi. Zgjodhëm një vend të përshtatshëm. E zgjidhi në vend. Vend publik konsiderohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjet e qytetarëve dhe të automjeteve .
3. Hapësirë a sipërfaqe ku është a ku duhet të jetë një njeri, një send etj., pjesë e një hapësire që zë dikush a diçka; pjesa e hapësirës a e sendit ku rri dikush a mbahet diçka. Vendi i plaçkave. Rri (qëndron) në vend. S'lëviz nga vendi. I ndërroi vendin. E çoi nga një vend në një tjetër. Është në të njëjtin vend. Vendi i plaçkave. Rri (qëndron) në vend. S’lëviz nga vendi. I ndërroi vendin. S'rri në një vend lëviz shumë. E mbaj në vend e ndal; nuk e lë të ikë a të largohet. Çdo gjë ka vendin e vet. E çoi kockën në vend.
4. Hapësirë e lirë; pjesë e një hapësire, e zbrazur nga sendet; hapësira a sipërfaqja që mbush ose që zë një send, një njeri etj. Dy pëllëmbë vend. Ka (shumë) vend. S’ka më vend. Hapi pak vend. U hap vendi. Zë (shumë) vend. E ngushtoi vendin. Ka vend edhe për një tryezë (për një njeri). S'ke vend ku të rrotullohesh (nga të dalësh, ku të shtrish këmbët). I bëj vend dikujt mblidhem a ngushtohem që të ulet edhe dikush tjetër.
5. Pjesë e kufizuar dhe e pajisur posaçërisht që të rrijë, të ulet ose të flejë një njeri; ndenjëse a karrige (në një automjet, në një sallë etj.). Vend i zënë (i lirë). Vendet e tribunës (anës tribunës). Autobus me dyzet vende. Hotel me treqind vende. Nëpër vende! U zunë të gjitha vendet. I liroi vendin një plaku. Zë (ruaj, mbaj) një vend! U ul (u kthye) në vendin e vet.
6. Krahinë, fshat a qytet ku ka lindur ose banon dikush; vendlindje; krahinë. Vendi i lindjes (i banimit). Veshjet e vendit. Në ç'vend është?
7. Hapësirë tokësore që shtrihet brenda kufijve shtetërorë; shtet; atdhe. Vendi ynë. Vendet ballkanike (perëndimore, lindore). Vend i pavarur (varur). Vendet e zhvilluara e të prapambetura. Vendet pjesëmarrëse (ndërluftuese). Mall (prodhim) vendi mall që është prodhuar këtu e që nuk është sjellë nga jashtë shtetit. Raca e vendit. Sipas orës së vendit. Shkeli disa vende. Në gjithë vendin. Vend më vend, shtet me shtet.
8. Pjesë në trupin e njeriut a në veshjen e tij ku ka diçka; pjesë e kufizuar në një rrobë a në një sipërfaqe të caktuar. Vend i lig (i keq) (euf.). Vend i ujit (euf.). Vend i hollë (euf.). Vend i vrarë (i mavijosur). Vendi i plagës. Ishte dëmtuar në disa vende.
9. Pjesë në një vepër letrare a muzikore, ku përmendet diçka; rend i një fjale në një tekst, në një fjalor etj. Vendi i fjalëve në fjali. Vendi ku përshkruhet lufta. Deri në vendin ku...
10. Punë, detyrë që ka dikush a shërbimi që kryen; post. Vend i rëndësishëm. Vend i ngrohtë (i rehatshëm) (keq.) punë e lehtë e me pagë të mirë. Vend pëllumbash (bised., iron.) punë shumë e lehtë. Zuri (siguroi) një vend. I gjeti vend. U zu vendi. Lëshoi vendin. Ka dy vende të lira.
11. Rend a shkallë që zë dikush në garë, vlerësim, në një konkurs, në mësime, në një listë, klasifikim etj. Vendi i parë (i dytë, i tretë...). Lufta për vendin e parë në klasifikim. Zuri vendin e pestë.
12. fig. Rend a shkallë që zë dikush në marrëdhënie me të tjerët në shoqëri, në familje etj.; rol i dikujt në një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore; pozitë shoqërore e dikujt sipas vlerës që ka a që i japin të tjerët; rëndësi e dikujt a diçkaje. Vend kryesor (i rëndësishëm, qendror, i veçantë). Vend komandues (drejtues). Ka një vend nderi. Zë një vend të merituar në histori. Ka vendin e tij në jetë. E vlerësojnë nga vendi që ka në fushën e kulturës (shkencës).
13. përmb. Tërësi e njerëzve që banojnë a që jetojnë diku; njerëz, gjindja e një fshati, e një qyteti, e një krahine, e një shteti etj.; populli; popullsia. Lufton vendi për liri. U ngrit i gjithë vendi. Mblodhi tërë vendin. S'e donte vendi. U tund vendi (fig.).
14. Mjedis a rrethana të përshtatshme për të thënë a për të bërë diçka. S'është vendi këtu. Kishte gjetur vendin që bënte ashtu. S'është as koha as vendi për këtë. Sipas vendit bëhet kuvendi. (fj. u.).
15. fig. Arsye për të thënë ose për të bërë diçka. Fjalë me vend fjalë e drejtë, e përshtatshme, e arsyeshme. Kërkesë pa vend. Flet me vend. Është pa vend është i padrejtë, i papërshtatshëm. S'ka vend për dyshim. Lë vend për dyshime lë shteg a rast për dyshime. Është jashtë vendit është i paarsyeshëm, i pathemeltë, pa baza.
✱Sin.: vis, trevë, terren, anë, sinor, dhe.
♦ Iu bë vendi *zjarr (dikujt). Bëri vend (diçka) u bë zakon, u rrënjos, nuk hiqet dot më, u ngulit shumë e nuk shkulet më; pranohet si diçka e mirë; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë. Bën vend ku s’bëhet (dikush) është njeri i mirë dhe i zoti, ha bukë kudo; të gjithë e duan dhe e nderojnë. Bën në vend numëro (dikush a diçka) nuk bën asnjë përparim, nuk zhvillohet e nuk ecën, ka ngecur, mbetet aty ku ka qenë; qëndron (mbeti, ngeci, bën hapa) në vend. E bëri (vendin) *plloçë (dikush) iron. I bën vend vetes (dikush) sillet mirë dhe fiton nderimin e të tjerëve, e meriton dashurinë e të tjerëve me punën e me qëndrimin e vet; me sjelljen, me cilësitë, me aftësitë, me meritat dhe me veprën e vet i bën të tjerët vetvetiu ta çmojnë dhe ta respektojnë. I bie *daulles në një vend (dikush). Ma bie (ma sjell) zemrën në vend (dikush) më qetëson, më bën të marr veten pas një tronditjeje të papritur; më bën të ndihem mirë duke më siguruar për diçka a duke më dhënë një lajm të mirë. E çoj në vend (diçka). 1. E bëj ashtu si duhet, përmbush një dëshirë, një porosi, një urdhër etj. deri në fund; e plotësoj. 2. E ndreq gabimin; vendos drejtësi (pasi është bërë një padrejtësi); i jap dikujt atë që i takon. E çoi në vend të vetën (dikush) nguli këmbë e u bë siç tha ai, i shkoi e tija. Më doli *gjuha nga vendi (një pëllëmbë, një pash) tall. I dolën *sytë nga vendi (jashtë) (dikujt). M’u errësua vendi humba kontrollin e vetëdijen nga turpi, nga zemërimi etj.; nuk dija ç’të bëja e ku të futesha; m’u errësua bota; m’u errën (m’u errësuan) sytë; m’u veshën sytë; m’u nxinë sytë. *Gur i rëndë në vend të vet. E gjeti guri vendin. 1. Vajti çdo gjë në vendin e vet; vajti dikush aty ku duhet, ku i takon të jetë. 2. Ra një punë në duar të sigurta; e gjeti të zotin (puna). Gjen vend. 1. (diçka). Shprehet a pasqyrohet; del diku, shfaqet; vendoset e bëhet pjesë e pandarë e diçkaje; zë vend. 2. (dikush). Shfrytëzon një rast, gjen mundësinë; ia gjen shtegun (diçkaje). E gjeti vendin (dikush) mospërf. mori atë që meritonte (zakonisht dënimin); e pësoi siç e meritonte; përfundoi aty ku i takonte. Ia gjeti vendin(diçkaje) e hëngri diçka a e fshehu diku për të mos e gjetur dikush tjetër; e zhduku. E gjej me vend (diçka) më duket e drejtë; e pranoj, e miratoj; e quaj të mirëqenë. S’gjen vend ku të futet (dikush) është shumë i shqetësuar, ka një hall shumë të madh; ka turp ose frikë për diçka që ka bërë, nuk del dot në sy të njerëzve; s’i gjen (dot) vend vetes. Më ha vendi s’rri dot në një vend; rri si mbi gjemba; nuk më mban vendi; më ngre vendi (përpjetë); nuk më nxë vendi; s’më rrihet në (një) vend. U hodh nga vendi(dikush) u zemërua menjëherë, kërceu nga zemërimi; u hodh (kërceu, hovi) përpjetë. S’ka *anë e vend (dikush). Nuk e ka kokën (mendjen) në vend (dikush) nuk është në rregull nga mendja; është shumë i hutuar; i ka mendtë në tra (nga trari); nuk është në vete; e ka humbur toruan; e ka humbur busullën. E ka kokën në vend të lig (dikush) keq. nuk arsyeton mbarë si gjithë njerëzit normalë; s’i kupton drejt gjërat; mendon keq a për keq. Nuk i ka sytë në vend (dikush). 1. Nuk e sheh mirë atë që bën; nuk është i kujdesshëm dhe bën gabime. 2. Nuk do që ta shohë e ta pranojë të vërtetën siç është. Ka vend është e mundshme, ka mundësi, mund; duhet, është e nevojshme. S’ka vend (dikush a diçka) nuk lejohet, nuk duhet lejuar; nuk pranohet. S’ka vend e trevë (nga dikush) nuk gjen qetësi nga dikush, që nuk i ndahet për asnjë çast; s’di ku të qëndrojë, nuk mund të mbahet pas asgjëje; s’i zënë këmbët dhe (dikujt). Në *krye të vendit (të vatrës). Nuk lë *gur në vend (dikush). E la *lëmsh në vend (dikë). E la *shakull(në vend) (dikë). E la *shuk në vend (dikë). E la *top në vend (dikë). E la *thes në vend (dikë). S’ia lë (s’ia lëshon) vendin (dikujt) shih nuk e ka shokun (dikush). E la në vend (dikë) e vrau menjëherë, e la të vdekur; e la top në vend; e la thes në vend; e la shakull. Nuk e lë vendin të ftohet (dikush) iron. vjen shpesh; ulet dendur në një vend; s’e lë rrugën të mbijë bar. Nuk i la vend vetes (dikush) është sjellë keq me të tjerët, nuk ka lënë kujtime të mira dhe prandaj nuk e nderojnë, e ka vetë fajin që s’e duan. I lëshoj vendin (dikujt). 1. Lë një detyrë, të cilën e merr një tjetër, ia lë dikujt tjetër. 2. E nderoj dikë, e vlerësoj për meritat që ka; i heq kapelen. Nuk ka lëvizur nga vendi (diçka) ka mbetur në atë gjendje a në atë shkallë zhvillimi ku ishte, nuk ka përparuar, ka ngecur; ka qëndruar (ka mbetur, ka ngecur) në vend. Luaj vendit! përdoret për të shprehur një habi të madhe për ato që na tregon a na thotë dikush ose në rastet kur një njeri ka paragjykimin se ajo që thotë dikush mund të sjellë ndonjë të keqe; ç’po na thua! e çuditshme dhe e pabesueshme! E mban mendjen në vend (dikush) ka kujdes që të mos pësojë gjë, ruhet të mos bjerë në gabime a të mos ia hedhë kush; është i kujdesshëm, e ruan veten; e zotëron dhe e kontrollon veten; nuk është i rrëmbyer; e ka mendjen (i ka mendtë) në kokë; ia ka mendtë vetes. Mbaj vendin! keq. mos fol!, mos ndërhy!; sillu ashtu si të takon nga mosha, nga kultura etj.; mëshoji vendit! E mbaj (e mbërthej, e gozhdoj) në vend (dikë) bëj që dikush të mos përparojë në punë a në jetë; nuk elë të lëvizë a të ecë përpara. S’më mban vendi jam shumë i shqetësuar sa nuk më rrihet në një vend, s’jam i qetë, dua të iki; më vjen të hidhem përpjetë nga gëzimi; nuk pres a nuk duroj dot më; më ngre vendi (përpjetë); nuk më nxë vendi; s’më rrihet në (një) vend; s’më mban toka; më hedh (më ngre) dheu përpjetë; rri (si) mbi gjemba; më digjet rrogozi nën vete; përpëlitem si veza në prush. Mban vendin e vet (dikush) nuk flet, nuk kërkon a nuk bën më shumë nga ç’i takon, është i matur; e di edhe vetë sa vlen. Mbeti *lëmsh në vend (dikush). Mbes *shuk në vend. Mbeti *top në vend (dikush). Mbeti *thes në vend (dikush). Mbeti në vend. 1. (dikush a diçka). Nuk po përparon; nuk rritet a nuk zhvillohet, mbetet aty ku është. 2. (dikush). Vdiq menjëherë nga një goditje, ra i vdekur; mbeti top në vend; mbeti thes në vend. Mëshoji vendit! keq. shih mbaj vendin! Më ngre vendi përpjetë jam shumë i shqetësuar e nuk mund të rri dot në një vend, kam kokëçarje e shqetësime të mëdha, dua të iki; nuk më mban vendi; s’më rrihet në (një) vend; më hedh (më ngre) dheu përpjetë. Nuk më nxë vendi jam shumë i shqetësuar, nuk më pritet për diçka, nuk kam durim; lëviz sa andej këtej, nuk rri dot në një vend nga shqetësimi a nga padurimi; nuk më mban vendi; më ngre vendi përpjetë; s’më rrihet në (një) vend. E përvëloi vendin (dikush) tall. qëndroi shumë gjatë diku, u bë i mërzitshëm e nuk durohet më. Nuk i pret *sëpata (dy herë) në një vend (dikujt). Qëndron (mbeti, ngeci, bën hapa) në vend (dikush a diçka) nuk përparon më tej, mbetet në të njëjtën gjendje; ngel prapa, nuk ecën me kohën, mbetet aty ku ishte; nuk ndryshon, nuk zhvillohet; bën në vend numëro; nuk ka lëvizur nga vendi. Rreh (bie) *çekani në një vend. Rraha (çava) vendin shih rraha (çava) dheun. Nuk i rri gjuha në vend(rehat, prapa dhëmbëve) (dikujt). I rri (i rreh) mendja në një vend (dikujt) vetëm për një gjë mendon, vetëm diçka e shqetëson e s’e largon dot mendjen prej saj, aty e ka mendjen; e ka mendjen majë kësulës; iu bë mendja havale. S’më rrihet në (një) vend jam shumë i shqetësuar, kam një hall a një brengë të madhe; s’duroj dot dhe lëviz andej-këtej; nuk më mban vendi; më ngre vendi përpjetë; nuk më nxë vendi. Ia sjell gjakun në vend (dikujt) e qetësoj, e bëj që ta mbledhë veten e t’i ikë frika a tronditja; ia sjell zemrën (shpirtin) në vend; e sjell në vete (dikë). Ia sjell zemrën (shpirtin) në vend (dikujt) e qetësoj dikë, ia heq frikën a ankthin; e bëj të ndihet mirë; e ndihmoj ta marrë veten, ta ndiejë veten mirë, të këndellet e të gjallërohet (për dikë që ka mërdhirë shumë e ngrohet pranë zjarrit, që është i uritur e shuan urinë, që është trembur shumë e i largoj frikën etj.); ia sjell gjakun në vend; e sjell në vete (dikë). Shkoi në vend u zbatua fjala, u plotësua porosia, u bë ashtu si u kërkua; u sendërtua. Shkoi te vendi (dikush) euf. vdiq; shkoi me të shumtët. I tregoi vendin (dikujt) e ndëshkoi dikë siç e meritonte, i tregoi se sa vlente e si duhej të sillej; i foli a e qortoi dhe e bëri të kuptonte vetveten; ia tregoi qejfin; i tregoi rrugën; ia ndreqi samarin; i dha një mësim të mirë; ia vuri kufirin te thana; e vuri me shpatulla pas murit (dikë); i theu dhëmbët; i preu drutë shkurt (me dikë). U tund vendi. 1. Lëvizën e u turrën të gjithë, u ngritën e shkuan të gjithë diku, s’mbeti njeri pa luajtur, u shkul gjithë gjindja. 2. U ndje kudo diçka, s’mbeti njeri pa e dëgjuar, bëri shumë bujë. Nuk tundet (nuk lëviz) nga vendi (dikush) nuk shqetësohet për diçka, s’luan e nuk merret fare me të; nuk e ha meraku; nuk e prish gjakun; nuk e vë ujin në zjarr. Një vend nën diell libr. e drejta e çdo njeriu për të jetuar në këtë botë si gjithë të tjerët. Sipas vendit bën kuvendin (dikush) di të përshtatet me rrethanat, sillet e vepron si të jetë mjedisi shoqëror, bën sipas rastit, si të shkojë puna a muhabeti. Vendi i lig euf. organet gjenitale të mashkullit, nënvetja. Vend pëllumbash punë a detyrë e lehtë dhe e rehatshme, pa telashe e me të ardhura të mira; qoshe e ngrohtë keq. Vend e pa vend kot; edhe aty ku nuk duhet a atëherë kur nuk duhet; pa arsye; kuturu; va e pa va; rast e pa rast. E vuri në vend (diçka). 1. E zëvendësoi një send me diçka që ka vlerë të barabartë, e zëvendësoi a e plotësoi me diçka tjetër; e kompensoi. 2. Fitoi atë që kishte humbur (kryesisht për nderin, për nderimin a për autoritetin); e riktheu, e ndreqi. 3. (dikë). E vuri para përgjegjësisë; ia mblodhi; i tregoi vendin (dikujt). I erdhi *boja në vend (dikujt). I erdhi *çehrja në vend (dikujt). Më erdhi *fryma në vend. I erdhi *mendja në vend (dikujt). Më erdhi *zemra (shpirti) në vend. S’i zë bytha vend (dikujt) keq. vulg. është shumë i lëvizshëm, nuk shtrohet a nuk ulet gjëkundi; nuk përqendrohet në punë, nuk është i ngulët, lëviz andej-këtej. S’i zë gjaku vend (dikujt) është i lëvizshëm, nuk rri dot i qetë në një vend për shkak të diçkaje që duhet të bëjë, nuk qetësohet dot pa e kryer; është i padurimshëm e s’e përmban dot veten për të bërë diçka; s’i zë vendi vend. S’i zë gjuha vend (ndër dhëmbë) (dikujt) nuk rri dot pa folur; s’pushon së foluri; është llafazan; nuk mban dot asnjë të fshehtë; nuk i rri gjuha në vend (prapa dhëmbëve, rehat). S’i zënë këmbët vend (dikujt) shih s’i zënë këmbët dhe (dikujt). Zë *kryet e vendit (dikush a diçka). S’i zë *sëpata në një vend (dikujt). Zë vend. 1. (dikush). Vendoset diku, ngulet e banon a jeton aty për një kohë të gjatë. 2. (diçka). Ka vlerë, dëgjohet, merret parasysh, përfillet; vlen për diçka të mirë. 3. (diçka). Vendoset e ngulitet diku, bëhet pjesë e pandarë e diçkaje; shfaqet a shprehet diku; është në vendin e vet dhe nuk luan; gjen vend; gjen strehë. I zë vend (i ecën, i shkon, i dëgjohet) *fjala (dikujt). I zë vendin (dikujt) e zëvendësoj dikë, vij a veproj në vend të tij; bëj punën a detyrën e dikujt pas largimit të tij; i zë këmbën. S’më zuri vend (diçka). 1. Nuk më ngopi fare, qe pak e nuk mjaftoi; nuk qe aq e mirë sa të më kënaqte (për ushqimet). 2. Nuk më ngjiti diçka, nuk veproi siç duhej tek unë, kaloi pa lënë gjumë. I zë vend (fjala) (dikujt) ia dëgjojnë fjalën, vepron, ngjit; thotë fjalë me mend dikush, është i pjekur e i mençura. Zë vendin e merituar (dikush) merr atë që i takon, vlerësohet drejt, sipas meritave a sipas rëndësisë që ka. S’i zë vendi vend (dikujt) nuk është i qetë a nuk ka rehati; ka humbur durimin e nuk rri dot në një vend, lëviz andej-këtej; s’i zë gjaku vend;(bën) si pula kur i vjen veza (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë